×

Ndihmë! Më kanë ardhur në majë të hundës orët e gjata të punës së bashkëshortit tim

Bashkëshorti im punon me orë të gjata dhe udhëton shumë. Dua ta mbështes me gëzim punën për të cilën Perëndia e ka thirrur, por është duke më humbur durimi dhe po zemërohem. Si mund të mendoj rreth kësaj situate në një mënyrë më të mirë?


Oh motër, të kuptoj shumë mirë. Për një periudhë të shkurtër të jetës time, bashkëshorti im kishte një punë që, përveçse ishte e kënaqshme, kërkonte orë të gjata dhe shumë udhëtime. Edhe unë kam luftuar me zemërimin. Ai u fut në zemrën time, ashtu si barërat e këqija në një kopsht dhe kërcënoi t’i merrte frymën shpirtin tim.

Puna është caktuar nga Perëndia (Zanafilla 1:28), por është njollosur gjithashtu nga rënia e njeriut. E shohim këtë, kur një punë e detyron një burrë të kalojë ditë të gjata ose shumë netë larg njerëzve që kanë më shumë nevojë për të—siç janë anëtarët e familjes së tij. Qoftë bashkëshorti yt një muzikant, pastor, menaxher apo oficer ushtarak, netët e kaluara larg mund të jenë pjesë e punës.

Dëshira që ke për të mbështetur me gëzim bashkëshortin është diçka shumë e mirë dhe mund të jetë një bekim për të dhe familjen tuaj. Zemërimi që po përjeton tani për shkak të mungesës së tij të shpeshtë, mund të përdoret nga Zoti për të përsosur karakterin tënd, për të ekspozuar mëkatin tënd dhe për të të bërë më të varur në Perëndinë dhe në popullin e Tij.

1. Ji e sinqertë me veten.

A e di përse të duket e vështirë ta pranosh orarin që puna i kërkon bashkëshortit tënd? Sepse është e vështirë. Është padyshim e vërtetë se të mos e kesh bashkëshortin në shtëpi për një kohë të gjatë është një sfidë, parehati dhe sakrificë.

Është gjithashtu dhe vetmi. Një mikeshë, burri i së cilës ishte shpesh larg, për shkak të punës, më tha kohët e fundit: “Unë mund të programoj aktivitete të ndryshme gjatë gjithë ditës, por kjo nuk ma bën më të lehtë, sepse është vetëm bashkëshorti ai për të cilin kam nevojë.” Ta lejosh veten që t’i pranojë këto vështirësi, do të të ndihmojë të mendosh në mënyrë më të qartë se si t’i përballosh ato.

Më pas, me ndihmën e Frymës së Shenjtë mund të fillosh të analizosh emocionet dhe dëshirat e tua, për të gjetur qëllimet e tyre kryesore. A buron zemërimi yt nga pritshmëritë e paplotësuara se si do të dukej jeta jote familjare? A ankohesh për mënyrën se si orari i ngarkuar i punës së bashkëshortit të krijon bezdi? A je zemëruar për shkak se bashkëshorti yt mund të shohë vende të reja dhe të takojë njerëz të rinj, ndërsa ti ndihesh e mbyllur në shtëpi? A je në ankth, nëse ai është besnik ndaj teje? A po zien nga zemërimi se ndihesh e pavlerësuar?

Nuk mund t’i trajtosh dot emocionet që nuk i pranon. Thjesht fakti që qorton veten sepse nuk po e mbështet bashkëshortin, nuk do të zgjidhë gjë. Kërkoji Zotit të të tregojë rrënjën e hidhërimit tënd dhe më pas rrëfeja Atij në lutje. Kërkoji të të falë dhe të të forcojë të ecësh në pendim dhe hir.

2. Ji e sinqertë me bashkëshortin tënd.

Teksa po analizon ndjenjat e tua, do gjesh disa dëshira të forta dhe zhgënjime, që në fakt nuk janë mëkatare. Bisedo me bashkëshortin tënd dhe me dashuri, ndaj me të se cilat aspekte specifike të punës së tij janë më sfidueset për ty. A të mungon prania e tij, kur familja mblidhet për darkë? A dëshiron me zell që ai të shikojë fëmijët teksa luajnë futboll? A ndihesh sikur puna e tij po mbizotëron në jetën tuaj familjare? A ndihesh e nënvlerësuar dhe jo e respektuar, teksa qeveris shtëpinë e vetme?

Të ndash ndjenjat me bashkëshortin tënd mund të çojë në biseda të cilat mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si të përballeni më mirë me situatën tuaj. Ndërsa ti i nënshtrohesh atij dhe ai tregon dashuri ndaj teje (Efesianëve 5:22–33), ndoshta kështu mund t’i shërbeni njëri-tjetrit duke gjetur zgjidhje më të mira.

Të ndihmon gjithashtu të kujtosh se përse po udhëton bashkëshorti yt (Mbase jo sepse dëshiron të jetë larg teje.) Ai është duke përdorur dhuntitë që Perëndia i ka dhënë, në vendin ku Ai e ka caktuar, për t’i shërbyer mbretërisë së Krishtit. Kështu, si bashkëshortja dhe aleatja e tij e domosdoshme, mund ta mbështesësh atë në këtë rol. Ai nuk ia del dot, pa mbështetjen tënde.

Pyete bashkëshortin tënd se çfarë mund të bësh për ta ndihmuar të ndihet i përkrahur në punën e tij. Lutu që të mund t’ja dilni me situatën e punës si ekip.

3. Kërko ndihmë.

Nëse ke fëmijë në shtëpi, të kërkosh ndihmë është thelbësore. Burimet e tua janë të kufizuar, por tashmë Perëndia e ka siguruar atë që të nevojitet.

Lejoje trupin e Krishtit të të ndihmojë në mënyra të prekshme. Kërkoji një mësuesi të dalë në pension të vijë dhe të ndihmojë fëmijët me detyrat e shtëpisë. Punëso një adoleshent të kujdeset për fëmijët e vegjël një herë në javë. Organizo një ditë që fëmijët e tu të luajnë së bashku me fëmijët e tjerë dhe kështu ti të kesh mundësi të bësh pazaret pa i pasur ata nga pas. Kërkoji një të afërmi të të ndihmojë me transportin e tyre nëpër aktivitete. Nëse bashkëshortit i duhet të udhëtojë në fundjavë, kërkoji një personi në kishë të ulet pranë familjes tënde dhe të të ndihmojë me fëmijët.

Mos harro—rruga në të cilën Zoti të ka thirrur të ecësh është e vështirë, por nuk ke pse ta bësh e vetme. Kështu përvoja që po kalon, edhe pse është e vështirë, mund të jetë një mjet i fuqishëm për të ta forcuar besimin.


Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/article/resent-husband-long-work-hours/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Seria e artikujve “Thorns & Thistles” të Koalicionit të Ungjillit përpiqet të vërë në zbatim mençurinë përmes këshillave praktike rreth besimit, punës dhe ekonomisë. Nëse keni ndonjë pyetje rreth të menduarit dhe praktikuarit në punën tuaj në një mënyrë që e nderon Perëndinë, na e bëni të ditur në adresën [email protected].

 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet