Me rritjen e rasteve të koronavirusit në Shqipëri dhe me karantinën e imponuar nga qeveria, shumë besimtarë pyesin veten se si t’i përgjigjen alarmit në rritje. Si duhet të mendojmë ne si të krishterë, në një botë në panik?
Ankthi nuk është miku ynë dhe paniku nuk është rruga jonë. Solomoni na kujton: “Po të lëshosh veten ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët” (Fjalët e Urta 24:10). Le të mos thuhet kurrë për popullin e Perëndisë, se ata drejtohen e kontrollohen më shumë nga frika se sa nga besimi.
Corrie ten Boom, e cila së bashku me familjen e saj, i ndihmoi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore duke i strehuar ata në shtëpitë e tyre dhe si rrjedhim, përfunduan në kampin e përqendrimit në Ravensbrok, një lloj tjetër karantine, shkroi në ditarin e saj këto fjalë: “Ankthi nuk zbraz të nesërmen nga problemet e saj, por zbraz të sotmen nga forca e saj.”
Familjet tona, bashkësitë tona, qyteti dhe kombi ynë kanë nevojë për prezencën, shembullin dhe shërbimin e popullit të Perëndisë, një popull i fuqizuar nga hiri i Perëndisë, një popull vetëmohues e shërbyes nga forca e Tij.
Merakosja dhe ankthi nuk arrijnë asgjë, përveç dobësisë së zemrës, mendjes dhe vullnetit. Ka një thënie, se 90 për qind e gjërave për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë dhe 10 përqindëshi tjetër është jashtë kontrollit tonë.
Ndërsa qëndrojmë në gatishmëri kundër viruseve, ligësive, herezive apo të papriturave të kësaj bote, le të kujtojmë se shqetësimi nuk do të ndryshojë rrethanat tona dhe as do të ulë mundësinë tonë për infeksion. Paniku të paralizon dhe nuk të aktivizon në veprim. Merakosja e ankthi ndaj COVID-19 (ose edhe ndaj ndonjë gjëje tjetër), vetëm sa do të ekzagjerojë e rrisë telashet tona.
Ankthi nuk zbraz të nesërmen nga problemet e saj, por zbraz të sotmen nga forca e saj.
– Corrie ten Boom
Thirrja jonë është që të zëvendësojmë ankthin e panikun, me lutjen dhe besimin. Një nga parimet e rritjes së krishterë është parimi biblik “zhvishni… vishni”. Pali shkroi:
“Për sa i përket sjelljes së mëparshme, të zhvishni njeriun e vjetër që prishet sipas epsheve mashtruese, dhe të përtëriheni në frymën e mendjes suaj dhe të vishni njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.” (Efe. 4:22-24)
Prapa parimit, qëndron fakti që gjithmonë ekzistojnë qëndrime dhe veprime mëkatare, të cilat duhet t’i heqim nga jeta jonë dhe gjithmonë ka tipare pozitive të drejtësisë, të cilat duhet t’i zbatojmë më fort. I krishteri nuk duhet të jetë pasiv në shenjtërimin e jetës së tij.
Çfarë duhet që të bëjmë ne si të krishterë në këto kohë? Ne duhet të ‘zhveshim’ panikun dhe ankthin dhe duhet të ‘veshim’ lutjen e besimin.
Jezusi na thërret që të besojmë e të kërkojmë Mbretërinë e Perëndisë dhe na jep një premtim:
“Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen. Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.” (Mateu 6:33-35)
Apostulli i Krishtit na urdhëron që të lutemi, me instruktimin se si duhet të lutemi:
“Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” (Fil. 4:6)
Cila është arsyeja që ne duhet ta zëvendësojmë ankthin me besim dhe lutje në Krishtin?
Së pari, për shkak se kush Krishti është dhe se çfarë Krishti ka bërë për ne. Objekti i besimit tonë, Zoti Jezus Krisht, ka mundur mëkatin dhe vdekjen.
“O vdekje, ku është gjemba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Por gjemba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.” (1 e Kor. 15:55-57)
Së dyti, se çfarë Krishti dhe Fryma e Shenjtë vazhdojnë të bëjnë në ne dhe për ne. Lista e punës së tyre për të krishterin sot është tepër e gjatë, por le të kujtojmë se: (1) Fryma e Shenjtë lutet për ne (Rom. 8:26-27); (2) Krishti, si Kryeprifti ynë, vazhdon që të lutet për ne (Rom. 8:34). (3) Krishti, përmes Frymës së Tij, rimbush e rifuqizon popullin e Tij me gjithë hirin dhe nënproduktet e hirit, të cilat na duhen që të vazhdojmë të qëndrojmë në Krishtin, që të vazhdojmë të shenjtërohemi për të dhe që të vazhdojmë e të jetojmë për bekimin e kishës dhe për lavdinë e Perëndisë Trini.
Kujtoi vetes tende vazhdimisht këtë të vërtetë madhështore, shpëtuese dhe shëruese për shpirtin tënd. Krishti ka mundur mëkatin dhe vdekjen. Krishti është Sovrani absolut i kësaj botë. Krishti është një Perëndi i dashur që erdhi të na japë jetë, e të na e japë atë me bollëk.
Në këtë kontekst, frika e paniku është i palogjikshëm. Besimi e lutja është e vetmja gjë e logjikshme që i krishteri mund të bëjë. Kupto se në fakt, të duhet po aq energji që të merakosesh sa të duhet edhe që të besosh e të lutesh. Ankthi të çon në panik e mëkat, ndërsa lutja e besimi të çojnë në paqe e shërbim. Ankthi të çon në vuajtje dhe mjerim, ndërsa besimi të çon në shpëtim dhe adhurim.
Lexo më tej:
- Hidhe ankthin tënd mbi Zotin: 1 e Pjetrit 5:6-7
- Zbulo sekretin e paqes: Psalmi 37:3-7
- Ankthi rëndon zemrën: Fjalët e Urta 12:25; 14:30; 17:22
Redaktoi: Linea Simeon
Koalicioni Shqiptar i Ungjillit