×

Këtë seri e nisa kur e gjithë bota ishte duke folur për COVID-19 dhe disa njerëz po vrisnin mendjen nëse shenjat e librit të Zbulesës ishin duke u shpalosur, apo do të shpaloseshin së shpejti para syve tanë. Kjo ishte shtysa që kam shkruar këta tre artikuj: për mënyrën se si ta lexojmë librin e Zbulesës. Më lejoni ta përmbyll këtë seri të shkurtër, duke u përpjekur të shpjegoj  shenjën më të famshme në librin e Zbulesës: shenja e bishës.

Në mënyrë që të kuptojmë shenjën e bishës, te Zbulesa 13:18, kemi nevojë të shohim se çfarë po ndodh në pjesën tjetër të këtij kapitulli. Në gjysmën e parë të kapitullit 13, prezantohemi me bishën nga deti. Kjo bishë përgjithësisht përfaqëson sferën politike. Në pjesën e dytë të kapitullit 13, prezantohemi me një bishë nga toka. Kjo bishë përgjithësisht përfaqëson sferën fetare. Nëse bisha e parë është një shtrembërim i shtetit, bisha e dytë është një shtrembërim i adhurimit të vërtetë.

Me këtë përvijim bazë, le të kalojmë varg pas vargu përgjatë pjesës së dytë të këtij kapitulli:

Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua. (Zbulesa 13:11)

Ky imazh vjen nga Danieli 8, ku Danieli pa në vizion një dash me dy brirë. Kjo tablo vjen nga ai kapitull, por në këtë rast përfaqëson një Krisht fallco të sajuar, të rremë. Kjo bishë duket si Krishti, Qengji, por flet gënjeshtrat e dragoit, domethënë djallit.

Mbani mend, bisha e parë është shtrembërim i shtetit dhe bisha e dytë është shtrembërim i krishterimit. Nuk duhet të presim që feja e rreme të shfaqet menjëherë dhe qartë si e rreme. Duhet të presim që fetë e tjera të flasin për dashurinë dhe moralin. Duhet të presim që të ketë shumë ngjashmëri, disa reale dhe disa të perceptuara mes krishterimit të vërtetë dhe krishterimit të rremë. Duhet të presim që kultet e rreme të krishtera dhe shtrembërimet e krishterimit të flasin me shumë respekt për Jezusin. Duhet të presim që ata do të flasin për kryqin. Duhet të presim të dëgjojmë një të folur dhe tema të ngjashme frymërore dhe kjo është arsyeja pse duhet të jemi të urtë. Bisha mund të duket si qengj, por nëse tregoni dallim, do të dëgjoni që zëri është zëri i një dragoi.

Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj dhe bënte që dheu dhe banorët e tij të adhurojnë bishën e parë, së cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse. (Zbulesa 13:12)

Bisha e dytë është bashkëpunëtore e së parës. Ai vepron për llogari të tij dhe i udhëheq njerëzit ta adhurojnë atë. Në shekullin e parë, ekzistonte një kult i madh perandorak. Kishte priftërinj dhe rituale të shenjta dhe qeveritarët këmbëngulnin rreth hyjnisë së perandorit. Ata inkurajonin dhe ndonjëherë e bënë të detyrueshëm adhurimin e shtetit. Feja arrin në pikën e saj më të keqe, kur nuk bën gjë tjetër, veçse i jep besueshmëri dhe inkurajon mbështetjen e një shteti të korruptuar dhe blasfemues.

Ne të gjithë ndiejmë nevojën të përjetojmë diçka më të madhe se vetja. Ne të gjithë duam të prekim transhendencën. Jemi krijuar për të ardhuruar Perëndinë. Ka diçka të brumosur thellë brenda çdo njeriu, e cila na shtyn të kërkojmë hyjnoren apo diçka frymërore. Ky është lajm i mirë! Perëndia na bëri për Veten.

Lajmi i keq është që zemra njerëzore është një punishte idhujsh. Ne e gjejmë Perëndinë në të gjitha vendet e gabuara. Djalli është përsosmërisht i lumtur që t’i bëjë të gjithë të kërkojnë Perëndinë. Ai është plotësisht i kënaqur të na nxitë të gjithë ne në një udhëtim frymëror në kërkim të transhendentes. Ka një arsye pse është e vështirë të gjesh një ateist të vërtetë. Djalli nuk e vret mendjen nëse njerëzit besojnë në Perëndinë, ai thjesht nuk dëshiron që njerëzit të besojnë dhe të kënaqen në Jezu Krishtin. Prandaj, nëse mund të gjesh një ndjenjë fetare në aktivizmin politik, një përshpirtshmëri në industrinë e argëtimit, të përjetosh transhendencë në art apo ta bësh familjen tënde perëndi, atëherë djalli ka fituar. Bisha e dytë jeton kudo që djalli i josh njerëzit të adhurojnë diçka të bërë nga njeriu, për të bërë një imazh idhujtarie nga çdo gjë, vetëm e vetëm të mos adhurojnë Jezu Krishtin, i cili është shëmbëllimi i vetëm i Perëndisë së padukshëm.

Edhe bënte shenja të mëdha, saqë edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës, duke u thënë banorëve të dheut t’i bëjnë një figurë bishës, që kishte plagën e shpatës dhe u kthye në jetë. (Zbulesa 13:13, 14)

Bisha e dytë është një profet i rremë. Zbulesa i referohet tri herë bishës dhe profetit të rremë (16:13; 19:20; 20:10). Bisha e dytë është ministri i propagandës, i cili i mashtron njerëzit të ndjekin bishën e parë. Në vargun 11, e pamë bishën e dytë si një Krisht të rremë. Tani e shohim atë si një Elia të rremë. Ju e mbani mend që Elia ishte ai që bëri të zbriste zjarr nga qielli për të djegur flijimin përpara profetëve të Baalit. Bisha mund të bëjë gjëra mbresëlënëse, ashtu si Elia. Mos mendoni se fetë e rreme do duken të kota. Idhujtaria mburret me arritje të mëdha, madje edhe mrekulli. Edhe priftërinjtë e Egjiptit kishin artet e tyre të fshehta. Mos lejoni t’ju bëjnë përshtypje këto shenja, nëse nuk iu drejtojnë drejt Birit të Perëndisë që të mahniteni me të.

Dhe iu dha t’i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin. (Zbulesa 13:15)

“Atij iu dha pushtet t’i japë një frymë figurës së bishës së parë.” Me fjalë të tjera, bisha e dytë e bind botën se figura e bishës së parë është vërtet Perëndi. Në shekullin e parë, kjo do të thoshte se pushteti fetar e bind popullin që duhej të adhuronin statujat dhe imazhet e Cezarit. Në kohën tonë, bisha mund të mos na udhëzojë në mënyrë të drejtpërdrejtë të adhurojmë shtetin apo presidentin, por bisha do të funksionojë si goja e djallit. Ai na josh ta bëjmë paranë dëshirën e zemrave tona. Ai na bind se seksi do të jetë edhe më përmbushës, kur është më i liruar nga përkushtimi dhe normat etike.

Ai na gënjen rreth vlerës jetëgjatë të famës, pushtetit, suksesit profesional dhe prestigjit akademik. Bisha u jep një frymë këtyre gjërave që ato të na duken si perëndi në sytë tanë. Ato duhet t’i kemi. Nuk do jemi të lumtur, të përmbushur apo të vlefshëm pa to.

Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. (Zbulesa:16, 17)

Askush nuk e di saktësisht nga vjen ky imazh apo nëse i referohet ndonjë gjëje në shekullin e parë. Mund t’i referohet damkosjes së skllevërve, tatuazheve të ushtarëve, apo ndonjë praktike të detyrueshme në adhurimin e idhujve, e cila u zhvillua në shekullin e parë. Të gjitha këto mund të shërbejnë si imazhet e sfondit të këtyre vargjeve, por në realitet damka nuk është damkë e dukshme. Ajo është një damkë e padukshme frymërore. Të drejtët dhe besimtarët kanë emrin e Atit të shkruar mbi ballin e tyre dhe të ligjtë dhe jobesimtarët kanë emrin e bishës. Në të dyja rastet jemi duke folur për një shenjë frymërore, një vulë të padukshme aprovimi. Ky varg nuk ka të bëjë fare me barkodet, me dërgesat postare, me kartat e kreditit apo numrat e sigurimit shoqëror. Ideja e këtyre vargjeve është shumë më e thjeshtë: nëse nuk bën kompromis me sistemin e botës, do të vuash. Në shekullin e parë, kjo do të thoshte se refuzimi yt për të adhuruar Cezarin (që të identifikoheshe frymërisht me bishën) mund të përjetoje përndjekje, diskriminim apo veçim. Bota ka një mënyrë si funksionon dhe kur ne zgjedhim një mënyrë tjetër, duhet të jemi gati për pengesa, vështrime  të çuditshme dhe shpesh për poshtërim apo vuajtje.

Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë. (Zbulesa 13: 18)

Ka të ngjarë që ky të jetë vargu më i debatuar në librin e Zbulesës. Ky është vargu që ka prodhuar më tepër debate, por pa frytshmëri. Lloj-lloj skemash numerike janë krijuar në gjuhë të ndryshme në përpjekje për ta çkoduar numrin 666. Ja një listë që kam parë unë për numrin 666: Kaligula, Domitiani, Perëndia Cezar, Lateinos (Perandoria Romake) “bisha,” Antemus, Febus, Genserikus, Balami, Muhamedi, Martin Luteri, Oliver Kromuell, Kajzeri (Vilhelm), Hitleri, Nikolaitët, Euanthas, Teitan (Titanët), inicialet e perandorëve romakë nga Jul Çezari te Vespasiani (duke hequr Oton dhe Viteliusin), numri trikëndor për 36 i cili është numri trikëndor i 8-ës, gjë e cila është domethënëse pas numri 8 shoqërohet me Gnosticizmin apo për shkak se Antikrishti te Zbulesa 17 quhet mbreti i tetë, Mbretëria Latine, Kisha Italiane, disa Papë të ndryshëm, të gjithë Papët, shprehja “zëvendës i Birit të Perëndisë” dhe shprehje të ngjashme me të, Ronald Regan dhe Bill Klinton. Jam i sigurt që ka më shumë.

Të gjitha këto zgjidhje janë llogaritur përmes një procesi të quajt gematria. Në botën e lashtë çdo shkronjë korrespondonte me një numër, ashtu sikurse A është e barabartë me 1, B me 2 dhe C me 3, e kështu me radhë. Shpesh skema e numërimit ishte edhe më e ndërlikuar, por kjo është ideja bazë. Çdo shkonjë mund të ishte edhe numër, prandaj emrat mund të përktheheshin në numra. Për shembull, Kevin në skemën tonë të thjeshtëzuar do ishte 11+5+22+9+14 dhe që del e barabartë me 61. Kjo është gematria. Njerëzit e përdornin gematrinë në botën e lashtë, më tepër nga sa mendojmë ne. Ka një tekst që e identifikon emrin e Jezusit sipas gematrisë si numrin 888, i cili duhet të jetë domethënës për shkak se 8 është numri i rikrijimit. Pra, përmes lloj-lloj llogaritjesh të ndërlikuara gematrie në gjuhë të ndryshme, njerëzit kanë sugjeruar gjithë emrat në listën e mësipërme.

Disa prej emrave në listë janë absurdë. Shumica e interpretimeve nuk është se ndiqen nga shumë njerëz. I vetmi emër që vërtet ka një shumicë të madhe që e marrin si interpretim të duhur është emri Neron. Nëse merrni emrin greqisht Neron Kaisar dhe e shkruani me shkronja hebraisht, përfundoni me këto llogaritje 50+200+6+50 dhe100+60+200, dhe po t’i mbledhësh të gjitha dalin 666.

Një mbështetje e mundur për këtë pikëpamje mund të gjendet në versionin latinisht të emrit të tij. Neron Kaiser i shkruar në latinisht të jep vlerën 616, i cili është emri i bishës në disa dorëshkrime të tjera (por është edhe kodi postar për Grand Rapids të Miçiganit). Neroni përputhet me historinë e Zbulesës më mirë se alternativat e tjera. Neroni vrau veten në vitin 68 pas Krishtit, por u hapën thashetheme që ai do të kthehej sërish në jetë apo se ishte ende gjallë, ashtu si bisha që mori një plagë vdekjeprurëse, por u shërua. Prandaj, sipas shumë studiuesve, numri 666 në mënyrën më të logjikshme është një referencë për Neronin. Duke e vendosur Neronin në formën e një gjëagjëze të tillë, Gjoni i mbrojti të krishterët nga akuzat për tradhti dhe nga përndjekja e mëtejshme.

Prandaj, numri i bishës mund t’i referohet Neronit. Ky është personi më i mundshëm që mund të lidhet me numrin 666. Gjithsesi, me këtë llogaritje ka gjithashtu probleme.

Së pari, nuk është aspak e sigurt që shumica e audiencës së Gjonit të dinte hebraisht. Disa ka të ngjarë që ishin të krishterë judenj që kuptonin hebraisht, por shumica është e sigurt që nuk ishin. Prandaj, të mbështetesh te lexuesit e tu që jo vetëm të dinë gematrinë, por edhe ta shkruajnë emrin në një gjuhë tjetër të cilën mund të mos e njihnin, duket si mënyrë shumë e dobët komunikimi, veçse nëse Gjoni nuk dëshironte që audienca ta dinte përgjigjen.

Së dyti, për të arritur numrin 666 duhet ta gërmëzosh gabim emrin Neron Kaisar në hebraisht. Duhet të lësh jashtë një jod (ne kjo fjala ‘jod’ jam pak e paqarte), gjë për të cilën disa thonë se ishte gërmëzim i pranueshëm, por sigurisht që nuk ishte përdorimi normal.

Së treti, asnjë nga etërit e kishës së hershme nuk e llogariti emrin Neron Kaisar nga numri 666. Ka një dokument të shekullit të pestë që e llogarit Neronin, por ai përdor fjalën antikristus për të arritur në 616.

Së katërti, vargu 18 nuk na bën thirrje të zgjidhim një gjëzë. Kur thotë: “le të bëjë llogari numrin e bishës,” zgjidhja na jepet në rreshtin tjetër. Numri është 666. Nuk na thuhet të zgjidhim pyetjen e numrit 666, na thuhet që numri 666 është përgjigja e pyetjes. Për këtë do të themi më tepër pas pak.

Së pesti, gjetja e kuptimeve preçize dhe të fshehura tek numrat, nuk është mënyra se si funksionojnë ato në librin e Zbulesës. Imazhet e Zbulesës janë më të gjera dhe më pak ekzakte. Kisha simbolizohet me tablo (24 pleq, dy dëshmitarë, gruaja) dhe një numër (144,000). Epoka e kishës simbolizohet nga tablotë (tempulli i matur, dëshmitarët e mundur, gruaja e mbrojtur në shkretëtirë) dhe me numra (42 muaj, 1260 ditë, 3 ½ vite). Në të njëjtën mënyrë edhe feja e rreme simbolizohet nga një tablo (bisha) dhe nga një numër (666). Në secilin rast, tablotë dhe numrat nënkuptojnë diçka, por ato u referohen të vërtetave të përgjithshme dhe jo njerëzve apo personazheve specifikë.

Së gjashti, nëse nga numri 666 mund të llogariten disa dhjetëra emra, sa e efektshme është kjo metodë komunikimi? Sikurse thotë edhe një autor: “Nuk na thotë ndonjë gjë, nëse një çelës i caktuar futet në një bravë, nëse ajo bravë hapet pothuaj me çdo çelës.” Një herë u përballa me tri “rregulla” për të qeshur në lidhje me llogaritjen e numrit të bishës: nëse emri i saktë nuk funksionon shtoji diçka; nëse greqishtja nuk funksionon provo hebraisht dhe latinisht; nëse edhe kjo nuk funksionon provo një gërmëzim ndryshe. Kjo është pak a shumë përqasja që kanë shumica e njerëzve dhe kjo të jep disa qindra përgjigje të ndryshme.

Prandaj, nëse 666 nuk është kod për Neronin apo për dikë tjetër, çfarë kuptimi ka?

Ja cili është opinioni im modest (ai tha modest!): 666 nuk ka për qëllim të shërbejë si gjëzë për të fshehur emrin e bishës; 666 është thjesht emri dhe numri i bishës. Numri 666 është numër njeriu (krahaso me 21:17). Këtë mund ta kuptoni si: “666 është numër i një njeriu” apo “666 është numri i njeriut.” Unë mendoj se është e dyta.

Çfarë kemi parë me këtë bishë të dytë? Ai është imitim! Ai i udhëheq njerëzit në fenë e rreme. Pra, si mund ta shprehësh nga ana numerike fenë e rreme? 7 është numri i përsosmërisë dhe i plotësisë së shenjtë në librin e Zbulesës (7 kisha, 7 shandanë, 7 sy, 7 vula, 7 bori, e kështu me radhë). Prandaj, numri 6 do ishte numri i pa përsosmërisë dhe i pa plotësisë jo të shenjtë. Nëse 7 është numri i Perëndisë, atëherë 6 është numri që i ngjan më tepër atij, por nuk është Perëndi;domethënë, është njeri.

Me fjalë të tjera, 666 është imitimi i njeriut për Trininë e Shenjtë të 777. Komentari Afrikan i Biblës e shpjegon kështu:

Bisha duket se është afër përsosmërisë dhe pothuaj mesianike; në fund të fundit, ajo është një karikaturë e Qengjit që u ther (13:3, 11, 13). Ndaj nuk është e përsosur dhe kjo përbën gjithë dallimin. Ajo në fakt është djallëzore dhe krejtësisht kundër Perëndisë (13:4). Numri 666 përfaqëson një dështim të trefishtë për të arritur përsosmërinë (dragoi: 6, bisha: 6, profeti i rremë: 6), por ajo është afër përsosmërisë dhe ka shumë prej tipareve të së vërtetës, prandaj mund të mashtrojë kaq lehtë. Nuk është habi që kërkohet urtësi!

E gjithë kjo për të thënë se, çfarëdo që të mendoni për mënyrën se si e kanë trajtuar institucionet mjekësore, media apo politikanët këtë pandemi globale, shenja e bishës nuk do të gjendet në një mikroçip poshtë lëkurës. Megjithatë, nëse doktorët, politikanët, anëtarët e medias apo kushdo tjetër e lartëson veten në një pozitë me autoritet dhe njohuri si të Perëndisë, atëherë kjo është ajo për të cilën Zbulesa i paralajmëron të krishterët. Çfarëdo apo kushdo që shfaqet si krishterimi i vërtetë në mënyrë që të na tërheqë te ndonjë imitim njerëzor, kjo është vepër e bishës dhe numri i tij është 666.

LOAD MORE
Loading