×

Pak kohë më parë, dëgjova historinë e një burri që po kryente dënimin për vjedhje. Në burg, ai dëgjoi për Krishtin dhe u kthye në besim, duke u transformuar në një njeri të ri në Tv.

Teksa afrohej koha e lirimit, ai e dinte që do të joshej nga jeta e vjetër. Miqtë do të përpiqeshin ta tërhiqnin dhe nuk do ta kishte të lehtë të ndahej me jetën e shkuar.

E para gjë që donte të bënte në lirim, ishte të adhuronte Zotin. Mëngjesin e së dielës së parë si njeri i lirë, hyri në një kishë dhe u ul diku në rreshtat e fundit të ndërtesës së vjetër. Ndërsa shikonte përreth, sytë i zunë një pllakë ku shkruheshin Dhjetë Urdhërimet. Sytë u ndalën tek ato fjalë që dukej se e dënonin: “Mos vidh!” (Eksodi 20:15).

“Kjo është gjëja e fundit që më duhet,” mendoi. “I njoh mirë dobësitë që kam, dështimet dhe mundimin që do të më duhet për tu larguar nga jeta e vjetër”.

Ndërsa filloi shërbesa, ky burrë nuk i shqiste sytë nga fjalët mbi atë pllakë, dukej sikur ato fjalë po merrnin një kuptim të ri, diçka që nuk e kishte vërejtur më parë. Në të shkuarën, i kishte njohur këto fjalë si urdhër i prerë: “Mos vidh!”. Tani, dukej sikur Perëndia po ia thoshte këtë fjalë si një premtim të mrekullueshëm: “Mos vidh”. Sikur i pëshpëriste: “Ti je një krijesë e re në Krishtin, ndaj nuk do t’i kthehesh më jetës së vjetër. Fryma e Shenjtë jeton në ty dhe do të të udhëheqë në një jetë të re, ku nuk do të vjedhësh më”.

Shëmbëlle karakterin e Tij

Kjo histori më bëri t’i shoh Dhjetë Urdhërimet në një dritë të re. Më ndihmoi të rrok qëllimin e mrekullueshëm të Perëndisë për ata që janë në Krishtin: që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës (Romakëve 8:4).

Fryma e Shenjtë na është dhënë ne besimtarëve për të jetuar një jetë që me hirin e Perëndisë, të mos vjedhim, të mos vrasim, të mos kryejmë tradhti bashkëshortore, të mos bëjmë dëshmi të rreme. Në vend të kësaj, ne do të gjejmë gëzim, do të shfaqim nderim për prindërit, për shkak se e duam Perëndinë siç është, i besojmë dhe e çmojmë emrin e Tij, i ofrojmë veprën dhe adhurimin tonë, dhe e nderojmë Atë si Zoti sovran i jetës sonë.

Thirrja dalluese për njerëzit e shpenguar të Perëndisë është që ne të shfaqim karakterin e Tij në botë. Dhjetë Urdhërimet na japin një përngjasim të kësaj. Nëse shtroni pyetjen: Pse nuk duhet të kryejmë kurorëshkelje? Përgjigjja është, sepse Perëndia është besnik. Nëse bëni pyetjen se pse nuk duhet të lakmojmë; përgjigjja është, sepse Perëndia është i vetëmjaftueshëm. Nëse pyetja është: Pse të mos bëjmë dëshmi të rreme?; përgjigjja është: Fjala e Perëndisë është e vërteta. Perëndia nuk gënjen kurrë!

Dhjetë Urdhërimet janë një udhërrëfyes për një jetë sipas Frymës.

Ndërsa kërkoni një jetë që e reflekton karakterin e Perëndisë, Fryma do t’ju kthejë te Dhjetë Urdhërimet. “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re”, premtoi Zoti. “Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia” (Ezekieli 36:26-27).

Fillimet e vogla

Treguesi i parë i pranisë së Frymës në jetën tënde është dashuria e thellë për Perëndinë dhe dëshira për t’i dhënë Atij kënaqësi, duke dashur dhe duke iu shërbyer të tjerëve. Kjo do të jetë beteja më e madhe në jetën tuaj dhe ndërsa e nisni këtë udhëtim, duhet ta dini që një gjë e tillë është e mundur.

Katekizmi i Hajdelbergut e trajton këtë çështje që në fillim:

Pyetje: A mundet që ata të cilët i kthehen Perëndisë, t’i mbajnë përsosmërisht këto urdhërime?

Përgjigje: Jo! Gjatë kësaj jete, edhe njerëzit më të shenjtë kanë vetëm një fillesë të vogël të kësaj bindjeje. Pavarësisht kësaj, në të gjithë përkushtimin ndaj këtij qëllimi, ata fillojnë të jetojnë jo vetëm sipas disa urdhërimeve, por sipas të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.

Kjo përgjigje ka qenë thellësisht e dobishme. Asnjë i krishterë nuk është ende plotësisht njeriu që Perëndia e thërret të jetë. I krishteri më i përkushtuar që ke takuar është vetëm në fillesën e tij të vogël, çapat e parë të bindjes. Por, secili besimtar fillon diku, nis me një hap shenjtërie.

Asnjë i krishterë nuk është krejt i dëlirë, e megjithatë, secili ka një fillesë drejt saj. Asnjë i krishterë nuk ka arritur plotësinë e kënaqësisë, por secili e ka një nisje drejt saj. Tani jemi vetëm në fillim, në fillimin e së vërtetës, paqes, integritetit, prehjes dhe adhurimit.

Çdo ditë e jetës tënde të krishterë, ofron mundësi të reja për jetën që Perëndia nisi brenda teje për të të bërë më të fortë. Dhe, kur qëndron në praninë e Jezusit, atë që Ai ka nisur,  do ta bëjë të plotë (Filipianëve 1:6).

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

LOAD MORE
Loading