×

10 Arsye përse kisha juaj duhet të këndojë Psalmet

Kur mendojmë për Psalmet, shumica nga ne mendojmë vetëm për t’i lexuar ato. Gjithsesi, ne duhet edhe t’i këndojmë ato, sidomos kur kisha mblidhet së bashku. Me të vërtetë, për 3.000 vite, Psalmet ka qenë libri i këngëve të popullit të Perëndisë.

Ja 10 arsye përse është e rëndësishme që t’i këndoni Psalmet në kishën tuaj sot.

1. Bibla na thotë ta bëjmë këtë

Ky është argumenti më i fortë që kemi dhe është një argument i mirë! Kur nuk i marrim Psalmet seriozisht, vihet në dyshim edhe përkushtimi ynë ndaj Biblës.

2. Psalmet janë Fjala e Perëndisë

Fryma e Shenjtë është kantautori i Psalmeve: Psalmet janë pjesë e Shkrimit! Një nga gëzimet e përqendrimit te Psalmet gjatë vitit të fundit është koha që unë (Keith) kam kaluar me Shkrimet. Gjithashtu, është gëzim kur dëgjoj vajzat e mia të vogla duke vrapuar nëpër shtëpi dhe duke kënduar Psalmin 8 dhe Psalmin 139.

3. Psalmet janë këngët që Jezusi këndoi

Si fëmijë, Jezusi do t’i kishte mësuar përmendsh dhe do t’i kishte mësuar shumë mirë, gati të gjitha Psalmet. Libri i Psalmeve është libri i këngëve të Biblës. Ato Psalme do të bëheshin kolona zanore e jetës së Tij. Ato mund të bëhen dhe kolona zanore e jetës tënde gjithashtu.

Pavarësisht theksimit të fortë të emocioneve publike në modernizimin e adhurimit, kisha shpesh e cungon ndjeshëm përvojën emocionale të njeriut.

4. Psalmet na japin një portret më ‘autentik’ të Perëndisë

Pavarësisht se njerëzit bashkëkohorë duket sikur dëshirojnë “vërtetësi në adhurim”, nëse ndjekim prirjet bashkëkohore, do t’i nënshtrohemi paragjykimeve të udhëheqësve tanë të kishës ose lëvizjeve që ata ndjekin. Për shembull, vetëm 3% e këngëve moderne të adhurimit përmendin diçka të përjetshme dhe rrallëherë marrin motive të Perëndisë, të cilat na bëjnë të mos ndihemi rehat. Ndërkohë, Psalmet na bëjnë të stepemi kur këndojmë për gjykimin dhe zemërimin e Perëndisë. Ato gjithashtu na japin një pamje shumë herë më të madhe, më të bukur dhe më befasuese të lavdisë së Perëndisë.

5. Psalmet janë kristologjike

Shikoni se sa shpesh Dhiata e Re i përdor Psalmet për të treguar për jetën e Krishtit. Do të dish se si ndihej Krishti kur ishte në kryq? Lexo Psalmin 22.

6. Psalmet flasin për thellësinë dhe gjerësinë e emocioneve njerëzore

Në mënyrë të përsosur Psalmet ekuilibrojnë teologjinë me emocionin, drejtësinë me ungjillëzimin, personalen me kolektiven. Një grua re më tha (mua Davidit) se ajo erdhi në kishën tonë sepse ne e lejuam atë që të jetë në depresion. Edhe pse “kisha që të lejon të jesh në depresion” mund të mos jetë slogani më i mirë reklamues në botën moderne, sërish e kuptova atë që ajo po thoshte. Ajo po përleshej me depresionin dhe ne ndonjëherë këndonim këngë që i dhanë zë atij depresioni, dhe e lejuan atë grua që ta shprehte atë.

Pavarësisht theksimit të fortë të emocioneve publike në modernizimin e adhurimit, kisha shpesh e cungon ndjeshëm përvojën emocionale të njeriut.

7. Psalmet transformojnë adhurimin familjar

Psalmet do të ndryshojnë krejtësisht adhurimin tënd personal dhe atë familjar. Shumë vite më parë, jo shumë kohë pasi unë (Davidi) u bëra i krishterë, vizitova një mikun tim në Tain të Skocisë. Kur mbaruam drekën, i zoti i shtëpisë tha: “Tani do marrim librat.” Librat? Çfarë donte të thoshte me këtë? Shumë shpejt e kuptova. Dikush hyri me Bibla dhe libra psalmesh. Ne e lexuam Fjalën, e kënduam Fjalën dhe u lutëm me Fjalën.

Ishte një përvojë thellësisht prekëse dhe më dha një tregues se përse ajo familje e veçantë ishte plot me të krishterë kaq të fortë dhe të perëndishëm. Që atëherë, Psalmet janë bërë AND e jetës time. Lexoj ose këndoj një prej tyre çdo ditë. Libri im i vogël dhe i kuq i Psalmeve është me mua kudo. Në vitin 2011, teksa isha shumë i sëmurë duke rënë dhe dalë nga koma në spital, familja ime nuk dinte se për çfarë ose si të luteshin për mua. Isha në ankth të madh. Kështu që çdo natë, ata uleshin dhe luteshin duke përdorur një Psalm me mua. Një mik këshilltar printoi dhe e plastifikoi Psalmin 91 dhe e ngjiti atë bashkë me psalme të tjerë në mur pranë shtratit tim. Ato psalme më dhanë forcë.

8. Psalmet do t’i bashkojnë familjet e kishave tona

Në kulturën tonë kishtare moderne, ku “luftërat e adhurimit” janë të shumta dhe njerëzit vijnë nga prejardhje të ndryshme kishtare (dhe pa ndonjë kishë!), Psalmet e bashkojnë të gjithë botën e krishterë. Ato janë gjithashtu sa të vjetra aq edhe moderne, duke bashkuar kështu të gjithë brezat.

9. Psalmet do ta revolucionarizojnë familjen tuaj të kishës

Bashkësia juaj merr formë nga ajo çfarë ata këndojnë. Ne e mësojmë përmendsh atë që këndojmë. Nëse këndoni Psalmet, bashkësia do të ketë një sasi të madhe Shkrimi të ruajtura në mendjet dhe zemrat e tyre. Mbrëmjen e djeshme në kishën tonë, kënduam versionin e “Getty Music” të Psalmit 8 (gjithashtu kënduam pjesë të Psalmit 107 dhe Psalmit 25). Ishte shumë bukur. Disa mendojnë se pika më unike e kishës sonë është të kënduarit e Psalmeve. Një herë, një besimtar me doktrinë të paqortueshme nga një kishë tjetër ungjillore, tha se nuk arrinte ta kuptonte idenë e këndimit të Psalmeve.

Megjithatë, përse jo? Nuk e kuptoj përse çdo kishë ungjillore nuk i këndon Psalmet. Nëse dëshiron të adhurosh në Frymë dhe në të vërtetë, a nuk do të ndihmonte që të përdorje librin e këngëve që vetë Fryma e së Vërtetës frymëzoi?

10. Psalmet kanë karakter misionar

Psalmet janë të shkëlqyera për ungjillëzim në botën e sotme. Një burrë me stil hipi, rreth të dyzetave, erdhi në kishën tonë disa vite më parë. Pas shërbesës, ai tha: “David, më pëlqeu shumë! Sidomos të kënduarit pa muzikë. Të këndosh fjalë 3.000 vjeçare nga vendi i Izraelit… shkëlqyeshëm!” Psalmet janë poezi në emocion që u flasin zemrave të gjithë njerëzve.

Këndojini Psalmet në kishën tuaj

Pra, si mund t’i përmirësojmë kishat tona këtë të dielë?

Lëvizja Sing nuk ka të bëjë me diçka tjetër të madhe në adhurim. Ndërsa aspirojmë t’i edukojmë dhe t’i frymëzojmë kishat në të kënduar, ne jemi më të interesuar të kthehemi pas – dhe Psalmet janë këngët më të vjetra dhe më biblike që kemi.

Po radhit pesë gjëra që mund të bëjmë, të cilat do të na ndihmojnë t’u rikthehemi Psalmeve:

  1. Lexojini Psalmet çdo ditë në shtëpinë tuaj. Ne e filluam këtë para 3 vitesh dhe ka qenë transformuese. Rekomandojmë librin e Tim Keller, The Songs of Jesus si një devocion për t’ju ndihmuar që të mendoni, luteni dhe t’i këndoni Perëndisë çdo ditë.
  2. Mbushini shtëpitë tuaja me këngët e Psalmeve – lërini ato t’ju mbushin mendjen, zemrën, gojën, imagjinatën dhe shpirtin.
  3. Lexojini Psalmet çdo të dielë në shërbesën tuaj, duke i përdorur si thirrje për adhurim dhe të gjithë së bashku të lexoni një Psalm, ndoshta në mënyrë dialogu, nëse nuk keni liturgji.
  4. Përdorini Psalmet në lutje. Përdorini ato për të mbushur lutjet tuaja.
  5. Këndojini Psalmet. Provoni disa nga këngët moderne që këndojnë Psalmet, ose ndoshta himne të vjetra të frymëzuar nga Psalmet.

Psalmisti thotë: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time” (Psa. 119:11). Duke kënduar ne mund ta “ruajmë” Fjalën e Perëndisë në zemrat tona dhe mund t’ia shpallim atë fjalë të “ruajtur” botës dhe engjëjve. Për çfarë po presim?


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/10-reasons-your-church-sing-psalms/

Përktheu: Alehandro Dura | Redaktoi: Linea Simeon

Editors’ note: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

LOAD MORE
Loading