×

Katër arsye përse duhet t’i shtoni kalendarit të kishës suaj një takim të rregullt lutjeje

Nëse mund t’i shtonit një gjë tjetër kalendarit të kishës, çfarë do të ishte ajo? Një fundjavë për gratë, apo një mëngjes për burrat? Një seminar ungjillëzimi? Grupe komuniteti? Një shërbesë të shtunave mbrëma për ata që mezi zgjohen në mëngjes? Një studim biblik në mesjavë?

Këtë pyetje ia kam bërë vazhdimisht vetes, që nga momenti kur mbërrita në kishën time të re vjeshtën e kaluar. Edhe pse shumë nga këto sugjerime janë të lavdërueshme, unë bashkë me pleqtë e kishës bëmë që kisha jonë të nisë një takim të rregullt lutjeje të dielave mbrëma.

Takim lutjeje, seriozisht? Tingëllon si diçka e çuditshme dhe jashtë mode, gjë të cilën të krishterët e bënin para shpikjes së elektricitetit, kur jeta ishte më e thjeshtë, kishat ishin më të vogla dhe kalendarët nuk ishin tejmbushur nga aktivitetet sportive të fëmijëve tanë.

Ky vendim në fakt është pritur me njëfarë kundërshtimi. Erdhi një anëtar dhe më tha se ne tashmë luteshim goxha. Ai mendonte se kohët e lutjes gjatë shërbesës së mëngjesit ishin mjaft të gjata. Ato e pengonin grupin muzikor që të kapte një ritëm të mirë, dhe e ndërprisnin përjetimin e adhurimit. Të tjerë më kanë sugjeruar që kjo mund të ngjallë legalizëm, duke u dhënë njerëzve diçka tjetër që duhet ta bëjnë. Të tjerë shprehën shqetësime se kjo mund ta pengojë komunitetin, pasi disa individë mund ta lënë grupin e vogël për të shkuar në takimin e përbashkët të lutjes.

Pra, përse duhet një mbledhje që i dedikohet kryesisht lutjes së përbashkët? Më lejoni t’ju ofroj katër arsye.

1. Një takim i tillë u kujton njerëzve tanë rëndësinë e lutjes.

Njerëzit tanë nuk e kanë të vështirë të regjistrohen për një ngjarje, apo të angazhohen në një grup të vogël. Me qindra gra erdhën në fundjavën e fundit që bëmë për to. Shumë burra morën pjesë në mëngjesin e burrave dhe në takimin me temë Kisha Sekrete. Pra, përse vallë kaq shumë njerëz treguan hezitim për t’u mbledhur për lutje të përbashkët? Përse takimi i lutjes në shumë kisha është braktisur?

E thënë troç, lutja nuk është tërheqëse. Nuk është argëtuese. Shpesh nuk është e lehtë apo e rehatshme; kërkon punë dhe përpjekje. Ja pse Jezusi na dha shëmbëlltyrën e vejushës këmbëngulëse te Luka 18, për të treguar “se duhet të lutemi vazhdimisht pa u ligështuar”. Ne jemi mësuar të na mëkojnë me muzikë dhe video, me podkaste dhe predikime. Por lutja kërkon t’i largohemi botës dhe ta vëmë në punë mendjen.

Këtë duhet të bëjmë — jo vetëm si individë, por së bashku, në mënyrë kolektive. Te Mateu 21, Jezusi i kritikon ashpër njerëzit që e kishin kthyer tempullin në një pazar të hapur. Ai thotë: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje” (Mateu 21:13). Sipas Dhiatës së Re, kisha është tempulli i Frymës së Perëndisë (1 e Korintasve 3:16). Prandaj, a janë kishat tona shtëpitë e lutjes që kërkon Perëndia të jenë? A i kushtojmë kohë asaj? A i japim përparësi përkushtimit për t’u lutur bashkë? Apo mos vallë lutja jonë e përbashkët bëhet sa për të mbushur kohën ndërmjet këngëve?

Robert Murray M’Cheyne e tha me vend: “Ky është njeriu dhe asgjë më tepër, përgjërues i gjunjëzuar në lutje përpara Perëndisë së tij”. Po sikur ta masim kishën tonë me këtë standard? Çfarë do të tregonte kjo për ne? Lutja e përbashkët u ngulit njerëzve tanë rëndësinë që ka lutja, si dhe domosdoshmërinë e saj absolute. Përderisa lufta jonë është kundër forcave frymërore, ajo ka nevojë për armë frymërore — dhe çfarë arme më e pushtetshme ekziston sesa lutjet, jo e njërit, por madje e dhjetrave, qindrave dhe e mijëra besimtarëve?

2. Kjo u jep njerëzve shembullin se si të luten.

Më kujtohet hera e parë që u luta publikisht. Isha besimtar i ri, i pushtuar nga frika dhe nuk dija se çfarë të thosha. Prandaj çfarë bëra? Kopjova atë që dëgjova të thoshin të tjerët.

Përveç studimit të lutjeve të Danielit, Palit, Anës apo Marisë, asgjë nuk i mëson njerëzit tanë si të luten aq sa lutjet që ata dëgjojnë nga besnikët në kishë. Nëse duam që njerëzit tanë të luten biblikisht e në mënyrë të menduar mirë, nëse duam të luten me respekt, plot nderim dhe dashuri personale, atëherë duhet ta modelojmë lutjen si bashkësi. Siç vëren me vend D. A. Carson-i: “Zgjidhni modele, por zgjidhini me urtësi. Studioni përmbajtjen e tyre, thellësinë, pasionin dhe vajosjen e tyre — por mos imitoni edhe shprehjet e tyre”.

3. Kjo i bashkon njerëzit tanë rreth qëllimeve të Perëndisë.

Prej natyre jemi narsicistë. Nuk e kemi problem të lutemi për nevojat tona, për gjërat që duam dhe dëshirojmë. Dhe nuk është gabim ta bësh këtë. Duhet ta bëjmë. Megjithatë, sa mjerane është jeta jonë e lutjes, veçanërisht ajo e lutjes së përbashkët, kur ajo është e mbushur vetëm nga këto shqetësime. Fundja, nuk jemi ne domethënia e historisë njerëzore. Nuk është shëndeti dhe lumturia jonë qëllimi i historisë së njerëzimit. Kisha dhe begatia e saj janë qëllimi i historisë së njerëzimit (Efesianëve 3:1-13).

Kur mblidhemi për të theksuar rëndësinë e frymërores përmbi fiziken, aspektin e përbashkët përmbi individualin, ne i bashkojmë njerëzit tanë rreth qëllimit të Perëndisë për kishën e tij. Lutja e përbashkët shton interesimin për unitetin tonë si bashkësi dhe për dëshminë tonë të përbashkët.

4. Kjo i përgatit njerëzit tanë për veprën e Perëndisë.

Lutja e përbashkët e kishës ishte tipar i shumë prej lëvizjeve të mëdha në librin e Veprave të Apostujve. Lutja karakterizoi jetën e tyre në ditën e Rrëshajëve (2:42). Ajo i mbushi besimtarët me Frymën për ta shqiptuar guximshëm Fjalën e Perëndisë (4:31). Lutja shoqëroi caktimin e dhjakëve të parë (6:6), përhapjen e ungjillit te samaritanët (8:15), madje edhe vegimin e Pjetrit për përhapjen e Ungjillit ndër johebrenjtë (10:9). Në fakt, ishte lutja e kishës ajo që çoi në lirimin e Pjetrit nga burgu (12:5)!

Miq, lutja i ndryshon gjërat! Ja pse Pali e merr të mirëqenë që kisha do të lutej së bashku, si burrat ashtu dhe gratë (1 e Korintasve 11, 14). Lutja është mjeti i caktuar nga Perëndia për të arritur synimet e tij të mbinatyrshme. Lutja është sa personale, aq edhe e fuqishme. Ashtu sikurse Jezusi u kujtoi dishepujve të tij, ka disa pengesa të cilat nuk mund të mposhten me asgjë tjetër përveç lutjes (Marku 9:29).

Miq, siç thotë Jamie Dunlop në librin The Compelling Community [Komuniteti bindës]: “Perëndisë i pëlqen ta mbrojë reputacionin e tij. Kur ne lutemi së bashku, nevojat tona bëhen të njohura. Kur ai përgjigjet, lavdia e tij bëhet e njohur”. Lutja i përgatit njerëzit tanë për veprën e Perëndisë.

TAKIMI YNË I PARË I LUTJES

Muajin e kaluar bëmë takimin e parë të lutjes të së dielës mbrëma, të paktën të parin prej shumë kohësh. Patëm mjaft momente të sikletshme dhe gafa, teksa e zhvilluam takimin. Nuk shkoi saktësisht siç e kisha planifikuar, dhe pjesa më e madhe e fajit bie mbi mua!

Por, s’ka problem. Sepse ne, populli i Perëndisë, u lutëm me anë të fuqisë së Perëndisë. Ne bëmë atë që asnjë popull apo institucion tjetër mbi tokë nuk ka privilegjin ta bëjë. Këtë do ta bëjmë sërish. Do të shohim, do të presim me padurim atë që Perëndia do të bëjë për lavdinë e tij.

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/4-reasons-you-should-add-a-regular-prayer-service-to-your-church-calendar/

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2024

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet