×
Shënim i redaktorit: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

Në vitet e mia të para, në kishë, i pyesja ndonjëherë anëtarët e hershëm për pastorët që më pararendnin. Nuk po i tundoja për thashetheme, por po shpresoja të mësoja diçka në lidhje me kishën.

Zbuloja shpesh se çfarë ata vlerësojnë te një pastor.

Gradualisht, vura re një model. Këdo që pyesja për pastorin e parë më përgjigjej gjithnjë me të njëjtën fjali: “Ai ishte një bari vërtet i mirë.” Me kalimin e kohës, munda të lexoj midis rreshtave. Duke theksuar pikën e tij të fortë (të qenit bari), ata po ndanin edhe dobësinë e tij (predikimin).

Pyes veten nëse ai e dinte se çfarë mendonte bashkësia për të. Besoj se e dinte. Njerëzit kanë tendencën të flasin, veçanërisht për pastorin. E megjithatë, ka një pyetje edhe më të rëndësishme: a duhet ta kishte ditur ai? Sa e rëndësishme është për një pastor që të jetë në dijeni të pikave të tij të forta dhe të dobëta?

Është me rëndësi thelbësore.

Një pastor i mirë e di se ku shkëlqen dhe ku ka nevojë të rritet. Ja katër arsye pse një pastor duhet të jetë i vetëdijshëm.

1. Për ta lavdëruar Perëndinë më mirë

Jakobi na thotë se çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur vjen nga lart (1:17). Kjo përfshin pikat tona të forta. Perëndia jo vetëm që të formoi, por të mbushi me shumë dhunti shpirtërore. Nëse shkëlqen në durim, ka mundësi që e ke më të lehtë të ulesh për të përgatitur një predikim. Nëse shkëlqen në gëzim, mund ta përcjellësh atë predikim me një zell më të madh. Në fund të fundit, këto aftësi janë dhunti.

Për këtë arsye, nuk është krenari të vësh re pikat e tua të forta, nuk është arrogancë të kuptosh se ku shkëlqen. Perëndia është dhënësi dhe Ai e merr lavdinë. Sa më mirë ta dish se ku je i fortë, aq më specifikisht mund ta lavdërosh.

Nuk është krenari të vësh re pikat e tua të forta, nuk është arrogancë të kuptosh se ku shkëlqen.

Kjo vlen edhe për dobësitë. Pali mësoi të mburret në dobësitë e tij (2 Korintasve 12:9). Sa më mirë ta kuptonte ai mënyrën se si Perëndia mund ta përdorte me gjithë të metat e tij, aq më shumë jeta e tij tregonte fuqinë e mahnitshme të Krishtit.

2. Pikat e forta dhe të dobëta nuk janë të pandryshueshme

Është e lehtë të shohësh dobësitë e tua dhe të ndihesh i mposhtur. “Jam kaq i paaftë në predikim. Askush nga ata që më dëgjojnë, nuk ndryshon. Unë nuk organizoj dot një sirtar, jo më një kishë.” Është po aq e lehtë të shohësh pikat e tua të forta dhe të bëhesh arrogant. “Unë jam ekstravert, prandaj ungjillëzimin e bëj pa u munduar. Jam drejtues i lindur, ndaj e di mirë si drejtohet një mbledhje”.

Asnjëri reagim nuk është i mençur. Për shkak se pikat e forta dhe të dobëta nuk janë statike, për shkak se ato ndryshojnë me kalimin e kohës, pastorët duhet t’i kultivojnë pikat e tyre të forta dhe mund t’i kultivojnë dobësitë e tyre. Për shembull, nëse një plak kishe është predikues thjesht mesatar, ai mund të rritet përmes lutjes, këshillimit dhe praktikës. Në të njëjtën kohë, një burrë që mbështetet në aftësitë e tij të natyrshme oratorike, me shumë mundësi do të mbetet në stanjacion, madje do të bjerë në aftësinë dhe efektshmërinë e tij.

Rritja mund të vijë vetëm nëse ai e di se ku ka nevojë të rritet. Nuk është e lehtë, rritja ka një çmim. Çdo pastor duhet të luftojë për t’u përmirësuar dhe ai nuk mund ta dije se ku duhet të luftojë, nëse nuk është i vetëdijshëm.

3. Parimi i Lukës 6:40

Jezui iu tha ndjekësve të Tij: “Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, por çdo dishepull i mbaruar do të jetë si mësuesi i vet.” (Luka 6:40, AL). Pastorët janë mësues, janë dishepull-bërës. Ata bëjnë më shumë se sa transferim njohurish, ata modelojnë një stil jetese që do të reflektohet nga studentët e tyre.

Ndalo pak këtu, për një çast. Nëse ti je një pastor, bashkësia jote do të bëhet si ty.

A mund ta çmosh më shumë rëndësinë e njohjes së pikave të tua të forta dhe të dobëta? Çfarëdo qofshin ato, do të jenë të shkruara në ballë të bashkësisë të cilës ti i shërben.

Nëse ti je një pastor, bashkësia jote do të bëhet si ty.

A është kisha jote, në përgjithësi, e zjarrtë në studimin e Biblës, por e vakët në ungjillëzim? E di që mund të jetë e vështirë për t’u dëgjuar, por shihu njëherë në pasqyrë. Parimi i Lukës 6:40 mbetet real. Dardha bie nën dardhë, dishepulli i ngjan mësuesit.

Të dish pikat e tua të forta dhe të dobëta është një mënyrë për ta dashur kishën tënde. Askujt nuk i pëlqen të shohë një burrë me krahët sa një trung peme dhe këmbët si kleçka. Kishat me ekzagjerime në pikat e tyre të forta dhe të dobëta janë po aq të shëmtuara. E them sërish, një pastor nuk mund t’i drejtohet një mosbalancimi, nëse nuk e di që ai ekziston.

4. Urdhri i 1 Timoteut 4:16

Nuk kam për ta harruar asnjëherë, kur u ula në kishë gjatë një predikimi në seminar dhe dëgjova Don Whitney-n të predikonte mbi këtë varg. Detajet e mesazhit më shpëtojnë nga kujtesa, por thelbin gati e dëgjoj ende. Unë duhet të kem kujdes për jetën time. Pastor, njihe veten! Perëndisë nuk i intereson vetëm doktrina e shëndoshë: Ai urdhëron një jetesë të shëndoshë. “Ruaje veten tënde dhe doktrinën, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.” (1 Timoteut 4:16).

Mbase ka një lidhje midis 1 Timoteut 4:16 dhe Lukës 6:40. Jo, njerëzit nuk do të shpëtohen nga shembulli im. Nevojitet vepra shlyese e Krishtit për këtë. Sidoqoftë, Perëndia përdor sa mësimin aq edhe jetën e pastorit, për t’i inkurajuar delet të rezistojnë deri në fund.

Pastori besnik do të jetë; duhet të jetë një student i vetvetes, ashtu siç është student i Fjalës së Perëndisë.

Kujdesu për veten

Pastori i Londrës së shek. XVII, Abraham Booth, e dinte këtë mjaft mirë. Ai është i famshëm kryesisht për një predikim kundër tregtisë atlantike të skllevërve. Gjatë shërbesës së tij, ai u bë një pastor për pastorët. Në një predikim shugurimi, ai nxiti një predikues të ri me vargun e 1 Timoteut 4:16: “Ruaje veten tënde..!”

Booth-i e paralajmëroi atë kundër neglizhencës së familjes së tij, kishës së tij dhe zemrës së tij. Nëse Satani arrin të na verbojë ndaj dobësive tona në shërbesë, e ka bërë një pjesë të rrugës për rrënimin e shërbesës sonë. Fjalët e Booth-it janë sa të ngrohta, aq edhe të mprehta:

Kujdesu për veten, duke respektuar motivet që po të ndikojnë në të gjitha përpjekjet e tua për të fituar njohuri të dobishme. Pasi, nëse lexon dhe studion kryesisht që të bësh një figurë të mirë në podium; apo që të përfitosh e të rritësh duartrokitjet e audiencës; motivi është mishëror, i pandershëm dhe i padenjë për një njeri të Perëndisë.

Derisa të jemi në qiell, motivet tona nuk do të jenë kurrë aq të pastra sa duhet. E megjithatë, si mund ta dimë nëse ato janë mishërore, nëse nuk e njohim së pari vetveten?


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/pastor-know-thyself/

Përktheu: Sergej Meçe / Redaktoi: Linea Simeon

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet