×

Përshkrimi i Davidit si “njeri sipas zemrës së Zotit”, u përdor për herë të parë nga Samueli, kur e informoi Saulin që mbretëria e tij nuk do të vazhdonte më tej. “ZOTI ka kërkuar një njeri sipas zemrës së Tij”, i tha Saulit (1 e Samuelit 13:14). Tani, kjo nuk do të thotë se Davidi ishte një njeri pa asnjë të metë. Davidi ishte larg nga përsosmëria, ishte një njeri plot vullnet dhe nganjëherë, i rrëmbyeshëm. Ai realizoi gjëra të mëdha, por pësoi edhe humbje të mëdha. Ne mund të mësojmë prej tij duke e marrë si shembull të gjërave që duhet të bëjmë, e herë të tjera, edhe si shembull të gjërave që nuk duhet të bëjmë.

Veçanërisht, baballarët mund të mësojnë shumë për udhëheqjen nga jeta e Davidit.

Dy modele udhëheqjeje

Davidi ishte një drejtues i mrekullueshëm dhe në fjalët e fundit të tij, ai përshkruan karakteristikat e veçanta të udhëheqësisë efektive: “Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë, është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu” (2 e Samuelit 23:3-4).

Këtu shohim së paku dy imazhe të udhëheqësisë efektive nga jeta e Davidit:

1. Drita e mëngjesit në të dalë të diellit. Kjo është një tablo shprese. Ka qenë një natë e gjatë e errët, por zemra brof kur dielli shkëlqen në një ditë me re. Kjo është një tablo e udhëheqësisë efektive që sjell shpresë.

Davidi i solli Izraelit një udhëheqje që jepte shpresë. Ai trashëgoi një koalicion të shpërbërë fisesh, të cilët mezi mbronin veten dhe i udhëhoqi në formimin e një kombi të madh. Nuk ishte e lehtë, por udhëheqja e tij në Izrael ishte si drita e mëngjesit në të dalë të diellit.

2. Shiu që bën të mbijë bari i njomë nga dheu. Kjo është një tablo freskie. Udhëheqësia e mirë bën që njerëzit të rriten e të lulëzojnë, ashtu si bari pas shiut, ky është një drejtues i mirë. Etër, ky është drejtimi për të cilin kemi nevojë në shtëpitë dhe familjet tona.

Ja pra, çfarë zbulojmë në Shkrime për Davidin: njeriu sipas zemrës së Perëndisë ishte një udhëheqës më i suksesshëm në punë, se sa në shtëpinë e tij.

Dy sferat e udhëheqjes

1 e Samuelit na tregon se në cilën pikë pati sukses Davidi:

Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit….Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta. (1 e Samuelit 22:1-2)

Ky është një grup shumë e i dëshpëruar: “Përfshiheshin të gjithë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe ose që ishin të pakënaqur.” Davidi transformoi një grup fatkeq, në një ushtri të guximshme që i qëndroi besnike atij deri në fund.

Kjo është udhëheqësia e mirë dhe këtu Davidi është një pasqyrim i Zotit Jezus Krisht, i cili na pranon ne me gjithë borxhin, vështirësitë dhe pakënaqësitë tona. Nëse e dorëzoni veten në udhëheqjen e Tij, Ai do t’ju bëjë një prej luftëtarëve të Tij të fuqishëm.

Ah sikur t’i kishte zbatuar të njëjtat aftësi udhëheqëse edhe në drejtimin e familjes së tij, por këtu Davidi nuk ia doli kaq mirë.

Një nga bijtë e tij, një burrë i quajtur Amnon, ishte i dhënë pas dëshirës së tij epshore ndaj Tamarës, bijës së Davidit, ndaj Amnoni e përdhunoi atë. Ishte një tragjedi e madhe abuzimi në shtëpinë mbretërore. Dhe, e dini çfarë bëri Davidi?

Asgjë! Familja e tij kishte nevojë për ndërhyrje urgjente. Biri i tij, Amnoni duhej të përballej menjëherë. Nëse Davidi do të kishte ndërhyrë dhe do ta përballte Amnonin, do të ishte si drita e mëngjesit në të dalë të diellit për familjen e tij, por ai u tërhoq dhe nuk bëri asgjë.

Davidi kishte edhe një bir tjetër, Absalomin. Ai ishte vëllai i Tamarës dhe ishte i vendosur të hakmerrej ndaj Amnonit. Bibla na thotë që Absalomi nuk i foli Amnonit për dy vjet. Ishte e qartë që telashet po bluheshin përbrenda. E dini çfarë bëri Davidi?

Asgjë! Nëse Davidi do të kishte ndihmuar Absalomin të merrej me zemërimin e tij, ai do të kishte qenë si shiu që bën të mbijë bar të njomë për familjen e tij.

Kështu, një ditë Absalomi i mori jetën Amnonit dhe u arratis. Ai u bë një djalë i huaj i zemëruar ndaj atit të tij. A e dini se çfarë bëri Davidi për këtë?

Asgjë! Këtu kemi një njeri me aftësi të mrekullueshme udhëheqësie të investuara në punë, por jo në qeverisjen e familjes së tij.

Një sfidë për etërit

Ja sfida ime për gjithë baballarët që e lexojnë këtë: a do të merrni këtë përkushtim përpara Perëndisë, që me ndihmën e Tij të zbatoni udhëheqësi efektive në shtëpinë tuaj? Atë lloj udhëheqësie që është si drita e mëngjesit kur del dielli dhe si shiu që bën të dalë bar të njomë nga toka?

Mbase për momentin ke një familje të vështirë dhe madje jofunksionale, por thirrja për ty është që gruaja dhe fëmijët të kenë shpresë për faktin se ti je aty duke i udhëhequr në mënyrë efektive. Thirrja jote është që ata të lulëzojnë dhe të rriten nga mënyra se si ti po udhëheq jetën familjare.

Kjo mund të kërkojë ndërhyrjen tuaj. Mbase duhet të vendosni standarde të reja. Ndoshta do t’ju duhet të uleni me djalin apo me vajzën tuaj dhe të thoni: “Kam zhgënjyer Perëndinë dhe ty, duke mos e udhëhequr këtë familje siç keni nevojë. Më vjen keq! Duhet të ndryshoj dhe kur të ndodhë, gjërat do të jenë më mirë”.

Nëse të duhet ndihmë, bisedo me një nga drejtuesit e tu. Bisedo me burra të tjerë të krishterë, të cilët mund jenë një model për ty, por mos lejo që jeta jote familjare thjesht të vazhdojë përreth teje.

Etër, ju sfidoj të vendosni e të përkushtoheni për të udhëhequr me efektivitet familjen tuaj. Nuk do të jetë e lehtë, por përfundimi për të dashurit e tu, për gruan dhe fëmijët tuaj, do të jetë si drita e mëngjesit në të dalë të diellit dhe si shiu që bën të mbijë bar të njomë nga toka.

Po ju që jeni të zhgënjyer nga udhëheqja juaj dhe të shkurajuar nga rrethanat tuaja? Ju nuk po jetoni ëndrrat tuaja. Gjërat nuk kanë funksionuar në familje, ashtu siç kishit shpresuar. Tani nuk jeni personi që dëshironi të jeni. Vini re premtimin që Perëndia i dha Davidit tek 2 e Samuelit 7:11: “Përveç kësaj ZOTI të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi”. Davidi e kishte përjetuar hirin e Perëndisë në jetën e tij, por Perëndia dëshironte që ai të dinte se kishte më shumë se kaq.

Kur ju e hidhni shikimin mbi jetën, familjen, punën, kishën dhe botën, ajo çfarë shikoni është një punë ende e papërfunduar. Imagjinoni sikur shtëpia juaj të ishte në mes të procesit të rimodelimit. Nëse kontraktuesi që po bën punën e braktis projektin, do të ishte një katastrofë. Gjithsesi, ju e dini se ajo që po shikoni për momentin, nuk është rezultati përfundimtar. Mënyra se si i bëni ballë rrëmujës, mbështetet në premtimin që kontraktuesi do të përfundojë punën.

Kur Perëndia filloi të punonte në jetën tuaj, Ai u përkushtua që ta çonte deri në fund veprën e nisur. Çdo njeri në kishë, që i përket Jezu Krishtit, një ditë do të reflektojë lavdinë e Tij. Pra, mbështetuni në këtë premtim. Perëndia ka edhe më shumë hir për jetën tuaj. Ka ende shumë gjëra që Ai do të bëjë në jetën tuaj, familjen tuaj, në kishën e Tij dhe në botë. Dhe kur t’i bëjë, do t’ju mahnisë me gëzim.

Shpresë për etërit 

Studiuesi i Biblës, Dale Ralph Davis bën tre vëzhgime në lidhje me premtimin e Perëndisë tek 2 e Samuelit 7, të cilat kanë qenë të dobishme për mua:

1. Premtimi i Perëndisë është më i fortë se vdekja“Edhe pasi të vdesësh”, thotë Ai, “ende do të bëj më shumë për ty, në ty dhe përmes teje”. Edhe kur të vdesësh, akoma nuk do ta kesh parë tablonë e plotë të veprës shpenguese të Perëndisë. Do të ketë sërish më shumë!

Kur t’i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhjen tënde që do të dalë nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. (2 e Samuelit 7:12, 13)

2. Premtimi i Perëndisë është më i madh se mëkati. Nëse Perëndia do të hiqte dorë nga ju çdo herë që mëkatoni, qëllimi i Tij në ju nuk do të përmbushej kurrë dhe premtimi i Tij nuk do të plotësohej asnjëherë. Premtimi i Perëndisë është më i madh se mëkati juaj. Ky është lajmi i mirë! Mund të ndiheni sikur keni bërë një katastrofë në jetën tuaj (pa dyshim që Davidi e bëri shumë herë), por hiri i Perëndisë në Krishtin është më i madh se mëkati juaj.

Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua; kur do të bëjë ndonjë të keqe, unë do ta dënoj me shufra njeriu dhe me goditje të bijve të njerëzve, por mëshira ime nuk do të largohet, ashtu siç ia kam hequr Saulit. (2 e Samuelit 7:14-15)

3. Premtimi i Perëndisë zgjat përgjithmonë. Perëndia ka vendosur që premtimi i Tij do të përmbushej për gjithë popullin e Tij. Ja pse Ai ka dërguar Birin e Tij Jezus në botë. Nëse jeni në Krishtin, do të jeni përgjithmonë pjesë e këtij qëllimi të mrekullueshëm. Ja pse ka shpresë për çdo njeri dhe për çdo familje të bashkuar në Krishtin.

Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme përgjithnjë para meje dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm përgjithnjë. (2 e Samuelit 2:16)

A dëshiron të jesh një njeri sipas zemrës së Perëndisë? Ushtro udhëheqësinë që Perëndia të ka besuar, duke u mbështetur në premtimet e mrekullueshme dhe të çmuara të Perëndisë në drejtim.

Editors’ note: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading