×

Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit.

Ai është një sezon i përvitshëm ku presim me durim e shpresë, hetojmë shpirtin dhe numërojmë ditët. Adventi mbahet nga shumë kisha, familje të krishtera dhe ndjekës të Jezusit. S’ka një urdhërim biblik për ndjekjen e Adventit. Është një traditë që u zhvillua përgjatë historisë së kishës si një kohë për t’u përgatitur për ditën e Krishtlindjes, ndaj është me zgjedhje. Shumë prej nesh e përjetojmë ndjekjen e Adventit si diçka sfiduese, të kënaqshme dhe të dobishme nga ana frymërore.

Fjala advent vjen prej latinishtes adventus, që do të thotë “ardhje”. Ardhja që kemi parasysh çdo dhjetor, është ardhja e parë e Jezusit dy mijë vjet më parë. Gjithsesi, këtu përfshihet edhe ardhja e dytë e Jezusit, ashtu siç thotë edhe një këngë e njohur për Krishtlindje:

Mos lër të rriten brengë e mëkat
Dhe tokën gjembat ta pushtojnë
Bekimet e Tij do të vërshojnë
Kudo ku mallkimi ka vënë dorë

Adventi fillon të dielën e katërt para Krishtlindjes dhe mbaron në vigjiljen e saj. Kjo do të thotë se fillimi i Adventit varet nga e diela sipas kalendarit, që mund të jetë data 28 nëntor, ose data më e vonë, 5 dhjetor. Nëse periudha e Kreshmës (përgatitja për Pashkë) është dyzet ditë (duke shtuar edhe gjashtë të dielat), Adventi shkon nga njëzet e dy deri në njëzet e nëntë ditë.

Të krishterët anembanë botës kanë mënyra dhe manifestime të ndryshme fizike për kremtimin e Adventit. Disa ndezin qirinj, disa këndojnë këngë, disa hanë karamele. Disa japin dhurata ose varin kurora. Shumë prej nesh i bëjmë këto që përmendëm. Përgjatë shekujve kemi zhvilluar shumë mënyra të mira për ta zgjatur kremtimin e ardhjes së Jezusit përtej njëzet e katër orëve të shkurtra të 25 dhjetorit. Mishërimi i Birit të Perëndisë, “për ne dhe për shpëtimin tonë,” ashtu si thotë edhe kredoja e lashtë, është kaq domethënëse, sa nuk duhet vlerësuar thjesht në një ditë. Në të vërtetë, ne do ta kremtojmë për gjithë përjetësinë.

Lutemi që ky libërth me devocione do të të ndihmojë ta kesh Jezusin qendrën dhe thesarin më të madh të sezonit të Adventit. Qirinjtë dhe karamelet e kanë vendin e tyre, por ne duam të sigurohemi që në mes të vrullit dhe ngarkesës së dhjetorit të vlerësojmë Jezusin mbi gjithçka tjetër.

Ja pse mendoj se “Të shkojmë ta adhurojmë” mund të jetë kënga tematike për këto lexime Adventi. Këto meditime kanë të bëjnë vetëm me adhurimin e Krishtit, Zotit. Me raste do të dëgjosh tinguj nga “O eja, eja Emanuel” dhe “Engjëjt lajmëtarë këndojnë”. Sigurisht që dhe dijetarët hyjnë në skenë, por figura qendrore është Jezusi–foshnja e lindur në Betlehem, Perëndia-njeri i mbështjellë me pelena, i shtrirë në një grazhd, i destinuar për Kalvarin, i dërguar prej Atit që të vdesë dhe të ringjallet sërish për popullin e Tij.

Perëndia e thelloftë dhe e ëmbëlsoftë adhurimin tënd për Jezusin gjatë këtij Adventi.

Shënim i redaktorit: 

Këto lexime ditore u mundësuan nga dritez.al

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet