×

A ndihesh i shqetësuar për “veten”? Ja pse identiteti modern mund të jetë shkatërrimtar

A je ndier ndonjëherë se të tjerët ishin më të mirë se ty?

Se ata ishin më të zotë, më të pashëm?

A të ka shtyrë kjo të bëhesh një ‘ti’ më i mirë?

Nëse po, nuk je i vetmi. Të ndiesh presionin për të përmirësuar vetveten është normale në botën tonë moderne.

A të ka shtyrë kjo gjë të bëhesh një ‘ti’ më i mirë? Nëse po, nuk je i vetmi. Të ndiesh presionin për të përmirësuar vetveten është normale në botën tonë moderne.

Në këtë botë, jeta—dhe identiteti yt—janë tërësisht përgjegjësia jote. Nëse e ke arritur karrierën e suksesshme, ke shkuar në pushimet e ëndërrave, apo ke gjetur si partner një person të mrekullueshëm, atëherë ia ke arritur qëllimit.

Tashmë je i lirë të mburresh. E ke arritur jetën e përsosur të Instagramit, e cila gëlon nga ‘pëlqimet’ dhe komentet pozitive të njerëzve.

Nëse kthehemi në kohët e vjetra dhe të vështira, do të të duhej të jetoje si të të vinte jeta. Nuk kishte pothuajse asnjë mundësi për një përmirësim të tillë të vetvetes.

Nëse do të kishe lindur në rrethana modeste, duke bërë jetën e një shërbëtori ose këpucari, ashtu do të vazhdoje të jetoje. Do të të mjaftonte të ishe një shërbëtor apo këpucar. Askush nuk do të priste diçka ndryshe. Mbi ty nuk do të kishte asnjë trysni për të ndryshuar ose përmirësuar identitetin tënd.

Bota moderne pret që të bëhesh një “person” më i mirë. Kjo ka përfitime (p.sh. nuk do të duhet të qëndrosh i varfër gjithë jetën), por ka edhe pasoja të papritura:

1. Në botën moderne, suksesi dhe dështimi janë përgjegjësi e individit

Kjo është një trysni e re, që paraardhësit tanë nuk e njihnin.

Autori Tim Keller komenton mbi këtë ndryshim kulturor, duke shkruar:

Në kohët e vjetra, kur vetëvlerësimi ynë ishte më i rrënjosur në rolet shoqërore, kishte shumë më pak vlerë në arritjet konkurruese me të tjerët. Të kaloje nga varfëria në pasuri ishte diçka shumë e mirë, por e rrallë dhe jo e detyrueshme. Do të mjaftonte të ishe një baba, nënë, bir ose bijë e mirë, si dhe të ishe i ndërgjegjshëm dhe i zellshëm në të gjitha punët dhe detyrat e tua.

Ai vazhdon:

Ashtu si dhe Alain de Botton ka shkruar, sot ne besojmë në meritokraci, pra, se kushdo që jeton në rrethana modeste është kështu vetëm për shkak të mungesës së ambicies dhe zgjuarsisë. Në ditët e sotme, të jesh thjesht besnik dhe jo i suksesshëm quhet turp. Kjo është një barrë e re për shpirtin, e vendosur nga modernizmi. Suksesi ose dështimi tani shihet vetëm si përgjegjësi e individit.’ [1]

E gjithë kjo krijon një presion dhe ankth më të madh, nga ai që njihnin paraardhësit tanë.

Kështu pra, standardi i ri është të kesh ankth për statusin tënd. Në botën tonë moderne, të jetës së përsosur të Instagramit, vlera jote si njeri varet nga numri i ‘pëlqimeve’ që ti merr.

2. Edhe pse mendojmë se kemi arritur gjithçka vetë, prapë kemi nevojë më shumë se kurrë për vlerësimin e të tjerëve

Ndërsa paraardhësit tanë e morën identitetin e tyre nga vendi që kishin në shoqëri, ne njerëzit modernë jemi çliruar nga kjo varësi. Ne mund të jemi të zotët e vetvetes. Nuk na intereson se çfarë mendojnë të tjerët rreth nesh.

Por në fakt na intereson…

Që të ndihemi mirë me veten, ne vuajmë për miratimin e të tjerëve. Na duhet miratimi i tyre nëse duam të ndihemi të denjë.

Kjo pikëpamje individualiste e realitetit, ‘ti bën çfarë do vetë’, na bën më të varur se kurrë nga vlerësimi i jashtëm dhe më të prekshëm ndaj manipulimit—përfshirë këtu edhe nga përfaqësuesit e marketingut. Ja pse jemi shumë më të varur nga mallrat e konsumit, si për shembull moda dhe elektronika, sepse na bëjnë të ndihemi mirë me veten.[2]

Në rast se ne (dhe familjet tona) nuk shihemi nga të tjerët si njerëz ‘trendi’, atëherë nuk do të ndihemi rehat me veten.

Si rrjedhim kemi nevojë për veshjen më të fundit të modës: dyqani ‘Linja 500’ nuk na bën punë.

‘Iphone’ në vend të ‘Samsung’, të lutem.

Larg qoftë që gardëroba e burrit tënd të ketë veshje nga linja ‘Lowes’.

Gjithsesi kjo mënyrë e të menduarit nuk na çon drejt një identiteti të qëndrueshëm:

3. Identiteti modern është më i brishtë se kurrë më parë

Nëse identiteti ynë bazohet në performancën tonë—dhe kërkon aprovimin e njerëzve të tjerë (të rëndësishëm)—atëherë çfarë ndodh nëse dështojmë? Çfarë ndodh nëse e humbasim punën e ëndrrave tona?

Çfarë ndodh kur aftësia jonë atletike nuk është më e njëjta?

Apo nëse fëmijët tanë që dalin nëpër revistat e veshjeve për fëmijë, nuk sillen siç u ka hije?

Çfarë ndodh kur mosha ikën dhe fillojnë të shfaqen rrudhat?

Vetëvlerësimi ynë është i brishtë, ndryshe nga ai i identiteteve në kohët e vjetra.

Ne pretendojmë se kemi një liri të re nga normat shoqërore dhe nuk e kërkojmë vlerësimin nga familja, por nga fushat e arritjeve tona, sepse aty kemi nevojë për pranimin dhe duartrokitjet e atyre që janë tashmë në këto qarqe.

Duhet të jesh një njeri i shkëlqyer, i bukur, i modës dhe i zoti. Ata njerëzit e rëndësishëm duhet të mendojnë të njëjtën gjë. E gjitha varet nga ty, por kjo nuk ishte e njohur më parë nga kultura tradicionale. [3]

Novelisti amerikan Benjamin Nugent shkruan rreth kësaj brishtësie, të cilën e përjetoi gjatë punës së tij me kohë të plotë:

Kur qëllimi i vetëm i jetës time ishte të shkruarit vepra të suksesshme, unë e barazova cilësinë e punës me vlerën time si njeri. Për shkak të kësaj, nuk isha në gjendje të kritikoja shkrimet e mia. Nuk mund të dalloja nëse diçka që kisha shkruar ishte mirë apo keq, sepse më duhej me patjetër që çdo gjë të ishte mirë, në mënyrë që të ndihesha në rregull me veten. ‘[4]

Nëse identiteti ynë bazohet në performancën tonë, atëherë ai është po aq i brishtë sa dhe aftësia jonë për të performuar.

Shumë njerëz, për të siguruar identitetin nuk shikojnë arritjet e tyre, por marrëdhëniet e rëndësishme—veçanërisht ato romantike.

Megjithatë, edhe kjo është marrëzi:

4. Nëse identiteti ynë gjendet në një marrëdhënie, atëherë çfarë ndodh kur ajo marrëdhënie thyhet?

Kjo i shton marrëdhënies një trysni të jashtëzakonshme.

Mund të duket e pranueshme që ta bësh një marrëdhënie bazën e identitetit tënd (fundja, kjo është ajo që shoqëria moderne pret nga ne), por në fakt është një recetë për dështimin e asaj marrëdhënieje.

Siç shkruan dhe Keller:

Nëse e lidh identitetin tënd me një marrëdhënie, nuk do të jesh në gjendje ta kritikosh personin tjetër për diçka, pasi zemërimi i tij do të të shkatërrojë. As nuk do të jesh në gjendje të mbash barrën e brengave apo vështirësive të tij personale. Nëse ai ka një problem, fillon të përqendrohet te vetja dhe nuk po të jep konfirmimin që ti dëshiron, atëherë nuk do të arrish ta marrësh atë konfirmim. Si përfundim ajo do të kthehet në një marrëdhënie të dëmshme. [5]

Pra, kjo është shkatërruese për identitetin tonë.

Kemi nevojë për një identitet që nuk na shtyp

Bota moderne laike nuk na ofron ndonjë vend të qëndrueshëm për të siguruar identitetin tonë.

Qoftë zotërimet, arritjet apo marrëdhëniet, të gjitha këto themele janë rëra thithëse. Mund të duken mirë nga pamja e jashtme, por janë të brishta, të pasigurta. Mundet edhe të qëndrojnë për një kohë (ndoshta për një kohë të gjatë), por herët ose vonë, ato do të dështojnë.

Ajo çfarë kemi nevojë është një vend apo një Person i sigurt, te i Cili mund të mbështetim identitetin tonë.

Një Person, i Cili nuk do të na braktisë kurrë.

Një Person tek i Cilin mund të gjejmë çlodhje, pa u frikësuar apo pa u shqetësuar.


Botuar për herë të parë në akosbalogh.com

[1] Tim Keller, “Making Sense of God—An Invitation to the Skeptical” (Londër, Hodder & Staughton, 2016), 128-129.

[2] Keller, 129.

[3] Keller, 129.

[4] Cituar në librin e Keller, 130.

[5] Keller, 131.


Botuar me leje: https://au.thegospelcoalition.org/article/feeling-anxious-about-you-why-modern-identity-can-be-crushing/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet