×

Ku është Jezusi te Fjalët e Urta?

Për shumicën e të krishterëve sot, libri i Fjalëve të Urta duket si versioni i krishterë për një nga rubrikat e Dear Abby. “Çfarë të bëj në këtë situatë, apo me këtë emocion?” Kjo nuk është diçka e gabuar. Në fund të fundit, Shkrimi është i dobishëm për ushtrim në drejtësi. (2 e Timoteut 3:16). 

Edhe pse Fjalët e Urta na japin padyshim urtësi për përditshmërinë, kisha e hershme e lexonte atë fillimisht si një libër rreth vetë Urtësisë–Zotit Jezus. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Fjalët e Urta 8:22–31, një nga tekstet më të rëndësishme që kisha e hershme kishte për të kuptuarit e Jezusit. 

Kështu që le të shohim atë që kisha e hershme shihte në këtë pasazh. Sepse të njohurit e Jezusit, Urtësisë së Vërtetë, na ndihmon të ecim çdo ditë në urtësi. 

Biri i Perëndisë është Urtësia e Perëndisë

Në këto vargje, Zonja Urtësi e përshkruan veten si ajo të cilën Zoti e “zotëronte në fillim të rrugës së tij, para veprave të tij më të lashta” (v.22), e cila “u vendos nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.” Ajo “u prodhua kur nuk kishte ende humnera” (v.24) dhe “para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave” (v.25), “kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut” (v.26).

Njohja e Jezusit, Urtësisë së Vërtetë, na ndihmon të ecim çdo ditë në urtësi.

Edhe pse ka shumë argumente ekzegjetike rreth këtyre vargjeve në kishën e hershme, pothuajse të gjithë ishin dakord se Zonja Urtësu është një përshkrim figurativ i Perëndisë Bir. Kjo sepse tekste të tjera biblike e identifikojnë Jezusin si Urtësinë e Perëndisë, ku më i rëndësishmi është 1 e Korintasve 1:24, ku Pali e quan Jezusin: “Krishti, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë” (krahaso me Zbulesa 3:14; Fjalët e Urta 8:22, 25). Për ta thjeshtësuar, nëse Jezusi është Urtësia e Perëndisë, atëherë Fjalët e Urta 8 duhet t’i referohet Jezusit, meqenëse i referohet urtësisë së Perëndisë. 

Jezusi te Fjalët e Urta 8

Pra, çfarë do të thotë se Jezusi është Urtësia e Perëndisë te Fjalët e Urta 8? Në këtë tekst mund të dallojmë tri gjëra që na ndihmojnë ta kuptojmë Jezusin si Urtësia e Perëndisë.

 

1. Dituria e Perëndisë është prej Perëndisë Atë

Dituria e Perëndisë–Perëndia Bir–vjen nga Perëndia Atë. Më konkretisht, do të thotë se Perëndia Bir ka dalë nga Perëndia Atë (Fjalët e Urta 8:25)–ose duke përdorur terminologjinë teknike të Kredos së Nikeas, Perëndia Bir është i vetëmlinduri i përjetshëm i Perëndisë Atë. Patjetër që kjo nuk nënkupton (dhe teologët e hershëm si Athanasi dhe Vasili i Çezareas ishin të qartë) se Biri u krijua në kohë. 

Urtësia Hyjnore zbulon Atin, sepse Urtësia Hyjnore është Biri, shëmbëllimi dhe i vetëmlinduri i Atit.

Në fakt, nënkupton se mënyra si dallojmë Atin nga Biri është në marrëdhënien e tyre të përjetshme të origjinës. Ati është përjetësisht i palindur, ndërsa Biri është përjetësisht i vetëmlinduri i Atit. Kur themi përjetësisht, nënkuptojmë se nuk nis kurrë e nuk ndalon kurrë. Në thelb, te Fjalët e Urta 8 veprimi “qeshë krijuar” ndodh në përjetësinë e shkuar (p.sh. “para kodrave” v.25). Kur themi se Biri lindi, nënkuptojmë se esenca hyjnore e Birit është njësoj me të Atit dhe gjithashtu buron nga Ati. 

Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është: Biri është shëmbëllimi i Atit, vula e qenies së Tij (Hebrenjve 1:1–3). E nëse kjo është e vërtetë për Birin, atëherë është e vërtetë edhe për Birin si Urtësi. Urtësia Hyjnore zbulon Atin, sepse Urtësia Hyjnore është Biri, shëmbëllimi dhe i vetëmlinduri i Atit. 

 

2. Dituria e Perëndisë është modeli i krijimit

Te Fjalët e Urta 8, Urtësia është e pranishme me Perëndinë në veprën e krijimit; ajo ishte “pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve” (Fjalët e Urta 8:30–31). Termi i përkthyer ‘arkitekt’ (v.30) nënkupton punën e një arkitekti. Në hyjninë e tij të përjetshme, Perëndia Bir (pra, Urtësia) është ‘arkitekti’ përkrah Atit, arkitekti i krijimit. 

Dhe në mishërimin e Tij, Biri është shëmbëllimi i Perëndisë së Padukshëm (Kolosianëve 1:15; krahaso me Hebrenjve 1:1–3). Bartja e shëmbëllimit është synimi më i lartë i njerëzimit, dhe për pasojë synimi më i lartë i krijimit. Krijimi tregon nga kreu i vet, njerëzimi, dhe modeli i njerëzimit si imago Dei është Jezusi, shëmbëllimi i Perëndisë. 

Perëndia Bir (pra, Urtësia) është ‘arkitekti’ përkrah Atit, arkitekti i krijimit.

Për ta thjeshtësuar: Jezusi, mishërimi i Urtësisë, është modeli i krijimit sepse krijimi është qeverisur sipas shëmbëllimit të Perëndisë, që është Jezusi.

 

3. Urtësia e Perëndisë është modeli i shpengimit

Kujto se te 1 e Korintasve 1:24, kur Pali deklaron se Jezusi është “Krishti, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë”, ai po e bën këtë deklaratë në mes të një pjese ku e quan diturinë e botës marrëzi dhe marrëzinë e botës diturinë e Perëndisë.

Ai bëhet njeri në Birin e Tij dhe vdes si një kriminel, si zëvendësim për ata që e kishin refuzuar.

Konkretisht, është marrëzi të mendosh se mund të arrish ndonjë gjë përmes kryqëzimit të figurës së Mesisë, e megjithatë  kjo është pikërisht ajo që Perëndia bën. Ai bëhet njeri në Birin e Tij dhe vdes si një kriminel, si zëvendësim për ata që e kishin refuzuar. Kush vallë do të mendonte se kjo është Urtësi? Askush. E megjithatë, Pali thotë se ajo që duket si marrëzi është në fakt urtësia e Perëndisë. 

Jezusi, Urtësia e Perëndisë, nuk është vetëm modeli i krijimit, por edhe i shpengimit. 

Të ndjekësh thirrjen e Urtësisë

Çfarë na tregon Fjalët e Urta 8 për Jezusin? Na tregon se Perëndia Bir është Urtësia e Atit. Na tregon që Perëndia Bir i mishëruar është modeli dhe synimi përfundimtar i krijimit, sepse Ai është shëmbëllimi i Perëndisë dhe kulmi i krijimit. Fjalë e Urta 8 gjithashtu na drejton përtej vetes te 1 e Korintasve 1:24, ku shohim që po e njëjta Urtësi hyjnore, që është gjithashtu modeli dhe qëllimi i krijimit në mishërimin e Tij, është edhe modeli, qëllimi dhe arkitekti i shpengimit në vdekjen e tij zëvendësuese. Jezusi–Perëndia Bir në mish–është vërtet Krishti, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë. 

Prandaj, kur lexojmë Fjalët e Urta, po lexojmë më tepër se thjesht një version të krishterë të rubrikës Dear Abby. Fjalët e Urta është një libër që na tregon si duket Urtësia dhe që na  kërkon ta ndjekim zërin e saj. Duke qenë se Jezusi është Urtësia, atëherë libri na kërkon të shohim Jezusin dhe të ndjekim Jezusin. Të ndjekësh Jezusin do të thotë të kesh frikën e ZOTIT, dhe ky është fillimi dhe fundi i urtësisë.

Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/jesus-proverbs/ 

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Editors’ note: 

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

LOAD MORE
Loading