×

Parathënie

The Gospel Coalition SEE – Koalicioni i Ungjillit i Evropës Juglindore

Ne jemi një bashkësi kishash të krishtera ungjillore në traditën e Reformuar nga zona e Evropës Juglindore, thellësisht të përkushtuar ndaj ungjillit të Krishtit. Ne kemi dëshirën për t’i parë 55 milionë njerëzit që jetojnë në gadishullin tonë, të njohin dhe t’i shërbejnë Zotit Jezus me gjithë zemrën e tyre. Përderisa më pak se gjysma e një për qind të popullsisë tonë të tanishme rrëfejnë se janë të krishterë ungjillorë, detyra që gjendet përpara nesh është jashtëzakonisht e madhe dhe kërkon një vepër të fuqishme të Frymës së Shenjtë, bashkë me përpjekjet e koordinuara të dishepujve të vërtetë të Krishtit në Evropën Juglindore.

Ne jemi një bashkësi kishash të krishtera ungjillore në traditën e Reformuar nga zona e Evropës Juglindore, thellësisht të përkushtuar ndaj ungjillit të Krishtit.

Ne dëshirojmë të nisim një përpjekje të bashkuar mes gjithë popujve tanë, një përpjekje të zellshme për të nderuar Krishtin dhe për të shumëfishuar dishepujt e Tij, dhe për t’u bashkuar në një koalicion të vërtetë për Jezusin. Një mision i tillë, i bashkuar dhe i themeluar në Bibël është baza e vetme e sigurt për zgjerimin e veprës së Krishtit në zonën tonë, përmes bërjes së dishepujve dhe mbjelljes së kishave lokale.

Ne dëshirojmë ta lartësojmë ungjillin e Krishtit me qartësi, dhembshuri, guxim dhe gëzim, dhe ta prezantojmë atë sikurse është shpalosur në Bibël, duke përdorur predikimin ekspozues nëpër kishat tona. Ne dëshirojmë të lidhim zemrat qëllimisht dhe me gëzim, me besimtarë të tjerë përtej kufijve kombëtarë, etnikë dhe klasorë. Ne dëshirojmë të shohim Krishtin Zot mbi çdo sferë të jetës, me një shpresë të patundur në fuqinë e Frymës së Shenjtë për t’i bashkuar njerëzit dhe për të transformuar individët, komunitetet dhe kulturat.

Këtë koalicion për Krishtin në Evropën Juglindore ne e shohim të shprehur përmes afirmimeve të mëposhtme:

  1. Ne dallojmë identitetin tonë të përbashkët teologjik dhe zotohemi të punojmë bashkë për lavdinë e Perëndisë duke përqafuar, jetuar, nxitur dhe shpallur ungjillin e Jezu Krishtit. Ne përqafojmë pasurinë e së vërtetës të kuptuar dhe mësuar nga Reformatorët e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, që vetëm Shkrimet shpallin shpëtimin vetëm me anë të besimit, vetëm nëpërmjet hirit dhe vetëm në Krishtin.
  2. Ne rrëfejmë se dëshmia jonë me e fuqishme në Evropën Juglindore, mund të jetë shprehja e dashurisë tonë për njëri-tjetrin, në të cilën anëtarë nga çdo zonë, komb dhe sfond kulturor i shërbejnë njëri-tjetrit përmes shfaqjeve të mbinatyrshme të dashurisë vetë-sakrifikuese të Krishtit.
  3. Ne kemi një vizion të përbashkët për Evropën Juglindore, për të nxitur një shërbesë të drejtuar nga Bibla, me ungjillin në qendër, të fuqizuar prej Frymës së Shenjtë dhe që e nderon Krishtin.
  4. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ‘duke filluar me themelet’ për të ndërtuar partneritete të reja lokale për ungjillin dhe për të inkurajuar ato ekzistuese.
  5. Ne dëshirojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që rrëfejnë se janë të krishterë në Evropën Juglindore, që të arrijnë të gjithë njerëzit që jetojnë në gadishullin tonë, duke përfshirë edhe pakicat etnike dhe njerëzit e lënë mënjanë nga shoqëria
  6. Ne kërkojmë të punojmë në mënyrë krijuese; ndoshta mes shumë gjërash të tjera, përmes një faqeje të përbashkët në internet (p.sh. The Gospel Coalition SEE – Koalicioni i Ungjillit për Evropën Juglindore), për t’u bashkuar në përpjekjet tona për t’i rifituar të gjitha gjërat për lavdinë e Perëndisë
  7. Ne vendosim të lutemi për njëri-tjetrin, ta mbështesim njëri-tjetrin, të shërbejmë së bashku për Krishtin dhe këtë gjë ta bëjmë duke kaluar ndarjet kulturore, në mënyrë që me ndihmën e Perëndisë të ndërtojmë një familje më të fuqishme të Krishtit përmes etnive të saj të shumta.
  8. Ne guxojmë të lutemi që Zoti të fillojë një punë shpëtimi në Evropën Juglindore, e cila do përdoret prej Tij për ta nxjerrë botën nga errësira e saj frymërore në jetën e përjetshme të Perëndisë.

Deklarata e Rrëfimit

  1. Perëndia Trini Ne besojmë në një Perëndi, i cili ekziston përjetësisht në tre Persona njëlloj hyjnorë: Ati, Biri dhe Fryma i Shenjtë, të cilët e njohin, e duan dhe e përlëvdojnë njëri-tjetrin. Ky Perëndi i vetëm dhe i vërtetë është pafundësisht i përsosur si në dashurinë, ashtu dhe në shenjtërinë e Tij. Ai është Krijuesi i të gjitha gjërave, të dukshme dhe të padukshme, dhe prandaj është i denjë të marrë gjithë lavdinë dhe adhurimin. Duke qenë i pavdekshëm dhe i përjetshëm, Ai e di fundin që nga fillimi, në mënyrë të përsosur dhe shteruese. Ai i mban të gjitha gjërat dhe sundon mbi to në mënyrë sovrane, përmes provanisë së Tij realizon qëllimin e Tij të mirë dhe të përjetshëm për të shpenguar një popull për Veten e Tij dhe për ta ripërtërirë krijimin e rënë për lëvdim të hirit të Tij të lavdishëm.
  2. Zbulesa Perëndia, në mënyrë të hirshme, e ka zbuluar ekzistencën dhe fuqinë e Tij në krijimin e Vet, dhe në mënyrë supreme ua ka zbuluar Veten qenieve të rëna njerëzore në personin e Birit të Tij, Fjalës së trupëzuar. Për më tepër, ky Perëndi është një Perëndi që flet dhe që përmes Frymës së Tij e ka zbuluar Veten hirshëm me anë fjalësh njerëzore: ne besojmë se Perëndia ka frymëzuar fjalët e ruajtura në Shkrimin e Shenjtë, gjashtëdhjetë e gjashtë librat e Dhjatës së Vjetër dhe asaj të Re, të cilat janë regjistrimi dhe mjeti i veprës së Tij shpëtuese në botë. Vetëm këto shkrime përbëjnë Fjalën verbalisht të frymëzuar të Perëndisë, e cila ka autoritet absolut dhe është pa gabim në shkrimet origjinale, e plotë në zbulesën e vet të vullnetit të Tij për shpëtimin, e mjaftueshme për gjithë sa Perëndia kërkon që të besojmë dhe të bëjmë, dhe njëkohësisht përfundimtare në autoritetin e vet mbi çdo sferë njohjeje për të cilën flet. Ne shpallim se për shkak të mundësisë dhe mëkatshmërisë tonë, e kemi të pamundur njohjen shteruese të së vërtetës së Perëndisë, por ne rrëfejmë se të ndriçuar prej Frymës së Perëndisë, mund ta njohim vërtetësisht të vërtetën e zbuluar të Perëndisë. Bibla duhet besuar si udhëzimi i Perëndisë në gjithë sa na mëson; duhet t’i bindemi asaj si urdhërimi i Perëndisë në gjithë sa na kërkon; duhet t’i zëmë besë si betim i Perëndisë, në gjithë sa ajo na premton. Teksa njerëzit e Perëndisë e dëgjojnë, e besojnë dhe e vënë në zbatim Fjalën, ata aftësohen si dishepuj të Krishtit dhe si dëshmitarë për ungjillin.
  3. Krijimi i njerëzimit Ne besojmë se Perëndia i krijoi qeniet njerëzore, mashkull dhe femër, sipas shëmbëlltyrës së Tij. Adami dhe Eva i përkisnin atij krijimi, të cilin vetë Perëndia e shpalli si shumë të mirë. Ata shërbyen si agjentët e Perëndisë për t’u kujdesur, për të administruar dhe qeverisur krijimin, duke jetuar një jetë përbashkësie të shenjtë dhe të përkushtuar me Krijuesin e tyre. Burrat dhe gratë janë të krijuar njëlloj sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, që të dyja palët gëzojnë qasje të barabartë te Perëndia përmes besimit në Krishtin Jezus, dhe që të dyja palët janë të thirrur të shkojnë përtej vetëkënaqjes pasive te përfshirja domethënëse private dhe publike në familje, kishë dhe jetë shoqërore. Adami dhe Eva u krijuan për të mbështetur njëri-tjetrin në një bashkim të një mishi të vetëm, i cili përbën modelin e vetëm normativ për marrëdhëniet seksuale mes burrave dhe grave, në një mënyrë të tillë sa që në fund të fundit, martesa shërben si një tip i bashkimit të Krishtit dhe kishës së Tij. Në qëllimet e mençura të Perëndisë, burrat dhe gratë nuk janë thjesht të këmbyeshëm, por përkundrazi, ata mbështesin njëri-tjetrin në mënyra dobiprurëse reciproke. Perëndia ka caktuar që ata të marrin përsipër role të dallueshme, të cilat reflektojnë marrëdhënien e dashur të Krishtit me kishën; bashkëshorti ushtron kryesinë në një mënyrë që shfaq dashurinë sakrifikuese dhe dashamirëse të Krishtit, ndërsa bashkëshortja i nënshtrohet bashkëshortit të saj në një mënyrë të ngjashme me dashurinë e kishës për Zotin e saj. Në shërbesën e kishës, si burrat ashtu dhe gratë inkurajohen që t’i shërbejnë Krishtit dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë në shërbesat e larmishme të popullit të Perëndisë. Roli i dallueshëm udhëheqës brenda kishës që u është dhënë burrave të kualifikuar është themeluar në krijim, rënie dhe shpengim, dhe nuk duhet të anashkalohet për shkak të referencave ndaj zhvillimeve kulturore.
  4. Rënia Ne besojmë se Adami, i krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, e shtrembëroi atë shëmbëlltyrë dhe e humbi bekueshmërinë e tij origjinale, për veten e vet dhe për gjithë pasardhjen e tij, duke rënë në mëkat përmes tundimit të satanit. Si rezultat, të gjitha qeniet njerëzore janë larguar nga Perëndia, janë prishur në çdo aspekt të qenies së tyre (në aspektin fizik, mendor, emocional, frymëror dhe në aspektin e vullnetit), janë dënuar përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme me vdekje, veçmas ndërhyrjes së hirshme të vetë Perëndisë. Nevoja supreme e të gjitha qenieve njerëzore është të pajtohen me Perëndinë, nën zemërimin e drejtë dhe të shenjtë të të cilit gjendemi; e vetmja shpresë për të gjitha qeniet njerëzore është dashuria e pamerituar e këtij Perëndie, i cili është i vetmi që mund të na shpëtojë dhe të na rivendosë pranë Vetes.
  5. Plani i Perëndisë Ne besojmë se që nga përjetësia Perëndia vendosi në hir që të shpëtonte një shumicë të madhe mëkatarësh fajtorë nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe për këtë qëllim i njohu që më parë dhe i zgjodhi. Ne besojmë se Perëndia i drejtëson dhe shenjtëron ata që prej hirit besojnë në Jezusin, të cilët Ai një ditë do t’i përlëvdojë; dhe e gjitha kjo bëhet për lëvdim të hirit të Tij të lavdishëm. Në dashuri, Perëndia i urdhëron dhe u përgjërohet të gjithë njerëzve që të pendohen dhe të besojnë, duke e vendosur dashurinë e Tij shpëtuese mbi ata që ka zgjedhur dhe pasi e ka caktuar Krishtin që të jetë Shpenguesi i tyre.
  6. Ungjilli Ne besojmë se ungjilli është lajmi i mirë i Jezu Krishtit; vetë urtësia e Perëndisë. Ungjilli është marrëzi absolute për botën, edhe pse ai është fuqia e Perëndisë për ata që shpëtohen. Ky lajm i mirë ka natyrë kristologjike duke u përqendruar te kryqi dhe ringjallja: ungjilli nuk shpallet, nëse nuk shpallet Krishti dhe Krishti i vërtetë nuk shpallet, nëse vdekja dhe ringjallja e Tij nuk janë qendrore (mesazhi është: “Krishti vdiq për mëkatet tona… [dhe] u ringjall”). Ky lajm i mirë është biblik (vdekja dhe ringjallja e Tij janë sipas Shkrimeve), teologjik dhe shpëtues (Krishti vdiq për mëkatet tona, për të na pajtuar me Perëndinë), historik (nëse ndodhitë shpëtuese nuk ndodhën, besimi ynë është i kotë, ne jemi ende në mëkatet tona dhe jemi për të ardhur keq më tepër se kushdo tjetër), apostolik (mesazhi ju besua dhe u transmetua prej apostujve, të cilët ishin dëshmitarë të këtyre ndodhive shpëtuese) dhe shumë personal (qeniet njerëzore shpëtohen prej tij atje ku pranohet, besohet dhe mbahet fort).
  7. Shpengimi i Krishtit Ne besojmë se i shtyrë nga dashuria dhe në bindje ndaj Atit, Biri i përjetshëm u bë njeri: Fjala u bë mish, plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri, një person në dy natyra. Njeriu Jezus, Mesia i premtuar i Izraelit, u ngjiz përmes veprës së mrekullueshme të Frymës së Shenjtë dhe lindi prej virgjëreshës Mari. Ai iu bind përsosmërisht Atit të Tij qiellor, jetoi një jetë pa mëkat, kreu shenja të mrekullueshme, u kryqëzua nën Ponc Pilatin, u ringjall trupërisht prej së vdekuri në ditën e tretë dhe u ngjit në qiell. Si Mbreti ndërmjetësues që është, Ai qëndron ulur në të djathtë të Perëndisë Atë, ushtron në qiell dhe në tokë gjithë sovranitetin e Perëndisë dhe është Kryeprifti dhe Avokati ynë i drejtë. Ne besojmë se përmes trupëzimit, jetës, vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes së Tij, Jezu Krishti veproi si përfaqësuesi dhe zëvendësuesi ynë. Ai e bëri këtë në mënyrë që në Të, ne të mund të bëhemi drejtësia e Perëndisë: në kryq Ai prishi mëkatin, kënaqi Perëndinë dhe duke mbajtur dënimin e plotë për mëkatet tona, i pajtoi me Perëndinë të gjithë ata që besojnë. Përmes ringjalljes së Tij, Krishti Jezus u lartësua prej Atit të Vet, theu pushtetin e vdekjes dhe e mundi satanin që dikur kishte pushtetin e vdekjes dhe i solli jetë të përjetshme gjithë popullit të Tij. Përmes ngjitjes së Tij në qiell, Ai është lartësuar përgjithmonë si Zot dhe ka përgatitur një vend ku ne të jemi me të. Ne besojmë se shpëtimi nuk gjendet tek askush tjetër, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell përmes të cilit duhet të shpëtohemi. Për shkak se Ai zgjodhi gjërat e ulëta të kësaj bote, gjërat e përbuzura, gjërat që nuk janë, për të turpëruar gjërat që janë, asnjë qenie njerëzore nuk mund të mburret para Tij; Krishti Jezus është bërë për ne urtësi nga Perëndia, domethënë, drejtësi, shenjtëri dhe shpengim.
  8. Drejtësimi i mëkatareëve Ne besojmë se Krishti përmes bindjes dhe vdekjes së Tij, e pagoi plotësisht borxhin e gjithë atyre që janë drejtësuar. Përmes sakrificës së Tij, Ai mbarti në vendin tonë ndëshkimin që ne meritonim për mëkatet tona, duke e përmbushur drejtësinë e Perëndisë për llogarinë tonë si duhet, në të vërtetë dhe plotësisht. Përmes bindjes së Tij të përsosur, Ai përmbushi kërkesat e drejta të Perëndisë në vendin tonë, duke qenë se vetëm përmes besimit, kjo bindje e përsosur u llogaritet të gjithë atyre që besojnë vetëm në Krishtin për t’u pranuar prej Perëndisë. Përderisa Ati e dha Krishtin për ne dhe përderisa bindja dhe ndëshkimi i Tij u pranuan për llogarinë tonë, lirshëm dhe jo për shkak të ndonjë gjëje në ne, ky drejtësim është vetëm prej hirit falas, me qëllim që të mund të përlëvdohen në drejtësimin e mëkatarëve, si drejtësia e prerë ashtu dhe hiri i pasur i Perëndisë. Ne besojmë se zelli për bindje personale dhe publike rrjedh nga ky drejtësim falas.
  9. Fuqia e Frymës së Shenjtë Ne besojmë se ky shpëtim i dëshmuar në Shkrim dhe i siguruar prej Jezu Krishtit, zbatohet tek populli i tij prej Frymës të Shenjtë. I dërguar prej Atit dhe Birit, Fryma i Shenjtë përlëvdon Zotin Jezu Krisht dhe si Ngushëlluesi tjetër është i pranishëm me dhe në besimtarët. Ai e bind botën për mëkat, drejtësi dhe gjykim, dhe përmes veprës së Tij të fuqishme dhe të mistershme rilind mëkatarët e vdekur frymërisht. I zgjon në pendim dhe besim, dhe në Të ata pagëzohen në bashkimin e tyre me Zotin Jezus, në mënyrë të tillë që të drejtësohen para Perëndisë vetëm prej hirit, vetëm përmes besimit, vetëm në Jezu Krishtin. Përmes veprës së Frymës, besimtarët ripërtërihen, shenjtërohen dhe birësohen në familjen e Perëndisë; ata bëhen pjesëtarë të natyrës hyjnore dhe marrin dhuntitë e Tij, të cilat shpërndahen në mënyrën sovrane. Vetë Fryma i Shenjtë është kapari i trashëgimisë së premtuar dhe në këtë epokë Ai banon brenda besimtarëve, duke i drejtuar, udhëzuar, pajisur, rigjallëruar dhe fuqizuar ata për një jetë dhe shërbim në përngjasim me Krishtin.
  10. Mbretëria e Perëndisë Ne besojmë se ata që janë shpëtuar prej hirit të Perëndisë përmes bashkimit të tyre me Krishtin nëpërmjet besimit dhe rilindjes së Frymës së Shenjtë, hyjnë në mbretërinë e Perëndisë dhe kënaqen me bekimet e besëlidhjes së re: faljen e mëkateve, transformimin e brendshëm që zgjon një dëshirë për të përlëvduar, për t’i besuar dhe për t’iu bindur Perëndisë, si dhe pritjen e lavdisë që do të zbulohet. Veprat e mira përbëjnë një provë të pazëvendësueshme të hirit shpëtues. Duke jetuar si kripë në një botë që po kalbet dhe si dritë në një botë të errët, besimtarët nuk duhet të tërhiqen në veçim nga bota dhe as nuk duhet të bëhen të padallueshëm prej saj: përkundrazi, ne duhet të bëjmë të mirën në qytet, sepse gjithë lavdia dhe nderi i kombeve duhet t’i ofrohet Perëndisë së gjallë. Duke dalluar se kujt i përket ky krijim dhe për shkak se jemi qytetarë të mbretërisë së Perëndisë duhet t’i duam të afërmit tanë si veten, duke u bërë mirë të gjithëve, por në mënyrë të veçantë atyre që i përkasin familjes së Perëndisë. Mbretëria e Perëndisë, tashmë e pranishme por ende e parealizuar plotësisht, është ushtrimi i sovranitetit të Perëndisë në botë drejt shpengimit përfundimtar të gjithë krijimit. Mbretëria e Perëndisë është një fuqi pushtuese që plaçkit mbretërinë e errët të satanit dhe që rilind, dhe ripërtërin përmes pendimit dhe besimit jetët e individëve që shpëtohen nga ajo mbretëri. Kështu, në mënyrë të paevitueshme, themelohet një komunitet i ri i jetës njerëzore të përbashkët nën Perëndinë.
  11. Populli i ri i Perëndisë Ne besojmë se populli i besëlidhjes së re të Perëndisë tashmë ka ardhur në Jeruzalemin qiellor; ata tashmë janë ulur me Krishtin në vendet qiellore. Kisha universale manifestohet në kishat lokale, Kreu i vetëm i të cilave është Krishti; prandaj çdo “kishë lokale” është në fakt kisha, familja e Perëndisë, asambleja e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i të vërtetës. Kisha është trupi i Krishtit, bebëza e syrit të Tij, e gdhendur në duart e Tij dhe Ai i ka falur asaj besnikëri të përjetshme. Kisha dallohet nga mesazhi i saj i ungjillit, nga urdhëresat e saj të shenjta, nga disiplina e saj, nga misioni i saj i madh dhe mbi të gjitha nga dashuria e saj për Perëndinë si dhe nga dashuria e pjesëtarëve të saj për njëri-tjetrin dhe për botën. Në mënyrë thelbësore, ungjilli që ne e çmojmë aq shumë, ka dimensione si personale ashtu dhe të përbashkëta dhe asnjë prej këtyre nuk duhet nënvlerësuar. Krishti Jezus është paqja jonë: Ai nuk ka sjellë vetëm paqe me Perëndinë, por gjithashtu edhe paqe mes popujve të armiqësuar. Qëllimi i Tij ishte të krijonte në Veten e Tij një njeri të ri, duke bërë kështu paqen dhe në një trup t’i pajtojë si judenjtë ashtu dhe johebrenjtë me Perëndinë përmes kryqit, përmes të cilit Ai e vrau armiqësinë e tyre. Kisha shërben si një shenjë e botës së re dhe të ardhshme të Perëndisë, ku pjesëtarët e saj jetojnë për t’i shërbyer njëri-tjetrit dhe fqinjëve të tyre, në vend që të jenë të fokusuar te vetja. Kisha është banesa e përbashkët e Frymës së Perëndisë dhe dëshmia e vazhdueshme e Perëndisë në botë.
  12. Pagëzimi dhe Darka e Zotit Ne besojmë se pagëzimi dhe Darka e Zotit janë caktuar prej vetë Zotit Jezus. E para lidhet me hyrjen në këtë komunitet të besëlidhjes së re, e dyta ka të bëjë me ripërtëritjen e vazhdueshme të besëlidhjes. Së bashku, ato janë njëherësh besa e Perëndisë ndaj nesh, janë mjete hiri të caktuara në mënyrë hyjnore, janë betimet tona publike të nënshtrimit ndaj Krishtit që u kryqëzua një herë dhe që tashmë është ringjallur, si dhe pritja e kthimit të Tij dhe e përmbushjes së të gjitha gjërave.
  13. Ripërtëritja e të gjitha gjërave Ne besojmë në kthimin trupor, personal dhe të lavdishëm të Zotit tonë Jezu Krisht së bashku me engjëjt e Tij, kur Ky do të ushtrojë rolin e tij si Gjykatësi përfundimtar dhe kur mbretëria e Tij do të realizohet plotësisht. Ne besojmë në ringjalljen trupore, si të të drejtëve ashtu dhe të të padrejtëve; të padrejtët për ndëshkimin e përjetshëm dhe të ndërgjegjshëm në ferr, ashtu sikurse mësoi Zoti ynë, ndërsa të drejtët për bekimin e përjetshëm në praninë e Atij që ulet mbi fron dhe të Qengjit në qiellin e ri dhe tokën e re, në të cilët banon drejtësia. Atë ditë kisha do të paraqitet pa të meta përpara Perëndisë, përmes bindjes, vuajtjes dhe triumfit të Krishtit. I gjithë mëkati do të pastrohet dhe efektet e tij të mjerueshme do të jenë zhdukur përjetë. Perëndia do të jetë gjithçka dhe në të gjithë, dhe populli i Tij do të mahnitet prej pranisë së afërt të shenjtërisë së patregueshme të Tij, dhe gjithçka ka për të qenë për lëvdim të hirit të Tij të lavdishëm.

Vizioni Teologjik për Shërbesën

Kjo nuk është një skicë e besimeve tona doktrinore (shih Deklaratën e Rrëfimit), por është një deklaratë se si ne përpiqemi të kryejmë shërbesën e krishterë dhe të ndërveprojmë me kulturën tonë me besnikëri biblike dhe teologjike.

I. Si duhet të reagojmë ndaj krizës kulturore rreth të vërtetës? (Çështja e njohjes)

Për disa qindra vjet, që nga agimi i Iluminizmit, përgjithësisht pranohej se e vërteta – e shprehur në fjalë, që në mënyrë thelbësore të përputhen me realitetin – ekziton dhe mund të njihet. Mendohej se arsyeja njerëzore e pandihmuar është në gjendje ta njohë të vërtetën në mënyrë objektive. Së fundi, postmodernizmi e ka kritikuar këtë grup supozimesh duke pretenduar se ne, në të vërtetë, nuk jemi objektivë në kërkimin tonë të njohurisë, por përkundrazi e interpretojmë informacionin përmes përvojave tona personale, vetë-interesimit, emocioneve, paragjykimeve kulturore, kufizimeve të gjuhës dhe komuniteteve relative. Pretendimi për objektivitetin është arrogant, na thonë postmodernistët dhe në mënyrë të paevitueshme na çon në konflikte ndërmjet komuniteteve me mendime të ndryshme, në lidhje me atë se ku qëndron e vërteta. Ata shpallin se një arrogancë e tillë i shpjegon pjesërisht, shumë prej padrejtësive dhe luftërave të epokës moderne. Sidoqoftë, përgjigja e postmodernizmit është e rrezikshme: zërat e tij më të ashpër këmbëngulin se pretendimet ndaj të vërtetës objektive, të zëvendësohen me një pluralizëm më të përulur, ‘tolerues’, subjektiv, gjithëpërfshirës dhe të larmishëm – një pluralizëm shpeshherë i zhytur në një moçal që nuk mund të lejojë themel të qëndrueshëm për “besimin që u ishte transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë”. Një pozicion i tillë, nuk ka vend për një të vërtetë që përputhet me realitetin, por vetëm për një koleksion të vërtetash të formuara subjektivisht. Si të reagojmë ndaj kësaj krize kulturore rreth të vërtetës?

  1. Ne pohojmë se e vërteta përputhet me realitetin. Ne besojmë se Fryma i Shenjtë, i cili i frymëzoi fjalët e apostujve dhe profetëve, banon gjithashtu në ne, në mënyrë që ne, të cilët jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, të mund të pranojmë dhe të kuptojmë fjalët e Shkrimit të zbuluara nga Perëndia dhe të kuptojmë se ato të vërteta të Shkrimit përputhen me realitetin. Deklaratat e Shkrimit janë saktësisht të vërteta sepse janë deklaratat e Perëndisë dhe ato përputhen me realitetin, edhe pse njohuria jonë e këtyre të vërtetave (madje edhe aftësia jonë për t’jua verifikuar ato të tjerëve) është gjithnjë domosdoshmërisht jo e plotë. Besimi i Iluminizmit, në njohuri plotësisht objektive, krijoi një idhull nga arsyeja e pandihmuar njerëzore. Megjithatë, mohimi i mundësisë së njohurisë së pastër objektive nuk nënkupton humbjen e të vërtetës që përputhet me realitetin objektiv, edhe nëse nuk do të mund ta njohim ndonjëherë një të vërtetë të tillë pa një element subjektiviteti. Shih DRR-(2).
  2. Ne pohojmë se e vërteta përçohet nga Shkrimi. Ne besojmë se Shkrimi është kryesisht dëftues dhe se të gjitha deklaratat e Shkrimit janë plotësisht të vërteta dhe autoritare, por e vërteta e Shkrimit nuk mund të shterohet në një seri hipotezash. Shkrimi ekziston në zhanret e tregimit, metaforës dhe poezisë, të cilët nuk janë në mënyrë shteruese të distilueshme në hipoteza doktrinore. Sidoqoftë ato na përçojnë vullnetin dhe mendjen e Perëndisë për të na ndryshuar në ngjashmërinë e Tij.
  3. Ne pohojmë se e vërteta është përputhja e jetës me Perëndinë. E vërteta nuk është vetëm përputhje teorike, por gjithashtu marrëdhënie besëlidhjeje. Zbulesa biblike nuk duhet thjesht të njihet, por të jetohet (Ligji i Përtërirë 29:29). Qëllimi i Biblës është që të prodhojë urtësi në ne, një jetë plotësisht të nënshtruar ndaj realitetit të Perëndisë. E vërteta, pra, është përputhja e tërësisë së jetës tonë me zemrën, fjalët dhe veprimet e Perëndisë, përmes ndërmjetësimit të Fjalës dhe Frymës. Eliminimi i natyrës dëftuese të së vërtetës biblike, e dobëson në mënyrë serioze aftësinë tonë që ta mbajmë, mbrojmë dhe shpjegojmë ungjillin. Nëse e trajtojmë të vërtetën vetëm si pohim, kjo gjë e dobëson vlerësimin tonë të Birit të mishëruar si Udha, e Vërteta dhe Jeta, fuqinë komunikuese të tregimit dhe historisë, dhe rëndësinë e të vërtetës së të jetuar në të vërtetë në përputhje me Perëndinë.
  4. Mënyra se si na jep trajtë ky vizion i së vërtetës.
    1. Ne përqafojmë një teori-përputhje ‘të zbutur’ të së vërtetës që është më pak triumfaliste se sa ajo e disa prej ungjillorëve më të hershëm. Ne, gjithashtu, e refuzojmë një pikëpamje të së vërtetës, e cila e sheh të vërtetën si asgjë më shumë se sa gjuha e brendshme e kuptueshme e një besimi apo komuniteti të caktuar. Ne pra e mbajmë me atë që shpresojmë se është përulësi e përshtatshme, parimin sola Scriptura ‘vetëm Shkrimi’.
    2. Edhe pse e vërteta është pohimore, nuk është vetëm diçka që duhet besuar, por gjithashtu që duhet të pranohet në adhurim dhe të praktikohet në urtësi. Ky ekuilibër i jep trajtë mënyrës se si e kuptojmë dishepullimin dhe predikimin. Duam të inkurajojmë një pasion për doktrinë të shëndoshë, por e dimë se rritja e krishterë, nuk është thjesht transferim i informacionit njohës. Rritja e krishterë ndodh vetëm kur e gjithë jeta formohet nga praktikat e krishtera në komunitet, duke përfshirë lutjen, pagëzimin, Darkën e Zotit, bashkësinë dhe shërbesën publike të Fjalës.
    3. Njohuria jonë teorike e së vërtetës të Perëndisë është thjesht e pjesshme, edhe atëherë kur është e saktë, por megjithatë ne mund të kemi siguri se ajo që na thotë Fjala është e vërtetë (Luka 1:4). Ne i pranojmë fjalët e ungjillit me siguri dhe bindje të plotë, nëpërmjet fuqisë të Frymës së Shenjtë (1 Thesalonikasve 1:5).

II. Si e lexojmë Biblën? (çështja hermeneutike)

  1. Leximi ‘përgjatë’ gjithë Biblës. Të lexojmë përgjatë gjithë Biblës është të dallojmë mesazhin e thjeshtë themelor të Biblës si tregimi i shpengimit të Perëndisë (psh., Luka 24:44) sikurse edhe temat e Biblës si (besëlidhja, mbretëria, tempulli) që rrjedhin përmes secilës faze të historisë dhe secilës pjesë të kanunit, duke arritur kulmin në Jezu Krishtin. Në këtë perspektivë, ungjilli shfaqet si krijim, rënie, shpengim, ripërtëritje. E shfaq qëllimin e shpëtimit, specifikisht një krijim të ripërtërirë.  Ndërsa rrëfejmë në DRR- (1), [Perëndia përmes provanisë së Tij realizon qëllimin e Tij të mirë dhe të përjetshëm për të shpenguar një popull për Veten e Tij dhe për ta ripërtërirë krijimin e rënë për lëvdim të hirit të Tij të lavdishëm.
  2. Leximi ‘përmes’ gjithë Biblës. Të lexojmë përmes gjithë Biblës do të thotë t’i mbledhim të gjitha deklaratat e saj, thirrjet, premtimet dhe pretendimet e së vërtetës në kategori të mendimit (p.sh, teologji, Kristologji, eskatologji) dhe në mënyrë përmbledhëse, të arrijmë në një kuptim koherent të asaj se çfarë mëson (p.sh. Luka 2:46-47). Në këtë perspektivë, ungjilli shfaqet si Perëndia, mëkati, Krishti, besimi. Kjo vë në pah mjetet e shpëtimit, domethënë veprën zëvendësuese të Krishtit dhe përgjegjësinë tonë për ta përqafuar atë nëpërmjet besimit. Sikurse rrëfejmë te DRR-(7), Jezu Krishti veproi si përfaqësuesi dhe zëvendësuesi ynë, që në Të, ne të mund të bëhemi drejtësia e Perëndisë.
  3. Si na jep trajtë ky lexim i Biblës
    1. Shumë njerëz sot (por jo të gjithë) që theksojnë pikën e parë të këtyre dy mënyrave të leximit të Biblës (pra të lexuarit përgjatë gjithë Biblës), përqendrohen në aspektet më të përbashkëta të mëkatit dhe shpëtimit. Kryqi shihet kryesisht si shembull i shërbimit sakrifikues dhe si mposhtje e fuqive botërore, në vend që të shihet si zëvendësim dhe pajtim për mëkatet tona. Në mënyrë ironike, kjo qasje mund të jetë shumë legaliste. Në vend se t’i thërrasë njerëzit në një konvertim individual, përmes mesazhit të hirit, njerëzit u bëhet thirrje që t’i bashkohen komunitetit të krishterë dhe programit të mbretërisë në atë që Perëndia po bën për ta çliruar botën. Theksi vendoset te krishtërimi, si një mënyrë jete në dëm të një statusi në Krishtin, të blerë me gjak dhe të pranuar përmes besimit personal. Në këtë çekuilibër, ka pak theks në ungjillëzim dhe apologjetikë të zellshme në predikimin ekspozues, dhe në shenjat e rëndësinë e konvertimit/lindjes së re.
    2. Nga ana tjetër, ungjillëzimi i vjetër (edhe pse jo i gjithi) ka qenë i prirur të lexojë përmes Biblës. Si rezultat, ishte më individualist, duke u përqendruar pothuajse tërësisht në konvertimin personal dhe te një kalim i sigurt për në qiell. Gjithashtu, predikimi i tij, edhe pse ekspozues, ishte nganjëherë moralist dhe nuk e theksonte se si të gjitha temat biblike kulmonin në Krishtin dhe veprën e Tij. Në këtë çekuilibër ka pak ose aspak theks në rëndësinë e veprës së drejtësisë dhe mëshirës për të varfërit, të shtypurit dhe në prodhimin kulturor që e përlëvdon Perëndinë në art, biznes etj.
    3. Ne nuk besojmë se në praktikën më të mirë, këto dy mënyra të leximit të Biblës janë ndopak kontradiktore, edhe pse sot shumë i vendosin kundër njëra-tjetrës. Ne, përkundrazi, besojmë se këto mënyra leximi, në më të mirën e tyre, janë integrale për kapjen e kuptimit të ungjillit biblik. Ungjilli është deklarata se përmes vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, Perëndia ka ardhur për t’i pajtuar individët me anë të hirit të Tij dhe ta ripërtërijë të gjithë botën për lavdinë e Tij.

III. Si duhet të lidhemi me kulturën përreth nesh? (Çështja e kontekstualizimit)

  1. Duke qenë një kundër-kulturë. Ne duam të jemi një kishë që jo vetëm u jep mbështetje individëve të krishterë në ecjet e tyre personale me Perëndinë, por që gjithashtu i formon ata në shoqërinë alternative njerëzore, që Perëndia e krijoi me anë të Fjalës dhe Frymës. (shih më poshtë, pikën 5c.)
  2. Për të mirën e përbashkët. Nuk mjafton që kisha t’i kundërshtojë vlerat e kulturës dominuese, ne duhet të jemi një kundër-kulturë për të mirën e përbashkët. Ne duam të jemi radikalisht të dallueshëm nga kultura përreth nesh dhe në të njëjtën kohë, nga ky identitet i veçantë, ne duhet t’u shërbejmë fqinjëve tanë, madje edhe armiqve tanë, duke vepruar për përparimin e njerëzve, si këtu, ashtu dhe në përjetësi. Prandaj, ne nuk e shohim shërbesën e përbashkët të adhurimit, si pikën parësore lidhëse me ata që janë jashtë. Në vend të kësaj, ne presim që t’i takojmë fqinjët tanë, ndërsa punojmë për paqen, sigurinë dhe mirëqenien e tyre, duke i dashur me fjalë dhe me vepra. Nëse e bëjmë këtë, ne do të jemi ‘kripë’ dhe ‘dritë’ në botë (duke i ruajtur dhe përmirësuar kushtet e jetës, duke i treguar botës lavdinë e Perëndisë përmes stilit të jetës tonë; Mateu 5:13-16).  Ashtu sikurse judenjtë mërgimtarë, në Babiloni, që ishin thirrur të donin dhe punonin për shalomin e Babilonisë (Jeremia 29:7), edhe të krishterët janë populli i Perëndisë në ‘mërgim’: (1 e Pjetrit 1:1; Jakobi 1:1). Banorët e qytetit të Perëndisë duhet të jenë qytetarët më të mirë të mundshëm të qytetit të tyre tokësor (Jeremia 29: 4-7). Ne nuk jemi as tepër optimistë, as pesimistë për ndikimin tonë kulturor, sepse e dimë se, ndërsa ecim në hapat e Atij që dha jetën për kundërshtarët e Tij, ne do të përjetojmë përndjekje edhe kur kemi ndikim shoqëror (1 Pjetri 2:12).
  3. Si na jep trajtë kjo marrëdhënie me kulturën.
    1. Ne besojmë se çdo shprehje e krishterimit është domosdoshmërisht dhe me të drejtë e kontekstualizuar, deri në një farë mase. Në kulturën e caktuar njerëzore; nuk ekziston një gjë e tillë si një shprehje universale ose historike e krishterimit. Kurrë nuk duam të ndikohemi aq shumë nga kultura jonë, deri në atë masë sa të komprometojmë të vërtetat e ungjillit. Si e ruajmë, pra, ekuilibrin tonë?
    2. Përgjigjja është se ne nuk mund ta ‘kontekstualizojmë’ ungjillin në mënyrë abstrakte, si një eksperiment mendimi. Nëse një kishë kërkon të jetë një kundër-kulturë për të mirën e përkohshme dhe të përjetshme të njerëzve, do ta ruajë veten si kundër legalizmit që mund të shoqërojë tërheqjen e panevojshme kulturore, ashtu dhe nga kompromisi që vjen me përshtatjen e tepërt. Nëse kërkojmë shërbim në vend të pushtetit, mund të kemi ndikim domethënës kulturor; por nëse kërkojmë pushtet të drejtpërdrejtë dhe kontroll shoqëror, ne, në mënyrë ironike, do të asimilohemi në vetë idhujtaritë e pasurisë, statusit dhe pushtetit që ne kërkojmë të ndryshojmë.
    3. Vetë ungjilli mban çelësin e një kontekstualizimi të përshtatshëm. Nëse kontekstualizojmë tej mase, kjo sugjeron që ne e duam shumë miratimin e kulturës pranuese. Kjo vë në pah mungesën e besimit tek ungjilli. Nëse nuk kontekstualizojmë mjaftueshëm, sugjeron që ne i duam shumë veçantitë e nën-kulturës sonë. Gjithashtu, kjo tregon një mungesë përulësie të ungjillit dhe të dashurisë për të afërmin tonë.

IV. Në çfarë mënyra është ungjilli unik?

Ky ungjill, në një mënyrë unike, i mbush të krishterët me përulësi dhe shpresë, zemërbutësi e guxim. Ungjilli biblik dallon dukshëm nga fetë tradicionale, si dhe nga shekullarizmi. Fetë veprojnë sipas parimit: “Unë bindem, prandaj jam i pranuar”, por parimi i ungjillit është: “Unë jam i pranuar nëpërmjet Krishtit, prandaj bindem”. Kështu ungjilli ndryshon nga të dyja: afetarizmi dhe feja. Ju mund të përpiqeni të jeni “zot dhe shpëtimtar” të vetes duke shkelur ligjin e Perëndisë, por mund ta bëni këtë edhe duke e respektuar ligjin, në mënyrë që të fitoni shpëtimin tuaj.

Afetarizmi dhe shekullarizmi kanë prirjen ta fryejnë ‘vetëvlerësimin’ vetëinkurajues dhe jo kritik; feja dhe moralizmi i shtypin njerëzit nën faj nga standardet etike që janë të pamundura për t’u mbajtur. Megjithatë, ungjilli na përul dhe na konfirmon në të njëjtën kohë, se përderisa jemi në Krishtin, secili prej nesh është njëkohësisht i drejtë dhe ende mëkatar. Në të njëjtën kohë, ne jemi më të mangët dhe mëkatarë nga sa kemi guxuar të besojmë, por gjithashtu jemi më të dashur dhe më të pranuar nga sa kemi guxuar të shpresojmë ndonjëherë.

Shekullarizmi ka prirjen t’i bëjë njerëzit egoistë dhe individualistë. Feja dhe moraliteti, në përgjithësi, priren t’i bëjnë njerëzit fisnorë dhe të vetëdrejtë ndaj grupeve të tjera (përderisa shpëtimi i tyre, mendojnë ata, është fituar nga arritja e tyre). E megjithatë, ungjilli i hirit, i përqendruar tek një njeri që vdiq për ne ndërsa ne ishim armiqtë e Tij, i heq tej vetëdrejtësinë dhe egoizmin, dhe i bën anëtarët e tij t’u shërbejnë të tjerëve si për përparimin e përkohshëm të të gjithë njerëzve, sidomos të varfërve, ashtu dhe për shpëtimin e tyre. Ungjilli na shtyn për t’u shërbyer të tjerëve, pavarësisht nga meritat e tyre, ashtu siç Krishti na shërbeu ne (Marku 10:45). Shekularizmi dhe feja i përshtatin njerëzit me normat e sjelljes nëpërmjet frikës (të pasojave) dhe krenarisë (një dëshirë për vetëlartësim). Ungjilli i çon njerëzit në shenjtëri dhe shërbim, nga gëzimi mirënjohës për hirin dhe nga dashuria për lavdinë e Perëndisë, për atë që Ai është në vetvete

V. What is gospel–centered ministry?

Ajo karakterizohet nga:

  1. Adhurim i përbashkët dhe i fuqizuar.
    Ungjilli ndryshon marrëdhënien tonë me Perëndinë nga ajo e armiqësisë apo bindjes prej skllavi, në një marrëdhënie intimiteti dhe gëzimi. Dinamika thelbësore e shërbesës së përqendruar te ungjilli është adhurimi dhe lutja e zjarrtë. Në adhurimin e përbashkët, njerëzit e Perëndisë marrin një vështrim të veçantë jetëtransformues të vlerës dhe bukurisë së Perëndisë, dhe pastaj i kthejnë Perëndisë shprehjet e përshtatshme të vlerës së Tij. Në zemër të adhurimit të përbashkët është shërbesa e Fjalës. Predikimi duhet të jetë ekspozues (duke shpjeguar tekstin e Shkrimit) dhe i përqendruar te Krishti (që i shpjegon të gjitha temat biblike si tema që kulmojnë në Krishtin dhe punën e Tij të shpëtimit). Megjithatë, qëllimi i Tij përfundimtar, nuk është thjesht të mësojë, por t’i udhëheqë dëgjuesit në adhurim individual dhe të përbashkët, gjë kjo e cila e forcon qenien e tyre të brendshme, për të bërë vullnetin e Perëndisë.
  2. Efektshmëria ungjillëzuese.
    Për shkak se ungjilli (ndryshe nga moralizimi fetar) prodhon njerëz që nuk i përbuzin ata që nuk pajtohen me ta, një kishë vërtetë e përqendruar në ungjillin, duhet të jetë e mbushur me anëtarë që në mënyrë tërheqëse i adreson shpresat dhe aspiratat e njerëzve me Krishtin dhe veprën e Tij shpëtuese. Ne kemi një vizion për një kishë që sheh konvertime të të pasurve dhe të varfërve, të burrave e grave, të njerëzve tejet të arsimuar dhe atyre më pak të arsimuar, të moshuarve dhe të rinjve, të martuarve dhe të pamartuarve, dhe të të gjitha racave. Ne shpresojmë të tërheqim njerëz që janë shumë laikë dhe postmodernë, si dhe të arrijmë njerëz fetarë dhe tradicionalë. Për shkak të tërheqjes së komunitetit të saj dhe përulësisë së njerëzve të saj, një kishë e përqendruar tek ungjilli duhet të gjejë njerëz në mesin e saj, të cilët eksplorojnë dhe përpiqen të kuptojnë krishtërimin. Duhet t’i mirëpresë ata në qindra mënyra. Nuk do bëjë shumë që të jenë ‘rehat’, por do të bëjë shumë për ta bërë mesazhin e saj të kuptueshëm. Përveç kësaj, kishat me ungjillin në qendër të tyre, do të kenë një anësi ndaj mbjelljes së kishave si një nga mënyrat më efektive të ungjillëzimit që ekziston.
  3. Komuniteti kundër-kulturor.
    Për shkak se ungjilli e largon si frikën ashtu dhe krenarinë, njerëzit duhet të merren vesh mirë bashkë brenda kishës, të cilët nuk do të mundeshin jashtë saj. Për shkak se ungjilli na drejton tek një njeri që vdiq për armiqtë e Tij, ungjilli krijon marrëdhënie të shërbimit dhe jo të egoizmit. Meqenëse ungjilli na thërret në shenjtëri, populli i Perëndisë jeton në lidhje të dashura të përgjegjësisë dhe disiplinës reciproke. Kështu, ungjilli krijon një komunitet njerëzor radikalisht të ndryshëm nga çdo shoqëri që e rrethon. Për sa i përket seksit, kisha duhet të shmangë idhujtarinë e shoqërisë laike, ashtu dhe frikën e  shoqërisë tradicionale prej tij. Ky është një komunitet që i do dhe kujdeset në mënyra aq praktike për anëtarët e tij, saqë pastërtia biblike ka kuptim. I mëson anëtarët e tij që të përshtasin qenien e tyre trupore me formën e ungjillit; përmbajtje jashtë martesës heteroseksuale dhe besnikëri dhe gëzim brenda saj. Në lidhje me familjen, kisha duhet të pohojë mirësinë e martesës mes një burri dhe një gruaje, duke i thirrur ata që t’i shërbejnë Perëndisë, duke reflektuar dashurinë e Tij të besëlidhjes në besnikëri për gjithë jetën dhe duke u mësuar rrugët e Tij fëmijëve të tyre. Gjithashtu pohon mirësinë e të shërbyerit ndaj Krishtit si të pamartuar, qoftë për një kohë apo për gjithë jetën. Kisha duhet të rrethojë të gjithë personat që vuajnë nga rënia e seksualitetit tonë njerëzor me një komunitet dhe familje të dhembshur. Për sa i përket parasë, anëtarët e kishës duhet të angazhohen në bujari radikale ekonomike me njëri-tjetrin, në mënyrë që “të mos ketë nevojtarë në mesin e tyre” (Veprat 4:34). Një ndarje e tillë, nxit gjithashtu një përkushtim të jashtëzakonshëm bujar të kohës, parave, marrëdhënieve dhe hapësirës së jetesës për drejtësinë shoqërore dhe nevojat e të varfërve, të shtypurve, emigrantëve dhe atyre qe janë të dobët ekonomikisht dhe fizikisht. Në lidhje me pushtetin, kisha është dukshëm e përkushtuar ndaj ndarjes së pushtetit dhe ndërtimit të marrëdhënieve ndërmjet racave, klasave dhe brezave, të cilat janë të ndara jashtë trupit të Krishtit. Dëshmia praktike për këtë është se kishat tona lokale gjithnjë e më shumë mirëpresin dhe përqafojnë njerëzit e të gjitha racave dhe kulturave. Çdo kishë duhet të kërkojë dhe të reflektojë larminë e komunitetit lokal gjeografik, si në bashkësi ashtu dhe në udhëheqjen e saj.
  4. Integrimi i besimit dhe punës.
    Lajmi i mirë i Biblës nuk është vetëm falje individuale, por edhe ripërtëritje e gjithë krijimit. Perëndia e vuri njerëzimin në kopësht për të kultivuar botën materiale, për lavdinë e Tij dhe për lulëzimin e natyrës dhe të komunitetit njerëzor. Fryma i Perëndisë jo vetëm që konverton individët (p.sh., Gjoni 16: 8), por gjithashtu ripërtërin dhe kultivon faqen e tokës (p.sh., Zanafilla 1: 2, Psalmi 104: 30). Prandaj, të krishterët e lavdërojnë Perëndinë jo vetëm nëpërmjet shërbesës së Fjalës, por edhe përmes profesioneve të tyre të bujqësisë, artit, biznesit, qeverisë, akademisë; të gjitha për lavdinë e Perëndisë dhe përparimin e së mirës publike. Shumë të krishterë kanë mësuar ta izolojnë besimin e bindjet e tyre nga mënyra se si ata punojnë në profesionin e tyre. Ungjilli shihet si një mjet për të gjetur paqen individuale dhe jo si themeli i një botëkuptimi; një interpretim gjithëpërfshirës i realitetit ndikon gjithçka që bëjmë. Ne kemi një vizion për një kishë që i pajis njerëzit e saj që të mendojnë për rrjedhojat e ungjillit mbi mënyrën se si ushtrojmë zdrukthëtarinë, hidraulikën, regjistrimin e të dhënave, infermierinë, artin, biznesin, qeverinë, gazetarinë, argëtimin dhe akademinë. Një kishë e tillë, jo vetëm që do të përkrahë angazhimin e të krishterëve me kulturën, por do t’i ndihmojë gjithashtu ata të punojnë me dallueshmëri, përsosmëri dhe përgjegjshmëri në zanatet dhe profesionet e tyre. Zhvillimi i mjediseve njerëzore, por krijuese dhe të shkëlqyera të biznesit, nga kuptimi ynë i ungjillit, është pjesë e punës së sjelljes së një mase shërimi në krijimin e Perëndisë në fuqinë e Frymës. Mishërimi i gëzimit, shpresës dhe të vërtetës së krishterë në art është gjithashtu pjesë e kësaj pune. Ne bëjmë gjithë këtë, sepse ungjilli i Perëndisë na çon te kjo gjë, edhe pse e dallojmë që ripërtëritja përfundimtare e të gjitha gjërave pret kthimin personal dhe trupor të Zotit tonë Jezu Krisht (DRR- [13]).
  5. Ushtrimi i drejtësisë dhe mëshirës.
    Perëndia krijoi si shpirtin ashtu edhe trupin, dhe ringjallja e Jezusit tregon se Ai do të shpengojë si frymëroren ashtu dhe materialen. Prandaj, Perëndia nuk interesohet vetëm për shpëtimin e shpirtrave, por edhe për lehtësimin e varfërisë, urisë dhe padrejtësisë. Ungjilli na i hap sytë ndaj faktit se të gjitha pasuritë tona (madje edhe pasuria për të cilën kemi punuar shumë) janë në fund të fundit një dhuratë e pamerituar nga Perëndia. Prandaj, personi që nuk ndan me bujari nga pasuritë e tij ose të saj me të tjerët, nuk ka thjesht mungesë dhembshurie, por është i padrejtë. Krishti e fiton shpëtimin tonë nëpërmjet humbjes, arrin fuqinë përmes dobësisë dhe shërbimit, dhe gjen pasurinë duke i dhënë të gjitha. Ata që marrin shpëtimin e Tij nuk janë të fortët dhe të plotësuarit, por ata që e pranojnë se janë të dobët dhe të humbur. Ne nuk mund t’i shohim të varfrit, të shtypurit dhe pa ndjerë asgjë t’u bëjmë thirrje të nxjerrin veten nga vështirësitë e tyre. Jezusi nuk na trajtoi në këtë mënyrë. Ungjilli e zëvendëson epërsinë ndaj të varfërve me mëshirë dhe dhembshuri. Kishat e krishtera duhet të punojnë për drejtësi dhe paqe në lagjet e tyre, nëpërmjet shërbimit, ndërsa i thërrasin individët të konvertohen dhe të rilindin. Ne duhet të punojmë për të mirën e përjetshme dhe të përbashkët dhe t’u tregojmë fqinjëve tanë se i duam ata në mënyrë sakrifikuese, pavarësisht nëse ata besojnë ashtu siç besojmë ne ose jo. Indiferenca ndaj të varfërve dhe të pafavorizuarve do të thotë se nuk ka një kuptim të vërtetë të shpëtimit tonë vetëm nëpërmjet hirit.

Përfundim

Shërbesa që kemi përvijuar është relativisht e rrallë. Ka shumë kisha të motivuara nga kërkuesit që ndihmojnë shumë njerëz të gjejnë Krishtin. Ka shumë kisha që kërkojnë të angazhojnë kulturën përmes aktivizmit politik. Ka një lëvizje karizmatike në rritje të shpejtë me theks në adhurimin e përbashkët të lavdishëm dhe plot pasion. Ka shumë bashkësi me shqetësim të fortë për zellin dhe pastërtinë doktrinore dhe të cilët punojnë shumë për ta mbajtur veten të ndarë nga bota. Ka shumë kisha me një angazhim radikal ndaj të varfërve dhe të mënjanuarve.

Sidoqoftë, ne nuk shohim mjaft kisha individuale që mishërojnë ekuilibrin e plotë dhe integrues të ungjillit që kemi përvijiuar më sipër. Edhe pse, në hirin e Perëndisë, ka një numër inkurajues pikash të ndritshme në kishë, ne nuk shohim ende një lëvizje të gjerë të kësaj shërbese të përqendruar te ungjilli. Ne besojmë se një ekuilibër i tillë do të krijojë kisha me predikime tërheqëse dhe me thelb teologjik, me ungjillëzim dhe apologjetikë dinamike, me rritje dhe mbjellje të kishave. Këto kisha do të theksojnë pendimin, ripërtëritjen personale dhe shenjtërinë e jetës. Në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat bashkësi, do të ketë angazhim me strukturat shoqërore të njerëzve të zakonshëm, dhe angazhimin kulturor me artin, biznesin, akademinë dhe qeverinë. Do të ketë thirrje për një komunitet të krishterë të jashtëzakonshëm në të cilin të gjithë anëtarët ndajnë pasurinë dhe burimet, dhe krijojnë hapësirë për të varfërit dhe të mënjanuarit. Të gjitha këto prioritete, do të kombinohen dhe do të forcojnë njëra-tjetrën, në çdo kishë lokale.

Çfarë mund të na çojë në një lëvizje në rritje të kishave me ungjillin në qendër? Përgjigjja përfundimtare është se Perëndia, për lavdinë e Vet, duhet të dërgojë rizgjim në përgjigje të lutjes së zjarrtë, të jashtëzakonshme dhe mbizotëruese të popullit të Tij. Ne besojmë se ka edhe hapa të parafundit për t’u marrë. Ka shpresë të madhe, nëse mund të bashkohemi rreth natyrës së të vërtetës, në mënyrën si ta lexojmë më mirë Biblën, në marrëdhënien tonë me kulturën, në përmbajtjen e ungjillit dhe në natyrën e shërbesës së përqendruar te ungjilli. Ne besojmë se përkushtime të tilla do të na çojnë drejt Shkrimit, drejt Krishtit të Shkrimit, drejt ungjillit të Krishtit dhe kështu me hirin e Perëndisë, do të fillojmë të rritemi në aftësinë tonë si kisha që “veprojmë në përputhje me të vërtetën e ungjillit” (Galatasve 2:14). Na vjen turp nga mëkatet dhe dështimet tona, jemi tej mase mirënjohës për faljen, dhe të etur për të parë sërish lavdinë e Perëndisë dhe të mishërojmë përshtatje me Birin e Tij.