×

“Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë” (2 Pjetri 2:1)

Në fjalët e Pjetrit nuk ka ‘nëse’, ‘dhe’, ose ‘por’. Ai bën një deklaratë të qartë dhe të prerë. Kishte profetë të rremë mes popullit (të Izraelit në Dhjatën e Vjetër). Kjo tashmë ishte pjesë e historisë. Profetët e rremë ishin problem i vazhdueshëm në Dhjatën e Vjetër dhe ata që në mënyrë të rreme pretendonin që ishin profetë të Perëndisë, duhej të vriteshin me gurë. Populli rrallëherë e kishte vullnetin që të merrej me ta, prandaj u shumuan, duke shkaktuar shkatërrim në jetën frymërore të popullit të Perëndisë.

Në të njëjtën mënyrë, Pjetri thotë: “Do të ketë midis jush mësues të rremë”. Vini re fjalët “mes jush”. Pjetri po i shkruan kishës dhe po i thotë: “Do të ketë mes jush profetë të rremë”. Ai pra, nuk është duke folur për njerëzit e Epokës së Re në televizion. Ai është duke folur për njerëzit në kishën lokale, për anëtarët e bashkësisë lokale.

Nuk ekziston një gjë e tillë, si një kishë e pastër në këtë anë të qiellit. Nuk keni për ta gjetur dot! Gruri dhe egjra rriten bashkë. Warren Wiersbe shkruan:

Satani është falsifikuesi… Ai ka një ungjill të rremë (Galatasve 1:6-9), i cili predikohet nga shërbyesit e rremë (2 Korintasve 11:3-12) dhe prodhon të krishterë të rremë (2 Korintasve 11:26)… Satani mbjell falsifikimet e tij kudo që Perëndia mbjell besimtarët e vërtetë (Mateu 13:38).

I vërtetë apo fals?

Si do ta përshkruanit ju krishterimin fals?

Tek 2 e Pjetrit 1 lexojmë për besimtarët e vërtetë dhe tek 2 e Pjetrit 2 lexojmë për besimtarët e rremë. Nëse i vendosni këta kapituj krah për krah, do të dalloni ndryshimet mes besimtarëve të vërtetë dhe atyre të rremë

1. Burim i ndryshëmPrej nga vjen mesazhi?

Pjetri thotë: “Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij” (1:16). Pastaj thotë se mësuesit e rremë ju shfrytëzojnë “me fjalë të shpifura” (2:3). Prandaj, burimi i mësimit të mësuesit të vërtetë është Bibla. Mësuesi i rremë mbështetet te krijimtaria e tij. Ai e shpik mesazhin e vet.

2. Mesazhe të ndryshme Cili është thelbi i mesazhit?

Për mësuesin e vërtetë, Jezu Krishti është qëndror. “Ne kemi gjithçka që na nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë në Të” (1:3). Për mësuesit e rremë, Jezusi gjendet në periferi: “Të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu” (2:1).

Vini re fjalën fshehurazi. Është gjë e rrallë që dikush në kishë të mohojë haptazi Jezusin. Lëvizja larg qendërsisë së Jezusit është graduale. Mësuesi i rremë do të flasë për mënyrën se si njerëzit e tjerë mund t’ju ndihmojnë të ndryshoni jetën tuaj, por nëse dëgjoni me kujdes atë që thotë, do të dalloni që Jezu Krishti nuk është thelbësor në mesazhin e tij.

3. Pozitë e ndryshme Çfarë lloj njerëzish prodhon mesazhi?

I krishteri i vërtetë “i shpëton prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (1:4). Shikoni se si Pjetri e përshkruan të krishterin e rremë: “ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllavi i atij që e mundi” (2:19). Besimtari i vërtetë i shpëton prishjes, kurse besimtari i rremë zotërohet prej saj.

4. Karakter i ndryshëm Çfarë lloj njerëzish prodhon mesazhi?

Besimari i vërtetë ndjek mirësinë, njohurinë, vetë-kontrollin, këmbënguljen, perëndishmërinë, dashurinë vëllazërore dhe dashurinë (1:5). I krishteri i rremë karakterizohet prej arrogancës dhe shpifjes (2:10). Ata janë “të stërvitur në lakmime” dhe “sytë i kanë plot me kurorë shkelje” (2:14). Ata gjithashtu “përbuzin autoritetet” (2:10). Kjo është karakteristikë e përgjithshme e një besimtari të rremë.

5. Apel i ndryshëm Pse ta dëgjoni mesazhin?

Mësuesi i vërtetë i apelohet Shkrimit: “Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë t’i kushtoni kujdes” (1:19). Perëndia ka folur dhe mësuesi i vërtetë i apelohet Fjalës së Tij. Mësuesi i rremë bën një apel krejt të ndryshëm: “Me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim” (2:18). Prandaj, mësuesi i vërtetë pyet: “Çfarë ka thënë Perëndia në Fjalën e Tij?” Mësuesi i rremë pyet: “Çfarë dëshirojnë njerëzit të dëgjojnë? Çfarë do ta tërheqë mishin e tyre?”

6. Fryt i ndryshëm Çfarë rezultati ka mesazhi në jetët e njerëzve?

Besimtari i vërtetë është i efektshëm dhe prodhimtar në njohurinë e tij apo të saj për Jezu Krishtin (1:8). Kurse besimtari i rremë është “burim pa ujë” (2:17). Kjo është një tablo e jashtëzakonshme! Ata premtojnë shumë, por prodhojnë pak.

7. Fund i ndryshëmKu të çon në fund mesazhi?

Ku ju çon në fund mesazhi?

Këtu dallojmë kontrastin më tronditës nga të gjithë. Besimtarët e vërtetë do të përjetojnë që “begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (1:11). Besimtari i rremë do të përjetojë “shkatërrim të shpejtë” (2:1). “Por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.” (2:3)

Jezusi na thotë se do të ketë shumë që kanë qenë përfshirë në shërbesë në emrin e Tij, të cilëve do t’u thotë: “Largohuni prej meje, unë nuk ju kam njohur kurrë” (Mateu 7:21). Kush janë këta njerëz? Sigurisht që Pjetri i përshkruan ata në pjesën e mësipërme.

Mos u tregoni naivë

Nuk duhet të jemi të paditur: “Do të ketë mësues të rremë edhe mes jush” (2:1). Prandaj, si ta zbatojmë këtë paralajmërim?

Së pari, deklarata e qartë e Pjetrit na kujton që kisha ka nevojë të mbrohet. Mes shumë njerëzve të mrekullueshëm që hyjnë përmes dyerve të kishës çdo vit, disa prej tyre do të shkaktojnë më tepër dëm se sa dobi.

Ata mund të duken si njerëzit më të mirë, por nuk besojnë në autoritetin e Biblës apo në ekskluzivitetin e shpëtimit në Krishtin. Ne i mirëpresim njerëz të tillë, për shkak se kanë nevojë për Krishtin po aq sa dhe ne, por nuk duhet t’i lejojmë që të kenë ndikim në kishë.

Së dyti, skeptikët do jenë gjithmonë në gjendje që të tregojnë hipokrizinë dhe mospërputhjet në kishë. Këtë gjë e kanë bërë gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë. Një prej arsyeve më të çuditshme për të mos e ndjekur Krishtin është pak a shumë e tillë: “Në kishë kam parë njerëz hipokritë”. Prandaj, ju nuk do ta ndiqni Krishtin për shkak se disa nga njerëzit që thonë se e ndjekin Atë, janë hipokritë?

Ekzistenca e asaj që është false nuk është kurrë arsye e mirë për të mohuar të vërtetën. Në thelb Pjetri po na thotë: “Sigurisht që ka të krishterë të rremë. Sigurisht qe ka mësues që i shkaktojnë më tepër dëm kishës se sa dobi. Çfarë tjetër mund të prisni në këtë botë të rënë? Rrituni pak! Mos u tregoni naivë! Mos t’ju shpëtojë ajo që është kaq e thjeshtë, për shkak se keni parë atë që është false”.

Herën tjetër që të takoni dikë që kapet pas këtij justifikimi, lexojini 2 e Pjetrit 2:1.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading