×

5 mënyra që Jonathan Edwards na mëson për të këshilluar pastorët e ardhshëm

Pastorët janë thirrur për shumë përgjegjësi; për drejtimin dhe mbikëqyrjen e bashkësisë, predikimin dhe mësimin e ungjillit, kujdesin dhe këshillimin e pjesëtarëve. Megjithatë, ka një aspekt të nënvlerësuar të rolit të pastorëve dhe drejtuesve të krishterë në përgjithësi. Ky është të qenët mentorë.

Të qenët mentor, përfshin dishepullimin personal dhe praktik, dhe është veçanërisht i përshtatshëm për dëshirat e kishës moderne, për formim dhe intimitet; për drejtim dhe afrimitet. Mentorimi ka potencialin të promovojë jetë të shëndetshme në kishë, gjallëri në jetën dhe shërbesën e një pastori dhe zhvillim të drejtuesve të ardhshëm.

Por si mund të jemi këshilltarë të mirë? Cilat janë praktikat esenciale të një pastori mentor?

Mentorimi ka potencialin të promovojë jetë të shëndetshme në kishë, gjallëri në jetën dhe shërbesën e një pastori dhe zhvillim të drejtuesve të ardhshëm

Fatmirësisht, pastorët e sotëm nuk janë pa drejtim. Përveç Shkrimit dhe mentorëve personalë, historia e kishës siguron një trashëgimi mjaft të pasur me këshilla. Jonathan Edwards, për shembull, është një teolog i famshëm, ndaj natyrshëm ne nuk mendojmë se ka qenë i aftë si mentor.

Në librin e tij të fundit, “Edwards the Mentor”, autori Rhys Bezzant kërkon ta ndryshojë këtë perceptim të tij, duke shfaqur pse Edwards duhet të vlerësohet si një pastor mentor. Bazuar në librin e Bezzant, këtu janë pesë praktika që e karakterizonin qasjen strategjike të Edwards-it ndaj zhvillimit të pastorëve të ardhshëm.

1. Miqësia

Shumë njerëz e mendojnë Edwards-in si një teolog të ngurtë. Mirëpo, siç vë në dukje Bezzant-i, vizioni i Edwards-it ndaj lulëzimit të njeriut lidhet drejtpërsëdrejti me miqësinë; veçanërisht me ata për të cilët ishte këshillues.

Edward madje ia besoi vendimin e tij për të marrë presidencën e “College of New Jersey” (sot “Princeton”) të rinjve që ishin miqtë e tij dhe për shërbesën e të cilëve ishte mentor. Ai i mblodhi për të marrë këshillë personale, ndau shtysën e tij për ta refuzuar ofertën, e megjithatë e bëri të qartë se do t’i nënshtrohej urtësisë së vendimit të tyre të unifikuar. Ata ranë dakord që ai të pranonte poizicionin dhe Edward iu nënshtrua konsensusit të tyre. Miqtë e tij më të afërt u bënë një lloj komiteti kërkues për ta ndihmuar të shkonte në “Princeton”.

Për Edwards, në miqësitë e tij bashkoheshin shumë gjëra: urtësia, të qenët social, të paturit e një larmie zërash dhe një vëllazërie të krishterë të karakterizuar nga një besim i thellë te njëri-tjetri. Një nga mënyrat më të mira për të sjellë ndryshimin e ungjillit në kishë është duke pasur pastorë këshilles në themel të miqësive të krishtera.

2. Biseda

Samuel Hopkins, biografi i parë i Edwards, sugjeroi se biseda me miqësitë në të cilat ishte këshillues, ishte një nga mjetet e qëllimshme të trajnimit të tij.

Biseda është një këmbim i lirë idesh në kontekstin e një marrëdhënie respekti. Diçka e tillë ishte në modë në Londrën dhe New England e shek. XVIII dhe ndodhte në kafene, klube dhe mjedise të tjera publike. Megjithatë, Edwards e pa bisedën si më tepër se një aftësi e kulturuar: për të, ishte një mjet i hirit, një mënyrë për të kultivuar një identitet ungjilli në njëri-tjetrin duke diskutuar për Fjalën e Perëndisë.

Në marrëdhëniet e një mentori, biseda është diçka jetësore. Ajo dallon nga një leksion; ka më shumë të bëjë me zhvillimin e njerëzve se sa thjesht t’u thuash atyre çfarë të bëjnë. Siç përshkruan Bezzant, mënyra e bisedës së Edwards i lehtësonte të tjerët, duke krijuar një ndjesi vëllazërie. Të dëgjuarit mirë të njëri-tjetrit është një mënyrë e thjeshtë për të promovuar dinjitetin për të cilin jemi krijuar të gjithë.

Krenaria bën që të mos gëzohemi në të tjerët dhe të mos mësojmë aftësi të mira bisedore.

Fatkeqësisht, krenaria bën që të mos gëzohemi në të tjerët dhe të mos mësojmë aftësi të mira bisedore. Edwards pyeste veten se sa shumë do të rriteshim në perëndishmëri nëse njerëzit që janë injorantë nuk do të kishin turp ta pranonin injorancën e tyre dhe do të ishin të gatshëm të mësonin prej të tjerëve; nëse ata që kanë njohuri, do ta komunikonin atë pa krenari dhe pa shitur mend; dhe nëse të gjithë do të ishin më të predispozuar të merrnin pjesë në ato biseda që shërbejnë për shenjtërimin dhe udhëzimin e tyre të përbashkët.

3. Trajnimi praktik

Trajnimi praktik është mësimi i shërbesës në kontekstin e jetës reale, i modeluar qëllimisht për pastorë. Më të efektshme janë metodat që i japin më shumë vëmendje nevojave unike të nxënësit, se sa thjesht një transferimi njohurish. Bezzant shkruan: “Një masë pedagogjike nuk vlen për të gjithë. Kjo është gjëja gjeniale e një marrëdhënieje këshilluesi”.

Ja disa veçori të modelit të trajnimit praktik nga Edwards:

  • Edwards është i mirënjohur për thirrjet e tij të përsëritura për shqyrtim të vetes në dishepullim. Kjo e gjë hyri në mënyrë të pashmangshme në punën e tij si mentor. Ai donte të trajnonte nxënësit e tij që të trajnonin të tjerët, vetëm pasi kishin trajnuar veten (krahaso, 2 e Tim. 2:2) përmes zakoneve të përsëritura të agjërimit, lutjes, përulësisë, shqyrtimit të vetes dhe pendimit.
  • Edwards i ndihmoi nxënësit e tij pastoralë që të mësonin të mendonin biblikisht për hir të predikimit dhe në përgjithësi të shërbesës së tyre. Edhe me studentët që nuk ishin predikuesit më të mirë, Edwards qëndroi i përkushtuar në zhvillimin e aftësive të tyre oratorike dhe në të kuptuarin e tyre biblik-teologjik.
  • Edwards-i vlerësoi udhëzimin përmes dialogut. Për shkak se e kuptuara e tij e rolit të këshilluesit ishte e rrënjosur në miqësi dhe bashkëbisedim, metoda më e përshtatshme për të trajnuar studentët e tij ishte ajo sokratike e diskutimit dhe debatit. Ai pa të dëgjuarin dhe bërjen e pyetjeve, si aftësi me rëndësi për pastorët.

Duke qenë se shtëpia e krishterë është konteksti ideal për të qenë mentor dhe vendi ku Edwards e praktikoi shpesh, Bezzant e përshkruan eksperimentin e ri të Edwards në edukimin teologjik si një “seminar-në-kishë”—një shtëpi ku miqësia, doktrina dhe formimi shpirtëror bashkohen.

4. Letrat

Kur Edwards nuk mund të investonte në nxënësit e tij përmes bisedës dhe praktikës ballë-për-ballë, ai i udhëzoi ata përmes korrespondencës së shkruar. Letrat e tij mishëronin atë lloj “cilësish miqësore, bisedore dhe arsimore” që pritet nga zemra e një pastori.

Korrespondenca e tij e shkruar nuk merrej thjesht me çështje pastorale dhe teologjike. Edwards i shkroi letra nxënësit të tij, Joseph Bellamy, në lidhje me një sërë temash, që nga planet për të shitur dele deri te reflektimet mbi dinamikat martesore, nga diskutimet për dogmat e post-reformacionit deri te një kërkesë që Bellamy-i ta vizitonte së shpejti. Bezzant shkruan:

[Edwards-i] mund të preferonte bisedën ballë-për-ballë, por thelbi i marrëdhënies së një këshilluesi me nxënësit, mund të shprehet kënaqshëm edhe përmes postës, duke diskutuar një litani komentesh teologjike, shqetësimesh personale ose udhëzimesh administrative. Është besimi im që Edwards ishte një mentor i suksesshëm, veçanërisht ngaqë . . . në korrespondencën e tij . . . [ai jua besoi vete të tjerëve] me tonin e tij personal dhe pastoral.

Pastori modern ka shumë më tepër mundësi komunikimi: telefonata, postë elektronike, mesazhe dhe media sociale. Megjithëse shkrimi i një letre nuk është i përshtatshëm dhe aq praktik, por është shumë më kuptimplotë dhe i çmuar. Shkrimi i letrave personale, veçanërisht atyre të shkruara me dorë, mund të ketë një ndikim te drejtuesit e ardhshëm që zgjat për shumë kohë. Tani është një kohë e mirë që këshilluesit të rifitojnë artin e humbur dhe zakonin kundër kulturës për të shkruar letra.

5. Udhëheqja

Udhëheqja e krishterë është “sjellja heroike shpirtërore”, e vlefshme për t’u imituar, shkruan Bezzant. Udhëheqja duhet të formohet nga kryqi dhe ringjallja e Krishtit; prandaj do të përfshijë si shërbesën e kushtueshne edhe mbrojtjen plot shpresë.

Edwards besonte se sfidat e udhëheqjes pastorale kërkojnë devotshmëri dhe shërbim sakrifikues. Ose, siç reflekton Bezzant: “kohët e dëshpëruara kërkojnë udhëheqës të devotshëm”. Në një predikim shugurimi të viti 1743, me titull “Shqetësimet e mëdha për kujdestarët e shpirtrave”, Edwards i nxit dëgjuesit ta përqafojnë udhëheqjen e kushtueshme:

Dhe ndërkohë që ti, zotëri i dashur, qëndron në vendin e Krishtit ndaj njerëzve të Tij dhe vepron si ambasadori i Tij; a nuk duhet po atë frymë, po atë dashuri ndaj shpirtrave dhe të imitosh . . . gatishmërinë e Tij për të punuar, për ta mohuar veten dhe për të vuajtur, po, për të shpenzuar dhe për t’u shpenzuar për ta?

Udhëheqja përfshin dorëzimin e jetëve tona për nxënësit dhe miqtë tanë; të shpenzosh dhe të shpenzohesh për ta. Edwards argumenton se udhëheqja e krishterë duhet të përfshijë një vizion plot shpresë për lulëzimin e atyre ndaj të cilëve jemi mentorë. Ky vizion shpresëplotë për të ardhmen e bëri Edwards (dhe duhet të na bëjë ne), ta përdorim autoritetin pastoral për të mbrojtur veprueshmërinë, rritjen dhe efektshmërinë e atyre që aspirojnë të jenë pastorë dhe drejtues kishash.

Udhëheqja përfshin dorëzimin e jetëve tona për nxënësit dhe miqtë tanë; të shpenzosh dhe të shpenzohesh për ta.

Edwards pa në David Brainerd një nga shembujt më të mirë të udhëheqjes së kushtueshme dhe shpresëplotë të krishterë. Brainerd dha jetën e tij për ta çuar ungjillin te amerikanët vendas në Delaware dhe New Jersey. Edwards ishte aq i mahnitur me shembullin e Brainerd sa e nderoi thellë jetën e tij të shkurtër duke botuar ditarin personal të misionarit, të titulluar “The Life of David Brainerd”.

Brainerd mund të ketë qenë i vobektë dhe i sëmurë për vite të tëra, por kurrë nuk hoqi dorë. “Ai udhëhoqi duke çaluar, por udhëhoqi. Ndaj historia e tij gjallëroi breza të tërë shërbese misionare në shek. XIX,” shkruan Bezzant.

Veçmas. Posaçërisht. Ngushtësisht.

Bezzant zbuloi një frazë me tre fjalë kyçe në letrën e Edwards drejtuar Sir William Pepperrell që e përmbledh qasjen e tij ndaj mënyrës si të jesh mentor: “Veçmas, posaçërisht, ngushtësisht”.

  • Veçmas, do të thotë secilin me radhë. Do të thotë që drejtuesit e ardhshëm nuk prodhohen me mijëra si në një radhë fabrike. Ata farkëtohen përmes miqësive, bisedës dhe letrave kuptimplota.
  • Posaçërisht, do të thotë të përshtatura personalisht për secilin. Nuk ka dy drejtues të ardhshëm të njëjtë. Disa nxënës do të kërkojnë më shumë nga një gjë dhe më pak nga një gjë tjetër. Trajnimi për shërbesë duhet të jetë i kalibruar sipas drejtuesit që po formohet.
  • Ngushtësisht, do të thotë që aty përfshihet një eksperiencë reale e përbashkët. Miqësitë, vaktet, të qenët social, zhgënjimet, e qeshura, besimi dhe respekti i përbashkët, janë të domosdoshme për të pasur një ndikim që zgjat ndaj atyre për të cilët je mentor.

“Veçmas, posaçërisht, ngushtësisht “ është një vizion madhështor për të gjithë ata që shpresojnë të investojnë në brezin e ardhshëm të pastorëve, misionarëve, kishëmbjellësve dhe drejtuesve të tjerë. Perëndia na ndihmoftë që ta trajnojmë mirë brezin e ardhshëm.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet