×

Ku shkoi butësia si virtyt pastoral?

Për shumë kohë, kam ndierë që në rrethet e reformuara, ekziston një nevojë e madhe që pastorët dhe teologët të kultivojnë virtytin e butësisë.

Besoj se të gjithë e dimë që butësia është një nga frytet e Frymës, te Galatasve 5:22-23. Butësia shfaqet sërish në një listë të ngjashme për virtytet e krishtera te 1 e Timoteut 6:11, virtyte specifike mbi udhëheqjen e krishterë. 

Megjithatë, butësia, zakonisht, nuk është një ndër cilësitë e para që kërkojmë te një pastor. Në fakt, unë mendoj se butësia është një ndër virtytet e krishtera, e cila na shpëton kur jemi duke vlerësuar veten dhe të tjerët.

Perëndi i dobët, Perëndi i ashpër

Me të vërtetë, mendoj se në mes nesh ka pasur konfuzion se çfarë duhet të bëjmë me butësinë. Sigurisht që teologët e vjetër liberalë e shtrembëruan këtë koncept kur e përdorën, në fakt, për të eliminuar zemërimin dhe gjykimin e Perëndisë nga predikimet e tyre. Perëndia, thoshin ata, ishte aq i butë, aq i mirë, saqë asnjëherë nuk do të dënonte dikë që ka mëkatuar kundër Tij. Dhe kështu e privuan Perëndinë nga drejtësia e Tij; me të vërtetë, ata e zëvendësuan Perëndinë e Biblës me një perëndi sipas imagjinatës së tyre, me një gjysh tolerant dhe që nuk ia prish qejfin askujt.

Bashkë me këtë shtrembërim të Perëndisë, ndodhi gjithashtu edhe një shtrembërim i Jezusit. Jezusi liberal ishte një shpirt njeriu që përqafon foshnja dhe përkëdhel qingjat e vegjël, por që në të nuk kishte as edhe një pikë zemërimi të drejtë, xhelozi apo zell për të vërtetën. Për liberalët, një Perëndi dhe një Krisht i tillë, me siguri nuk do të miratonte ndonjë masë të rreptë për të ruajtur shenjtërinë e kishës së Tij. Në kishat liberale, disiplina formale në lidhje me çështjet doktrinore, madje edhe për shkeljet morale, u bë një gjë e së shkuarës. 

Ungjillorët, me të drejtë reagojnë kundër këtij keqkuptimi të butësisë hyjnore. Ata u tallën dhe e përbuzën ‘Jezusin super të butë’ të teologëve liberalë dhe shpallën Jezusin si Zotin e ringjallur dhe të lartësuar të qiellit dhe të tokës, i cili së shpejti do të kthehet në zjarr flakërues për të sjellë gjykimet e Tij të tmerrshme mbi tokë. Asllani i C. S. Lewis (autori i Kronikave të Narnias) na kujton se nuk ishte një luan i zbutur. Prandaj, ne kemi argumentuar se ka një vend për disiplinën formale në kishë. 

Ndonjëherë, pastorët duhet të jenë të ashpër, të fortë dhe xhelozë për drejtësinë e Perëndisë. Shumë mësues të reformuar sot, të fuqizuar nga mësime të tilla si ‘Jeta është fe’ e Abraham Kuyper, apo apologjetika e antitezave të Van Tilit, këshillimi nauthetik i Jay Adams dhe teologjia e sundimit të lëvizjes së Rindërtimit të Krishterë, veçanërisht theksojnë se të krishterët nuk duhet të jenë qullashë. Ne nuk duhet të tolerojmë me butësi, ligësinë e shoqërisë; ne duhet të jemi një ushtri e vërtetë e krishterë, duke veshur të gjithë armaturën e Perëndisë, duke hedhur poshtë lartësitë, duke ia nënshtruar çdo mendim Krishtit, duke mposhtur të gjitha iniciativat njerëzore në emër të Mbretit. 

Pra, lavjerrësi lëkundet, nga liberalizmi që ecën mbi të gjithë, deri te militantizmi sundues. Nuk dua të kthehem kundër militantizmit. Dalloj shumë vlera te Kuyper, Van Til dhe Adams, madje dhe në lëvizjen e Rindërtimit të Krishterë. (Por nuk dalloj aq shumë vlerë sa ata.)

Po çfarë i ndodhi butësisë në gjithë këtë? Edhe një herë, ne e dimë që kjo është pjesë e jetës së krishterë dhe sidomos një ndër kualifikimet e pastorit të krishterë. Megjithatë, ajo na rrëshqet nga duart. Në mënyrë ironike, kocepti i butësisë duket në vetvete shumë i butë. Ai nuk bërtet, por duket pothuaj sikur fshihet në listat e gjata të virtyteve. 

Le të shohim më nga afër momentin kur Perëndia e përkufizon Veten e Tij para Moisiut:

“Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pa ndëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.” (Eksodi 34:6-7)

Po, ka gjykim aty, gjykim të frikshëm, por gjithashtu ka mëshirë, durim dhe dhembshuri. Siç thotë edhe Dhiata e Re, Perëndia është dashuri.

Perëndia është zemërbutë

Mëkati meriton vdekjen e menjëhershme, por Perëndia është shumë i mëshirshëm dhe zemërbutë me mëkatarët. Ne mësojmë se sa zemërbutë është Perëndia, kur lexojmë në Dhiatën e Re: “Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Zoti Jezus vjen si bariu zemërbutë i Perëndisë për popullit të Tij. E mbani mend Isaia 40:11? “Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.”

Po, Zoti ynë është zemërbutë. 

Jezusi nuk u tregua i ashpër me njerëzit që ishin fajtorë për mëkatin. Gruas imorale nga Samaria, Ai i ofroi ujin e gjallë të jetës së përjetshme. Jezusi i ofroi asaj një dhuratë të mrekullueshme, madje para se mëkatet e saj të bëheshin temë e bisedës. Po, Ai i diskutoi mëkatet e saj në një moment të mëvonshëm, por e bëri këtë në një mënyrë të butë. Ai më së pari i shëroi njerëzit, pastaj u tha atyre: “Shko dhe mos mëkato më”.

Mendoni se sa shpesh Pali e thekson rëndësinë e butësisë në shërbesë: 

Megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit. Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. (1 Thesalonikasve 2:6-7)

Personalisht unë, Pali, po ju këshilloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit… (2 e Korintasve 10:1)

Mendoni për Librin e vogël të Filemonit, ku Pali i kërkon mikut të tij (Filemonit) që ta trajtojë mirë ish-skllavin Onesimin, të cilin Pali po e rikthen tek ai. Onesimi tani është një vëlla i krishterë. Pali i thotë Filemonit që si një apostull mund ta urdhëronte Filemonin që ai të bënte gjënë e duhur, por përkundrazi, ai me përulje i përgjërohet mbi bazën e dashurisë: “Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh, më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë…” (vargu 8, 9). Pastaj shton: “Por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje” (vargu 14).

Pali kishte autoritet të madh si një apostull, por ashtu siç Jezusi mësoi, Pali nuk besonte që një drejtues duhet të ‘zotërojë’ mbi tufën e tij, duke i urdhëruar të bëjnë këtë apo atë, duke i kërcënuar, duke i detyruar dhe duke jua nxirë jetën. Përkundrazi, ai u përpoq t’i zgjidhte problemet në mënyrën më të butë të mundshme. Si një prind i mirë, ai nuk donte që t’i provokonte fëmijët e tij për zemërim. Përkundrazi, donte t’i mësonte, me fjalë dhe shembull, se si t’i donin me zemër rrugët e Perëndisë. Dhe ta duash Perëndinë nga zemra, përfshin bindje spontane.

Më tepër si Bari

Sigurisht që nuk ka nënvlerësim të drejtësisë, as kompromis me shenjtërinë e kishës. Pali ishte për shkishërimin e atyre që nuk mund të arriheshin në një mënyrë tjetër (1 e Kor. 5), por e pa shkishërimin edhe si një mënyrë përtëritjeje dhe shërimi: “Vendosa që t’i dorëzohet ky njeri në dorë të satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus” (1 e Kor. 5:5).

Koncepti i pastorit, për Palin, sigurisht që është shumë i ndryshëm nga një mbret apo gjeneral dhe më i ngjashëm me një bari apo me një nënë që ushqen foshnjën e saj.

Ndoshta, një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është që Pali nuk e konsideroi veten në një marrëdhënie kundërshtuese me njerëzit e tij. Ai nuk ishte armiku i tyre, por miku i tyre, ishte ati i tyre, ishte nëna e tyre zemërbutë. Mendoj se kam qenë mjaft i trishtuar nga disa raporte që kam dëgjuar për pleq kishe që kanë marrë një qëndrim kundërshtues ndaj deleve të tyre.

Fortësia dhe butësia

Kisha nuk është një shoqëri debatesh akademike, nuk është një vend ku dikush kërkon me çdo kusht që të tregojë se kishte të drejtë dhe ai tjetri e kishte gabim. Mbi të gjitha është një vend ku kujdesemi për njëri-tjetrin, ashtu si nënat kujdesen për foshnjat e tyre. Nëse ajo atmosferë përkujdesjeje, mbrojtjeje dhe dashurie zëvendësohet nga një klimë kundërshtuese, atëherë vetë jeta e kishës është në rrezik.

Nëse predikojmë fortësinë e Perëndisë pa e mbajtur fort dhe me pasion butësinë e Tij, bëjmë një gabim të kundërt dhe po aq të keq me atë të modernizmit. Thënia e të vërtetës në dashuri – ky është ekuilibri që Perëndia na thërret të ruajmë. 

Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit [Përse zemërbutësia dhe jo ndonjë gjë tjetër?]. Zoti është afër (Filipianëve 4:5).

Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti (Galatasve 6:1).

Ripërtërini, korrigjoni, qortoni; por mos lejoni që zemërbutësia e Jezusit të humbasë.

Po ti? A je në gjendje t’i ushqesh të tjerët në këtë mënyrë? Ndoshta i do njerëzit, por nuk di se si t’i korrigjosh ata në një mënyrë vërtet të butë, pa ashpërsi dhe pa i lënduar? Nëse është kështu, gjej dikë që mund të shërbejë si model dhe mësues për ty në këtë fushë; kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për hir të Zotit tonë Jezus Krisht dhe për dashurinë e deleve të Tij, rri larg rolit të pastorit, derisa ta mësosh këtë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet