×

Të qëndrosh dhe të shërbesh: Pse nuk u larguam nga Ukraina

Ndodhitë nga libri i Esterit janë bërë kaq reale për ne në Ukrainë, këto ditët e fundit. Është sikur të jetë firmosur dekreti, Hamani ka marrë lirinë për të shkatërruar një komb të tërë. Trekëmbëshat janë bërë gati. Ukraina është thjesht duke pritur.

A mund ta imagjinoni atmosferën e një shoqërie, kur gradualisht, ditë pas dite për muaj të tërë, mediat botërore kanë thënë se lufta është e pashmangshme? Sa gjak do të derdhet?

Pothuajse të gjithë misionarëve u është thënë që të largohen nga Ukraina, këto javët e fundit. Kombet perëndimore i kanë evakuuar ambasadat dhe qytetarët e tyre. Trafiku në Kiev po zhduket. Ku shkuan njerëzit? Oligarkët, biznesmenët dhe ata që janë në gjendje po largohen duke i shpëtuar familjet e tyre nga lufta e mundshme. A të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?

Pyetje për familjet

Unë dhe bashkëshortja ime kemi vendosur të qëndrojmë në qytetin tonë afër Kievit. Ne duam t’u shërbejmë njerëzve këtu, përkrah Kishës Biblike Irpin ku jam pjesë e ekipit pastoral që në vitin 2016. Në pritje të shkatërrimit që po vjen, kemi blerë ushqime, ilaçe dhe karburant që nëse do të jetë e nevojshme, të jemi në gjendje t’i ndihmojmë ata që janë në nevojë në vend që të bëhemi barrë.

Familja jonë përbëhet nga gjashtë persona. Ne po rrisim katër vajza. Ajo për të cilën shqetësohem më shumë është vajza ime gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e cila udhëton për në universitet çdo ditë me transport publik, për tre orë vajtje-ardhje. Media është duke na paralajmëruar që nëse Rusia pushton Ukrainën, nuk do të ketë komunikim celular dhe transporti publik, me shumë mundësi do të ndërpritet. Fatmirësisht, orët e saj mësimore kanë kaluar tani në internet.

Duke qenë se kufiri me Bjellorusinë është vetëm 150 kilometra nga Kievi, një nga sulmet e mundshme të armikut mund të vijë edhe përmes Bjellorusisë. Media lokale po rekomandon që të kemi gati një valixhe urgjence. U thashë fëmijëve: “Bëni gati çantat e shpinës! Paketoni mjaftueshëm gjëra për tri ditë.”

Në të shkuarën, një paketim i tillë do të thoshte se do të shkonim për pushime apo në një udhëtim për qejf. Prandaj, vajzat tona më të vogla, gjashtë dhe tetë vjeç, më pyeten: “Babi, ku do të shkojmë?” Në fillim nuk dija se si t’u përgjigjesha dhe u thashë se nuk do shkonim gjëkund.

Reagimi i kishës

Si duhet të reagojë kisha, kur ekziston një kërcënim në rritje për luftë? Po kur ka një frikë të vazhdueshme në shoqëri? Jam i bindur që nëse kisha nuk ka vlerë në kohë krize, atëherë nuk ka vlerë as në kohë paqeje.

Edhe pse kisha mund të mos luftojë ashtu si kombi, ne ende besojmë se kemi një rol për të luajtur në këtë përleshje.

Ne e përjetuam si vend tashmë këtë gjë në vitin 2014. Në ato ditë, shumë kisha i mbështetën aktivisht ata që u rebeluan kundër regjimit të korruptuar dhe autoritar të Viktor Yanukovych. Në Sheshin e Pavarësisë u ngrit një tendë lutjeje. Të krishterët shpërndanin vakte të ngrohta dhe çaj të nxehtë. Kishat hapën dyert e tyre si strehë për protestuesit e përndjekur nga forcat e sigurisë.

Ndërkohë, kishte kisha, të cilat e mbështetën hapur regjimin e diktatorit dhe i kritikuan protestuesit. Kisha të tjera u përpoqën ta shpërfillnin problemin e dukshëm. Ato qëndruan në heshtje, nuk folën për problemin dhe jetuan sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Në fund, kishat që u distancuan nga çështjet sociale dhe ato që i mbështetën pushtetarët e korruptuar kanë humbur reputacionin e tyre në mesin e popullsisë së Ukrainës. Ndryshe nga ato, kishat që kanë qenë me popullin gjatë kohës së sprovës, kanë fituar besimin më të lartë nga shoqëria.

Përleshja jonë për kombin

Ne besojmë se kisha është një vend përleshjeje frymërore. Ndërsa tensionet u shtuan, kisha jonë njoftoi një javë lutje dhe agjërim, për t’u mbledhur çdo mbrëmje që t’ia çojmë kërkesat tona Perëndisë. Për tri ditë me radhë, në qytet u fikën dritat. Ishim të detyruar të takoheshim në errësirë dhe kjo i shtoi një atmosferë solemne lutjeve tona për paqe.

Nëse kisha nuk ka vlerë në kohë krize, atëherë nuk ka vlerë as në kohë paqeje.

Në fund të javës, ato momente prodhuan në ne një forcë të brendshme për të ngulmuar. Përmes lutjes së përbashkët kemi fituar siguri dhe paqe. Ne besojmë se Perëndia është me ne dhe kjo është gjëja më e rëndësishmja.

Kisha jonë, e cila ka afërsisht 1000 pjesëmarrës në një të diel të zakonshme, gjatë këtij momenti kritik është gjithashtu një vend shërbimi. Kohët e fundit kemi organizuar disa trajnime për të dhënë ndihmën e parë. Këta besimtarë të thjeshtë nuk do të bëhen doktorë, por ky trajnim u ka dhënë siguri për t’u kujdesur për fqinjët e tyre, nëse do të jetë e nevojshme.

Në fakt, kur e dhashë lajmërimin për herë të parë për trajnimin e ndihmës së shpejtë, një vëlla më tha: “Tani e di pse duhet të qëndroj në Ukrainë” Ai kishte bërë plan që të largohej. E dinte që nuk ishte ushtar. Nuk ishte në gjendje të merrte armët dhe të luftonte, por ai tani dëshiron të qëndrojë, të ndihmojë të plagosurit dhe të shpëtojë jetë. 

Ne kemi vendosur të qëndrojmë, si familje ashtu edhe si kishë. Kur e gjithë kjo të ketë marrë fund, qytetarët e Kievit do ta kujtojnë se si kanë reaguar të krishterët në kohën e tyre të nevojës.

Ambientet e kishës mund të kthehen në strehë, nëse do të jetë e nevojshme. Ne kemi një bodrum të mirë. Jemi gati të vëmë në punë një sistem ngrohjeje, si dhe të sigurojmë ambiente për një spital ushtarak. Për ta bërë këtë realitet, jemi duke krijuar ekipe reagimi. Ata janë gati nëse deklarohet gjendja e luftës, pasi kanë siguruar një sasi strategjike karburanti, ushqimi dhe materialesh për mjekimin e plagëve. Ne madje kemi mbledhur informacion se kush është mjek, mekanik apo hidraulik në kishën tonë—madje dhe se kush ka puse, në rast se ka ndërprerje të furnizimit me ujë.

Qëndrojmë dhe lutemi

Ne kemi vendosur të qëndrojmë, si familje ashtu edhe si kishë. Kur e gjithë kjo të ketë marrë fund, qytetarët e Kievit do ta kujtojnë se si kanë reaguar të krishterët në kohën e tyre të nevojës.

Edhe pse kisha mund të mos luftojë ashtu si kombi, ne ende besojmë se kemi një rol për të luajtur në këtë përleshje. Ne do të strehojmë të dobëtit, do t’u shërbejmë atyre që vuajnë, dhe do të rimëkëmbim të plagosurit. Ndërsa e bëjmë këtë, ne ofrojmë shpresën e palëkundur të Krishtit dhe ungjillit të Tij. Edhe pse mund të ndihemi të pafuqishëm përballë një krize të tillë, ne mund të lutemi si Esteri. Ukraina nuk është populli i besëlidhjes së Perëndisë, por ashtu si Izraeli, edhe shpresa jonë është se Zoti do ta largojë rrezikun, ashtu siç ka bërë për popullin e Tij të lashtë. Ndërsa qëndrojmë, lutemi që kisha në Ukrainë t’i besojë me besnikëri Zotit dhe t’i shërbejë fqinjëve të vet.

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/church-stayed-ukraine/

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet