×

Të luftosh zemërimin në mëmësi

Djemtë e mi binjakë u ulën nxitimthi ngjitur njëri-tjetrit në tryezë, ndërsa mbusha tasat e tyre me qumësht. Duke u shtyrë njëri me tjetrin, ata ndeshën krahët dhe qeshën. E vogla përplasi duart mbi tavolinë duke u çjerrë për gotën e saj, ndërkohë që djali i madh ngulmoi t’i gjeja vizatimin që kishte bërë dje. Njëri nga binjakët shpërtheu: “Hej! Mos më prek! Mos u ul afër meje! Maaaami!”

Zemërimi im shpërtheu në të bërtitura, para se ta çonin poshtë kafshatën e parë të mëngjesit: “Djema, mjaft!” Faji zuri vend menjëherë. Sërish gabova!

Zëri im u qetësua, ndërsa po përpiqesha të zgjidhja çështjet e momentit. Ndihesha e irrituar nga sjellja e të gjithëve, veçanërisht nga e imja. Doja të shijoja një mëngjes të këndshëm duke biseduar me fëmijët e mi. Doja të ishin të vëmendshëm, të tregoheshin të arsyeshëm dhe të kënaqur. Po kërkoja shumë? (Po!)

Edhe pse do të dëshiroja të mos ishte e vërtetë, skena të ngjashme në shtëpinë tonë janë më të shpeshta se sa do të doja; kur bëhemi gati për shkollë, kur pastrojmë shtëpinë, kur është ora e gjumit apo koha për të ngrënë. Mbase ke kaluar diçka të ngjashme?

Ja disa parime që më kanë ndihmuar gjatë viteve për t’i vënë fre zemërimit:

Vendosi emrin që ka

Jo çdo zemërim është mëkat (Efes. 4:26). Kur zemra ngrihet kundër gjërave që Perëndia urren, si sjellja e ligë, mungesa e bindjes apo e dashurisë, ne shfaqim karakterin e Perëndisë tonë të drejtë. Kur fëmijët tanë ankohen për rrethanat e tyre, apo kur u shkaktojnë dhimbje të tjerëve, kemi të drejtë të zemërohemi. Zemërimi për gjërat e duhura dhe për arsyet e duhura, mund të na kujtojë detyrën tonë jetike t’u mësojmë fëmijëve tanë që dhe ata ta urrejnë ligësinë. Gjithsesi ky zemërim i drejtë, asnjëherë nuk duhet të jetë justifikim për t’i trajtuar ashpër fëmijët tanë.

Ngritja e zërit nuk është gjithnjë mëkat. Nëse fëmijët e mi janë duke vrapuar në një rrugë ku ka trafik, unë do të bërtas me sa fuqi kam. Thirrja e emrave të tyre me zë të lartë mund t’u shpëtojë jetën. Edhe në këtë, ne pasqyrojmë Perëndinë, i cili na paralajmëron me forcë, në momentet kur jeta jonë është në fije të perit (Rom. 6:23).

Ndërsa në përditshmërinë tonë, kur ende nuk kemi pirë kafe dhe kur fëmijët janë duke u zënë sërish me njëri-tjetrin, të bërtiturat e forta si teknikë prindërore nuk janë mënyra e duhur (Jak. 1:20). Nuk e pasqyrojmë karakterin e Perëndisë, kur e lejojmë zemërimin të shpërthejë pa kontroll, duke kaluar nga bezdisje në tërbim. Zoti ynë është “i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psa. 145:8) që shfaq durimin e përsosur në Krishtin (1 e Tim. 1:16).

Kur kërkoj të ndëshkoj apo të kontrolloj fëmijët, duke u folur rëndë, vetëm sepse nuk po sillen saktësisht siç dua unë, është momenti t’i vë reagimit tim emrin që meriton. Nuk është ditë e keqe. Nuk është dështim. Nuk është shaka. Është mëkat!

Është momenti t’i vë reagimit tim emrin që meriton. Nuk është ditë e keqe. Nuk është dështim. Nuk është shaka. Është mëkat!

Dhe si çdo mëkat, duhet ta rrëfej, t’u kërkoj falje fëmijëve të mi, të shpresoj në Krishtin, të largohem prej mëkatit, të ec nga mëkati në liri dhe të shijoj një dëshirë të përtërirë për bindje (1 Gjoni 1:9).

Ndaje me të tjerët

Nuk do t’i dërgoj mesazh bashkëshortit apo miqve, sa herë u bërtas fëmijëve, por është e rëndësishme të rrëfej vazhdimisht shfaqjet mëkatare të zemërimit tim (Jak. 5:16). Kur e shpreh këtë gjë, të tjerët mund të më pyesin dhe të më japin zemër të pendohem, të shpresoj në mjaftueshmërinë e Krishtit dhe të bindem (Heb. 10:24).

Fakti që jetoj në një komunitet ku njerëzit e tjerë, prindërit, vjehërrit, studentët dhe miqtë, mund të shikojnë çdo ditë përkujdesjen time, bën që të kem llogaridhënie. Kur shoh reagime që nuk përputhen në qëndrimin tim, si të thënit: “ti je një nënë e mirë”, kur të tjerët janë aty, ndërsa jam e ashpër kur jam vetëm me fëmijët, është koha që edhe këto gjëra duhet t’i nxjerr në dritë (1 e Gjonit 1:7).

Transparenca me përulësi na ofron edhe sigurinë e duhur ndaj sjelljeve abuzuese. Zemërimi i lënë pa kujdes, mund të dalë jashtë kontrollit. Çdo prind që lëndon fëmijët e vet, ka nevojë t’i tregojë dikujt dhe të marrë ndihmë menjëherë. Komuniteti i një kishe me besimtarë të pjekur është një pikënisje e mirë.

Lutu dhe përgatitu

Kur jam e vetëdijshme se po prirem ta lejoj zemërimin t’i hapë rrugë prindërimit pa dashuri, vë re modele që më dalin përpara. Mëngjeseve, kur nuk kam fjetur mjaftueshëm, tavolina e mëngjesit më duket më shumë si cirk. Pasditeve, kur ndihem e lodhur shpirtërisht, rrugës për në shtëpi më duket sikur kam ngecur në një makinë plot me arinj. Në të gjitha rastet, veçanërisht kur jam e dobët, Perëndia siguron një mënyrë për t’i bërë ballë tundimit (1 e Kor. 10:13). Mund të armatosem me Fjalën e Tij dhe me strategji praktike prindërimi.

Edhe pse nuk mund t’i kontrollojmë gjithmonë rrethanat tona (Ah sikur hormonet e fëmijëve tanë të bënin ato që duam ne!), mund t’i drejtohemi Perëndisë për mençuri (Jak. 1:5). Një nënë më me përvojë, më tha se kishte pasur një moment ndriçimi në jetën e saj, kur kaloi nga lutja që Perëndia t’i ndryshonte vetëm fëmijët (“Perëndi, bëj që të pushojnë së qari dhe rënkuari!”) dhe të kërkonte hir për t’i bërë ballë me durim (“Perëndi, më jep forcë, vetëkontroll dhe fjalët e duhura për t’i edukuar në këtë situatë”).

Kur bëhet fjalë për parandalimin e shpërthimeve të zemërimit, duhet të mbajmë mend se Biri i Perëndisë e mori gjithë zemërimin e Perëndisë në vendin tonë (Rom. 3:25). Siguria e lajmit të mirë është ajo që na motivon t’u bëjmë të mirën fëmijëve tanë. Kur me përulësi sjell ndërmend borxhin gjigand që Perëndia më fali në Krishtin, ka më pak mundësi të kërkoj shpagim kur fëmija im humbet një këpucë. Përpara se të shpërtheja për grindjet e binjakëve në makinë apo për vizatimet e tyre nëpër rafte, kujtoja se Ai vdiq për mua (Rom. 5:8).

Mëngjesi i nesërm do të vijë dhe unë e di se tani që nuk kemi qumësht mjaftueshëm, vocërrakja ka shumë gjasa të shpërthejë sërish në të qara dhe binjakët në mënyrë të pashmangshme do të derdhin drithërat në dysheme. Asgjë nuk do të jetë ndryshe nga ndonjë ditë tjetër, përveç faktit që kam vendosur të mbaj sytë te Krishti në mes të lotëve dhe zënkave. Jam e sigurt se nuk do t’ia dal mbanë aq mirë, por kjo gjë do të më bëjë të përthyej gjunjët në lutje. Ky është vendi më i mirë për një nënë.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet