×

5 fjalë që duhen shmangur në predikime

Predikimi është metoda e caktuar nga Perëndia për të përçuar Fjalën e Tij dhe për të ndërtuar kishën e Tij. Duke qenë i tillë, predikimi është përgjegjësia kryesore e çdo pastori dhe nevoja parësore e çdo kishe. Prandaj, çdo pastor duhet të predikojë, madje të predikojë mirë, çdo ditë të Zotit.

Megjithatë, mesazhet e mira, ashtu si edhe vaktet e shijshme, nuk ndodhin vetvetiu. Ato përgatiten qëllimisht duke përmbledhur elementet thelbësore. Në rastin e predikimit, një element thelbësor janë fjalët kyçe. Vendimi se cilat fjalë duhen shtuar dhe cilat duhen hequr është përbërës i pazëvendësueshëm i përgatitjes së predikimit.

Disa fjalë u japin peshë predikimeve dhe e anasjellta, disa të tjera i dobësojnë ato. Nëse fjalë të tilla duhet të përdoren, duhet të përdoren me vend dhe me kursim.

Ja pesë fjalë që thuajse gjithmonë i dobësojnë predikimet:

1. Gjë

Fjala ‘gjë’ ka qenë për një kohë të gjatë tepër bezdisëse për mua. Ja pse u gëzova shumë kur H. B. Charles e trajtoi këtë çështje në librin e tij të vlefshëm me titullin On Preaching: “Shmang ‘gjërat’ nga predikimi yt … Fjala nuk është specifike. Sa më specifik të jesh, aq më bindëse do të jenë idetë e tua. Pra, provoni fjalë të tjera kyçe”.

  • Jepni katër arsye pse besimtarët duhet të luten.
  • Paraqitni tri kërkesa për udhëheqësit e krishterë.
  • Tregoni pesë përfitime kur falim ata që kanë mëkatuar ndaj nesh.
  • Përshkruani dinamikat e një kishe të shëndetshme.
  • Shpjegoni shenjat e kthimit të vërtetë në besim.
  • Paraqini tri parime për të praktikuar dashurinë për bashkëshortin/bashkëshorten.
  • Paralajmëroni për rreziqet e të jetuarit me egoizëm.

Charles ka të drejtë. Ajo që i bën ‘gjërat’ e dobishme është elasticiteti i tyre; kjo i bën edhe të dobëta. Ka kaq shumë elasticitet në këtë fjalë, saqë i mungon, edhe qartësia, edhe forca. Një fjalë që mund të ketë kaq shumë kuptime, zakonisht nuk ka shumë kuptim.

2. Opinion

Predikimi duhet të jetë i bazuar te teksti, duhet të nxirret nga Fjala e Perëndisë. Kështu, përkufizimi është objektiv dhe me autoritet, dhe vjen si fjalë e besueshme dhe e sigurt. Instinkti për të theksuar shprehinë  “Ky është thjesht opinioni im”, duhet të bjerë si një sirene alarmi në mendjen e predikuesit.

Kjo nevojë për të qartësuar këtë shprehje, ka të ngjarë që vjen nga një ose dy faktorë. Ose predikuesi është duke kaluar shumë kohë larg nga teksti, duke humbur kështu autoritetin dhe duke e sabotuar predikimin biblik; ose, me raste, qëllimisht (dhe me të drejtë) po ofroni opinionin tuaj dhe mund të jeni duke nënvlerësuar audiencën tuaj. Ata ka gjasa që e ndiejnë se jeni duke shkuar drejt një zbatimi, i cili nuk është theksuar qartë në tekst dhe nuk ka nevojë të sqarohet së tepërmi se jeni duke dhënë opinion tuaj.

Në raste të tjera, kur arrini në një interpretim të diskutueshëm të një pasazhi; një pjesë në të cilën studiues të besueshëm ungjillorë kanë mendime të ndryshme; dhe mendoni se është e nevojshme që bashkësia të jetë në dijeni që kuptimi i tekstit është i diskutueshëm, merrni në konsideratë frazën: “Unë besoj!”, në vend të “Ky është mendimi im”.

Për shembull, konstatimi: “Studiuesit e Biblës kanë mendime të ndryshme përsa i përket kuptimit të kësaj fraze dhe pas një studimi të hollësishëm, unë besoj që kuptimi është…” është më i fortë se: “Studiuesit e Biblës kanë opinione të ndryshme për sa i përket kuptimit të kësaj fraze, por unë kam këtë opinion …” E para nënkupton studim të hollësishëm dhe reflektim, me një farë sigurie në përfundimin e arritur. E dyta tingëllon më tekanjoze, më pak e mbështetur në fakte dhe më e pasigurt.

Thelbi është ky, nëse e ndieni të nevojshme të ofroni thjesht një frazë të thatë: “Ky është thjesht opinioni im!”, ato që do të thoni më pas, ka të ngjarë që nuk ia vlejnë t’ia ofroni audiencës.

3. Më vjen keq

Asgjë nuk e dobëson një mesazh, më tepër se sa ta nisësh më të kërkuarit ndjesë. Si rregull i përgjithshëm, nëse mesazhi meriton kërkesë faljeje, nuk meriton të predikohet. Përsa i përket të kërkuarit ndjesë, i kam dëgjuar të gjitha justifikimet:

  • “Më vjen keq, por sot nuk jam aq i përgatitur sa do doja”.
  • “Ka qenë një javë shumë e ngarkuar, ndaj kini durim me mua këtë mëngjes”; “Më vjen keq, nuk jam krejt i sigurt për kuptimin e pasazhit tonë, por do të bëj më të mirën”.
  • “Nuk jam teolog, por do të përpiqem ta trajtoj drejt këtë tekst”.
  • “Më lejoni t’ju kërkoj ndjesë paraprakisht: mesazhi këtë mëngjes nuk sjell asgjë ndryshe, asgjë të re”.

Përgjithësisht, të kërkuarit ndjesë, hyn në predikim për dy arsye. Së pari, është për shkak të ndonjë pengese të papritur: sëmundje, një krizë e paprashikuar, apo ndonjë rrethane tjetër jashtë kontrolli. Nëse është kështu, mos kërko ndjesë. Përkundrazi, përqafojeni si maturinë e Perëndisë në jetën tuaj dhe mbështetuni te fuqia e Tij gjatë predikimit.

Arsyeja tjetër për të kërkuar ndjesë është për shkak të ndonjë pengese të shmangshme: përtacia, shkujdesja apo mungesa e përparësisë. Nëse ndieni impulsin për të kërkuar ndjesë, në këtë rast, kanalizojeni në pendim përpara Zotit. Vendosni të jeni kujdestar më i mirë i kohës suaj, në mënyrë që të mos bini sërish në një situatë të tillë.

4. Si përfundim

Shpallja ‘si përfundim’ ose ‘ndërsa e mbyll’ është kërkesë për dëgjuesit tuaj që të mbyllin Biblat e tyre dhe të fillojnë të mendojnë për drekën. Ja pse është më mirë të mos flisni për synimin tuaj, por të filloni me konkluzionin; thjesht hyr drejt e te konkluzioni. Predikimet duhet të përfundojnë me një goditje. Paralajmërimi i konkluzionit me shumë siguri bën që kjo gjë të dështojë.

Sidoqoftë, ka diçka edhe më të keqe se sa të parashtroni qëllimin për të përmbyllur mesazhin. Kjo është të thuash se do ta përmbyllësh, por të mos e përmbyllësh predikimin. Nëse e bëni këtë, atëherë përveç humbjes së vëmendjes për pjesën e mbetur, do të humbasësh edhe besueshmërinë (nëse diçka e tillë përsëritet shpesh).

5. Perëndi

Fjala e fundit që më shqetëson mund të duket e çuditshme, mbase edhe kontradiktore, por, përdorimi në mënyrë të përgjithshme dhe jo biblike i fjalës ‘Perëndi’, ka për ta dobësuar predikimin tuaj dhe mund t’i pështjellojë dëgjuesit tuaj.

Bisedat jo të krishtera rreth ‘Perëndisë’ kanë pllakosur shoqërinë. Që nga sportisti që vendos: “Lavdi Perëndisë që gjuajta e tij doli me sukses sonte”, te referencat e shumta sinkretiste dhe mistike rreth Perëndisë, janë kaq të zakonshme në bisedat e përditshme. Perëndia i botës është një perëndi i përgjithshëm dhe i papërshkrueshëm. Referenca të tilla të mjegullta, shpesh nuk janë biblike.

Të folurit në mënyrë specifike për Perëndinë Atë, Perëndinë Bir dhe Perëndinë Frymë i Shenjtë (në kontekstin biblik dhe nën dritën e karakterit të tyre biblik), i jep mesazhit një theks të veçantë të krishterë

Shfrytëzojini fjalët

Predikimet e suksesshme i shfrytëzojnë fjalët në mënyrë optimale për të shpjeguar kuptimin e tekstit, si dhe për ta përcjellë atë në jetët e dëgjuesve. Përdorimi strategjik i fjalëve mund t’i japë më shumë fuqi predikimit, ashtu si edhe mbingarkimi i shkujdesur i predikimit prej tyre, do ta dobësojë atë.

Pra, si një kirurg i mirë, krasiti edhe ti nga mesazhi yt fjalët e paqarta dhe të padobishme. Kjo ka për të shtuar energji dhe forcë dhe ka për ta bërë predikimin më të mprehtë dhe më të fuqishëm

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet