×

Ungjilli varet nga një Perëndi, i cili nuk varet prej teje

Ndonjëherë njerëzit mendojnë se Perëndia i krijoi qeniet njerëzore për shkak se ishte i vetmuar dhe kishte nevojë për shoqëri me persona të tjerë. Nëse kjo do ishte e vërtetë, sigurisht që do të nënkuptonte se Perëndia nuk është plotësisht i pavarur prej krijimit. Do të thoshte se Perëndia do kishte nevojë të krijonte persona, në mënyrë që të ishte plotësisht i lumtur dhe plotësisht i përmbushur me ekzistencën e Tij personale..

— Wayne Grudem

Vëzhgimi i Grudem ofron një pamje depërtuese për mënyrën se si shumë të krishterë mendojnë për Perëndinë. Megjithatë, a është kjo, ajo çfarë na mëson Shkrimi? Çfarë rrjedhojash do të ketë një pikëpamje e tillë për adhurimin? Si do ta ndikojë kjo pikëpamje shpëtimin tonë?

Mund të fillojmë duke pyetur nëse Perëndia ka nevojë për ekzistencën tonë që të jetë i përmbushur dhe i lumtur. Perëndia i Biblës është një Perëndi që nuk ka aspak nevojë për ne. Në gjuhën teologjike kjo quhet doktrina e vetëqenies hyjnore, fjalë për fjalë do të thotë “nga-vet-vetja”. Perëndia është nga-Vetja. Ai ekziston i pavarur nga bota dhe si Dikush që është i vetëmjaftueshëm dhe vetëekzistues. Në librin e tij, “Doktrina e Perëndisë”, (shih faqet 603-608), John Frame skicon në mënyrë të dobishme shtatë karakteristika të vetëqenies së Perëndisë.

  1. Duke qenë Zot, Perëndia zotëron të gjitha gjërat. Perëndia është “sundimtar i qiejve dhe i tokës” (Zanafilla 14:19). Në të vërtetë: “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj” (Psalmi 24:1).
  2. Gjithçka që zotërohet prej krijesave vjen nga Perëndia. Zoti bëri qiejt dhe tokën dhe çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur është prej dorës së Tij (Zanafilla 1-2; Eksodi 20:11; Nehemia 9:6; Psalmi 146:5-6; Jakobi 1:17).
  3. Kur ne i kthejmë diçka pas Perëndisë, po i japim thjesht atë që na e ka dhënë Ai më parë. Ne jemi administratorë për Perëndinë dhe do të na kërkohet llogari për faktin nëse e kemi përdorur atë që Ai na ka dhënë për lavdinë e Tij ose jo (Luka 12:42; 16:1-8). Përderisa kisha i përket Perëndisë, pastorëve do t’u kërkohet llogari për kujdesin e tyre pastoral (Titi 1:7).
  4. Kur i kthejmë diçka Perëndisë, Ai nuk është i detyruar të na shpërblejë. Kur bëjmë atë që na është thënë të bëjmë, ne, si shërbëtorë të padobishëm, kemi bërë thjesht detyrën tonë (Luka 17:10).
  5. Perëndia nuk i detyrohet asnjë gjë ndonjë krijese. Vini re si i përgjigjet Perëndia Jobit: “Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja” (Jobi 41:11). Merrni në konsideratë atë që shkruan Pali: “Ose kush i dha atij më parë që të ketë për të marrë shpagim? Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen” (Romakëve 11:35-36).
  6. Perëndia nuk ka asnjë nevojë. Psalmi 50 është shumë i fuqishëm në këtë aspekt: “Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. Po të kisha uri, nuk do ta thosha; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat” (v. 10-12).
  7. Prej natyre Perëndia është i vetëqenë. Sikurse u thotë edhe Pali filozofëve athinas në Areopag: “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Veprat 17:24-25).

Ngatërrimet për adhurimin tonë

Tani që e kemi parë se vetëqenia e Perëndisë afirmohet në Shkrim, pyetja është çfarë rrjedhojash ka kjo për Perëndinë që adhurojmë? Çfarë rrjedhojash ka për shpëtimin tonë?

Psalmin 50 dhe Isaian 40 mësojmë se Perëndia nuk është si perënditë pagane të kombeve përreth Izraelit. Këto perëndi janë formuar prej njeriut (Isaia 40:19-20). Duke përdorur shumë satirë, Isaia shpjegon që të njëjtën pjesë druri e përdorur nga njeriu për t’u ngrohur dhe për të gatuar në zjarr, e përdor gjithashtu për të formuar një perëndi në mënyrë që të bjerë përmbysë para tij në adhurim, duke ju lutur: “Shpëtomë, sepse ti je perëndia im.” (Isaia 44:15-17). Ky nuk është Perëndia që shpëton, por që duhet ta shpëtosh. Frame shkruan: “Në këtë mënyrë, Zoti tallet me adhurimin në të cilin perëndia është i varur tek adhuruesi, adhurim në të cilin adhuruesi plotëson nevojat e perëndisë.” (Doktrina e Perëndisë, faqja 606).

Në kontrast me këtë, Pali e përshkruan Zotin, te Veprat 17:24-30 jo si një krijesë, por si Krijues. Pali e thekson fort: Perëndia nuk adhurohet prej nesh “sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë”. Adhurimi i vërtetë dhe biblik i takon Perëndisë, jo për shkak se Ai ka nevojë për të, por për shkak se ne kemi nevojë për Perëndinë. Sikurse vëzhgon edhe Frame, kjo ndodh kur Perëndia adhurohet nga duart e njerëzve, “por duart janë ngritur në lavdërim dhe falënderim dhe jo për të përmbushur nevojat e Perëndisë” (Doktrina e Perëndisë, faqja 606). Merrni në konsideratë fjalët e 24 pleqve që bien përmbys para fronit të Perëndisë, duke e adhuruar Atë, duke hedhur kurorat e tyre dhe duke thënë: “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan” (Zbulesa 4:11).

Nëse Perëndia nuk është i pavarur prej nesh, Ai nuk është i denjë, i përshtatshëm apo në gjendje të na shpëtojë, për të mos folur fare për të marrë adhurimin dhe lavdërimin tonë. Nëse Perëndia nuk është i vetëqenë, atëherë Ai është i dobët dhe patetik. Ai mund të jetë një Perëndi si ne, por nuk është një Perëndi më i mirë se ne. Ai mund të jetë një Perëndi në botën tonë, por nuk është një Perëndi i dallueshëm nga bota jonë. Dhe e gjithë kjo lidhet me ungjillin, sepse, sikurse thotë dhe Michael Horton: “Nëse Perëndia nuk do të ishte i lirë prej krijimit, mund të luteshim për Të, por jo t’i luteshim Atij” (Besimi i krishterë, faqja 235). Kjo është pikërisht për shkak se Perëndia është i lirë nga krijimi, Ai është në gjendje të hyjë në krijim për të shpëtuar mëkatarët e humbur (Efesianëve 1:7-8).

Ekzistojnë dy rreziqe që duhen evituar në këtë diskutim. Së pari, dikush mund të dalë në përfundimin se nuk kemi rëndësi për Perëndinë, nëse Ai nuk ka nevojë për ne. Së dyti, dikush mund të dalë gjithashtu në përfundimin se nuk mund të kemi marrëdhënie me Perëndinë, nëse Ai është i pavarur prej nesh. Gjithsesi, që të dyja këto përfundime do ishin të gabuara. Edhe pse Perëndia nuk ka nevojë për ne dhe nuk është në asnjë mënyrë i detyruar të hyjë në një marrëdhënie me ne, Ai na krijoi në shëmbëlltyrën e Tij dhe na bëri të kishim bashkësi me Të (Zanafilla 1-2). Ne kemi rëndësi, për shkak se Perëndia vendosi që ne do të kishim domethënie.

Edhe kur mëkati e prishi dhe e shkatërroi bashkësinë tonë me Të dhe hyrjen tonë te Ai (Zanafilla 3), Ai në mënyrë të vullnetshme hyri në një marrëdhënie shpëtuese besëlidhjeje me ne, edhe pse nuk ishte i detyruar të na shpëtonte. Ai ka çdo të drejtë të na ndëshkojë për gjithë përjetësinë (Mateu 25:41). “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së Tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit” (Efesianëve 2:4-5). Ungjilli varet te një Perëndi që nuk varet prej teje. Kuptimi i kësaj për ne si besimtarë është jashtëzakonisht i mahnitshëm: edhe pse Perëndia nuk ka nevojë për ne, Ai na ka dhënë privilegjin që t’i shërbejmë Atij dhe nuk do të donim që të ishte ndryshe.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/the-gospel-depends-on-a-god-who-does-not-need-you/
Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2020

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet