×

Për shumë njerëz, një nga gjërat që i pengon për ta njohur plotësisht dashurinë e Krishtit, për të qenë të mbushur e të drejtuar prej saj, është ideja se lumturia e vërtetë gjendet vetëm nëse jam i lirë të jetoj për veten time.

Të jetuarit për vetveten, do të ishte zgjedhja e parë e çdo njeriu. Kjo do të thotë se vetëm nëse ndodh ndonjë gjë që sjell një ndryshim në ne, përfundimi do të jetë: një jetë për vetveten. Bibla e thotë këtë shumë qartë: “Sepse të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo atë të Jezus Krishtit” (Filipianëve 2:21).

Do të doja të ndalemi e të shohim mjerimin e plotë të këtij pozicioni.

Epror i pakënaqur

Nëse jeton për vetveten, bëhesh edhe shef, edhe  shërbëtor. E vendos veten në të dy anët e medaljes. Ty të shërbehet, por ti je edhe ai që shërben. Kërkesat që bën, janë ato që duhet t’i plotësosh. Përvoja e atij që ka në qendër vetveten është si “të japësh me një dorë e të marrësh me tjetrën” dhe je gjithnjë në mosmarrëveshje.

Nëse jeton për veten, do të gjendesh në pozitën e çuditshme që do të duhet t’i kërkosh llogari vetes se përse nuk je i lumtur. A të duket i njohur ndonjëri nga profilet e mëposhtme?

Paraqitje zhgënjyese

E sheh veten në pasqyrë dhe “vetja shefe” nuk ndihet e lumtur sepse do të donte të dukej edhe më e hijshme. Edhe pse e krijuar në mënyrë të përsosur nga Perëndia, ajo ka sy vetëm për të metat në fytyrë dhe në trup. Kur kërkon një model për të ditur se si duhet të jetë një vajzë e re në sytë e një bote kritike dhe materialiste, në vend të Biblës, ajo shfleton një revistë mode. “Vetja shefe” mbetet përherë e pakënaqur, pavarësisht orëve të gjata në palestër, grimit në fytyrë, apo stilit të veshjes sipas shijeve të botës.

E kështu e sfilit “veten shërbëtore” ngaqë nuk është mjaft e bukur. Në vend që të zhytet në të vërtetën e Perëndisë, që është krijuar në mënyrë të mrekullueshme, ajo e ndëshkon veten me gënjeshtra që i përshpërisin se kurrë nuk do ta dojë askush. Ajo kujton frikën që lidhet me refuzimin, për shkak të paraqitjes së jashtme. Do ishte më mirë që “vetja shërbëtore” të ngrihet e të kultivojë bukurinë, ose përndryshe do të jetë përgjithmonë e humbur në një botë që i shkel njerëzit e mërzitshëm.

Pensionist i hidhëruar

I hedh një sy jetës dhe “vetja shef” thotë se duhet të kishe arritur më shumë në jetë. Kur i shikon dekadat e shkuara, ajo sheh marrëdhënie familjare të thyera, ende të pashëruara dhe vite të gjata pune pa kënaqësi. “Vetja shef” të akuzon për kohë të shpërdoruar, dhunti dhe para të shpenzuara kot, në përpjekje për t’u bërë dikush që nuk ia doli dot kurrë të bëhej. Ajo pyet: “Ç’e mirë erdhi nga jeta ime?”

Kujt i duhet hedhur faji? “Vetja shërbëtor” sfilitet, sepse nuk ia ka dalë, i drejtohet alkoolit për të mbytur kujtimet dhe mbyllet në vetvete. “Vetja shërbëtor” arrin në përfundimin se jeta e tij nuk i shërben askujt, ndaj edhe nuk ia vlen të përpiqet më. Ai thjesht do të vendosë një maskë lumturie të rremë për ditët që i kanë mbetur dhe shpreson që askush të mos e vërë re se ka dështuar.

Drejtues i papërmbajtur 

Ndalon e mendon për arritjet e tua dhe llogarinë bankare, dhe “vetja shef” nuk është kurrë i kënaqur. Edhe pse si drejtues i një biznesi, ai ka për detyrë të mbikëqyrë punën e të tjerëve, personi që më së shumti “mbikëqyr hollësishëm” është vetja. Paratë dhe miratimi nga ata që janë në pozitë më të lartë, përcaktojnë lumturinë dhe nëse njëra prej tyre mungon, “vetja shef” mbetet edhe më i pakënaqur, acarohet edhe më shumë me të tjerët dhe ka frikë nga dështimi. Kur fqinji parkon një makinë akull të re, “vetja shef” thotë: “Duket shumë më mirë se ti. Bëje qëllim të jesh i barabartë me të!”

“Vetja shërbëtor” atëherë e zhyt veten në punë, duke u përpjekur që t’ia bëjë qejfin “vetes shef”, të bëjë më shumë para, të blejë gjëra më të shtrenjta dhe të fitojë shikime më të mira nga të tjerët. Gjithsesi, “vetja shërbëtor” nuk është kurrë i përmbushur, sepse në fund të çdo dite shkon në shtrat aq i palumtur sa ç’u zgjua në mëngjes.

Një prind i shqetësuar

Ndërsa i sheh fëmijët e vet, “vetja shefe” sheh mundësinë për arritje akademike, shëndet të plotë fizik dhe lumturi që zgjat tërë jetën. “Vetja shefe” pret përsosmëri në aftësinë për të udhëzuar, mësuar dhe ushqyer besimin e të bijve. Standardi i kësaj pozite është të rrisë fëmijë që reflektojnë në dritë pozitive, gjithë punën e përkushtimin e saj të madh në gjithë këto vite.

Si pasojë, “vetja shërbëtore” nuk mund të kuptojë pse stresohet gjithnjë e më tepër kur fëmijët marrin vendime të gabuara, kur hyjnë në telashe me fëmijë të tjerë, apo kur hasin probleme me detyrat. “Vetja shefe” bie në gjumë duke qarë e duke vrarë mendjen se ku ka gabuar si prind. Ajo frikësohet gjithnjë e më shumë për të ardhmen e fëmijëve, sepse “vetja shefe” ka vendosur që suksesi i tyre varet prej saj.

I krishteri punëtor

Ti mendon për produktivitetin e vitit të kaluar dhe “vetja shef” vë re gjëra të mira: mirësi, vetëkontroll, dashuri. Ajo beson se të gjitha këto kanë ardhur si rezultat i mëngjeseve të shumta duke studiuar Biblën, nga lutja, nga besnikëria e të shkuarit në kishë dhe ngaqë ka kaluar kohë me të krishterët e tjerë. “Vetja shef” e sheh listën e veprave të mira dhe i duket mirë.

Por, kur kupton se fryti i përulësisë mungon, atëherë grindet me “veten shërbëtor”. Prandaj, përpiqet të kuptojë ç`duhet të bëjë për ta ndrequr problemin: Më shumë lutje? Më shumë lexim Bible? Më shumë rrëfim mëkatesh? “Vetja shërbëtor” shkurajohet gjithnjë e më tepër që besimi i tij nuk është i fortë sa duhet.

Një shërbëtor i pashpërblyer dhe një mbret i pakurorëzuar

Supozojmë sikur të thoshit: “Kjo nuk është gjë e mirë, po jetoj për veten dhe nuk jam i lumtur. Po tregohem tepër i ashpër me veten. Duhet t’i marr gjërat më lehtë dhe të pushoj.” Ashtu duhet të bësh, por ka një problem: Ende nuk je i lumtur sepse ndërsa “vetja shërbëtor” nuk ka më detyrime, “vetja shef” nuk po merr më shërbim!

Të jetosh për veten është një makth absolut. Kur e vë veten në pozitën e shefit, do të përfundosh i shtypur në pozitën e shërbëtorit. Kur e lehtëson veten si shërbëtor, si shef nuk merr atë që të takon. Nuk do t’ia dalësh! Dhe e gjithë kultura rreth nesh bërtet: “Jeto për veten tënde!”

Bibla na tregon se Jezusi erdhi në botë që ne të jetojmë ndryshe, në një mënyrë tjetër: “Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në përfundimin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur; dhe vdiq për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, po për atë që vdiq e u ringjall për ta” (2 e Korintasve 5:14-15).

Është e rrezikshme t’i shërbesh një eprori të mjerë dhe, edhe më e rrezikshme, t’i shërbesh një mbreti të pakurorëzuar. Vetja jonë është pretendues i fortë i fronit të Perëndisë. Çfarë do t’i ndodhë vetes dhe shërbëtorëve të saj kur Mbreti i vërtetë të kthehet?

Editors’ note: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading