×

Përshpirtshmëria e të folurit për veten

Të flasësh, të predikosh dhe të shkruash për botim mund të jetë si përpjekja për të ecur mbi litar në kuptimin frymëror. Si të krishterë, nga njëra anë na thuhet të mos e vlerësojmë veten më shumë sesa duhet dhe nga ana tjetër na thuhet që si shkrimtarë dhe folës duhet të flasim për veten tonë në mënyrë që audiencat të identifikohen me ne. Duke u treguar të cënueshëm ne mund t’i tërheqim lexuesit dhe dëgjuesit, dhe kështu t’i ndihmojmë ata të përfitojnë nga jeta dhe puna jonë.

John Stott–pastori, shkrimtari dhe folësi i mirënjohur londinez, i cili vdiq në 2011–ishte tepër hezitues që të thoshte diçka për veten e tij. Edhe pse nga librat e tij u shitën me miliona kopje dhe ai u fliste mijëra njerëzve në të gjithë botën, ai pothuajse kurrë nuk tha diçka për jetën e tij. Stott ia doli mbanë të ecte mbi litar, thjesht duke zbritur nga ai. Ai u përqendrua me kokëfortësi te Bibla.

Kjo është padyshim një mënyrë e vlefshme për ta zgjidhur çështjen. Megjithatë, ne mund të përfitojmë shumë nga të shkruarit dhe të folurit në mënyrë të drejtpërdrejtë për veten, duke treguar histori për veten tonë. Të bërët e kësaj mund të jetë ushtrim i mirë i kujtesën tonë. Dhe kur kujtojmë, na jepet një mundësi për rrëfim dhe falënderim ndaj Perëndisë.

Nëse vendosim të shkruajmë ose të flasim në mënyrë të drejtpërdrejtë për veten tonë, si mund të jemi të sigurt se nuk do të na hyjë vetja në qejf? Ndoshta mund të fitojmë disa të dhëna nga njëri prej rasteve më të famshëm të një të krishteri që shkruan për veten e tij. Në fakt, libri i tij në thelb krijoi të gjithë zhanrin e kujtimeve frymërore më shumë se 1.500 vjet më parë. Natyrisht që po flas për Agustinin dhe Rrëfimet e tij.

Agustini, teologu i madh afrikan, jetoi nga viti 354 deri në 430 pas Krishtit. Ai migroi në Itali, ku u kthye në besimin e krishterë. Pastaj u kthye në Afrikë dhe u bë peshkop i Hippos (Algjeria e sotme). Ai ishte një shkrimtar tepër pjellor. Përveç Rrëfimeve, libri Qyteti i Perëndisë është ndoshta vëllimi i tij më i njohur.

Rrëfimet tregojnë për jetën e Agustinit që nga ditët e hershme (madje duke ofruar reflektime për atë që ndoshta po ndodhte brenda tij teksa ishte ende në barkun e nënës!) e deri në moshë madhore. Ai nuk na tregon në mënyrë sistematike gjithçka për veten e tij, por përkundrazi, përqendrohet në zhvillimin e tij moral dhe intelektual, teksa ato lidhen dhe arrijnë kulmin në konvertimin e tij në krishterim në moshën 31 vjeçare. Unë mendoj se ka disa aspekte që spikasin në mënyrën se si Agustini e ushtroi disiplinën frymërore të kapjes së perspektivës, madje teksa u përqendrua te vetja.

1. Rrëfen mëkatet dhe besimin e tij

Ka një arsye të mirë përse libri quhet Rrëfimet. Agustini i rrëfehet Perëndisë në dy mënyra. Padyshim, njëra mënyrë është që ai rrëfen mëkatin. Agustini vë në dukje prirjen e tij për vjedhje, grykësi dhe mashtrim që nga fëmijëria dhe adoleshenca, së bashku me nxitjet e forta seksuale. Ai rrëfen mosbindjen ndaj prindërve dhe mësuesve, si dhe etjen e tij për lavdërimin e të tjerëve.

Ai gjithashtu pranon përpjekjet e tij të pakta dhe të pamjaftueshme intelektuale. Agustini i vlerësoi kështu disa nga mendimet e tij të mëparshme: “Ende nuk e kisha parë që thelbi i një çështjeje kaq të rëndësishme gjendet në artin tënd, o i Gjithëfuqishëm, pasi Ti vetë bën mrekulli” (97–98). Ai nuk mund ta kuptonte vërtet plotësinë e bukurisë apo realitetit nëse Perëndia nuk ishte pjesë e tablosë–veçanërisht nëse nuk do të shihte që Perëndia ishte Artisti që e pikturoi tablonë.

Përveç kësaj, ai nuk përmend vetëm mëkatet që tashmë i ka mposhtur, por është mjaft i sinqertë për të diskutuar ato me të cilat ende po lufton. “Dehja reale është shumë larg jetës sime; ki mëshirë dhe mos lejo që të më vijë afër,” i thotë Mjeshtrit të tij. “Por ndonjëherë pija e tepërt e mbërthen skllavin tënd; ki mëshirë dhe largoje edhe këtë prej meje” (318).

Po, ky është Shën Agustini. Ai nuk pretendon se pirja e alkoolit është e gabuar, por ai e di se sa është më tepër se duhet (ashtu si edhe ne të tjerët) dhe pranon varësinë e tij te Perëndia për frytin e vetëkontrollit të dhënë nga Fryma përkundrejt frytit të hardhisë. Ndershmëria e Agustinit më bën të pyes: A po tregohem i sinqertë për veten teksa shkruaj?

Megjithatë, Agustini nuk rrëfen vetëm gabimet e tij. Ai bën një rrëfim të besimit. Ai rrëfen mëshirën, hirin, bujarinë, urtësinë e Perëndisë, dhe madje më tepër se kaq. Kështu ai i mbështet dobësitë e tij me madhështinë e Perëndisë. Agustini pyet veten: Ku mund ta shoh dorën e Perëndisë në këtë ndodhi apo histori? Çfarë mësoj për Perëndinë dhe botën e tij si rezultat i kësaj? Për çfarë mund ta lavdëroj atë? Përgjigjet për këto pyetje mund të dalin ose mund të mos dalin në shkrimin tonë, por shtrimi i këtyre pyetjeve dhe përgjigjja e tyre duhet të bëhen pjesë e jetës tonë.

2. Përdor humor vetëzhvlerësues

Agustini e sheh veten në perspektivën e duhur, duke përdorur humor vetëzhvlerësues. Ai thotë se para kthimit në besim, i ishte lutur Perëndisë: “Më jep pastërti dhe vetëpërmbajtje, por prit edhe ca” (318). Të mësuarit se si të qeshim me veten tonë është një nga ushtrimet më të shëndetshme frymërore në të cilin mund të angazhohemi. Kur e marrim veten shumë seriozisht, jemi më të prirur të ofendohemi nga të tjerët, dhe kështu bëhemi pengesë për atë që Perëndia dëshiron të bëjë.

Të mësuarit se si të qeshim me veten tonë është një nga ushtrimet më të shëndetshme frymërore në të cilin mund të angazhohemi.

Ta bërët e vetes objekt të shakave të mia është gjë e mirë për shëndetin tim psikologjik dhe frymëror. Gjithashtu ka avantazhin e zvogëlimit të distancës mes meje dhe audiencës time. Nuk jam një autoritet i cili qëndron shumë më lart se ata, por jam një prej tyre, në të njëjtin rrugëtim me ta, për t’i dhënë kuptimin jetës. Jemi njësoj.

3. Nderon njerëzit e tjerë

Agustini sigurohet që të mos jetë gjithmonë heroi i historisë së tij. Një personazh që spikat është Monika, mamaja e tij. Ajo është këmbëngulëse në lutje dhe madje e ndjek nga Afrika në Milano pasi ai u largua nga qyteti me një anije, duke mos i treguar asaj. Ambrosi, peshkopi i Milanos, është një tjetër ndikim kryesor që e ndihmoi të fillonte të shihte që krishterimi kishte kuptim.

Nuk kemi pse të jemi gjithmonë personi me idenë e re, me strategjinë të re dhe me iniciativëv e re që i ndihmon njerëzit. Kur mësojmë diçka nga të tjerët ose shohim veprat e tyre të mira, duhet të jemi të shpejtë për t’i përgëzuar.

4. I nënshtrohet Shkrimit

Agustini e sheh veten në perspektivëne duhur duke iu nënshtruar autoritetit të Shkrimit. Megjithëse, me raste, Agustini u referohet pasazheve në mënyrë të qartë, ai rregullisht aludon për Biblë pa cituar drejtpërdrejt, zakonisht një, dy ose tre herë në një paragraf. Shënimet në përkthimet moderne e tregojnë qartë këtë. Mendja e tij ishte e tejmbushur me gjuhën, historitë dhe mësimet e Biblës.

Ai gjithashtu i nënshtrohet hapur Shkrimit. Kur flet për autoritetin që Perëndia u ka dhënë njerëzve për të gjykuar, ai ofron këtë përjashtim:

Kjo nuk i aplikohet [Biblës], librit tënd….. Kështu, një person, megjithëse është tashmë i lindur nga Fryma dhe i ripërtërirë nga njohja e Perëndisë sipas imazhit të atij që e krijoi, duhet të jetë një zbatues i ligjit dhe jo një gjykatës i tij. (462)

Për të arritur këtë perspektivë, duhet ta lexojmë Biblën shumë dhe rregullisht, por gjithashtu duhet ta studiojmë atë në një mënyrë që tregon respekt për të. Shumë shpesh, ne e copëzojmë tekstin, duke marrë vargje të izoluara aty-këtu dhe duke i sjellë së bashku, ashtu siç na duket ne e drejtë. Sidoqoftë, Bibla nuk është një libër me të vërteta të pakoha apo i mbushur me Thëniet e Kryetarit Perëndi. Në vend që ta vëmë veten tonë në pozitën për të gjykuar se si është organizuar Shkrimit, ne e lëmë Biblën të drejtojë studimin tonë. Ne e bëjmë këtë duke theksuar studimin e librave të plotë të Biblës, duke u përpjekur të dallojmë se çfarë synonte autori në të gjithë librin, jo vetëm në disa pjesëza të tij.

Kur mësojmë diçka nga të tjerët ose shohim veprat e tyre të mira, duhet të jemi të shpejtë për t’i përgëzuar.

Në një ndryshim dramatik, Agustini i kalon tre kapitujt e tij të fundit nga 13 jo duke folur për veten e tij, por duke ofruar një reflektim të plotë dhe të thellë mbi një pasazh të gjatë–kapitullin e parë të Zanafillës. Ai e analizon atë si një të tërë. Megjithatë, Agustini është një njeri i kohës së tij dhe shpesh i drejtohet një leximi alegorik që përgjithësisht nuk do ta inkurajoja. Sidoqoftë, ai tregon qëllimin e tij që ta ketë mendjen dhe zemrën plotësisht të formuar nga Fjala e Perëndisë, e marrë si një e tërë.

5. Shikon historinë e madhe

Ky kalim nga historia e tij te Zanafilla mund të duket i çuditshëm. Pasi kaloi 300 faqe duke folur për veten, përse tani kalon tek të folurit për fillimin e Zanafillës në 100 faqet e fundit? Duket sikur ka filluar një libër krejt tjetër.

Agustini e sheh veten në perspektivën e duhur–duke e vendosur historinë e tij në kontekstin e një historie më të madhe. Historia e tij nuk është ngjarja kryesore, është një pjesë e një rrëfimi madhështor kozmik të Perëndisë dhe veprave të tij. Kjo i jep historisë së Agustinit dhe historisë time një ndjenjë të raportit dhe të domethënies. Historia ime është vetëm pjesë e një tërësie më të madhe, kështu që unë nuk marr shumë merita. Megjithatë, oh, sa madhështore që është ajo histori–nga krijimi në konsumim, nga premtimi në përmbushje, nga vdekja në jetë–dhe unë jam një pjesë e saj!

6. I shkruan Perëndisë

Mënyra e fundit se si Agustini na ndihmon është përmes shembullit të tij duke ia adresuar të gjithë librin Perëndisë. Ai i shkruan audiencës së një të Vetmi.

Duke bërë këtë, Agustini sigurohet që vazhdimisht ta ridrejtojë përqendrimin larg vetes dhe drejt Perëndisë. Kjo i jep perspektivë në jetën e tij, duke i kujtuar se nuk është personazhi kryesor në historinë e jetës së tij. Përkundrazi, personazhi kryesor është Perëndia. Ai ia jep meritat Perëndisë, për shembull, duke qenë se Perëndia ia dha idetë për t’i demaskuar gabimet e manikejëve, kur thotë: “Je ti, Perëndi i vërtetë, që i demaskon këta njerëz, duke treguar se janë gabim, dhe i gjen në faj” (230). Agustini pastaj vazhdon të parashtrojë argumentin se pse ata janë gabim. Padyshim, që këto janë argumentet e Agustinit, por ai e pranon Perëndinë si burimin e tyre.

Disiplina frymërore e perspektivës. Kjo është dhurata që Agustini ia ofron atyre prej nesh që flasim për veten.

Gjatë gjithë kohës, Agustini është qartësisht i vetëdijshëm se njerëz të tjerë do ta lexojnë këtë libër. Ai pyet:

Kujt po ja tregoj historinë? Sigurisht që nuk po ta tregoj ty, Perëndia im, por në praninë tënde po ia tregoj racës time, pavarësisht se një pjesë shumë e vogël e saj do të vijë në kontakt me shkrimet e mia. Dhe cili është qëllimi i historisë? Sigurisht, është që unë dhe kushdo që e lexon këtë të mund të meditojë se nga çfarë thellësish duhet të të thërrasim ty. (37-38).

Agustini i shkroi Rrëfimet rreth 12 vjet pasi u bë i krishterë dhe vetëm disa vjet pasi u bë peshkop. Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme e qëllimit të tij duket se është pastoral. Ai dëshiron të ofrojë një model, një mënyrë se si dikush mund të bëhet i krishterë, edhe nëse përleshja është morale, intelektuale, apo të dyja bashkë. Ai dëshiron të tregojë një mënyrë që kërkuesit në Hippo dhe kudo të mund të arrijnë ta njohin dhe ta duan Zotin që ai ka njohur dhe e do.

Nuk kemi pse të shkruajmë një libër të tërë drejtuar Perëndisë për të praktikuar disiplinën frymërore të perspektivës. Gjithsesi, ende mund të pyesim: Nga erdhën idetë e mia? Kush ma dha këtë aftësi me fjalët? Kush ishte aktori kryesor në jetën time teksa përjetova sukses ose dështim? Çfarë po mësoj për Perëndinë edhe teksa tregoj historinë time? Një fokus i tillë e largon trysninë nga unë. Mund të shqetësohem më pak për sa dëgjues mund të fitoj, ose nëse do jenë të kënaqur me mesazhin tim. Në vend të kësaj, mund të përqendrohem te fakti nëse po e kënaq Perëndinë.

Disiplina frymërore e perspektivës. Kjo është dhurata që Agustini ia ofron atyre prej nesh që flasim për veten. Kjo është një dhuratë për të cilën mund të falënderojmë.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/reviews/confessions/

Përktheu: Alehandro Dura | Redaktoi: Linea Simeon

Editors’ note: 

Përshtatur nga Write Better nga Andrew T. Le Peau. ©2019 nga Andrew T. Le Peau. Përdorur me lejen e InterVarsity Press, P.O. Box 1400, Downers Grove IL 60515-1426. www.ivpress.com.

 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

LOAD MORE
Loading