×

Një ungjill pa kryqin prodhon të krishterë të dobët

Është një përvojë rrëqethëse të marrësh pjesë në një shërbesë të së Premtes së Madhe, të dëgjosh përsëri rrëfimet e Gjonit për kryqëzimin dhe të këndosh tekstin e këngës “A ishe atje kur Zotin tim e kryqëzuan?”:

A ishe atje kur Zotin tim e kryqëzuan?
A ishe atje kur mbi kryq e gozhduan?
A ishe atje kur në një varr e shtrinë?
A ishit atje kur gurin e varrit rrokullisën?

Në të vërtetë, pamje të tilla mund t’i bëjnë zemrat e besimtarëve të dridhen dhe t’ua mbushin sytë me lot. Shumë shpesh, ne flasim për kryqin në konceptin abstrakt, derisa arrijmë në një pikë ku bëhemi të ftohtë dhe shkojmë larg realitetit të prekshëm të vuajtjeve të Birit të Perëndisë. Në të Premten e Madhe, ne kujtojmë se Jezusi pësoi një vdekje torturuese dhe përjetoi gjithë zemërimin e ferrit në atë moment fitimtar.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për shërbesën e të rinjve, për ne mund të jetë e lehtë të flasim për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë, në një mënyrë që e lë jashtë kryqin. Gjithsesi, një ungjill pa kryqin do të prodhojë vetëm të krishterë joseriozë, madje edhe të dobët në një botë tashmë sfiduese.

Mos mësoni një ungjill pa sakrificën e Jezusit

Disa kisha e mohojnë shlyerjen zëvendësuese të Jezusit. Ato e injorojnë këtë doktrinë, e cila fillon në librin e Zanafillës 3, mbizotëron te Levitiku, shfaqet më dukshëm te Psalmet dhe profetët, dhe përbën zemrën dhe kulmin e misionit të Krishtit. 

Askush nuk qëndron në thirrjen jetëndryshuese dhe tej mase të mundimshme për të ndjekur Krishtin, për shkak të diçkaje që ka lexuar në një kartolinë frymëzuese.

Disa sugjerojnë se Jezusi është një viktimë e pafuqishme e padrejtësive të një bote të egër. Duke e zvogëluar vdekjen e Tij në një simbolikë të thjeshtë, ata heqin atë që Dhiata e Re e identifikon si funksionin qendror të Kalvarit: të bëjë shlyerjen për mëkatet e popullit të Perëndisë. Kjo pikëpamje nuk bën asgjë tjetër veçse e zbeh plotësinë e dashurisë së Tij vetë-sakrifikuese.

Në qarqet ungjillore, kryqi rrallë herë lihet mënjanë me qëllim, por kjo mund të ndodhë shumë më shpesh se sa duhet. Mbase është thjesht çështje dëshire për të shmangur një temë të vështirë, ose mbase është thjesht çështje harrese. 

Pavarësisht kësaj, shumë shpesh ungjilli u komunikohet fëmijëve thjesht si: “Perëndia ju do”, “Jezusi kujdeset për jetën tuaj”, “Perëndia ju fal mëkatet”. Të gjitha këto deklarata janë të vërteta, por dashuria e Perëndisë shkon më thellë se sa emocionet sipërfaqësore. Dashuria e Tij shkëlqen më fort në kryq.

Vdekja e Jezusit përfshin një sakrificë të madhe. Ai duroi dhimbjen fizike të torturave dhe të kryqëzimit. Ai përjetoi dhimbjen emocionale dhe shoqërore të poshtërimit, tradhtisë dhe përqeshjes publike prej atyre që erdhi t’i shpëtonte. Dhe më e rënda, Ai mori mbi vete gjykimin e përjetshëm të Perëndisë, teksa mbartete mëkatet e popullit të Tij.

Këtu qëndron kuptimi i vërtetë i dashurisë së Perëndisë. Ai gjendet në çmimin e kryqit.

U jepuni njerëzve të gjithë kryqin

Kur flasim rreth ungjillit me të rinjtë, duhet që vazhdimisht ta lidhim dashurinë e Perëndisë me kryqin. Ndihmojini ata të shohin çmimin e plotë të shlyerjes së mëkateve në nivelet fizike, emocionale, shoqërore dhe frymërore. Dhimbja nga kamxhikët dhe gozhdët ishin vetëm një pjesëz e vuajtjeve të Jezusit. Le t’u mësojmë të rinjve rëndësinë e plotë të vdekjes së Krishtit, jo për t’i turpëruar, por për t’u paraqitur atyre thelbin dhe thellësinë e dashurisë së Perëndisë për ta.

Ndërsa fëmijët rriten dhe bëhen adoleshentë, të rinj dhe më pas të rritur, besimi i tyre do të bëhet personalisht më i kushtueshëm. Të qëndruarit besnik ndaj Jezusit do të kërkojë refuzim dhe sakrifica më të mëdha. Kur dikush përballet me vështirësitë e bindjes ndaj Zotit Jezus, çfarë do e shtynte atë të mbahej fort tek Ai? Fakti që ai e di se Jezusi sakrifikoi kaq shumë për të. 

Kur e lidhim dashurinë e Perëndisë me kryqin e Krishtit, ne ndërtojmë përpara fëmijëve një shembull dashurie që përfshin sakrificën. Një ungjill i pasur me kryqin i ndihmon ata të lidhin ngushtë dashurinë dhe çmimin; të cilat janë shkojnë krah për krah. Kështu ata e kuptojnë që të duash Perëndinë dhe të tjerët do të ketë gjithashtu kosto.

Shmangni ndjenjat sipërfaqësore

Një ungjill pa kryqin përkthehet në ndjenja sipërfaqësore. Dashuria sentimentale mund të duket mirë, por në fund të fundit është e cekët. Askush nuk qëndron në thirrjen jetëndryshuese dhe tej mase të mundimshme për të ndjekur Krishtin, për shkak të diçkaje që ka lexuar në një kartolinë frymëzuese. 

Një miku im nga kolegji, i frymëzuar nga përpjekjet e nënës së vet për ta mbështetur financiarisht në arsimimin e tij, tregoi modelin e zotimit që buron nga dashuria sakrifikuese. Ai punoi pa u lodhur, duke duruar sfidat e një udhe rraskapitëse të një llogaritari në universitetin “Wake Forest” pa hezituar dhe pa u ankuar. Ai shpesh thoshte: “Nëna ime po punon një punë shtesë gjatë natës, që unë të studioj në këtë universitet. Ndaj po jap më të mirën time dhe jam mirënjohës për këtë.” Sakrifica e nënës për arsimimin e tij krijoi qëndrimin që ai kishte dhe forcoi vendosmërinë e tij për t’u përballur me sfidat e kolegjit.

Dashuria e vërtetë e Perëndisë, e rrënjosur në sakrificën e kryqit, çon në këmbëngulje për të qëndruar në thirrjen e Krishtit. Kjo dashuri modelon të krishterë që mbajnë qëndrime të prera përballë pikëpamjeve jopopullore. Prodhon të rinj që qëndrojnë afër Krishtit në këtë rrugë të gjatë. Kjo dashuri formon dishepuj me besim të qëndrueshëm.

Çmimi dhe dashuria qëndrojnë së bashku në dashurinë e Perëndisë për ne. Çmimi dhe dashuria qëndrojnë së bashku në dashurinë tonë për Të. Le të shpallim skandalin e kryqit dhe të rritim të rinj që janë të guximshëm, për lavdinë e Mbretit të kryqëzuar.

 

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/christless-gospel-spineless-christians/

Editors’ note: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

LOAD MORE
Loading