×

9 Gjëra të cilat vajzat e rritura dëshirojnë që nënat e tyre t’i dinë

“Mami, për ditëlindjen time të 18-të. . .”

Pjesa tjetër e fjalisë së vajzës time m’u duk si fjalia e një të rrituri në filmin vizatimor Charlie Brown. Ana fliste mjaft qartë, por unë isha fokusuar në realitetin e pashmangshëm të katër fjalëve të fundit.

“Mami? Mamii!”

Vështrova vajzën time. “Më fal… Çfarë? Çfarë po thoje?”

Ajo tundi kokën dhe picërroi sytë. “Nuk ishe duke më dëgjuar, apo jo?”

Ana, si shumë vajza të tjera, edhe ajo është vetëshpallur si vajza e babit. Gjatë gjithë jetës së saj, ai ka qenë prindi që i plotësonte çdo dëshirë. “Unë jam fiks si babi”, thoshte gjithmonë ajo. “Përveç kësaj, Nathani është i preferuari yt, gjithsesi.”

UPS! Nuk doja të më akuzonin se po luaja kush është fëmija i preferuar. Pas vdekjes së burrit tim para disa kohësh, i kam mbajtur fëmijët më shumë se kurrë pranë vetes. Si mund ta përmirësoja marrëdhënien me vajzën time të rritur dhe ta drejtoja atë te Krishti?

Kohët e fundit, i kërkova Anës, e cila tani është 22 vjeç dhe studion në Kolegjin e Besëlidhjes, të më tregonte nëntë gjëra që një nënë duhet të dijë për vajzën e saj të rritur. Kështu që ajo së bashku me shoqet e saj u mblodhën rreth tavolinës së bukës. Për mua, shumë nga ato që thanë, ngjajnë shumë me zbatimin praktik të Efesianëve 6.

1. Vajzat tuaja kuptojnë më shumë se sa mund ta mendoni

Ju ishit mësueset tona të para. Ne shikojmë se si silleni me miqtë dhe të huajt, dhe më e rëndësishmja, me baballarët tanë. Ne mësojmë nga ju se si duket një bashkëshorte e perëndishme dhe se si burrat duhet t’i trajtojnë gratë e tyre. Po, nuk mësojmë vetëm prej baballarëve se si burrat duhet t’i trajtojnë gratë, por edhe prej jush. Nënat, të cilat tolerojnë marrëdhëniet e dëmshme, shpesh rrisin vajza të cilat më vonë përfundojnë në këto marrëdhënie abuzive.

2. Na dëgjoni

Largojeni celularin, listën e gjërave që duhet të bëni dhe çelësat. Uluni dhe na shikoni në sy kur jemi duke folur. Është e vërtetë që ne ankohemi shumë, por kjo s’do të thotë domosdoshmërisht që kërkojmë ndihmën tuaj në çdo situatë. Shpesh kemi nevojë për dashuri, jo për këshilla. Të dëgjosh dikë, do të thotë të tregosh dashuri ndaj tij. A nuk i keni thënë të njëjtën gjë bashkëshortit tuaj? Të njëjtën gjë ju kërkojmë edhe ne.

Oh po, ndonjëherë as ne nuk ju dëgjojmë mirë, kështu që pse të mos përpiqemi të dyja të jemi dëgjuese më të mira dhe të biem dakord për ta ndihmuar njëra-tjetrën në këtë gjë?

3. Kemi edhe ne këshilla që mund t’i ndajmë me ju

Ndërkohë që mendoni se vetëm ju mund të na jepni këshilla nga mençuria juaj, ka edhe shumë gjëra të cilat mund t’i mësoni nga ne. Ju kujtohet fustani të cilin e paguat shumë? Duket më shumë si një rrobë e vjetruar që ka mbetur në dollapin tuaj. Mund të dini shumë rreth të veshurit në mënyrë modeste, por ne dimë diçka rreth modës. Nëse bashkojmë njohuritë tona, të dyja mund të dukemi më mirë. Me të vërtetë, edhe kur na kërkoni mendimin për gjëra që mund të duken si të rastësishme, na tregoni se ju i vlerësoni mendimet tona dhe mendoni se jemi të zgjuara. Kur respektoni mendimin tonë teksa veshim këpucët e të rriturave, na ndihmoni t’ju quajmë shoqe, si dhe nënë.

4. Kini besim te ne

Ne irritohemi shumë sa herë ju na rrini mbi kokë, na kritikoni dhe shqetësoheni për gjënë më të vogël. Nëse këto situata do përktheheshin në tulla, do bëheshin mjaft sa për të ndërtuar edhe një herë Murin e Madh të Kinës. Ne nuk e shikojmë këtë gjë si veprim i bërë me dashuri, por shohim një nënë e cila nuk ka besim se ne i bëjmë gjërat siç duhet, ose që nuk ka besim se Perëndia do na drejtojë. Qoftë ajo diçka aq e thjeshtë sa ç‘është pastrimi i kuzhinës apo aq e rëndësishme sa bërja e një zgjedhjeje në karrierë, mos harroni se tashmë jemi të rritura. Ne do bëjmë gjënë e duhur, të paktën të shumtën e herës, ndaj mos jini të fiksuara pas të pasurit gjërat në kontroll. Besojini Perëndisë, i Cili është gjithmonë në kontroll. Ai kujdeset për ne! Kështu na keni mësuar, ndaj duhet të jetë e vërtetë.

5. Jini modeli i faljes

Duhet ta mësojmë faljen kur ju shohim ju të karkoni falje. Na keni mësuar se jemi të gjithë mëkatarë dhe se Jezusi është i gatshëm që të na falë. Nëse ju kërkoni falje të parat, ne do bëjmë të njëjtën gjë. Mos kini frikë të na tregoni se jeni nëna për të cilën Jezusi vdiq për ta shpëtuar. Jini të guximshme duke mos pasur kurrë frikë ta pranoni kur jeni në gabim. Thonë se, kjo aftësi do të na vijë në ndihmë kur të martohemi—nëse do martohemi—por po dalim nga tema. Për këtë do të flasim në pikën 7.

6. Na inkurajoni

Nuk ka rëndësi sa vjeç jemi, kemi shumë nevojë për fjalët tuaja inkurajuese. Ju nuk na thoni shumë shpesh se mendoni që dolëm mjaft mirë. Mund të mos u kushtojmë vëmendje fjalëve në momentin që na inkurajoni, por do i kujtojmë fjalët tuaja atëherë kur frika do pushtojë shpirtrat tanë. Dhe na pushton—gjatë gjithë kohës.

7. Lërini djemtë të qetë

Nëse Joshua Harris u tha lamtumirë takimeve të njohjes dhe më pas arriti të martohej me një grua të perëndishme, pse vazhdoni të na bezdisni rreth kësaj çështjeje? Nëse jemi beqare, mos u shqetësoni, nuk e kemi harruar këtë gjë. E dimë që ju doni që të martohemi, dhe shumica prej nesh e dëshirojnë këtë gjë gjithashtu. Gjithsesi presioni që na bëni për të dalë me një djalë, nuk do të garantojë një martesë të perëndishme, në rregull? Në fakt, ndërhyrja që ju bëni, ndonëse mund të ketë qëllim të mirë, mund ta prishë marrëdhënien me djalin me të cilin dalim. Oh, edhe komentet, edhe shakatë që bëni më pas, na lëndojnë shumë. Marrim mjaft presion nga bota jashtë për takimet tona. Ju lutem, mos na e bëni më të vështirë.

8. Na pyesni për ecjen tonë frymërore

Ju lutem, na pyesni se çfarë po lexojmë nga Shkrimi i Shenjtë dhe na tregoni gjithashtu se çfarë po lexoni dhe ju. Përgjegjësia funksionon më mirë kur ndihemi të sigurta. Ishit personi i parë që na keni mbrojtur dhe na keni përkrahur. Nëse diskutoni me ne tani rreth ecjes tonë frymërore, atëherë do jeni personi tek i cili do vijmë me dyshimet dhe pyetjet tona. Dhe me siguri do kemi dyshime dhe pyetje, njësoj sikurse dhe ju. Veçanërisht, të dielave.

9. Ne shpesh harrojmë t’ju falënderojmë

Ne e dimë që nënat janë qenie njerëzore të mrekullueshme dhe për këtë shpesh harrojmë t’ju falënderojmë. Ndaj… faleminderit për netët e vona dhe orët e gjata pa gjumë, faleminderit që keni qenë për ne shofere taksie, shefe kuzhine, shërbyese dhe supi mbi të cilin kemi qarë. Kur të bëhemi vetë nëna një ditë, do vazhdojmë t’ju falënderojmë, po njësoj do veprojnë edhe nipërit dhe mbesat tuaja.

Shënim i fundit

Në komentarin e tij për letrën drejtuar Efesianëve, John Stott tregon se Pali e vë më shumë theksin mbi vetëpërmbajtjen e autoritetit prindëror dhe jo mbi të ushtruarit e tij. Ai shkruan: “Fëmijët duhet të binden… megjithatë ata kanë një jetë dhe një personalitet të tyren”. Pyes veten, këto vajza të rritura dhe Stott, a nuk janë duke thënë të njëjtën gjë?

Prandaj nëna, ja ku thuhet e gjitha, që nga brezi i ri deri te ne. Shpresoj t’ia vëmë veshin dhe ta marrim seriozisht.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/9-things-adult-daughters-want-their-mothers-to-know/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet