×

“Kotësi e kotësive”, thotë Predikuesi: “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi.” (Predikuesi 1:2-3)

Kështu fillojnë reflektimet e Predikuesit (Qohelet), shpesh i përkthyer ndryshe si Mësues (NIV) ose Predikues (ESV), megjithëse fjala në hebraisht Qohelet nuk ka asnjë nga këto dy kuptime, por do të thotë mbledhës i thënieve. Më poshtë do të flasim për kuptimin e këtij emri, por së pari do të shpjegojmë domethënien e përfundimit që Predikuesi ka arritur, se gjithçka është kotësi.

Për të kuptuar siç duhet librin e Predikuesit është thelbësore të kuptojmë se në të ka dy folës me mesazhe të veçuara dhe jo vetëm një. Në pjesën e zhvillimit të librit (1:12–12:7), Predikuesi flet në vetën e parë (“Unë, Predikuesi”), ndërsa vargjet hyrëse dhe mbyllëse të librit (1:1–11 dhe 12:8–14) shkruhen nga një folës i dytë, i cili flet për Predikuesin (“ai, Predikuesi”).

Mesazhi i Predikuesit

E thënë thjesht, mesazhi i Predikuesit është ky: “Njeriu jeton një jetë të vështirë dhe pastaj vdes.” Ai është përpjekur të gjejë kuptimin e jetës te dituria, kënaqësia, puna, pasuria, statusi shoqëror dhe marrëdhëniet, dhe ka dalë në përfundim se gjithçka është e kotësi.

Tre janë faktorët të cilët e bëjnë jetën kotësi. E para, është vdekja. Predikuesi nuk ka siguri në jetën pas vdekjes. Njeriu plaket dhe vdes. “Dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë” (12:7), pra është zhbërja e krijimit të Adamit nga Perëndia (Zanafilla 2:7). Kështu, dituria mund të ketë një epërsi të kufizuar mbi budallallëkun, por vdekja e bën edhe diturinë të jetë kotësi (2:12–17).

E dyta që e bën jetën kotësi është padrejtësia. Nëse nuk ka jetë pas vdekjes, atëherë ndoshta kuptimi i jetës për njeriun e perëndishëm, të mençur dhe të drejtë mund të gjendet në shpërblimet e kësaj jete. Megjithatë, përvoja e Predikuesit tregon se jeta nuk funksionon ashtu. Ai ka parë “që i drejti të vdesë në drejtësinë e vet dhe… që i pabesi të jetojë gjatë në ligësinë e tij.” (7:15)

E treta që e bën jetën kotësi është paaftësia e njerëzimit për të dalluar kohën e duhur. Siç e përshkruan dhe poema e mirënjohur hyrëse që ndodhet te Predikuesi 3:1: “Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell.” Në të vërtetë, përdorimi i diturisë në Bibël varet nga aftësia e të urtit për të dalluar kohën e duhur për të thënë fjalën e duhur, si dhe për të bërë veprimin e duhur. Gjithsesi, sipas Predikuesit, edhe pse Perëndia “e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet… askush nuk mund të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.” (3:11)

Për këto arsye, jeta nuk ka asnjë kuptim. Gjëja më e mirë që dikush mund të bëjë nën dritën e dilemës njerëzore është të shfrytëzojë ditët në maksimum (carpe diem), pra të shijojë sa të mundet nga jeta. Nga gjashtë herë që Predikuesi i nxit dëgjuesit e vet të shfrytëzojnë ditët në maksimum (2:24–26; 3:12–14, 22; 5:18–20; 8:15; 9:7–10), pasazhi më i dukshëm është 5:18–20 “ai nuk do të kujtojë shumë ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i përgjigjet me gëzimin e zemrës së tij.” Me fjalë të tjera, ata të cilët i shijojnë ditët në maksimum, munden që të paktën për një çast të shkëputen nga realiteti i ashpër se jeta është e vështirë dhe se përfundon me vdekje.

A është Predikuesi Solomoni?

Mesazhi i Predikuesit është me të vërtetë i trishtueshëm, por nuk është aspak mesazhi i librit ashtu sikurse mesazhi i librit të Jobit nuk është ai i tre miqve të tij. Megjithatë, përpara se të vazhdojmë me mesazhin e rrëfimtarit të dytë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi kuptimin e emrit Predikues (Qohelet).

Fjala Predikues, siç e kemi thënë dhe më lart, mund të përkthehet më së miri si “Mbledhës i thënieve”. Ky emër është vetëm një pseudonim dhe jo emri i saktë, dhe shërben për të lidhur Predikuesin me Solomonin. Po them “për të lidhur” dhe jo “për të identifikuar” pasi nuk ka gjasa që Predikuesi të jetë Solomoni, gjë e cila është vërejtur nga shumë interpretues, që nga Luteri (duke përfshirë dhe shumë të tjerë Moses Stuart, Franz Delitiszch dhe E. J. Young). Në ditët e sotme, ka shumë pak komentarë biblikë—përfshirë ata ungjillorë— që mendojnë se Predikuesi është Solomoni. Në fund të fundit, nëse Predikuesi është Solomoni, atëherë pse të përdoret një pseudonim si Predikues? Dhe pse ka kaq shumë pasazhe në të cilat Predikuesi flet për mbretin si një person i tretë (1: 16a; 4: 1–3; 5: 8–9; 10:20)?

Atëherë, pse të shqetësohemi ta lidhim Predikuesin me Solomonin në pjesën e parë të librit, kur Predikuesi kërkon të gjejë kuptimin e jetës në dituri, pasuri, punë, status shoqëror dhe kënaqësi? Epo, lexuesit e librit duhet ta mbajnë mend historinë e mbretit Solomon, mbretit që i kishte të gjitha. Ai kishte më shumë dituri, pasuri dhe kënaqësi në jetë se çdokush tjetër (mos harroni se kishte qindra gra dhe konkubina). Për ta thënë në mënyrë anakronike dhe më të thjeshtë, Solomoni ishte sa Bill Gates, Oprah Winfrey dhe Hugh Hefner të mbledhur bashkë. Gjithsesi, e gjithë ajo pasuri, dituri dhe kënaqësi nuk ishte mjaft për të, pasi vdiq si një femohues i trishtuar. Mesazhi për lexuesit e librit të Predikuesit është një paralajmërim për të mos jetuar me iluzionin se “sikur të kisha pak më shumë” (para, dituri, kënaqësi), atëherë do të isha i kënaqur me jetën.

Më shumë sesa jeta nën diell

Megjithatë, cili është mesazhi i personit të dytë të mençur? Së pari, ka një arsye pse ai e ka ekspozuar birin e tij ndaj reflektimeve të Predikuesit. Në fund të fundit, Predikuesi shkroi “fjalë të drejta dhe të vërteta” (12:10). Ky person gjithashtu e paralajmëron birin e tij se kjo mënyrë e të menduarit nuk është vetëm udhëzuese, por edhe e dhimbshme (“si hostenë… si gozhda të ngulura mirë”), dhe se ai duhet të mos fiksohet pas mendimtarëve të tillë (“Biri im, ruhu nga çdo gjë që del jashtë kësaj. Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë dhe studimi i tepërt e lodh trupin” 12:12).

Personi i dytë i mençur e vlerëson Predikuesin si një shembull të menduarit në mënyrë të ndershme për jetën “nën diell”. Në thelb ai po thotë: “Bir, Predikuesi ka njëqind për qind të drejtë. Nën diell, jeton një jetë të vështirë dhe pastaj vdes.”

Megjithatë, personi i dytë i mençur vazhdon ta inkurajojë birin e tij drejt asaj që ne mund ta quajmë një perspektivë ‘mbi diell’: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut. Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.” (12:13, 14)

Mesazhi kryesor i Predikuesit për lexuesit është i shkurtër, por kuptimplotë. Personi i dytë i mençur i thotë birit të vet të themelojë një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë (“Ki frikë nga Perëndia”) dhe ta ruajë këtë marrëdhënie duke iu bindur urdhërimeve të Tij, dhe duke e jetuar jetën nën dritën e gjykimit të ardhshëm. Nëse e shprehim në mënyrë jokronologjike, mund të themi se brenda një vargu e gjysmë, ai flet për drejtësimin, shenjtërimin dhe eskatologjinë.

Sipas mendimit tim, ka të ngjarë që këto dy vargje përmbyllëse, të shkruara drejt fundit të periudhës së Dhiatës së Vjetër, përmendin tërthorazi ligjin hebraik me tre pjesë: “Ki frikë nga Perëndia” (Shkrimet), “respekto urdhërimet e Tij” (Pesëlibërshi) dhe “gjykimi i ardhshëm” (Profetët). Kështu, ati i thotë birit të vet (dhe lexuesve të mëvonshëm), se ai nuk duhet të përpiqet ta gjejë kuptimin e jetës nën diell, por vetëm te Perëndia. Vendosni Perëndinë në radhë të parë dhe pastaj gjithçka tjetër do të gjejë vendin e duhur.

Libri i Predikuesit nën dritën e Krishtit

Si koment të fundit mbi mesazhin e librit të Predikuesit, kthehemi te një pasazh i Dhiatës së Re, i cili i referohet në mënyrë të tërthortë këtij libri:

Sepse unë mendoj, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne. Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me durim zbulimin e bijve të Perëndisë, sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi. (Romakëve 8:18-20)

Fjala kotësi (mataiotes) është fjala greke e përdorur në Septuaginta (përkthimin greqisht të Dhiatës së Vjetër) për të përkthyer fjalën hebraike kotësi (hebel) te libri i Predikuesit. Pali, përmes përdorimit të lejimit hyjnor, thekson se Perëndia e nënshtroi krijesën ndaj kotësisë (një aluzion i dukshëm i Rënies). Kështu kur Predikuesi u përpoq të gjente kuptimin e jetës “nën diell”—domethënë në një botë të rënë—ai ishte destinuar të dështonte.

Gjithsesi Pali nuk e lë me kaq. Ai vazhdon të flasë për mënyrën se si krijesa iu nënshtrua kotësisë “me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:20–21).

Apostulli këtu flet për ungjillin. Jezusi iu nënshtrua botës së rënë (Galatasve 3:13; Filipianëve 2:6–11), në mënyrë që të na çlironte nga mallkimi i Rënies. Ai madje vuajti vdekjen, armikun që ia bëri jetën kotësi Predikuesit, në mënyrë që të na çlironte nga gjemba e vdekjes.

Duke lexuar librin e Predikuesit nën dritën e Dhiatës së Re, ne shkojmë te Jezusi, tek i Cili jetët tona marrin kuptimin e vërtetë.

Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/everything-is-not-meaningless/

Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet