×

Elizabet Eliot: ‘Vuajtja juaj nuk është kurrë kot’

Vetëm në kryq mund të fillojmë ta harmonizojmë atë që në dukje është kontrast mes vuajtjes dhe dashurisë. Dhe asnjëherë nuk do të mund të kuptojmë vuajtjen, nëse nuk e kuptojmë dashurinë e Perëndisë.

Po flasim për dy nivele të ndryshme në të cilat gjërat duhet të kuptohen. Në Shkrime, në mënyrë të përsëritur, kemi ato pjesë që në dukje janë paradokse sepse flasin për dy mbretëri të ndryshme. Është fjala për këtë botë të dukshme dhe për një mbretëri të padukshme, përmes së cilës interpretohen faktet e kësaj bote.

Vuajtja në Shkrime

Merr si shembull Lumturitë, ato deklarata të mrekullueshme paradoksi që Jezusi u dha turmave kur po predikonte në mal (Mat. 5:3-12). Ai tha gjëra të çuditshme si:

Sa të lumtur janë ata që e dinë se çfarë është trishtimi! Të lumtur janë ata që nuk pretendojnë asgjë. Të lumtur janë ata që kanë pësuar persekutim. Çfarë lumturie do të keni, kur njerëzit ju fajësojnë dhe ju keqtrajtojnë në mënyra nga më të ligat! Jini të lumtur, po, shumë të lumtur.

A ka kuptim?

Nuk ka kuptim, përveç nëse shikon që janë dy mbretëri: mbretëria e kësaj bote dhe mbretëria e një bote të padukshme. Apostulli Pal mund t’i dallonte diferencat kur bëri këtë deklaratë mahnitëse. Ai tha se është lumturia ime të vuaj tani për ju, lumturia ime që të vuaj (Kol. 1:24). Duket pa kuptim apo jo? E megjithatë, kjo është Fjala e Perëndisë. Janet Erskine Stuart tha: “Gëzimi nuk është mungesa e vuajtjes, por prania e Perëndisë.”

Këtë gjeti psalmisti në luginën e hijes së vdekjes: “…nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe” (Ps. 23:4). Psalmisti nuk ishte naiv të thoshte: “Nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe sepse nuk ka të tillë”. Patjetër që ka! Jetojmë në një botë mëkatare, të thyer, të shtrembëruar dhe të rënë. Çfarë tha ai? “Nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse Ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër”.

Vuajtjet e mia

Kur po qëndroja pranë radios me valë të shkurtra, në xhunglën e Ekuatorit në vitin 1956 dhe dëgjova që bashkëshorti im, Jim Elliot mungonte, Perëndia më solli në mendje fjalët e profetit Isaia: “Kur do të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty” (Isaia 43:2). Mund ta vini re se reagimi im nuk ishte tërësisht frymëror. Po thosha: “Zot, Ti je me mua gjatë gjithë kohës. Dua ta kem Xhimin. Dua ta kem bashkëshortin tim.” Kishim qenë të martuar për 27 muaj, pasi kishim pritur pesë vite e gjysmë.

Pesë ditë më vonë, mora vesh se Xhimi kishte vdekur. Prania e Perëndisë me mua nuk më sillte praninë e Xhimit. Ky ishte një fakt i tmerrshëm. Prania e Perëndisë nuk e ndryshoi faktin e trishtë që isha vejushë dhe prisja të isha vejushë deri ditën që do të vdisja, sepse mendoja që kishte qenë mrekulli që isha martuar herën e parë. Nuk mund të imagjinoja që mund të martohesha një herë të dytë, të mendosh pastaj për herë të tretë. Prania e Perëndisë nuk e ndryshoi të qenët vejushë. Mungesa e Xhimit më shtynte, më detyronte të shkoja me ngut te Perëndia, shpresa dhe i vetmi vend strehimi.

Vuajtja është një mjet i pazëvendësueshëm përmes së cilës kam mësuar një të vërtetë të domosdoshme: Perëndia është Perëndia!

Nga kjo përvojë, e njoha Perëndinë, ashtu si nuk do të mund ta njihja ndryshe. Pra, mund t’ju them se vuajtja është një mjet i pazëvendësueshëm përmes së cilës kam mësuar një të vërtetë të domosdoshme: Perëndia është Perëndia! Sërish dua të kthehem dhe të them: “Zot, po ai fëmijë me shtyllë kurrizore të copëtuar? Po ata fëmijë që lindin me mangësi të tmerrshme, me vuajtje pafund, për shkak se nënat e tyre përdornin kokainë, heroinë apo alkool? Po qeni im i vogël, McDuff, i cili vdiq nga kanceri në moshën gjashtë vjeçare? Po për foshnjën Linderbergh dhe familjen Stams, të cilëve u prenë kokat? Po e gjithë kjo?”

Misteri i vuajtjeve

Nuk mund t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja, madje as të miave, përveçse me fjalët e Shkrimit, me këto fjalë nga apostulli Pal, i cili e njihte fuqinë e kryqit të Jezusit. Ja çfarë shkroi:

Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne. Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë. (Rom. 8:18–19)”

Krijimi u bë viktima e prishjes; gjithë ato kafshë, gjithë ato foshnje të cilët nuk kishin aspak faj, jo me zgjedhjen e tij, por për shkak të atij që e bëri kështu; por gjithmonë ka shpresë. Dhe kjo është pjesa që më ngushëllon pafundësisht: vetë universi do të çlirohet nga vargonjtë e vdekshmërisë dhe do të hyjë në lirinë dhe madhështinë e bijve të Perëndisë.

Nga vjen kjo ideja e një Perëndie të dashur? Nuk është deduksion. Nuk është se njeriu dëshironte një perëndi kaq dëshpërimisht, saqë e shpiku një të tillë në mendjen e tij. Është Ai që ishte Fjala përpara themelimit të botës, që vuajti si një qengj në thertore. Ai ka shumë gjëra nën mëngët e Tij, sa ti dhe unë nuk mund ta imagjinojmë dot tani. Ai na ka treguar mjaftueshëm që të mund të dimë, se vuajtja nuk është kurrë më kot.

Shënim i redaktorit: 

Ky fragment i përshtatur është marrë nga Vuajtja kurrë nuk është më kot “Suffering Is Never for Nothing” (B&H Books, 2019).

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet