×

T’i besosh Perëndisë kur dhimbja duket e pakuptimtë

Kam shkuar te një duzinë me doktorë gjatë dy dekadave të fundit. Për t’i bërë më të vlefshme këto takime mjekësore, një nga gjërat më të dobishme që mund të bëj është të shënoj në një kalendar problemet e vazhdueshme shëndetësore. Shënoj në cilat ditë kam dhimbje të forta koke, kur filluan, sa zgjatën dhe në cilën pjesë të kokës ishin.

Për ta bërë shëndetin më lehtësisht për tu përfytyruar, ndonjëherë bëj vija diagonale në drejtkëndëshin e çdo dite në kalendar. Nëse kisha migrenë në mëngjes ngjyrosja me të errët trekëndëshin e sipërm; nëse kisha dhimbje në pasdite ose mbrëmje, ngjyros me të errët trekëndëshin e poshtëm. Pra, nëse zgjohesha me migrenë në mes të natës dhe dhimbja zgjaste gjithë ditën, i gjithë drejtkëndëshi ngjyrosej me të errët. Një drejtkëndësh i errët agonie.

Secila prej këtyre formave mbush kalendarin tim duke portretizuar kështu një model dhimbjeje.

Kur takohem me dikë në shkollën e fëmijëve, në dyqanin e ushqimeve apo në kishë, shpesh më pyesin: “Si ke qenë?” Do të doja t’u tregoja një foto të kalendarit. Kalendari i disa njerëzve përmban shënimet e udhëtimeve apo afateve të punës, mbledhjet familjare apo takime darkash, kalendari im përmban dhimbje e vuajtje fizike.

Dëgjojmë shpeshherë se duhet t’i besojmë Perëndisë për të ardhmen tonë, për atë që na pret përpara, por unë po mësoj t’i besoj Perëndisë të shkuarën.

Besoju planeve të Perëndisë

Për shembull, nëse shoh kalendarin e qershorit të kaluar, shumë thjesht mund të ndihem e mashtruar, e zemëruar dhe me mëri. Pothuajse çdo ditë ka një pjesë të ngjyrosur me të errët me dhimbje. Kur mendoj atë muaj është e thjeshtë të shfryj në zemërim: “Epo ishte një muaj i tmerrshëm! Çfarë humbje e vërtetë kohe!”

Dëgjojmë shpeshherë se duhet t’i besojmë Perëndisë për të ardhmen tonë, për atë që na pret përpara, por unë po mësoj t’i besoj Perëndisë të shkuarën.

Kujtoj muajt e panumërt që janë kthyer në vite, madje në dekada dhimbjeje dhe duket si humbje e madhe. Duket sikur Perëndia ose ka hequr dorë, ose ka bërë një gabim të madh, por kur këto ndjenja i nxjerr në dritë, e di që nuk janë të vërteta.

Fjalët e Urta 16:9 hedhin dritë në kalendarin tim: “Zemra e njeriut programon rrugët e tij, por ZOTI drejton hapat e tij.” E kisha planifikuar qershorin. Duhet të ishte plot me gjëra të mira. Planifikova t’i çoja vajzat e mia në kurset e tenisit dhe basketbollit, t’i ndihmoja me detyrat e shtëpisë, të gatuaja vakte të shëndetshme dhe të përfundoja të gjitha detyrat e mia në kohë. Doja të takoja miq të vjetër për të bërë një ecje e të dilja për kafe me një mikeshë të re.

Megjithatë humba shumë prej këtyre gjërave. Mungova në shërbesën e adhurimit të dielën në mëngjes në kishën time. Anulova takimet me gra të tjera. Porositëm shumë ushqime nga jashtë, madje edhe para pandemisë, humba shumë nga ngjarjet sportive apo veprimtaritë e rëndësishme shkollore të vajzave. Humbja e një panairi shkencor apo e një ndeshje futbolli nuk duket si diçka e madhe, por kur humbet qindra–edhe mijëra–gjëra në dy dekada, fillon të ndihesh e mashtruar. Mundet madje të fillosh të besosh se jeta është e padrejtë.

Pranverën e kaluar, vajza ime e vogël më gjeti të shtrirë në shtrat kur u kthye nga ndeshja e futbollit dhe tha: “A të dhemb akoma koka mami? Nuk ka problem që nuk erdhe dot te ndeshja; kam ndeshje të tjera. Ndoshta mund të vish te njëra prej tyre.” Vajza e madhe më pyeti: “Mami, ndonjë ditë kur të mos kesh migrenë, a mund të më çosh te dyqani për të blerë ca materiale artistike?” Ndihem vazhdimisht si zhgënjim.

Gjithsesi, Fjalët e Urta 16:9 më kujton se Perëndia ka drejtuar hapat e mi çdo muaj. Mund të shoh pas dhe të besoj se gjithçka që duhej të ndodhte, ka ndodhur. Gjërat që humba, epo, nuk duhet t’i kisha gjithsesi. Gjërat që nuk munda t’i bëj, nuk duheshin bërë nga unë.

Gjërat që nuk munda t’i bëj, nuk duheshin bërë nga unë.

Përqendrimi i syve të mi te kjo e vërtetë, më çliron nga ndjenja e panevojshme e fajit. Mund të besoj se ky ishte në fakt plani i bukur i Perëndisë për muajin tim të keq. Unë bëra planet e mia, por këto ishin hapat që Ai drejtoi.

Besoju qëllimeve të Perëndisë

Shoh gjithashtu të vërtetën te Fjalët e Urta 3:5-6: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” Nëse po mbështetem në gjykimin tim, vuajtja duket si një mënyrë e keqe për të kaluar një muaj (apo një dekadë).

Ideja jonë e një shtegu të drejtë është që gjithmonë e fitojmë punën, e marrim shtëpinë, fitojmë atë djalin, kemi fëmijë të shëndetshëm dhe të bukur, ndihemi shkëlqyeshëm dhe jetojmë të lumtur përgjithmonë. Plani ynë për veten nuk përfshin kurrë zemërthyerje, sëmundje, humbje, madje as vështirësitë e përditshmërisë.

E megjithatë, kur besojmë vërtet në gjykimin e Tij, kujtojmë se Ai është Bariu ynë i mirë (Gjoni 10:11), se Ai na do me një dashuri të përjetshme dhe sakrifikuese (1 e Gjonit 4), se Ai na bën vetëm të mira, edhe kur nuk duket si diçka e mirë (Romakëve 8:28), se planet dhe qëllimet e Tij janë përtej asaj që mund të imagjinojmë (Efesianëve 3:20), se njeriu i jashtëm shkatërrohet çdo ditë, por i brendshmi përtërihet çdo ditë (2 e Korintasve 4:16), se Ai po rafinon besimin tonë në ar të pastër (1 e Pjetrit 1:7) dhe se po na përgatit për lavdinë e përjetshme (2 e Korintasve 4:17).

Pastaj mund të shohim nga e shkuara (e cila mund të na duket si humbje e plotë) dhe t’i besojmë në gjykimit të Tij me gjithçka. Periudhat e dhimbjes mund të na duken si humbje e plotë kohe, por si besimtarë, këto mund të jenë çastet më të vlefshme që kalojmë mbi tokë.

Periudhat e dhimbjes mund të na duken si humbje e plotë kohe, por si besimtarë, këto mund të jenë çastet më të vlefshme që kalojmë mbi tokë.

Po mendoj se kur shihni të kaluarën tuaj, ka disa gjëra të vështira për t’u pranuar. Ndoshta mendon se ke humbur vite të jetës në një marrëdhënie që nuk shkoi gjëkundi. Ndoshta do të doje të ribëje disa nga vitet e prindërimit. Ndoshta si unë, ke vuajtur dhimbje fizike pa asnjë përgjigje.

Mund të jenë madje gjërat e vogla, ato të përditshme që na prishin planet: trafiku, problemet teknologjike dhe mërzitjet e sjelljeve të të vegjëlve që na devijojnë nga një ditë, e cila duhej të përmbushte disa detyra më të rëndësishme. A mund të besojmë se Ai ka drejtuar hapat tanë, se këto janë shtigjet e Tij të drejta? A mund të besojmë se Ai ka qenë duke vepruar në të gjitha këto gjëra?

Në mënyra që mund të mos i kuptojmë, Ai do të drejtojë shtigjet tona në të ardhmen dhe Ai i ka drejtuar edhe në të shkuarën.


Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/trusting-god-pain-pointless/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet