Kisha jonë kaloi rishtazi nga modeli i qeverisjes së kishës me “sundimin e pleqve” te “kongregacionalizmi i udhëhequr nga pleqtë”. Kur kam folur me miq pastorë të rrymave të ndryshme, shumë prej tyre janë çuditur se përse e bëmë diçka të tillë.
“Po thua që pleqtë e kishin besimin e bashkësisë dhe mund të udhëhiqnin lirisht, dhe… ju e ndryshuat këtë?!”
“Përse vallë shkuat nga efektshmëria në paefektshmëri?”
“Përse i përfshitë delet, kur këtë mund ta bëjnë barinjtë?”
E thënë shkoqur, sepse kështu tha Jezusi. Dy fjalë na shtynë për ta bërë këtë ndryshim: “…thuaja kishës…” (Mateu 18:17). Konteksti i urdhërimit të Jezusit është mëkati në kishë për të cilin është treguar pendim. Ai jep tre hapa për ta trajtuar mëkatin, dhe hapi i fundit është që t’i thuhet kishës dhe ta konsiderojnë mëkatarin e papenduar si një pagan dhe tagrambledhës. E thënë ndryshe, trajtojeni atë si dikush që nuk është më në komunitetin e besëlidhjes.
Jezusi e përdor fjalën “kishë” dy herë në të katërt ungjijtë. Këto vargje përmbajnë një nga pjesët më të rëndësishme të mësimit që Jezusi dha për kishën, dhe bëjmë mirë t’i dëgjojmë e t’i vëmë vath në vesh udhëzimet e tij.
Bie në sy fakti që Jezusi nuk i përmend udhëheqësit e kishës në mësimin e tij për mënyrën se si ta trajtojnë mëkatin në kishë. Ai nuk thotë: “Thuaja familjes së tij” apo “Thuaja grupit të tij të studimit” ose “Thuaja stafit të kishës”. Ai thotë: “Thuaja kishës”. Shkrimi është i qartë që, kur anëtarët duhen hequr nga anëtarësia për shkak të mëkatit të vazhdueshëm, kjo duhet bërë nga anëtarët kur bashkësia është e mbledhur, jo nga pleqtë në një dhomë mbledhjesh. Mbreti Jezus thotë se pranimi dhe shkishërimi i anëtarëve është përtej tagrës së udhëheqësve. Ai ia ka dhënë çelësat e Mbretërisë bashkësisë së mbledhur bashkë (Mateu 16:19, 18:17-20; 1 e Korintasve 5:4).
Prandaj, edhe pse më e rrëmujshme, kongregacionalizmi i udhëhequr nga pleqtë më lejon mua dhe pleqtë e tjerë të qëndrojmë përpara Krishtit ditën e gjykimit me një ndërgjegje të pastër, duke e ditur se u përpoqëm t’u bindemi gjithë sa ai urdhëroi në lidhje me trupin, kreu i të cilit është ai vetë.
SI TË KALONI NË KONGREGACIONALIZËM TË UDHËHEQUR NGA PLEQTË
Kjo ishte “pse”-ja — tani do t’i përgjigjem pyetjes “si”. Erdha në kishën Baptiste “South Side” para pesë vjetësh me përkushtimin që “të predikoj, të lutem, të dua dhe të qëndroj”. Iu futa punës për t’u lutur për njerëzit e mi, për t’i njohur ata dhe për të predikuar shtruar përmes librave të Biblës. Dhe menjëherë studiova bashkë me stafin librin Nëntë shenja të një kishe të shëndetshme nga Mark Dever-i.
Nisa të jepja mësim dhe të modeloja dishepullimin personal, si dhe i inkurajova të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Me hirin e Perëndisë, nisi të formohet një kulturë dishepullimi shumë më herët nga sa prisja unë. Efesianëve 4:12-16 ishte një shtysë e vazhdueshme, dhe ende vazhdon të jetë e tillë.
Librat e mirë kanë qenë një element jetik. Që në fillim ngrita një tryezë librash dhe dhurova libra të mirë, sa herë që më jepej mundësia. Me tkurrjen e lexueshmërisë në vendin tonë, librat e shkurtër kanë qenë jashtëzakonisht të dobishëm. I kemi ndryshuar oraret e shërbesave që të ketë 30 minuta kohë midis shkollës së të dielës dhe shërbesës, dhe e kemi nxitur bashkësinë ta përdorë këtë kohë për të ndërtuar njëri-tjetrin. Gjithashtu blemë kopje të librit të Tony Payne-it, How to Walk Into Church, për çdo familje anëtare.
Vitin tim të dytë në kishë, shkova bashkë me pleqtë e kishës në një nga seminaret “9Marks Weekender”, të organizuar nga kisha Baptiste “High Pointe” në Austin, Texas. Kjo ishte diçka jashtëzakonisht e frytshme! Aq sa, që atëherë, çdo vit e kam mbushur furgonin e kishës plot me burra për t’i çuar atje. Ekleziologjia përfshirëse e mësuar nga burra më të mirë se unë, por që thonë të njëjtat gjëra, pati një ndikim më të shpejtë. Plus, kishte edhe libra falas!
E ndryshova leximin integrues të pleqve nga Biblical Eldership e Alexander Strauch-it në një gamë tjetër librash duke përfshirë Church Elders të Jeramie Rinne-t, What is a Healthy Church? të Dever-it dhe The Trellis and the Vine nga Payne dhe Colin Marshall. Lexuam edhe Church Membership dhe Church Discipline nga Jonathan Leeman; gjatë takimeve tona, lexuam gjithashtu edhe librin Those Who Must Give an Account, i redaktuar nga John Hammett dhe Benjamin Merkle.
Pleqtë tani ishin në një mendje. Ramë dakord se “i kishim pushuar nga puna anëtarët e kishës sonë” dhe duhet t’u kthenim atyre vendin e punës. Sapo kisha nisur të predikoja përmes ungjillit të Mateut, duke pritur të arrija në kapitujt 16 dhe 18; ishte koha e duhur. Përveç kësaj, kishim një problem me një anëtar që kishte gjasa të shkonte drejt shkishërimit, dhe duhej që ta qeverisnim kishën siç duhet ndërsa gjërat ishin të qeta.
Pra, fillimisht, ua mësova kongregacionalizmin dhjakëve dhe udhëheqësve të grupeve të shtëpisë, për të parë si do ta pranonin ata dhe për të qartësuar ndonjë pyetje. Shpresa ime ishte që ata të funksiononin si amortizatorë teksa ne ia parashtronim këtë ndryshim të gjithë bashkësisë.
Pastaj predikova një seri prej shtatë javësh të titulluar “Anëtarësia ka rëndësi”. Predikimet ishin këto:
- Komuniteti i besëlidhjes së re: në thelb anëtarësi e rilindur e kishës, nga Jeremia 31:31-34.
- Udhëheqja e kishës: kisha duhet të udhëhiqet nga një grup pleqsh meshkuj frymërisht të kualifikuar, të thirrur për t’u përkujdesur për një tufë të caktuar. Gjashtë thirrje: mbikëqyr, përkujdesu, mëso, pajis, modelo dhe shumëfisho.
- Çelësat e Mbretërisë: Mateu 16 dhe 18.
- Disiplina e kishës: një predikim tematik-ekspozues mbi 1 e Korintasve 5.
- Një kulturë dishepullimi: Efesianëve 4:12-16 (përsëri), priftëria e të gjithë besimtarëve, shërbesa e çdo anëtari.
- Misioni i kishës: zemra e Perëndisë për kombet.
- Përshkrimi i punës së një anëtari të kishës: 15 shenja, të përshtatura dhe të zgjeruara nga një leksion brilant i John Folmar-it në seminarin “Austin Weekender”.
Gjatë kësaj serie, kishim edhe dy sesione pyetje-përgjigje çdo të diel në mbrëmje për sqarime dhe shumë detaje praktike që predikimet nuk mund t’i trajtonin. Në mes të serisë “Anëtarësia ka rëndësi”, blemë 250 kopje të librit Understanding the Congregation’s Authority nga Leeman-i për t’ia dhënë çdo familjeje anëtare.
KONKLUZIONI
Deri tani kemi pasur tri mbledhje anëtarësh, dhe ato kanë qenë jashtëzakonisht inkurajuese. Për shkak të mësimit të qartë të Jezusit te Mateu 16 dhe 18, anëtarët tanë nuk e shohin votimin për pranimin e anëtarëve të rinj si detyrë të pakuptimtë dhe të përciptë, por si ushtrim të rëndësishëm e domethënës të çelësave të mbretërisë, të deleguara nga Jezusi.
Ndërkohë që Zoti po prodhonte tashmë mes nesh një kulturë dishepullimi, fuqizimi i anëtarëve që të bëjnë punët e tyre (kongregacionalizmi i udhëhequr nga pleqtë), e ka nxitur tej mase këtë gjë. Mes anëtarëve të kishës “South Side” gjen një ndjesi të shtuar dhe të ripërtërirë dashurie, përkushtimi dhe përgjegjësie. Plani i Jezusit për dishepullim po jep fryt.
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2023