×

10 Arsye pse “kisha online” nuk mund të quhet kishë

Kohët e fundit ka pasur mjaft debate në lidhje me “kishën online.” Ky fenomen ngre disa pyetje madhore për kishën Shqiptare. Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj një “kishë online”? A është ajo një kishë e vërtetë? A është diçka e lejueshme apo a përbën një rrezik të madh? Çfarë thotë Bibla për një kishë të tillë?

1. “Kisha online” është një mohim i ungjillit. Ungjilli ka një element personal dhe individual. Jezusi erdhi duke predikuar, “Pendohuni dhe besoni ungjillin” (Marku 1:15). Ungjilli është një thirrje personale e drejtuar secilin prej nesh. Por ungjilli ka edhe një element të përbashkët. Kur dikush kthehet te Krishti, ai bëhet pjesë e një kishe lokale. Efesianëve 2:22 thotë: “ju jeni bashkëndërtuar për të qenë banesë e Perëndisë në frymë.” Efesianëve 3:10 thotë që nëpërmjet kishës shpaloset urtësia e shumëllojshme e Zotit. Ungjilli i shpëton shpirtrat por ungjilli gjithashtu krijon një komunitet besimi që tregon urtësinë e Perëndisë. Jeta e një kishë lokale është ajo që e tregon këtë urtësi dhe jo një “kishë online” e përbërë nga njerëzit nga vendët të ndryshme. Të kesh një “kishë online” është të mohosh qëllimin e Zotit në ungjillin e Tij.

2. “Kisha online” nuk është një kishë e vërtetë. Historikisht kishat e kanë njohur një grup besimtarësh si një kishë kur ndodhin tre gjërat; kur predikohet ungjilli i vërtetë, kur praktikohen sakramentet (Darka e Zotit dhe pagëzimi) dhe kur zbatohet disiplina kishtare. Edhe sikur një “kishë online” të predikojë ungjillin e vërtetë, ajo nuk mund të bëjë të dy të tjerat. Pra një “kishë online” nuk është një kishë sipas përkufizimit të Biblës. Kjo është një gjë shumë serioze. Ti mund të takohesh me besimtarë të tjerë online por ajo që po bën nuk është të qenët pjesë e një kishe. Ti mund të shpallesh veten si një “kishë online” por në realitet nuk je fare një kishë.

Vetë fjala “ekklesia” apo kishë do të thotë një asamble apo një kuvend. Dhiata e Re e presupozon që ne do të mblidhemi bashkë fizikisht (1 e Korintasve 11:18, 14:26). Një grup besimtarësh nuk mund të jetë një kishë nëse nuk është duke u mbledhur fizikisht së bashku!

3. “Kisha online” është në kundërshtim me natyrën e Perëndisë. Perëndia është një, por ai është edhe tre në një. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë kanë qenë në përbashkësi nga përjetësia. Një shembull i mirë gjendët te Fjalët e Urta 8:30 ku Krishti, i prezantuar këtu si Dituria, thotë “isha çdo ditë kënaqësia e Tij, duke u gëzuar çdo çast para Tij.” Pra, brenda Hyjnisë ka pasur gjithmonë një bashkësi të ngushtë dhe të gëzueshme. Një “kishë online” është një grup individësh që, edhe pse mund të kenë një lloj marrëdhënieje, nuk mund ta kenë këtë afirmitet që tregohet brenda Trinitetit. Zoti na ka krijuar në shëmbëllimin e Tij. Kjo do të thotë që jemi krijuar për marrëdhënie të ngushta; gjë e cila nuk mund të ndodhë online. Pra “kisha online” e mohon karakterin e Zotit si dhe karakterin tonë njerëzor.

Një përqafim apo puthje e shenjtë nuk mund të zëvendësohet me një emoji! Një ‘kishë online’ i zbeh bekimet që përjetojmë kur mblidhemi bashkë.

4. “Kisha online” nuk ka bashkësi të vërtetë. Bashkësia e vërtetë mes besimtarëve presupozon që je duke u takuar fizikisht me të tjerët. Kisha e parë në Jerusalem kishte si përparësi “bashkësinë” me njëri-tjetrin sipas Veprave 2:42. Ata u takuan në tempull dhe në shtëpitë e njeri-tjetrit. Apostulli Gjon e kuptoi që takimi ballë për ballë është i pazëvendësueshëm. Ai thotë te 2 e Gjonit 12, “Mëgjithëse kisha shumë për t’ju shruar, nuk desha ta bëj me letër dhe bojë, por shpresoj të vij tek ju dhe t’ju flas gojë me gojë, që gëzimi ynë të jetë i plotë.” Ai thotë diçka të ngjashme edhe te 3 e Gjonit 13-14. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kesh një marrëdhënie me njerëzit online por ajo thjesht nuk mund të krahasohet me takimet ballë për ballë.

Kishat online nuk munden të na ofrojnë eksperienca të cilat mund t’i kemi vetëm kur takohemi fizikisht. Ndikimi i një predikimi është gjithmonë më i madh kur je vetë i pranishëm. Nuk mund ta ndjesh praninë e Zotit në një shërbesë kur nuk je aty. Një përqafim apo puthje e shenjtë nuk mund të zëvendësohet me një emoji! Një “kishë online” i zbeh bekimet që përjetojmë kur mblidhemi bashkë.

5. Prania e Perëndisë nuk është në “kishën online”. Perëndia është kudo (Psalmi 139:7-12) por Ai ëshë i pranishëm edhe në jetët e besimtarëve (1 e Korintasve 6:19). Por Zoti është veçanërisht i pranishëm në kishën e Tij. Kjo nuk do të thotë që Zoti gjendët në godina kishtare por në mes të një kishë lokale kur ajo është mbledhur bashkë (1 e Korintasve 3:16, 2 e Korintasve 6:16). Pra, kur kisha mblidhet Perëndia është në mesin tonë në një mënyrë të veçantë. Si mund të ndodhë kjo në një takim online? Të kesh një kishë online do të thotë që ta privosh veten nga një prej bekimeve më të mëdha; do të thotë që t’i refuzosh vetes praninë e Perëndisë!

Një jobesimtar mund të ndihmohet dhe të bekohet në një takim online por asgjë nuk mund të krahasohet me atë ndjesi që ka kur ai e kupton që Zoti është i pranishëm në mes të kishës së Tij.

Jo vetëm kaq por je gjithashtu duke e zbehur dëshminë e kishës në mes te jobesimtarëve. Prania e Perëndisë ishte aq reale dhe aq e prekshme në kishën e Korintit saqë jobesimtarët mund të hynin dhe të thoshnin, “Perëndia me të vërtetë është mes jush!” Të fshehtat e tyre u zbuluan dhe ata ndjenë që Zoti ishte në mes të popullit të Tij. Një jobesimtar mund të ndihmohet dhe të bekohet në një takim online por asgjë nuk mund të krahasohet me atë ndjesi që ka kur ai e kupton që Zoti është i pranishëm në mes të kishës së Tij. Pra, një kishë online është duke e zbehur dëshminë për Zotin!

6. “Kisha online” e bën të pamundur zbatimin e Biblës. Pjesa më e madhe e urdhërimeve të Dhiatës së Re kanë lidhje me marrëdhëniet tona me njeri-tjetrin në kishë. Si mund ta durojmë tjetrin, ta duam tjetrin, ta falim tjetrin apo t’i mbajmë barrat e një tjetri kur nuk jemi duke u mbledhur bashkë fizikisht? Të jesh pjesë e një kishë online do të thotë që ti nuk mund t’i zbatosh urdhërimët e Perëndisë. Si rrjedhim, ti nuk mund të jesh një besimtar i shëndetshëm dhe nuk mund ta përjetosh bekimin e Perëndisë!

7. “Kisha online” është një mohim i modelit biblik të udhëheqjes. Në Dhiatën e Re udhëheqësit e kishës, pleqtë apo pastorët e saj, kanë një autoritet prej Frymës së Shenjtë që të qevërisin kishën. Si mund të qeveriset një populli që shtrihet në vende të ndryshme dhe që takohet online? Si mund të kujdeset një bari për një tufë që vetëm duket në një ekran? Si mund t’i japin llogari besimtarët një udhëheqësi me të cilin nuk takohen? Pra nëse “pastori” yt është online si mund te kesh një marrëdhënie biblike me të?

8. “Kisha online” është një mënyrë për t’i fshehur mëkatet e tua. Një kishë online i lë të pazbuluara dhe të paballafaquara mëkatet e njerëzve. Njerëzit mund t’i fshihen pas ‘maskave’ të tyre në internet dhe të mos sfidohen kurrë për mëkatet e tyre. Nuk ka disiplinë biblike siç është parashikuar te Mateu 18:15-20 apo te 1 e Korintasve 5:11-13. Pra, besimtarët nuk japin llogari për mëkatet e tyre dhe nuk kanë mekanizmat që Zoti i ka dhenë kishës për shpëtimin e tyre nga mëkati!

9. “Kisha online” nuk kërkon përkushtim. Kur Pali u ngjit në Jerusalem ai u përpoq që të bashkohej me kishën atje (Veprat e Apostujve 9:26). Fjala “bashkohej” përdoret në Dhiaten e Re për bashkimin e një burri dhe një gruaje në martesë. Marrëdhënia jonë me një kishë lokale duhet të jetë po aq e ngushtë! Të shohësh një shërbesë në telefonin tënd apo të shkruash disa komentet në një faqe online nuk është përkushimi që Dhiata e Re parashikon për një kishë.

Të gëzohemi me ata që gëzohen dhe të qajmë me ata që qajnë nuk bëhet nëpërmjet internetit. Kërkohet prania jote reale! Nuk mund t’i mbash dot barrat e njerëzve të tjerë përmes ekranit. Ti nuk mund ta zbatosh dot 1 e Gjonit 3:16, “Në këtë e kemi njohur dashurinë; ai e dha jetën e tij për ne; dhe ne kemi për detyrë të japim jetën tonë për vëllezërit,” në takimet e “kishës online.” Jeta e krishterë e kërkon këtë lloj përkushtim ndaj njeri tjetrit. Ti mund të kesh njëfarë lidhje me bashkëbesimtarët e tu online por nuk mund të jetosh dot kështu. Një kishë online është një gjë që nuk kërkon përkushim biblik dhe prandaj do të prodhojë besimtarë anemikë!

10. “Kisha online” e lë të hapur derën për praktika dhe mësime jobiblike. Një kishë online nuk ka një udhëheqësi të thirrur nga Perëndia por ka një udhëheqje të vetcaktuar. Nuk ka një anëtarësi e cila mund të veprojë për të disiplinuar një udhëheqës apo predikues që del nga binarët. Ky është një ambient i mbyllur në të cilin mund të predikohet çdo gjë. Nuk ka lidhje me kishat e vërteta apo ndonjë autoritet biblik. Është në rrezik të madh edhe nga mësuesit e rremë!

Nuk po themi që interneti nuk duhet shfrytëzuar për përhapjen e ungjillit. Nuk po themi gjithashtu që nuk mund të kemi disa takimet online, por jemi duke thenë që kisha online është një kontraditë në vetvete. Nuk është një kishë siç e parashikon Bibla dhe nuk mund të funksionojë si kishë. Ajo madje ka rreziqe të mëdha për besimtarët. Prandaj ju nxisim që të mos jeni pjesë e një kishë online por t’i përkushtoheni një kishë lokale.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet