×

Si mund ta di që nuk po e çoj dëm jetën time?

Kohët e fundit, kam qënë duke studiuar jetët e disa misionarëve të njohur si John G. Paton, Amy Carmichael dhe Hudson Taylor. Është e vështirë të shikosh Carmichael, e cila shpëtonte fëmijët jetimë nga tempulli i prostitucionit në moshën time ose te Paton në New Hebridges duke ungjillëzuar fiset kanibale dhe të mos pyes veten nëse jam duke e çuar dëm jetën time.

Pavarësisht nëse je pastor, misionar apo anëtar kishe, a ndihesh ndonjëherë sikur ke ngecur në një model ruajtjeje shërbese? Ndoshta mund të mbash mend një kohë kur ke pasur një ndjesi vrulli sikur Perëndia po të përgatiste për një përpjekje të madhe. Ndoshta ishte punë misioni, ose ndonjë karrierë shërbese e vështirë, por e shpërblyeshme, ose ishte martesa dhe të paturit fëmijë.

Diku gjatë rrugës, gjërat ngecën.

Në momentet e qeta të sinqeritetit, dëshirat e tua nuk kanë ndryshuar. Zemra jote akoma dhemb me të njëjtën dëshirë: “Dua që Perëndia të më përdorë. Përse nuk po më përdor ende? Çfarë duhet të bëj, ndërsa pres?” Nuk pretendoj që të di planet e ardhme të Perëndisë për jetën tënde apo timen, por mund të mendoj për të paktën tri gjëra që mund të bëjmë gjatë kësaj kohe:

1. Ji i shenjtë

Herët, këtë vit, ne ngelëm pa lavastovilje për katër muaj. Është acaruese kur dëshiron të marrësh një enë dhe e gjen të palarë. Pali e inkurajon nxënësin e tij të ri, Timoteun, që të jetë një enë e pastër: “Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë” (2 e Timoteut 2:21).

Nëse duam që të përdoremi prej Perëndisë, duhet të jemi gati kur Ai të na marrë nga rafti. Shenjtëria është gatishmëri.

Cilat janë rrugët, përmes të cilave sot po përpiqesh të rritesh në shenjtërim, të cilat do të të përgatisin për punën që Perëndia ka për ty nesër? Çfarë mëkati duhet vrarë? Çfarë perëndishmërie duhet kultivuar? A e ke mbajtur veten të veçuar për qëllimet e shenjta të Perëndisë apo je kapur me ‘punërat e jetës’, ndërkohë që je në lufte? (2 e Timoteut 2:4)

Në librin Spiritual Disciplines for the Christian Life, Donald Whitney shtron pyetjen e duhur: “Si duhet ta ndjekim shenjtërinë? Si mund të jemi të ngjashëm me Jezu Krishtin?” Përgjigjja e tij është: “Disiplinat frymërore janë mjetet e dhëna nga Perëndia që duhet t’i përdorim në ndjekjen dhe praktikën e perëndishmërisë, të mbushur me Frymën”.

Një stinë njëtrajtshmërie monotone është toka pjellore për të kultivuar disiplina frymërore si leximi i Biblës, lutja, administrimi dhe ungjillëzimi. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes shenjtërisë personale dhe një disipline frymërore, siç është mësimi përmendësh i Shkrimit: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11).

Me hirin e Perëndisë, le të “Kërkojmë paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14).

2. Ji besnik

Nganjëherë, ndihemi të papërdorur, sepse përgjegjësitë që na janë besuar na duken si të vogla, të papërfillshme apo të parëndësishme.

  • Një pastor shikon tufën e tij të vogël dhe vret veten se kur do t’i japë Perëndia një kishë më të madhe.
  • Një mama me dy fëmijë, shikon një mama tjetër që duket se përballon katër fëmijë, gjithashtu është në një proces birësimi dhe është vullnetare në një qendër shtatëzanie, dhe e gjitha kjo teksa drejton shërbesën e grave. Xhelozia zë vend në zemrën e saj. Përse kam vetëm një talent, kurse kjo motër ka pesë?

Në shëmbëlltyrën e talenteve, ka një detaj shumë të rëndësishëm të cilin mund ta anashkalojmë: “Njërit [Zotëria] i dha pesë talente, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij” (Mateu 25:15). Pali e shtjellon këtë parim. Duke sqaruar se ne të gjithë jemi anëtarë të trupit të Krishtit, ai e thekson fort idenë e shëmbëlltyrës së Krishtit: “Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit” (Romakëve 12:6).

Secilit nga ne, sot i janë besuar përgjegjësi. Secili nga ne është pajisur me dhunti frymërore, nga hiri i Perëndisë. Nuk na takon ne, të pyesim apo të ankohemi për sa na është dhënë, pak apo shumë; por pyetja është: A po tregohem besnik?

I krishterë, çfarë lloj anëtari kishe je? Etër, si po i shërbeni familjes tuaj? Studentë, a jeni të zellshëm në studimet tuaja? A mund të jemi besnikë në atë që duket rutinë dhe e zakonshme? Zotëria nuk priste që shërbëtori me dy talente të fitonte po aq sa shërbëtori të cilit i ishin besuar pesë talente. Shpërblimi për të dy është i bazuar vetëm në një standart: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21-23).

Ka virtyt në qëndrueshmëri, madje edhe në qëndrimin e vendosur: “…qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar…” (Kolosianëve 1:23) Kështu që, jini besnikë në gjëra të vogla dhe besojini Perëndisë që t’ju shpërblejë, ashtu siç Ai e shikon të përshtatshme.

3. Inkurajohuni

Kur hedhim vështrimin pas, shohim më qartë dhe kur bëhet fjalë për të kuptuar planin e Perëndisë, ne shpesh nuk e kuptojmë që Ai na ka përdorur deri në momentin kur ajo ka ndodhur. Është e lehtë për ne që të shohim pas personat që ndyshuan botën dhe të mrekullohemi me veprat e mëdha që Perëndia ka bërë nëpërmjet tyre. Megjithatë, në atë kohë, shumë nga ata nuk e kishin fare idenë se çfarë po ndodhte.

David Brainerd (1718–1747), vdiq nga tuberkulozi në moshën 29-vjeçare pas katër vitesh si një misionar tek Amerikanët Vendas dhe puna e tij rezultoi vetëm në një grusht besimtarësh. Pas vdekjes së Brainder, Jonathan Edwards grumbulloi dhe publikoi Ditarin e tij privat. Ky ditar, u bë vepra fetare më e shitur e shekullit të 19-të dhe një burim i vitalitetit frymëror për gjigantë si William Carrey, John Wesley, Adoniram Judson, Robert Murray M’Cheyne dhe Jim Elliot.

Pavarësisht nëse kujdeseni për popullin e Perëndisë apo kujdeseni për fëmijët gjatë shërbesës, inkurajohuni. Në ekonominë e Perëndisë, gjërat rrallë herë janë ashtu siç duken.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet