×

Shërbesa e fshehur dritëhedhëse e Frymës së Shenjtë

J. I. Packer:


Roli i veçantë i Frymës së Shenjtë në besëlidhjen e re… është që të përmbushë atë të cilën mund ta quajmë një shërbesë dritëhedhëse në lidhje me Zotin Jezu Krisht. Për sa i përkiste këtij roli, Fryma “nuk ishte ende” (Gjoni 7:39, teksti i drejtpërdrejtë greqisht), ndërsa Jezusi ishte mbi tokë; vetëm kur Ati e përlëvdoi (shih Gjoni 17:1-5), Fryma mund të fillonte të punonte për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm për lavdinë e Jezusit.

Më kujtohet që po shkoja te ndërtesa e një kishe një mbrëmje për të predikuar rreth fjalëve “ai do të më përlëvdojë” dhe kur mora kthesën, pashë që ndërtesa ishte e ndriçuar nga dritëhedhësit dhe kuptova që ky ishte shembulli i goditur që më nevojitej për mesazhin tim.

Kur ndriçimi i ndërtesave bëhet mirë, dritë-hedhësit vendosen në mënyrë të tillë që ju nuk i shikoni se ku janë; në fakt nuk duhet që të shikoni se nga vjen drita, ajo që ju duhet të shikoni është thjesht ndërtesa drejt së cilës janë pozicionuar dritë-hedhësit. Efekti i synuar është që ta bëjnë ndërtesën të dukshme, sepse ndryshe nuk do të dallohej në errësirë dhe për ta ngritur në kulm dinjitetin e saj duke nxjerrë në pah të gjitha detajet në relievin e saj, në mënyrë që ta shikoni si duhet. Kjo ilustron në mënyrë të përsosur rolin e Frymës në besëlidhjen e re. Nëse mund ta themi kështu, Fryma është dritë-hedhësi i fshehtë që shkëlqen mbi Shpëtimtarin.

Ose mendojeni edhe kështu: Është sikur Fryma qëndron pas nesh dhe derdh dritë mbi supet tona drejt Jezusit, i Cili gjendet përballë nesh.

Mesazhi i Frymës nuk është kurrë,

“Më shiko mua;

më dëgjo mua;

eja tek unë;

më njih mua,”

por gjithmonë është:

“Shiko Atë dhe sodit lavdinë e Tij;

dëgjo Atë dhe vërja veshin fjalës së Tij;

shko tek Ai dhe gjej jetë;

njihe Atë dhe shijo dhuratën e Tij të gëzimit dhe paqes.”


—J. I. Packer, Keep in Step with the Spirit: Finding Fullness in Our Walk with God, [Ec në një hap me Frymën: Si të gjejmë plotësinë në ecjen tonë me Perëndinë] 2nd ed. (Grand Rapids: Baker, 2005), p. 57; emphasis original.

 


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/blogs/justin-taylor/hidden-floodlight-ministry-holy-spirit/
Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2019

LOAD MORE
Loading