×

Reflektim i krishterë për sëmundjet mendore

Miliona njerëz nëpër botë luftojnë me dhimbjen e diagnostikimit me sëmundje mendore. Unë jam këshillues biblik dhe kam ecur përkrah shumë njerëzve në rrugën e errët dhe të vështirë të reagimit ndaj këtyre problemeve. Nga distimia deri te çrregullimi i panikut, ka shumë pak vështirësi në përjetimet njerëzore që janë po aq të dhimbshme, izoluese dhe të ndërlikuara sa ato që kultura jonë i quan sëmundje mendore.

Unë, bashkë me shumë të tjerë, po përpiqem ta përkushtoj jetën për të ndihmuar njerëzit të mposhtin frikën e këtyre diagnozave. Ka shumë sfida në mposhtjen e tyre. Njëra prej tyre është se kur përdorim termin “sëmundje mendore”, askush nuk e kupton vërtet se për çfarë po flasim.

Thjesht, shumica e të krishterëve, nuk e kuptojnë qartë natyrën e sëmundjeve mendore. Mendoj se kur pjesa më e madhe e të krishterëve e përdor termin i referohen problemeve të vështira e të ndërlikuara që kanë efekte të dukshme dëmtuese. Kur i shohin këto probleme u duken kaq ekstreme dhe shqetësuese saqë besojnë se duhet ndonjë lloj ilaçi për të ndrequr një problem që perceptohet si fizik.

Të krishterët kanë të drejtë që duan të sigurojnë të gjithë ndihmën e mundshme për këto probleme. Megjithatë, nëse vërtet duam të ndihmojmë, është e rëndësishme të dimë për çfarë po flasim kur e përdorim këtë term.

Çfarë janë sëmundjet mendore?

Përkufizimi i sëmundjeve mendore është diçka e vështirë. Manuali diagnostikues dhe statistikor i çrregullimeve mendore (DSM), katalogu i sëmundjeve mendore i krijuar nga Shoqata Psikiatrike Amerikane, e ndryshon rregullisht përkufizimin e sëmundjeve mendore. Përkufizimet e ndryshueshme kanë si qëllim koherencën me ndryshimet e mendimeve në psikologji në lidhje me sëmundjet mendore. Gjithsesi, shpeshherë nuk përkojnë me përkufizimet e përcaktuara nga shoqata të tjera si Aleanca Kombëtare e Sëmundjeve Mendore. Ndërsa shkruan në Psychology Today, psikologu laik, Eric Maisel vë në dukje dështimin e psikologëve në përcaktimin e sëmundjeve mendore si provë që fenomeni nuk ekziston në të vërtetë.

Të gjithë e dinë se njerëzit e diagnostikuar me një sëmundje mendore kanë probleme të vërteta. Çështja qëndron në natyrën e problemit. DSM-ja u publikua për herë të parë në vitin 1952 për të krijuar një sistem gjuhe për llojet e reja të problemeve. Psikologët kishin dëshirën e mirë të mundësonin kategori për problematikat serioze që mbingarkonin njerëzit me vështirësi, por për të cilat nuk mund të gjenin prova patologjike.

Patologjia është ajo që mjekët kërkojnë për të diagnostikuar një sëmundje. Është një anomali fizike që konsiderohet shkaku i sëmundjes. Për shembull, njerëzit që diagnostikohen me kancer kanë një masë qelizash në trupin e tyre që ndahet e shumohet në ritëm të shpejtë e të pakontrollueshëm. Shkencëtarët e njohin këtë patologji për shkak të testimeve dhe vëzhgimeve të vazhdueshme të rritjes së qelizave normale duke i krahasuar me rritjen e atyre anormale. Mjekët bëjnë analiza mjekësore dhe përcaktojnë rezultate objektive përkundrejt një standardi të qartë. Ata përcaktojnë një diagnozë mjekësore të sëmundjeve duke bërë analiza që shfaqin prova konkrete të patologjisë.

Shumë njerëz gabimisht hamendësojnë se sëmundjet mendore në DSM karakterizohen nga i njëjti nivel saktësie mjekësore. Nuk është kështu! Fatkeqësisht, nuk ka teste mjekësore që përcaktojnë ekzistencën e shumicës së çrregullimeve në DSM. Përgjithësisht, çrregullimet e renditura në DSM kanë disa karakteristika që i ndajnë nga sëmundjet e tjera mjekësore. Më poshtë do të listoj tre prej tyre:

1. Jo patologji, por votim komisioni

Ndryshe nga sëmundjet në mjekësi, sëmundjet në psikologji krijohen përmes votimeve të komisioneve. Një nga arsyet që ka kaq shumë versione të DSM-së është për shkak se komisionet vazhdojnë të votojnë për të shtuar, hequr e ndrequr çrregullimet e ndryshme. Ka shumë shembuj të kësaj praktike në historinë e DSM-së. Një shembull i dukshëm është homoseksualiteti.

Në edicionet e hershme të DSM-së, homoseksualiteti listohej si sëmundje mendore. Në vitin 1974, APA e hoqi homoseksualitetin nga DSM-II. Homoseksualiteti u deklarua si gjendje normale përmes votave të 15 anëtarëve të komitetit. Ky komitet nuk po bazohej në asnjë informacion shkencor, por në presionin politik që ushqehej nga aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Jo të gjitha çrregullimet e DSM-së janë kaq të paqëndrueshme politikisht sa homoseksualiteti, por të gjitha karakterizohen nga fakti se janë krijuar, hequr e ndrequr nga komisioni i votimit. Votat si këto janë shumë të ndryshme nga shkenca mjekësore që gjendet në sëmundje si kanceri, diabeti dhe Alzhemier.

2. Jo patologji, por përshkrime subjektive të sjelljes

Shkenca objektive e mjekësisë i përcakton sëmundjet përmes biopsive, analizave të gjakut, rrezeve X dhe testeve të tjera që zbulojnë patologjitë. Psikologjia i përcakton sëmundjet mendore ndryshe. Të njëjtat komisione që votojnë se cilat probleme janë normale dhe cilat nuk janë, votojnë edhe për sjelljet përshkruese që përcaktojnë sëmundjet. Depresioni është një shembull.

Komisioni që punon në DSM-IV ra dakord se njerëzit do të konsideroheshin mendërisht të sëmurë me diagnozën e depresionit të rëndë nëse do të kishin gjendje depresive për dy javë dhe nëse shfaqnin pesë nga nëntë kriteret, përfshirë ndryshimet në oraret e gjumit, ndryshime në aktivitete dhe ndjenjat e fajit. Komisioni i DSM-V votoi të bëheshin ndryshime të dukshme në këto kritere, aq sa tani, një grua që vajton për vdekjen e burrit të saj mund të marrë të njëjtën diagnozë.

Njerëzit që përmbushin këto kritere në DSM kanë një problem për të cilin kanë nevojë për ndihmë. Të krishterët duhet të kenë dëshirën e zjarrtë për t’i ndihmuar. Gjithsesi, zakonisht nuk është puna e mjekësisë, kërkimit të patologjisë, që përcakton një diagnozë mjekësore nga një listë e ndryshueshme e përshkrimeve subjektive të sjelljes.

3. Jo patologji, por sjellje morale

Shumë prej sjelljeve që DSM-ja përshkruan, janë kategori morale që edhe Perëndia i përshkruan. Më parë, përmenda homoseksualitetin. Megjithatë, le të shqyrtojmë pak Çrregullimin e Identitetit Gjinor (GID), që përshkruhet te DSM-ja si çrregullim mendor.

GID është transseksualizëm. DSM-ja e përcakton si ndjenja e fortë, e vazhdueshme e identifikimit me gjininë e kundërt dhe parehatinë me seksin përkatës. Njerëzit me GID dëshirojnë të jetojnë si anëtar të gjinisë së kundërt dhe shpesh vishen dhe përdorin manierizma të gjinisë tjetër. Psikologët rekomandojnë disa lloje të ndryshme trajtimesh për GID, duke filluar me këshillimin për t’u përballur me dhimbjen e të qenët caktuar në gjininë e ‘gabuar’, deri në operacionet e rirregullimit të gjinisë.

Është karakteristikë e DSM-së të shndërrojë në probleme mjekësore problemet morale–duke filluar nga GID deri te shqetësimi–të cilat Perëndia i përmend në Fjalën e Tij.

Çfarë kuptimi ka dhe nuk ka kjo

Asnjë nga këto përshkrime nuk zbeh vuajtjen që kalojnë njerëzit e diagnostikuar me sëmundje mendore. Njerëzit që përballen me këto probleme kanë nevojë për ndihmë të thellë dhe shumëplanëshe. Njerëzit me sëmundje mendore, shpesh, kanë një patologji fizike për të cilën kanë nevojë për ndërhyrje mjekësore.

Gjithsesi,ky fakt nënkupton se duhet të pranojmë se këto probleme janë ndryshe nga problemet e thjeshta mjekësore. Nëse duam të ndihmojmë njerëzit me sëmundje mendore duhet të kuptojmë qartësisht për çfarë po flasim. Kur dalim në përfundimin se sëmundjet mendore janë të barabarta me diçka si Limfoma jo-Hodgkin (një lloj kanceri që prek sistemin limfatik) në nivelin e tyre patologjik, po themi më tepër se psikologët laikë që shkruajnë DSM-në.

Antropologji biblike

Si të krishterë besojmë se qeniet njerëzore kanë trup dhe shpirt. Kjo është diçka që Bibla e mëson qartësisht e në mënyrë të përsëritur (Zanafilla 2:7; Mateu 10:28; 2 e Korintasve 5:1; 1 e Timoteut 4:8). Bibla pohon edhe problemet fizike, edhe ato mendore, sepse Perëndia e krijoi njerëzimin që të konsistojë në secilin prej këtyre realiteteve.

Ky mësim biblik, i quajtur dikotomi, nënkupton se është po aq biblike të marrësh një Tylenol (paracetamol) për dhimbjen e kokës, sa është të luftosh për t’u mbështetur te Zoti në kohët e stresit financiar. Mësimi biblik në lidhje me dikotominë është gjithashtu paralajmërim për të krishterët. Për shkak se njerëzit janë shpirt dhe trup, është injorancë dhe mëkat t’i reduktosh të gjitha problemet si shpirtërore. Edhe anasjelltas, është e vërtetë: është e gabuar t’i reduktosh të gjitha problemet si fizike.

Siç e përmenda më parë, mendoj se të krishterët shohin problemet e prezantuara nga diagnoza e sëmundjeve mendore dhe mendojnë se janë kaq ekstreme saqë duhet të jenë probleme fizike. Të kuptuarit biblik e njerëzimit dhe rëndësia e shpirtit tregon se problemet nuk duhet të jenë mjekësore për të qenë serioze. Vajtimi i madh i Jobit, tërbimi vrastar i Saulit, sjellja e çmendur e Nebukadnezarit dhe shfaqjet demoniake në Dhiatën e Re janë shembuj të problemeve ekstreme shpirtërore që ndërhyrja mjekësore nuk do t’i ndihmojë kurrë. Të krishterët nuk duhet të hamendësojnë se të gjitha problemet serioze janë probleme mjekësore.

Na pëlqejnë ekstremet. Ndihemi rehat kur problemet janë krejtësisht një gjë dhe aspak gjëja tjetër. Mësimi biblik mbi dikotominë na mëson se problemet mund të jenë fizike, shpirtërore ose kombinim i të dyjave. Të kujdesesh për njerëzit do të thotë të jesh i ndjeshëm ndaj problemeve fizike që kërkojnë trajtim mjekësor dhe ndaj problemeve shpirtërore që kërkojnë Krishtin dhe Fjalën e Tij. Emërtimi i sëmundjeve mendore nga DSM-ja nuk është aq i dobishëm në përcaktimin e ndryshimit midis këtyre çështjeve, të paktën jo sa do të doja.

Po lutem për një rizgjim të shqetësimit të vërtetë të krishterë për njerëzit e shqetësuar. Kur të krishterët shohin njerëz të diagnostikuar me depresion, çrregullim ankthi dhe çrregulimin e identitetit gjinor nuk na lejohet të shohim thjesht probleme mjekësore. Çështjet mjekësore mund të qëndrojnë, por, ku janë të krishterët që do të bëjnë më shumë se thjesht të inkurajojnë marrjen e ilaçeve? Ku janë të krishterët që do të luten bashkë me ata që po luftojnë me depresion apo GID për t’i afruar me Jezu Krishtin, ngushëlluesin e shpirtrave të tyre?

Kur shohim sëmundjet mendore dhe gjejmë vetëm kategori mjekësore, nuk po e kuptojmë termin dhe po e çnderojmë Jezu Krishtin. Duke bërë kështu, po i mbajmë njerëzit larg plotësisë së ndihmës për të cilën kanë nevojë. Po, njerëzit me probleme të rënda shpesh kanë nevojë për ilaçe. Megjithatë, edhe kur ilaçet janë të nevojshme nuk ka asnjë doktor që mund të japë atë që vetëm Doktori më i Madh mund të sigurojë.


Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/christian-reflections-on-mental-disorder/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet