×

2 mënyra për t’u rritur në aftësinë e të mësuarit

Ndonjëherë, është e lehtë të marrësh këshillë.

Nëse shefi të thërret në zyrë dhe të thotë: “Kjo është mënyra se si të ngrihesh në dëtyrë në këtë kompani”, atëherë fillon dhe mban shënime. Kur shpërblimi është i dukshëm dhe burimi është autoritar dhe i besueshëm është e lehtë të marrësh këshilla. 

Sigurisht, pjesa më e madhe e këshillave që marrim, nuk është e tillë. Të gjithë kemi qënë në situata ku dikush që është krejtësisht i pa kualifikuar, ofrohet që të japë ‘këshillë’ në gjëra të cilat janë thjesht kritika me mirësjellje. Ose ndoshta hapemi dhe tregojmë një vështirësi personale, dhe një mik, pa të keq, por që nuk kupton siç duhet, menjëherë na sugjeron të gjitha gjërat që duhet t’i kishim bërë ndryshe. Kur marrim këtë lloj këshillimi është e lehtë të mbyllim veshët, thjesht të tundim kokën me respekt dhe ta injorojmë. 

Po sikur Perëndia të mos dëshirojë që ta bëjmë këtë? Po sikur pikëpamja e Tij për të marrë këshillë dhe udhëzim të jetë ndryshe nga reagimet automatike të zemrës sonë? Konsideroni Fjalët e Urta 19:20

“Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.”

Perëndia dëshiron që njerëzit e Tij të jenë të mësueshëm, në mënyrë që të jenë të ditur. Kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar, por është jashtëzakonisht e vështirë për ta vënë në praktikë. Pavarësisht sa shumë e theksojmë rëndësinë e të qenët i mësueshëm, kur kjo e vërtetë arrin në kështjellën e zemrave tona, ne i mbyllim portat e saj. Nuk e lëmë të hyjë brenda.

Fjalët e Urta 19:20 është një nga vargjet për të cilin do gëzoheshim shumë nëse gjithkush tjetër do e merrte në zemrën e tij. Na pëlqen shumë kur të tjerët e dëgjojnë këshillën tonë, por a jemi aq entuziastë, kur jemi ne ata që e marrim këshillën? 

Të ndjekësh Jezusin, do të thotë të jesh i mësueshëm, prandaj duhet ta kultivojmë vetë këtë sjellje. Si duket saktësisht mësueshmëria në jetën e një ndjekësi të Krishtit? Ja dy gjërat kryesore se si shfaqet mësueshmëria:

1. Dëgjoje këshillën, pa marrë parasysh nga kush vjen apo si jepet.

Sa më gjatë jeton, aq më shumë do marrësh këshillë nga njerëzit që ndoshta nuk duhet të të japin këshillë. Nënat do të marrin këshilla nga dikush që nuk ka fëmijë. Udhëheqësit do të marrin sugjerime jo shumë të dobishme nga njerëz që nuk e dinë se sa të painformuar që janë. Të gjithë marrim rekomandime për të mposhtur sprovat dhe vështirësitë nga njerëz që nuk e kanë fare idenë se çfarë po kalojmë. 

E di çfarë? Nëse çdokush do priste derisa të ishte përosmërisht i urtë para se të fliste në jetën e tjetrit, atëherë askush nuk do jepte këshilla. Kjo tingëllon mjaft këndshëm, mund të mendoni ju. Po, ndoshta, por nuk i ngjan planit të Perëndisë për popullin e Tij. Perëndia dëshiron që çdo i krishterë të dëgjojë këshillat dhe të pranojë udhëzim, edhe pse njerëzit e vetëm që mund të ta japin këtë janë me të gabueshëm dhe mëkatarë. Ai do që ta bësh këtë sepse është e mirë për ty dhe për zemrën tënde.

Nëse çdokush do priste derisa të ishte përosmërisht i urtë para se të fliste në jetën e tjetrit, atëherë askush nuk do jepte këshilla.

Është e thjeshtë të vendosësh disa njerëz të zgjedhur në një piedestal dhe të marrësh në zemër vetëm atë që thonë ata. Megjithatë, kur ndodh kjo, ajo që pason në mënyrë të pashmangshme është që piedestali bëhet gjithnjë e më i vogël dhe shumë shpejt i kemi dhënë vetes leje për të injoruar plotësisht këdo që nuk gjendet mbi atë piedestal. Nuk kalon shumë kohë dhe i vetmi person që ka ngelur në atë piedestal, je ti. E keni bërë veten dhe jo Perëndinë, arbitër të gjërave që do të dëgjosh.

Përveç kësaj, nuk është se Perëndia nuk ka siguruar filtra. Kjo gjë quhet anëtarësia e kishës. Mendojeni pak: çfarë është e vërtetë për të gjithë bashkëanëtarët e tu të kishës, edhe pa i njohur fare? Ti e di që ata bien dakort me të njëjtat të vërteta themelore në lidhje me Perëndinë, Krishtin dhe Biblën njësoj si ty, sepse ata pranojnë deklaratën e rrëfimit të kishës tënde. Ti e di që ata janë nën të njëjtin predikim autoritar të Fjalës së Perëndisë; janë të fuqizuar nga e njëjta Frymë e Shenjtë; dhe janë të destinuar për të njëjtën trashëgimi të lavdishme dhe të përjetshme. 

Ky është një grup mjaft i besueshëm kontrollesh. Herën tjetër, kur dikush ju flet pa vend, apo përpiqet t’ju këshillojë pa ju kuptuar më parë, rezistoji vetëmbrojtjes në zemrën tënde. Në vend të kësaj, dëgjo. Mund të ndodhë që pavarësisht sa i pakualifikuar apo i papjekur të jetë lajmëtari, mesazhi është saktësisht ai që Perëndia dëshiron ta dëgjosh. 

Sidomos në kontekstin e kishës lokale, mësueshmëria do të thotë të dëgjojmë këshillën, pa marrë parasysh nga kush vjen apo si përcillet.

2. Kërko këshillë qëllimisht, sidomos nga pleqtë e kishës dhe njerëz të tjerë të urtë.

Pavarësisht pikës së mësipërme, jeta jonë nuk duhet të jetë në mëshirën e ndonjë nën grupi këshillë dhënëse të rastësishëm dhe të sikletshëm, nga ana shoqërore. Në fakt, nëse njerëzve që na japin këshilla u mungon pjekuria dhe maturia, atëherë zgjidhja nuk është që askush mos të të japë këshillë; por është të kërkosh këshillë nga besimtarë më të pjekur dhe më të urtë. 

Sërish, në kontekstin e kishës lokale, kjo fillon qartazi me pleqtë e kishës. Duhet t’i bëjmë jetët tona të disponueshme ndaj këshillimit të tyre, por sigurisht, urtësia nuk mbaron aty. Kudo që të dallojmë urtësi, duhet të jemi të gatshëm që ta kërkojmë. 

E kuptoj që mund të duket e vështirë për ta bërë këtë. Jeta plot angazhime dhe marrëdhëniet kërkojnë kohë. Nëse ideja për t’iu afruar dikujt dhe t’i kërkuarit këshillë, të duket e frikshme, mund të fillosh me diçka pak më të lehtë. Dëgjo me vëmendje predikimin e Fjalës, në kishën tënde. Nëse pastori juaj po e bën mirë punën e tij, ai do të zbatojë secilin fragment me nxitje specifike. Nëse ndjekja e kritikës së perëndishme të duket e vështirë, fillo atje.

Gjithashtu, konsidero edhe gjërat e tjera që thonë pastorët e tu. Ndoshta duan më shumë vullnetarë në dhomën e fëmijëve, apo dëshirojnë të shohin më shumë njerëz në takimin e lutjes në mbrëmje. Kur dëgjoni nxitje të drejtpërdrejta dhe praktike nga pleqtë tuaj, çfarë ndodh në zemrën tuaj? A është reagimi juaj i natyrshëm për ta marrë atë këshillë me zemër dhe për ta ndjekur? Apo murmurisni ndaj sugjerimeve miqësore? 

Nëse kur dëgjoni nxitje specifike, reagimi i zemrës suaj është mëri. Nëse supozimi juaj fillestar është se ju jeni përjashtim, atëherë më lejoni t’ju sugjeroj se nuk jeni shumë të mësueshëm dhe si rrjedhim, nuk jeni në shtegun për të fituar urtësi.

Jezusi i shpëtoi të pa-diturit

Të gjithë duam dituri, thjesht nuk dëshirojmë të bëjmë gjënë e duhur për ta marrë atë. Përse? Ka shumë arsye, por në fund gjithçka thjeshtohet në vetëmbrojtje. Ne duam të mbrojmë reputacionin dhe besueshmërinë tonë. Duam që të dukemi se e kemi jetën në rregull, sikur nuk na duhet asgjë tjetër, përveç disa përshtatjeve shumë periferike në shtegun tonë mjaft të perëndishëm dhe të urtë.

Ajo gënjeshtra e vetëmbrojtjes, duhet të ekspozohet me të vërtetën e ungjillit. Jezusi erdhi të shpëtojë njerëz që e kanë gabim, të paditur dhe të marrë. Jezusi erdhi të shpëtojë njerëz që nuk janë të aftë, që nuk i kanë gjërat në rregull dhe që nuk janë të drejtë. 

Nuk kemi pse të pretendojmë se jemi ata lloj njerëzish që nuk kanë nevojë për këshilla dhe udhëzime. Përse? Sepse jemi të krishterë! E gjithë jeta jonë është e ndërtuar mbi premisën se ne kemi shumë nevojë për urtësinë e dikujt tjetër, sepse urtësia jonë po na çonte drejt e në ferr. 

Le t’i ulim armët dhe t’i hapim portat e zemrës sonë. Perëndia dëshiron të çarmatosë vetë-mbrojtjen tonë me ndihmën e të marrëve të tjerë të shpenguar. Vëllezër dhe motra, le ta dëgjojmë këshillën dhe të pranojmë udhëzime. Mund të mos duket e zgjuar, por në fund të fundit, do të jemi më të urtë për shkak të saj.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet