Historia e Kalit të Trojës është mjaft e njohur. Për 10 vjet, luftëtarët e Greqisë së lashtë kishin rrethuar qytetin e Trojës, por mbrojtësit e palëkundur i rezistuan sulmeve të tyre. Më në fund, Greqia hoqi dorë nga sulmi ballor, dhe zgjodhi të përdorte mashtrimin. Ata ndërtuan një kalë të madh prej druri, futën një bandë sulmuesish në barkun e tij dhe u tërhoqën mbrapsht.
Të bindur se kundërshtarët e tyre ishin dorëzuar dhe duke pasur një kureshtje të madhe rreth kalit, burrat trojanë e tërhoqën statujën e madhe në qytetin e tyre dhe shkuan të flenë. Atë natë grekët dolën nga barku i kalit dhe e mposhtën Trojën duke sulmuar nga brenda.
Satani ka futur një kalë Troje në martesat tona. Atë që nuk mund ta arrijë përmes sulmeve ballë për ballë, si tradhtia bashkëshortore ose zemërimi i pakontrolluar, ai e arrin me anë të kësaj arme tinëzare dhe të fshehtë. Dhe shumë prej nesh, ashtu si banorët e Trojës, nuk e zbulojmë atë derisa ta ketë bërë punën e saj vdekjeprurëse. Autori i Hebrenjve e quan këtë armë të fshehur si: “rrënja e hidhur”.
“Duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz.” (Hebrenjve 12:15)
Qejfmbetje të vogla, ndikim i madh
Rrënja e hidhur është e fuqishme dhe veçanërisht tinëzare, pasi shpesh ajo vjen përmes mënyrave delikate—siç është grumbullimi i ngadaltë i qejfmbetjeve të vogla. Gjithsesi një hidhërim i tillë kërcënon të ndotë jo vetëm martesën, por dhe marrëdhënien tuaj me Perëndinë.
Jam duke iu referuar në mënyrë të veçantë qejfmbetjeve dhe lëndimeve ‘të përditshme’, të cilat janë pjesë e të jetuarit në një marrëdhënie të ngushtë me një person tjetër mëkatar dhe jo mëkateve shkatërruese të tilla si abuzimi ose shkelja e kurorës. Kjo do të kërkonte një diskutim shumë më të hollësishëm dhe është përtej qëllimit të këtij artikulli.
Për shembull, pavarësisht porosive të shumta, bashkëshorti i hedh rrobat e tij të palara në dysheme duke e ditur se gruaja e tij do t’i ngrejë. Ajo ndihet e nënvlerësuar. Një grua e cila as që e mendon të humbasë ndonjë nga aktivitetet e fëmijëve të saj, nuk tregon interes të dalë për darkë me bashkëshortin. Ajo i do më shumë fëmijët, sesa atë. Bashkëshorti ndihet i shfrytëzuar, i nënvlerësuar dhe i parëndësishëm.
Është mjaft e qartë se abuzimi dhe shkelja e kurorës shkatërron martesat, por është më pak e dukshme për ne se, nëse i grumbullojmë në zemër qejfmbetjet e vogla, ato ngadalë mund të na çojnë në hidhërim dhe mund të shkatërrojnë shëndetin martesor.
Çiftet e mençura ruhen nga fuqia e hidhërimit, pasi ajo mund të shuajë dashurinë, të mbysë intimitetin dhe zbehë gëzimin. Kur dëgjoni shprehjen: “Nuk e dua më gruan time”, shpesh arsyeja e kësaj është hidhërimi i grumbulluar. Megjithatë, autori i Fjalëve të Urta thotë: “Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.” (Fjalët e Urta 19:11)
Në vitet e vrullshme kur pesë fëmijët tanë ishin ende të vegjël, unë dhe gruaja ime morëm pjesë në një konferencë çiftesh. Kishim nevojë të qëndronim vetëm. Judy ishte shumë e trazuar nga presionet e rritjes së fëmijëve tanë, saqë kishte pak energji emocionale për mua. U ktheva në shtëpi i mbushur me qejfmbetje. Pas disa ditësh e kuptova problemin, u pendova për hidhërimin tim, vendosa të mos i vija re sjelljet e Judy që i cilësoja si ofendim ndaj meje dhe fillova të kërkoja mënyra se si mund t’i shërbeja asaj.
Një hidhërim i tillë për të nuk pendohemi, mund të jetë një top i madh frymëror prej dëbore, që në fund rrokulliset e shtyp çdo gjë që i del përpara.
Kur një bashkëshorte e kritikon burrin e saj padrejtësisht; ai në vend që ta dëgjojë, i mbetet qejfi. Bashkë me këtë, mblidhen edhe pakënaqësi të tjera, të cilat më pas grumbullohen dhe inati bëhet gjithnjë e më i madh. Kur një bashkëshort nuk e telefonon gruan asnjëherë kur do vonojë të vijë në shtëpi, ajo krijon qejfmbetje tek ai. Pasi grumbullohen edhe pakënaqësi të tjera, tre vjet më vonë ata përfundojnë duke fjetur në dhoma të ndara.
Mosgatishmëria për të falur dhe për të mos marrë parasysh qejfmbetjet e vogla, do të ndotë gjithashtu edhe marrëdhënien tonë me Perëndinë. Jezusi jep një paralajmërim të fortë:
“Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.” (Mateu 6:14–15)
Dhe Shkrimi është i qartë se “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh” (1 e Pjetrit 4:8) dhe një njeri i mençur është i gatshëm t’i kapërcejë fyerjet (Fjalët e Urta 19:11), por si vihet në jetë kjo gjë ditë për ditë, brenda marrëdhënies tokësore më të ngushtë midis dy mëkatarëve? Ka të paktën katër mënyra se si ne mund ta luftojmë hidhërimin në martesat tona.
1. Punoni me aftësinë për ta parë mëkatin tuaj përmes syve të Perëndisë
Arma kryesore në këtë luftë është aftësia për të parë mëkatin tim, jo atë të bashkëshortes. Gatishmëria juaj për të falur do jetë në përpjesëtim të drejtë me aftësinë tuaj për të parë malin e mëkatit të cilin Krishti ju ka falur—me një kosto të pafundme për Të.
Për shumë vite, nuk i merrja seriozisht mëkatet e mia përpara Perëndisë, por ato që bashkëshortja bënte ndaj meje. Nuk po e shihja mëkatin tim ashtu siç e shihte Perëndia, ndaj nuk gjeja arsye për ta falur bashkëshorten. E megjithatë pas 14 vitesh martesë, fillova të lexoja predikimet e Jonathan Edwards. Ai më ndihmoi të shihja shenjtërinë e Perëndisë dhe madhësinë gjigande të mëkatit tim. Kur pashë malin e mëkatit sa Everesti, të cilën Perëndia më kishte falur, kuptova se mëkatet e bashkëshortes time ishin sa një grumbull rëre. Si mund të zemërohesha qëllimisht ndaj saj, kur mëkatet e saj ishin aq të vogla krahasuar me të miat? Përgjegjëse për hidhërimin tim ndaj bashkëshortes ishte verbëria ndaj madhësisë së mëkatit tim.
Krenaria është rrënja e pjesës më të madhe të hidhërimit. Krenaria më bën ta shoh mëkatin tim në mënyrë të mjegullt, dhe atë të gruas time me qartësi prej kristali. Kjo lloj vetë-drejtësie është vdekjeprurëse për martesën dhe nuk e motivon faljen. Të krishterët falin sepse Perëndia i ka falur ata së pari. Në fund të fundit, falja e Krishtit, e siguruar për ne në kryq, na jep mundësinë të falim.
2. Kuptoni se falja shpesh është më shumë një vendim sesa një ndjenjë
Kjo armë e dytë mund të jetë më e vështirë. Shumë shpesh, edhe pasi bashkëshortja apo bashkëshorti ynë pendohet, ne falim dhe marrim falje, por lëndimi nuk kalon. Zemërimi është ende aty, plaga është ende e hapur, dhimbja ende e freskët.
Ne nuk mund t’i mbajmë dot në kontroll ndjenjat tona, por mund të kontrollojmë vendimet tona. Ajo çfarë Perëndia kërkon është që të jemi të gatshëm të falim gabimet e bashkëshortit/es në mënyrë të vazhdueshme dhe me këmbëngulje, duke e ditur që edhe ne jemi mëkatarë.
3. Ngulmoni derisa ndjenjat të vijnë nga pas
Kur Pjetri e pyeti Jezusin nëse duhej ta falte armikun e tij shtatë herë, Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë” (Mateu 18:22). “Shtatëdhjetë herë shtatë” është një simbolikë biblike e një këmbënguljeje që nuk mbaron. Me fjalë të tjera, falni, falni dhe mos ndaloni. Ka shumë raste, në çdo martesë të perëndishme, kur dy bashkëshortë duhet të pendohen dhe ta falin njëri-tjetrin në mënyrë të përsëritur, derisa mëshira e Perëndisë ta tretë lëndimin që ka cënuar intimitetin e tyre.
Tregojini bashkëshortit/es se si ndiheni. Ndjenjat tuaja kanë rëndësi—madje edhe më shumë se mëkatet më pak të dukshme. Mos i mbani ato brenda vetes. Jini të sinqertë. Tregojini bashkëshortit/es tuaj se pse mendoni se ai/ajo ka mëkatuar kundër jush. Jini të përulur ndaj njëri-tjetrit dhe atje ku është e nevojshme punoni drejt pendimit, drjet faljes së plotë dhe drejt pajtimit.
4. Jini të hapur ndaj mundësisë që ndjenjat tuaja të lënduara dhe hidhërimi mund të jetë i pajustifikueshëm
A është e mundur që të jeni të lënduar nga diçka që nuk duhet? Ne asnjëherë nuk i shohim motivet e zemrës së të tjerëve me një vizion të qartë dhe shpesh e mashtrojmë veten.
A keni pritshmëri ndaj bashkëshortit/tes tuaj për gjëra të cilat nuk është në përgjegjësinë e tyre për t’i bërë? Në këtë rast, zgjidhja është të pendoheni për faktin që jeni lënduar ose hidhëruar. Është e rëndësishme që të jemi gjithmonë të gatshëm të shqyrtojmë zemrat tona kur hidhërimi fillon të na mbijë në zemër.
Një burrë të cilin e këshillova ishte i mërzitur sepse ndiente se intimiteti seksual me gruan e tij nuk ishte aq i shpeshtë. Zemërimi i tij ndaj saj kishte vluar për muaj të tërë, derisa në fund e kuptoi se pritshmëria e tij ishte e paarsyeshme dhe se hidhërimi që kishte ndaj saj ishte një zemërim mëkatar. Ishte ai personi i cili kishte nevojë për pendim, jo gruaja e tij. Kështu që i kërkoi falje dhe ajo e fali. Ne duhet të kemi kujdes nga pritshmëritë e paarsyeshme—sepse ato mund të na nxisin të dallojmë mëkat te të tjerët, kur në fakt nuk ka një të tillë te ta, dhe kërkojnë pendim atje ku ai ose ajo nuk ka pse të pendohet. Edhe kjo gjë mund të çojë në hidhërim shkatërrues.
Vështroni te Jezusi
Mos u bëni si qytetarët e Trojës antike. Fitoren që Greqia nuk mundi ta merrte nga sulmi ballor, e fitoi përmes mashtrimit. Djalli do përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me ne. Ai do të vrasë intimitetin tuaj martesor, duke përdorur armën e fshehtë të hidhërimit, në ato çështje të cilat mund të jenë në dukje të vogla.
Mbi të gjitha, mbajini sytë te kryqi. Falni pa reshtur, për hir të Krishtit. Flisni së bashku për këto gjëra. Falni vazhdimisht, dhe rrënja e hidhërimit nuk do të ndotë gëzimin tuaj martesor.
Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/3-ways-battle-bitterness-marriage/
Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021