×

Mos po të kontrollon pajisja jote elektronike?

Përkundrejt sfondit të krijimit të njeriut nga Perëndia për të ushtruar sundim, mendo pak për burrin që nuk e pa golin fitues të të birit, sepse ishte i shpërqendruar nga dridhjet e telefonit në xhepin e tij. Mendo për punëtoren e re që shfleton mediat sociale, por e mban mausin te “x”-i, gati për ta mbyllur nëse kalon shefi. Ose mendo për studentin që e shpërfill klithmën e trupit të tij për gjumë dhe përkundrazi, i sforcon sytë e tij të lodhur për të parë edhe disa imazhe më shumë. Këta nuk janë në kontroll të vetes.

Pali na paralajmëroi për ata njerëz që nuk e kontrollojnë veten. Ai përshkruan një nga faktorët domethënës të armiqve të kryqit me fjalët “perëndia i tyre është barku” (Filipianëve 3:19). Ata kontrollohen nga pasionet idhujtare ose nga shqetësimet e botës. Ndryshe nga ata, Pali vetë siguroi shembullin e rëndësisë së kontrollit në jetën e krishterë (1 e Korintasve 9:27).

Duhet të ushtrojmë kontroll, sepse ne besojmë se Perëndia meriton bindjen tonë aktive, jo thjesht lavdërimin tonë të rastësishëm. Po, ai në fund do të përlëvdohet, edhe nëse ne rebelohemi kundër tij. Por ai është i denjë ta ketë gjithë jetën tonë — madje edhe jetën tonë digjitale.

Perëndia të krijoi që të ushtrosh kontroll mbi krijimin. Synimi i tij nuk ishte që të kontrolloheshe nga pajisja jote elektronike.

Po sikur, në vend që të jemi pasivë, të pakujdesshëm dhe të padisiplinuar në sjelljen tonë digjitale, të ushtrojmë kontroll digjital si bindje ndaj dy urdhërimeve më të mëdha? Po sikur të ushtronim kontroll mbi pajisjet tona elektronike si një akt dashurie ndaj Perëndisë dhe të afërmit?

Kontrolli digjital dhe dashuria për Perëndinë

Jezusi tha se urdhërimi më i madh është: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37). Nëse do të mendosh për mënyrën se si t’i administrosh pajisjet e tua digjitale në bindje ndaj Jezusit, ky është një vend i mirë për të filluar. Ushtro kontroll mbi pajisjet e tua digjitale, sepse ti e do Perëndinë!

Pa kontroll digjital, ne shkojmë ku të na çojë rryma — duke shfletuar pa ndonjë qëllim dhe pasivisht. Dhe kush drejtohet nga rryma, nuk shkon në drejtimin e duhur. Në vend që të ecim me rrjedhën në mënyrë të shkujdesur, drejt sjelljeve dhe fjalëve që mund ta çnderojnë Perëndinë, ne praktikojmë kontrollin digjital për lavdi të Krishtit. Me veprimet tona në internet — ashtu si në çdo fushë tjetër të jetës — ne duam që të tjerët të shohin Jezusin.

Qëllimi kryesor përse ne ushtrojmë sundim është që ta mbushim tokën me mbartës të shëmbëllimit të Perëndisë dhe për ta lavdëruar atë. Siç shpjegon edhe David Mathis: “Vetëkontrolli i krishterë nuk ka në thelb vënien e pasioneve trupore nën kontrollin tonë, por nën kontrollin e Krishtit me anë të fuqisë së Frymës së tij”.

Nuk po kërkojmë kontroll mbi pajisjet tona digjitale thjesht për produktivitet apo për famën tonë, por për të madhëruar Krishtin. Gratë dhe burrat e krishterë përulen plot gëzim nën sundimin dhe mbretërimin e Krishtit. Urdhërimet e tij nuk janë asnjëherë të rënda (1 e Gjonit 5:3). Bindja ndaj Jezusit sjell gëzim, edhe në botën digjitale.

Nuk po kërkojmë kontroll mbi pajisjet tona digjitale thjesht për produktivitet apo për famën tonë, por për të madhëruar Krishtin.

Te Galatasve 5, apostulli Pal radhit treguesit e punës së Frymës së Shenjtë në jetët tona. Ndër to, ai përfshin “vetëkontrollin” (Galatasve 5:23). Vetëkontrolli nuk është thjesht përpjekje. Të krishterë, ndërsa i biem pas vetëkontrollit në zakonet tona digjitale, le ta dallojmë se një fryt i tillë është rezultat i punës së Frymës së Shenjtë në jetë tona. Kjo ndikon jo vetëm mënyrën si e kuptojmë vetëkontrollin, por edhe mjetet që përdorim për ta arritur atë.

Pali gjithashtu e lidh vetëkontrollin drejtpërdrejt me shpëtimin tonë. Duke ia shpjeguar ungjillin e Jezu Krishtit Feliksit dhe gruas së tij, Druzilës, Pali e mendoi të nevojshme të arsyetonte në lidhje me vetëkontrollin (Veprat 24:24-25). Vetëkontrolli është pjesë thelbësore e të vepruarit të shpëtimit tonë. Ashtu si sportisti zhvillon vetëkontrollin për të arritur një fitore, edhe të krishterët zhvillojnë vetëkontrollin për të arritur shpëtimin përfundimtar (1 e Korintasve 9:25). Nuk mund ta marrim seriozisht shenjtërimin duke e shpërfillur nevojën për vetëkontroll, madje as në botën digjitale.

Kontrolli digjital dhe dashuria për të afërmin

Çfarë po u bën mungesa e vetëkontrollit tënd digjital atyre që ti i do? A ndihen fëmijët e tu sikur nuk po i dëgjon? A ndihet bashkëshortja jote e lënë pas dore?

Nëse dëshiroj që ta dua si duhet gruan time, duhet ta kontrolloj veten. Nëse dua t’i shërbej asaj duke i përgatitur një lëng frutash përpara se të çojë fëmijët në shkollë, duhet të kem mjaftueshëm kontroll për ta lënë telefonin. Nëse dëshiroj ta dua tim bir duke luajtur futboll apo ndonjë lojë tavoline me të, duhet të jem aq i disiplinuar sa ta mbyll aplikacionin apo kompjuterin. Dështimi ynë për të kultivuar vetëkontroll e pengon dashurinë tonë për të tjerët. Pajisjet tona digjitale nuk na ndihmojnë me këtë gjë.

Dështimi ynë për të kultivuar vetëkontroll e pengon dashurinë tonë për të tjerët.

Të gjithë e kemi ndier sëmbimin kur dikush zgjodhi që t’i kushtonte vëmendje një pajisjeje dhe jo neve. Mbase nuk kishin qëllim të na lëndonin, por jua bëmë të njëjtën pyetje disa herë dhe nuk morëm përgjigje — fytyra e tyre e përkulur mbi një ekran, kishte humbur në një botë tjetër. U përpoqëm t’u afrohemi, por nuk ua tërhoqëm dot vëmendjen. Kërkuam afrimitet, por morëm vetëm izolim.

Mos qoftë kështu me ju! Zhvilloni kontrollin si një akt dashurie ndaj të tjerëve. Ushtroni sundim digjital si një shfaqje dashurie ndaj atyre që i çmoni. Mos ia dorëzoni kontrollin e jetës suaj një pajisjeje digjitale! Ushtroni kontroll dhe duajini si duhet të tjerët.

*Ky artikull është përshtatur nga libri Digital Dominion i autorit Jeff Mingee (10Publishing, gusht 2022).

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Përkthyer me leje nga: https://www.thegospelcoalition.org/article/device-controlling-you/

Editors’ note: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2023

LOAD MORE
Loading