×

Bota është një rrëmujë e vërtetë, por e ardhmja jonë është e ndritshme

“Jo gjithmonë bëhet më mirë.”

“Ndonjëherë gjërat nuk përmirësohen.”

“Ne nuk po jetojmë jetën më të mirë.”

Është e vështirë të thuash fjali të tilla, sepse jemi mësuar me një qasje pozitive të menduarit për jetën. Nuk është e habitshme–jetojmë në një kohë ku shumë gjëra shkojnë mirë. Kemi kujdes të mire shëndetësor, bota nuk është përfshirë në ndonjë luftë botërore. Që nga Revolucione Industrial, jetëgjatësia është dyfishuar në shumë vende.

Gjithsesi, edhe me këto zhvillime vërtet pozitive, nuk kemi gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund vuajtjes. Vdekja na qëndron të gjithëve mbi kokë, sado të përpiqemi t’i japim fund mbretërimit të saj. Po e njëjta gjë me sëmundjet, sfidat financiare dhe vështirësitë e plakjes. Pavarësisht të gjitha mendimeve pozitive rreth nesh, nuk ka dyshim që ka shumë vështirësi dhe dhimbje.

Përballja me kufizimet

Të gjitha fjalët e mësipërme janë të vërteta për mua (dhe për ty) si qenie njerëzore. Megjithatë, këto gjëra i ndiej thellë edhe si baba gjithashtu. Në këtë aspekt, nuk jam ndryshe nga një burrë, i cili i shkroi të bijës 260 vite më parë. Jonathan Edwards ishte shqetësuar për Esther, vajzën e tij. Një nënë e re që jetonte larg familjes me të cilën ishte rritur, Esther ishte sëmurë rëndë në vitin 1753. Babai i saj i famshëm i shkroi për ta inkurajuar:

Edhe pse je shumë larg nesh, nuk je larg mendimeve tona: Jam tërë shqetësim për ty, shpesh mendoj për ty dhe lutem për ty. Edhe pse je kaq larg nesh dhe kaq larg të afërmve të tu, ky është ngushëllimi ynë, se i njëjti Perëndi që është këtu, është edhe në Onohquaga; dhe, edhe pse nuk të shohim e të arrijmë dot, je gjithmonë në duart e Perëndisë, që është pafundësisht i hirshëm; e mund t’i drejtohemi Atij duke të lënë nën kujdesin dhe mëshirën e Tij.

Çfarë letre befasuese! Jonathan Edwards kishte vërtet një pikëpamje të lartë për Perëndinë. Ai është burri që shkroi një ‘tezë’ ku hartonte “qëllimin për të cilin Perëndia e krijoi botën”. Përtej teologjisë së tij të lartë, Edwards ishte burrë i veprave. Ai jo vetëm u lut për rizgjim; por ai predikoi rizgjimin e nuk e pranoi mposhtjen frymërore. Historia e jetës së Jonathan Edwards është një përpjekje e pareshtur në shërbesë, disiplinë dhe përkushtim. Ai nuk ishte njeri i përsosur, por është e sigurt se ishte njeri aktiv.

Pavarësisht të gjitha mendimeve pozitive rreth nesh, nuk ka dyshim që ka shumë vështirësi dhe dhimbje.

Megjithatë, shohim në këtë letër prekëse të babait për të bijën se Edwards i njihte kufizimet e veta. Ai ishte “tërë shqetësim” për Esther-in, sepse nuk e ‘shihte’ dhe nuk e ‘arrinte’. Në kufizimet njerëzore, ai s’mund të bënte asgjë për ta ndihmuar. Edhe pse lutej shumë, ishte i pafuqishëm. E vërteta është se Esther-it i kishin mbetur më pak se pesë vite jetë dhe po ashtu, edhe Jonathan-it. Edwards e dinte çfarë do të përjetonte së shpejti: nuk do të mund ta merrte të bijën me vete në përjetësi. Ai nuk mund të bëhej bariu që ndihmonte familjarët e tij të kalonin Jordanin.

Çështja ishte përtej fuqive të tij.

Pikërisht aty ku Ai do që ne të jemi

Duam apo jo ta pranojmë, jemi të gjithë në pozitën e Esther-it. Nuk ka ilaç që mund të shërojë sëmundjen tonë vdekjeprurëse, e nuk ka prind që mund të na garantojë mirëqenie. Edhe pse duket e frikshme dhe kërcënuese, në të vërtetë jemi pikërisht aty ku Perëndia do që të jemi. Ashtu si Esther, ne që jemi në Krishtin, jemi “gjithmonë  në duart e Perëndisë”. Askush nuk mund të na rrëmbejë nga Ati (Gjoni 10:27). Asgjë që na ndodh nuk mund të na devijojë nga vullneti i Perëndisë për jetën tonë (Romakëve 8:31–39). Jeta është e pasigurt dhe nuk e dimë sa kohë kemi në këtë tokë (Jakobi 4:13–17). Megjithatë, edhe pse nuk mund të kishim më pak siguri se kaq për të ardhmen tonë tokësore, ne mund të zotërrojmë shumë më tepër siguri për shtëpinë tonë qiellore (1 e Gjonit 5:13–15).

Sa inkurajuese është kjo për të gjithë ne! Babai ose nëna që ndihet kaq i/e lodhur nga kjo jetë do të përjetojë pushimin e plotë në epokën që na pret. Fëmija që përballet me vetminë do të ngrihet për t’u bashkuar me familjen e vërtetë, familjen e Perëndisë, në përjetësinë që do të vijë. Bariu që ka vështirësi në përkujdesjen e ndaj një tufe të padisiplinuar, do të hyjë në një mbretëri të përsosur, ku nuk ka asnjë lloj armiqësie. Tek Adami, gjërat nuk bëhen më mirë, por në Krishtin, e ardhmja është tërësisht e ndritshme.

Tek Adami, gjërat nuk bëhen më mirë, por në Krishtin, e ardhmja është tërësisht e ndritshme.

Kjo shpresë nuk është aspak e kotë dhe e përgjithshme. Ajo, në fakt, është specifike dhe personale. Është kozmologjike dhe kristologjike. Kemi një shtëpi të përjetshme, qiejt e rinj dhe toka e re, vepra e një krijimi të ri që ka filluar tashmë në Krishtin (Hebrenjve 12:18–29). Është një zinxhir, një shkallë e pamposhtur e sigurimit hyjnor, e cila shtrihet nga fillimi i historisë deri në fund të saj, e askush nuk mund të na rrëzojë dot prej saj. Shpëtimi ynë filloi në vullnetin e Atit, u sigurua në vdekjen e Birit dhe na mban përmes pranisë së Frymës që banon në ne (Efesianëve 1:15–20). Ajo që rrjedh nga paranjohja, paracaktimi dhe zgjedhja hyjnore do të përmbushet në triumf, lavdërim dhe lartësim në të ardhmen. Mund ta themi ndryshe kështu: në Birin e kryqëzuar e të ringjallur të Perëndisë, shpresa është kaq thellë e rrënjosur sa nuk është më thjesht shpresë.

Në duar të sigurta

E gjitha kjo ndodh sepse i krishteri nuk është kurrë i humbur. Nuk jemi kurrë të braktisur. Jemi gjithmonë të Perëndisë; Perëndia është gjithmonë i yni. Vepra e Krishtit nuk është e paplotë; është kryer (Gjoni 19:30). Nuk mund të ishte më e përmbushur se kaq. Sa ngushëlluese është kjo për ne, teksa përballemi me vdekjen. Së shpejti, ne do të kalojmë Jordanin, ashtu si Jonathan dhe Esther Edwards bënë para nesh. Tani qëndrojmë në brigjet e stuhishme të lumit, por e shohim anën tjetër.

Derisa të shkojmë atje, përballemi me probleme të mëdha dhe sfida të mundimshme. Gjërat mund të mos përmirësohen në aspektet tokësore. Vështirësitë mund të na mundojnë, por nuk e humbasim shpresën. Do të arrijmë në Kanaanin e Ri. Perëndia nuk do të na braktisë. Kjo është shpresa jonë, shpresë e rrënjosur në planin e përjetshëm dhe në veprën e përmbushur nga Krishti: çfarëdo që të ndodhë, jemi gjithmonë në krahët e Perëndisë.


Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/world-mess-future-bright/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2021

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet