×

4 gjëra për të cilat duhet të luteni para se të hapni Biblën

Mund të filloj me një rrëfim ironik: Kam tendencën t’i injoroj artikujt mbi lutjen. Kjo do të thotë se, nëse vendos të largohesh nga ky artikull, unë nuk jam në pozitë për t’ju fajësuar. E kuptoj ndjesinë. Çfarë na mbetet të themi për temën?

Rëndësia e lutjes nuk është një temë e re. Në fakt është “lajm i vjetër”. E dimë se ka rëndësi, edhe nëse nuk e kuptojmë si funksionon gjithçka. (Nëse Perëndia ka planifikuar gjithçka, po mendon ti me vete, përse t’i kërkojmë gjëra?) Edhe nëse nuk je aspak fetar, e di që ndjekësit e Jezusit luten. Ata flasin me Të, ose të paktën mendojnë se po e bëjnë. Dhe nëse je besimtar, a ka ndonjë temë më të njohur?

Nëse besimi i krishterë do të kishte një program mësimor, lënda e quajtur “Lutja ka rëndësi” nuk do të ishte një lëndë me zgjedhje për universitetin; do të ishte një lëndë e parakërkuar për kopshtin.

Mos hamendëso kurrë!

Në rregull, pra, lutja është thelbësore. Është shumë e rëndësishme. Gjithsesi, a nuk mund të hamendësojmë se kjo është e vërtetë dhe i përket gjërave ‘praktike’? Jo kaq shpejt. Gjërat më të rëndësishme në jetë asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar dhe hamendësuar.

Jam i bindur se një qasje ndaj Fjalës së Perëndisë, e cila nuk përfshin lutjen, është një nga arsyet kryesore për pakënaqësitë që fshihen dhe gumëzhijnë nën sipërfaqen e jetëve tona. Ne ia vjedhim vetes gëzimin dhe paqen, kur nuk arrijmë të lutemi. Në të vërtetë, t’i afrohesh Shkrimit duke qenë larg lutjes, është një nga gjërat më pak produktive që mund të bësh. Sepse krishterimi pa lutje është krishterimi pa fuqi.

P–H–B–N

Mund të njohësh mirë lutjen në përgjigje të Fjalës së Perëndisë, por çfarë do të thotë të lutesh para se të lexosh? Si do të ishte t’i afroheshe Biblës tënde me lutje?

Do të thotë të mos ngutesh në leximin e Biblës, duke pritur që faqet të ngrohin si mikrovalë zemrën tënde të ftohtë, në mënyrë magjike. E dimë se Perëndia është sovran, e cila është një tjetër mënyrë për të thënë se Ai është Perëndi dhe bën atë që do (Psalmi 115:3). Patjetër që Ai është plotësisht i aftë të ndezë mikrovalën, edhe kur ti nuk ia ke kërkuar. Megjithatë, përse të mos ia kërkosh?

Jam i bindur se një qasje ndaj Fjalës së Perëndisë, e cila nuk përfshin lutjen, është një nga arsyet kryesore për pakënaqësitë që fshihen dhe gumëzhijnë nën sipërfaqen e jetëve tona.

Disa vite më parë, dëgjova John Piper të ndante një akronim që ai e përdorte për ta përgatitur zemrën e tij që të marrë nga Perëndia. Secila shkronjë P–H–B–N korrespondon me një lutje nga Psalmet.

P – “Përkule zemrën time ndaj parimeve të tua dhe jo ndaj lakmisë” (Psalmi 119:36)

Kjo nuk është një kërkesë lajkatare. Ajo nënkupton që zemrat tona tërhiqen në drejtimin e gabuar, larg asaj që jep jetë. Jo se ne nuk e pëlqejmë Biblën, thjesht, gjërat e tjera na bëjnë më shumë për vete. Lista e dëshirave duket më tërheqëse, lista e gjërave që duhet të bëjmë më e nevojshme.

Shumicën e mëngjeseve, për shembull, mendja ime shkon menjëherë te një nga këto gjëra:

  1. Çfarë kam planifikuar për sot?
  2. Çfarë do ha për mëngjes?
  3. Çfarë po ndodh në rrjetet sociale?

Pyetje të tilla nuk janë të tmerrshme, por tregojnë shumë. Ato ekspozojnë tendencat e zemrës time. Ato më tregojnë se, të menduarit për vete është e pamundimshme, ndërsa për të menduar për Perëndinë, duhet të mundohem.

Çdo ditë duhet të zhvishem nga shqetësimet e mia patetike vetëm për veten. Edhe ti! Lavdi Zotit që Perëndisë i pëlqen të zhvendosë zemrën tonë nga gjërat e pavlera dhe ta rivendosë te gjërat që janë të paçmueshme, dhe të gjithë këtë e bën për hir të gëzimit tonë. Këtu hyn lutja, ne thjesht duhet të kërkojmë.

H – “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd.” (Psalmi 119:18).

Në shumë mënyra, leximi i Biblës është si leximi i librave të tjerë. Ne duhet t’i afrohemi siç do t’i afroheshim çdo pjese letrare, duke qenë të ndjeshëm ndaj zhanrit, vendndodhjes dhe kohës, qëllimit të autorit dhe të gjitha aspekteve të tjera letrare. Megjithatë, ka një ndryshim të madh. Personi i tretë i Trinitetit të përjetshëm, i dha fjalët përmes Frymës së vet. Dhe Frymës i pëlqen që fjalët e Perëndisë t’i bëjë realitet, ditë pas dite, në zemrat e atyre që janë verbuar nga tirania e gjërave të pavlera.

Frymës i pëlqen që fjalët e Perëndisë t’i bëjë realitet, ditë pas dite, në zemrat e atyre që janë verbuar nga tirania e gjërave të pavlera.

Çfarë ka tërhequr imagjinatën tënde? Çfarë po zmadhon sytë e zemrës tënde? Kur hap Biblën, mos prit të të bëhet ndonjë magji. Fol drejtpërdrejt me Autorin. Kërkoji Frymës të të hapë sytë për të parë bukurinë që ke para syve. Siç ka thënë dhe Charles Spurgeon: “Shpesh, tekstet nuk do ta shfaqin thesarin e tyre, derisa t’i hapësh me çelësin e lutjes.”

B – “Bashkoje zemrën time me frikën e emrit Tënd” (Psalmi 86:11)

Kur isha i ri, babai më shpjegoi një herë se përse ishte mundim kaq i madh hapja e Biblës. Ai tha: “Është pothuajse sikur satani ka vënë gishtin te kapaku dhe e shtyn fort.” Më kujtohet se mu duk diçka e çuditshme. Tani e besoj që është e vërtetë.

Bibla na mëson se djalli është tinëzar. Ai e di se mënyra më e thjeshtë për të na larguar nga Fjala e Perëndisë është duke na shpërqendruar, duka na bërë robër ndaj gjërave të shndritshme e duke na joshur të mendojmë për diçka, gjithçka tjetër.

Ndoshta e ke parasysh këtë skenar: Në rregull, Romakëve kapitulli 2. Le të fillojmë! Ku e kisha lënë? Në rregull, kjo pjesë më duket e njohur. Sa më pëlqen apostulli Pal… Kam shumë uri. Takimin e drekës e kam nesër në 11:30 apo në 12:30? Prit ta shoh…

E mrekullueshme apo jo? Zemra jonë tërhiqet në mijëra drejtime të ndryshme. Siç ka shkruar dhe Piper, me fjalë që duhet të mundojnë secilin prej nesh: “Një nga të mirat e Twitter dhe Facebook, në Ditën e Fundit, është se do të provojnë që mungesa e lutjes nuk ishte për shkak të mungesës së kohës.”

Duhet të lutemi me dëshirë për një zemër në unitet, përndryshe do të shkojmë drejt ndarjes, shpërqendrimeve dhe largësisë nga fjala e Perëndisë së gjallë.

N – “Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde.” (Psalmi 90:14)

Nuk shpërqendrohemi vetëm larg Perëndisë, në fakt. Ne jemi edhe të pakënaqur me Perëndinë. Patjetër që e dimë se është një pjesë e rëndësishme e jetës, por mendojmë se, nëse duam të jemi vërtet të plotësuar, vërtet të lumtur, duhet të kërkojmë diku tjetër.

Ndonjëherë, njerëzit fetarë japin përshtypjen se lumturia nuk është shpirtërore. Mund të jesh i lumtur ose i shenjtë, por me siguri nuk mund të jesh të dyja. Lavdi Perëndisë që Bibla nuk ka vend për mendime të tilla.

Çdo qenie në planet po kërkon lumturinë. Nuk është ky problem, problem është që e kërkojmë larg Perëndisë. Kërkim i duhur, përcaktim i gabuar.

Kur hap Biblën, mos prit të të bëhet ndonjë magji. Fol drejtpërdrejt me Autorin. Kërkoji Frymës të të hapë sytë për të parë bukurinë që ke para syve.

Në çështjen e tij të parë, në Kolegjin e Kenyon, në vitin 2005, novelisti amerikan, David Foster Wallace, shqyrtoi këtë dinamikë universale, madje primitive të njerëzimit dhe fjalët e tij goditën një tel të thellë shpirtëror:

Arsyeja që e bën tërheqëse zgjedhjen e një perëndie apo diçkaje shpirtërore për të adhuruar… është, në pjesën më të madhe, fakti se gjithçka tjetër që do të adhurosh do të të hajë të gjallë. Nëse adhuron paratë apo të mirat materiale, nëse ato janë kuptimi i vërtetë për ty, atëherë do të ndjesh se nuk ke kurrë mjaftueshëm. Adhuro trupin tënd, bukurinë dhe joshjen seksuale dhe do të ndihesh gjithmonë i shëmtuar. E kur të kalojë koha dhe vitet, do të kesh vdekur një milion herë para se të të varrosin… Adhuro fuqinë, do të përfundosh duke ndjerë frikë dhe dobësi, dhe do të kesh nevojë për më shumë fuqi mbi të tjerët që të mpish frikërat e tua. Adhuro intelektin tënd, faktin që të të shohin si të zgjuar, do të përfundosh duke u ndjerë budalla, mashtrues, gjithmonë në rrezik se mos nuk të shohin si të tillë. E megjithatë, më e keqja e këtyre formave të adhurimit është se… janë të pandërgjegjshme. Janë cilësime të paracaktuara.

A e sheh veten në pasqyrën e fjalëve të Wallace? Unë po. Prandaj duhet t’i afrohemi Fjalës së Perëndisë me lutje, duke i kërkuar Atij që të kënaqë zemrën tonë me mirësinë e Tij.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/4-things-pray-bible/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet