×

A ka rëndësi ringjallja e Krishtit? A sjell vërtet ndonjë ndryshim? Apostulli Pal sigurisht që e mendonte në atë mënyrë. Kur iu shkroi korintasve, Pali u përball me lajmin tronditës se disa në Korint mohonin ringjalljen e ardhme të trupit. Një pikëpamje e tillë ishte përqafuar nga shumë njerëz në botën greko-romake. Vdekja ishte fundi për ta. Në fakt që nga shekulli i parë nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. E njëjta pikëpamje mbahet edhe sot nga skeptikët e besimit.

Gjithsesi, më tronditëse ishte se në kohën e Palit ishin disa të krishterë që pranonin ringjalljen trupore të Jezusit, por mohonin ringjalljen e ardhme të trupit. Pali reagon me guxim, duke argumentuar që nuk mund të kesh njërën pa tjetrën. Nëse nuk ka ringjallje të ardhme për besimtarët, atëherë Krishti vetë nuk është ringjallur. E nëse Krishti nuk është ringjallur, atëherë gjithçka ndryshon. Le të shqyrtojmë rëndësinë e ringjalljes së Krishtit për jetën e krishterë.

1. Ringjallja e Krishtit është e pandashme nga ungjilli i Krishtit.

Te 1 e Korintasve 15, Pali fillon duke iu kujtuar vëllezërve të tij “ungjillin që ju kam shpallur… dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar” (15:2). Pali thotë se ky ungjill fokusohet te vdekja e Krishtit, i cili “vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve” (15:3). Vini re që Pali nuk e mbyll me kaq. Krishti nuk mbeti i vdekur, por Ai gjithashtu thotë se “u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve” (15:4), para se t’u shfaqej dishepujve të Tij.

Ne si besimtarë, të përqendruar tek ungjilli dhe të ngjyruar prej tij, mos vallë e kemi lënë ringjalljen jashtë mesazhit të ungjillit? Unë e di që jam fajtor. Pasi reflektova rreth një mundësie që pata për të ndarë ungjillin me një jobesimtar, papritur kuptova që nuk e kisha përmendur qoftë dhe njëherë me ndonjë farë thellësie ringjalljen e Krishtit. Kam frikë se përjetimi im nuk është vetëm i imi, por edhe përjetimi i ungjillorëve kudo. Pali na mëson që duhet të kuptojmë realitetin biblik, se ringjallja e Krishtit nuk mund të ndahet prej vdekjes së Krishtit kur flasim rreth ungjillit. Nëse i ndajmë këto të dyja, do të na mungojë vërtet domethënia e ringjalljes për shpëtimin tonë. Sikurse thotë edhe Thomas Schreiner: “Vdekja dhe ringjallja e Krishtit janë të pandashme në arritjen e shpëtimit.”

2. Ringjallja e Krishtit është lënda djegëse që ndez predikimin tonë ndaj një bote të humbur.

Bëji vetes këtë pyetje: A do të dukej ndryshe predikimi juaj, nëse Krishti nuk do të ishte ringjallur prej së vdekurish? Nëse përgjigjja juaj ndaj kësaj pyetje do të ishte jo, atëherë ka një problem serioz. Për Palin, ringjallja e Krishtit përbënte gjithë ndryshimin në botë, kur binte fjala për predikimin. Nëse Krishti nuk është ringjallur thotë Pali, “atëherë predikimi yt është i kotë” (15:14).

Arsyeja është e thjeshtë: jeni duke e keqprezantuar Perëndinë, sepse po predikoni që Ai e ringjalli Krishtin, kur në realitet Ai nuk e ka bërë një gjë të tillë (15:15). Me pak fjalë, nëse Krishti nuk u ngrit prej varrit, nuk kemi lajmin e mirë.

3. Ringjallja e Krishtit shpëton

Ndoshta deklarata më kthjelluese që bën Pali te 1 e Korintasve 15 është: “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (15:17). Shpesh ne e kufizojmë kuptimin tonë të shpëtimit në vdekjen e Krishtit. Sigurisht, ashtu sikurse thotë dhe Pali te Romakëve 3:25, 26, vdekja e Krishtit është vetë baza e drejtësimit tonë. Përmes “këtij akti të vetëm drejtësie” të Tij (Romakëve 5:18), “shlyerja nëpërmjet gjakut të Tij” (Romakëve 3:25, 26), mëkatarët shpallen të drejtë para Perëndisë, Gjithsesi, ka edhe më tepër, shumë më tepër që duhet thënë. Jo vetëm që vdekja zëvendësuese e Krishtit shpëton, por të njëjtën gjë bën edhe ringjallja e Tij. Për shembull, Pali thotë te Romakëve 4:24, 25 që ashtu si Abrahami, edhe ne numërohemi të drejtë, sepse besojmë në atë “që ka ringjallur prej së vdekurish Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të mëkateve tona dhe u ringjall për shkakun tonë.”

Duke e ringjallur Jezusin prej së vdekuri, Perëndia shpall kënaqësinë dhe aprovimin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona që Krishti bëri në emrin tonë mbi kryq. Dhe, si ata që janë në Krishtin (Romakëve 6:6-11; Efesianëve 2:6; Kolosianëve 2:12, 3:1), ashtu dhe aprovimi (ose miratimi) i Perëndisë për vdekjen zëvendësuese të Krishtit, i demonstruar në ringjalljen e Jezusit prej së vdekurish, drejtohet edhe ndaj nesh, në mënyrë që kur besojmë, marrim favorin e Perëndisë. Prandaj, drejtësimi ynë është rrjedhojë reale e ringjalljes së Krishtit. Nuk është habi që Pali mund të thotë se “në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 e Korintasve 15:17). Nëse jemi ende në mëkatet tona, nuk kemi siguri, nuk kemi asnjë garanci për shpëtimin tonë. Prandaj, nuk është e tepërt të themi se ringjallja e Krishtit shpëton.

4. Ringjallja e Jezusit është baza për ringjalljen tonë të ardhshme

Sa praktike është ringjallja e Krishtit; saktësisht për shkak se Krishti është ringjallur, mund t’u themi atyre që shohin arkivolin e një të afërmi të dashur se ky nuk është fundi i historisë.

Nëse të afërmit tuaj besojnë në Krishtin, atëherë edhe pse ata kanë ‘fjetur’, kanë fjetur “në Krishtin” (1 e Korintasve 15:18). Dhe përderisa janë bashkuar me këtë Krisht të ringjallur, nuk kanë humbur, por shpirti i tyre ka shkuar të jetë me Krishtin (Filipianëve 1:23) dhe janë duke pritur për atë ditë kur do të marrin trupin e tyre të ringjallur. Sikurse u thotë Pali korintasve, ringjallja e Krishtit është fryti i parë i asaj të korre të madhe që do të vijë. Edhe pse vdekja erdhi përmes Adamit të parë, në Adamin e dytë “të gjithë do të ngjallen” (15:22).

Pa ringjalljen e Krishtit, nuk kemi asnjë shpresë për të ardhmen. Sikurse thotë Pali me terma të qartë, nëse Krishti nuk është ringjallur atëherë ne jemi për “të ardhur keq”, më tepër se gjithë njerëzit e tjerë, për shkak se shpresa jonë në Krishtin nuk shkon përtej kësaj jete të tanishme (1 e Korintasve 15:19). Përderisa Krishti është ringjallur, ne jemi ata lloj njerëzish që mund ta shohim vdekjen ballë për ballë duke e ditur që ajo nuk ka më fitoren përfundimtare dhe as gjemb të përhershëm (1 e Korintasve 15:45-55).

Më pëlqen shumë si e mbyll Pali te 1 e Korintasve 15: “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (15:58). Për shkak se Krishti është ringjallur, ne si njerëz që jemi në Krishtin kemi çdo siguri që mundi ynë në ndarjen e ungjillit të Krishtit të ringjallur, nuk është i kotë apo pa qëllim, por do të ketë rëndësi për gjithë përjetësinë. Prandaj, mos harroni që ringjallja e Krishtit ndryshon gjithçka. Pa ringjalljen e Krishtit, nuk kemi Ungjill, nuk kemi shpëtim, nuk kemi mesazh shpëtues dhe sigurisht nuk kemi shpresë të ardhme.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet