×

Pa Pentekostin do të ishe një jetim frymëror

Është e vështirë të përballosh 24 orë lajme pa përjetuar një ndjesi të thellë humbjeje. Shohim humbje jete, humbje drejtësie, humbje dinjiteti dhe humbje shprese kudo përreth nesh. Një vështrim i shpejtë i jetës dhe rrethit tuaj të marrëdhënieve ju konfirmon që kjo humbje nuk është vetëm “atje tej” dhe që përjetohet nga të tjerët, por që në mënyrë të pamëshirshme është e pranishme edhe mes nesh. Tragjedia, sëmundja, trauma, vetë vdekja prekin ata që janë më pranë nesh. Nganjëherë ndihemi sikur çapitemi nga njëra brengë te tjetra.

Këtë ndjesi humbjeje dishepujt e ndjenë tepër fort gjatë orëve para tradhtisë dhe arrestimit të Jezusit. Natën që rezultonte se ishte mbrëmja e tyre e fundit së bashku, Jezusi ua tha hapur që do të largohej prej tyre dhe se ata nuk do të ishin në gjendje të shkonin me Të. Ky ishte një lajm shumë dekurajues. Ata kishin jetuar, kishin ngrënë, kishin udhëtuar me Të për tre vjet. Disa madje kishin lënë familjen dhe punën e tyre dhe ishin bërë dishepuj të Tij. Ata kishin lënë gjithçka për Të!

Kjo pra ishte shumë më e rëndë nga çfarë mund të ndiejmë ne kur dëgjojmë lajme që thonë se një SHEF i dashur po e lë kompaninë. Jezusi premtoi: “Unë nuk do t’ju lë bonjakë” (Gjoni 14:18). Ky nuk ishte trishtimi i të thënit lamtumirë një kolegu; ishte i ngjashëm me humbjen e një prindi. Ky ishte niveli i braktisjes, të cilit i druheshin dhe madje edhe e ndien. Kjo ishte thellësia e ndarjes që nisi t’i pushtonte. Nuk është habi që zemrat e tyre ishin aq shumë të shqetësuara.

Zemrat tona të shqetësuara

Shpesh, edhe zemrat tona shqetësohen. Nuk gjendemi saktësisht në të njëjtën situatë si dishepujt. Ne nuk kemi qenë me Jezusin për tre vjet dhe pastaj të përballemi me pritjen që Ai do të na lërë, por duhet të përballemi me mungesën fizike të Jezusit. Ka raste kur ne ndihemi disi të braktisur nga ana frymërore këtu mbi tokë. Edhe nëse nuk dyshojmë që Perëndia është aty, vrasim mendjen nëse Ai është në fakt këtu. Ka raste kur vështirësitë e kësaj jete na duken më tepër nga sa mund të mbajmë, pa e pasur Perëndinë vërtet përkrah nesh.

Prandaj, ne kemi nevojë të dëgjojmë këto fjalë të çmuara të Jezusit: “Nuk do t’ju lë bonjakë.”

Ka raste kur vështirësitë e kësaj jete na duken më tepër nga sa mund të mbajmë, pa e patur Perëndinë vërtet përkrah nesh.

Ai nuk po thotë që nuk do të largohet prej nesh. Ai do të largohet! Ai po thotë që nuk do të na braktisë. Fizikisht nuk do ta kemi atë pranë, por nuk do të jemi vetëm.

Arsyeja për këtë është ajo që Ai kishte thënë më parë: “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së vërtetës.” (Gjoni 14:16-17). Jezusi po premton Frymën e Shenjtë. Largimi i Birit do të pasohet nga mbërritja e Frymës. Pentekosti nuk ishte thjesht një moment vendimtar fuqizimi, Pentekosti ishte një formë ngushëllimi. Pentekosti na tregon që nuk jemi braktisur mbi tokë si jetimë frymërorë.

Fryma e Krishtit

Gjëja e parë që Jezusi thekson është se sa personal është ky Frymë. Jezusi i referohet Frymës në mënyrë personale si “Ai” dhe “Atë,” jo si ‘send’. Ky nuk është një luks jopersonal frymëror, sikurse e bëjnë  të qartë edhe pjesë të tjera në Dhiatën e Re. Prandaj, edhe pse është e vërtetë të themi që Fryma na është dhënë të na fuqizojë, nuk duhet të anashkalojmë faktin që kjo fuqi është fuqia e një personi.

Pika kyç është lloji i personit që Jezusi po premton; Ai e përshkruan Frymën si “një Ngushëllues tjetër” (v. 16). Me fjalë të tjera, Fryma është një ngushëllues tjetër i të njëjtit lloj, siç ka qenë Jezusi tashmë për dishepujt e Tij. Ai po vjen, në njëfarë mënyre, që të zërë vendin e Jezusit, ta pasojë Atë. Ai në të vërtetë është një Frymë Jezusi. Pali i referohet Atij si “Fryma e Krishtit” (Romakëve 8:9).

Pentekosti nuk ishte thjesht një moment vendimtar fuqizimi, Pentekosti ishte një formë ngushëllimi. Pentekosti na tregon që nuk jemi braktisur mbi tokë si jetimë frymërorë.

Prandaj, Fryma nuk është si puna e një mësuesi zëvendësues, dikush që vjen me një përqasje, stil, sërë përparësish dhe tiparesh krejt të tjera. Fryma është Fryma e Krishtit! Kjo e shpjegon atë që Jezusi thotë më pas: “Nuk do t’ju lë bonjak; do të kthehem te ju.” Dhurata e Frymës është mjeti përmes të cilës Krishti vetë vjen të jetë me ne, madje ndërsa është fizikisht i ndarë nga ne.

Dhe kjo na çon te gjëja e dytë që thekson Jezusi.

Prania e Krishtit përmes Frymës së Tij

Fryma është mënyra se si ne e përjetojmë praninë e Jezusit. Jezusi e thekson sa i pranishëm do të jetë Fryma në jetën tonë: “Ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju” (v.17).

Fryma do të jetë “me ju”. Nuk do të përjetojmë kurrë një moment të vetëm të jetës së krishterë në të cilin të jemi me të vërtetë vetëm. Sikurse tha Jezusi edhe në një rast tjetër: “Unë jam me ju deri në mbarim të botës.” (Mateu 28:20) Kjo është mënyra si përmes Frymës së Tij, Ai është me ne.

Nuk do të përjetojmë kurrë një moment të vetëm të jetës së krishterë në të cilin të jemi me të vërtetë vetëm.

Kjo në vetvete është e mahnitshme, por Jezusi thotë edhe më tepër se kaq. Nuk është që vetëm do ta kemi Frymën afër, si puna e një truproje besnike; ne do ta kemi Frymën në ne. Përmes këtij Fryme, vetë Perëndia vjen të banojë brenda nesh: “Nëse dikush më do, do ta mbajë fjalën Time; edhe Ati im do ta dojë dhe Ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.” (v. 23). Çdo i krishterë është vendbanimi i Perëndisë (krahaso. 1 e Korintasve 6:19).

Tempulli i Perëndisë dhe ngushëllimi ynë

Para disa vitesh, pata mundësinë të vizitoja Murin Perëndimor në Jerusalem. Ai është pjesë e asaj që ka mbijetuar nga struktura e tempullit, i cili ishte ndërtuar nga Herodi i Madh në të njëjtën kohë me Krishtin. Ky është një nga vendet më të shenjtë ku judenjtë luten në kohën tonë. Ata vijnë aty që të vajtojnë për humbjen e tempullit dhe gjithë sa përfaqësonte ai, dhe të luten për ripërtëritjen e tij (nga kjo vjen dhe emri më i vjetër, “Muri i Vajtimit”). Isha atje dhe pashë shumë judenj që luteshin me zell dhe madje me një vajtim të dukshëm.

Duke qëndruar aty pranë, po mendoja se ajo që Jezusi ofron dukej që ishte e panjohur për këta judenj që po luteshin, pra, jo vetëm që të kishin një tempull (edhe pse kjo do ishte gjë e çmuar), por të ishin vetë tempull. Një besimtar i krishterë sot, thjesht përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë, është më tepër tempull nga sa kishte qenë ndonjëherë ai vend në Jerusalem.

Një besimtar i krishterë sot, thjesht përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë, është më tepër tempull nga sa kishte qenë ndonjëherë ai vend në Jerusalem.

Bibla nuk e mohon kurrë realitetin e humbjes dhe traumës së thellë në këtë botë. As nuk na premton imunitet nga një humbje e tillë në momentin që bëhemi të krishterë. Përkundrazi, na premton diçka në mes të kësaj humbjeje, diçka shumë më të çmuar se çfarëdo gjëje tjetër në këtë botë, të cilën nuk mund ta humbasim kurrë-praninë dhe dashurinë e Perëndisë brenda nesh, përmes Frymës së Shenjtë.

Ardhja e Frymës së Shenjtë qëndron mes nesh dhe të qënit jetimë frymërorë. Ne nuk jemi braktisur kurrë. Na është dhënë vetë Fryma e Jezusit dhe është vendosur brenda nesh përjetë.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/spiritual-orphan-pentecost/

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet