×

T’i heqim vizë Judës si shejtan apo si viktimë është e lehtë, por mua më ka bërë përshtypje të thellë fakti që në shumë mënyra, ai ishte njëlloj si unë.

Juda ishte një ndjekës i Jezusit dhe predikues i ungjillit, por ai karakterizohej nga një mendje e dyfishtë. Në fund, ai e braktisi besimin që kishte rrëfyer dikur.

Ja ku janë katër gjëra të cilat mund t’i anashkalojmë lehtësisht në historinë e Judës.

1. Përkushtimi që ai ndërmori

Juda ndërmori një përkushtim ndaj Jezusit dhe nuk ka asnjë arsye të mendojmë që nuk ishte i sinqertë në besimin e tij. Sikurse dhe dishepujt e tjerë, ai la gjithçka për ta ndjekur Zotin tonë. Juda ishte i përfshirë në mënyrë aktive në shërbesë dhe atij iu dhanë dhunti të jashtëzakonshme frymërore. Luka na tregon se Jezusi i thirri ‘të dymbëdhjetët’ bashkë (ku përfshihej edhe Juda) dhe “U dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët, dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë” (Luka 9:1-2).

Juda Iskarioti ishte një predikues i ungjillit! Atij iu dha dhuntia e shërimit dhe ai ushtroi pushtet mbi demonët. Përfshirja aktive në shërbesë është gjë e mirë dhe e mrekullueshme, por nuk është në vetvete garanci e jetës apo shëndetit frymëror.

2. Mundësia që iu dha atij

Juda eci me Jezusin për tre vjet. Ai e pa jetën më madhështore që ishte jetuar ndonjëherë, nga shumë afër dhe në mënyrë personale. Nuk mund të kesh një model më të mirë të besimit se sa Jezusi, apo një mjedis më të mirë për të formuar besimin nga sa kishte Juda në ecjen me Shpëtimtarin.

Ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i mrekullive. Kur Jezusi ushqeu 5000 vetë, Juda ishte atje. Ai mori bukën dhe e shpërndau bashkë me dishepujt e tjerë. Kur Jezusi qetësoi stuhinë, Juda ishte atje. Ai ishte atje, kur Jezusi ringjalli Llazarin prej së vdekuri. Nuk mund të kesh prova më të mira për besimin se nga ato që kishte Juda.

Juda gjithashtu e dëgjoi të gjithë mësimin e Jezusit. Ai e dëgjoi Predikimin në Mal, prandaj ai e dinte që ekzistonte një shteg i ngushtë, i cili të çon në jetë dhe një rrugë e gjerë, e cila të çon në shkatërrim. Ai i dëgjoi paralajmërimet që Jezusi ju tha farisenjve dhe e dinte se ekzistonte një ferr për t’u evituar dhe një qiell për t’u fituar. Dëgjoi shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës dhe e dinte se Perëndia ishte gati t’i mirëpriste dhe t’i falte ata që e kanë shkatërruar jetën e tyre në shumë mëkate.

Me vetë sytë e tij, Juda pa provat më të qarta. Me vetë veshët e tij, ai dëgjoi mësimin më të mirë. Me vetë këmbët e tij e ndoqi shembullin më të madh. E megjithatë, ky burrë përsëri e tradhtoi Jezusin.

Me vetë sytë e tij, Juda pa provat më të qarta. Me vetë veshët e tij, ai dëgjoi mësimin më të mirë. Me vetë këmbët e tij e ndoqi shembullin më të madh. E megjithatë, ky burrë përsëri e tradhtoi Jezusin.

Zemra njerëzore është e pakuptueshme (Jeremia 17:9) dhe ka diçka të pakonceptueshme rreth një personi që e braktis besimin që dikur e kishte rrëfyer. Është e vështirë të kuptosh se si një i ri i rritur nga prindër të perëndishëm në kontekstin e një kishe të shëndetshme, që i janë mësuar të vërtetat e Shkrimit që në moshë të njomë dhe i cili është themeluar në apologjetikë, të heqë dorë nga Jezusi.

Historia e Judës përmban një mësim të rëndësishëm për prindërit, udhëheqësit dhe miqtë që vajtojnë për dikë të cilin e duan, por që e ka braktisur besimin. Ata shqetësohen:

  • Ku gabuam?
  • Çfarë mund të kishim bërë më tepër?
  • Mos dështuam në mësimin tonë?
  • Mos dështuam në shëmbullin tonë?
  • A duhej ta kishim zhytur djalin, vajzën apo mikun tonë në një mjedis tjetër?

Prandaj, Juda na mëson që edhe shembulli më i mirë, edhe provat më bindëse, edhe mësimi më i mirë (ambienti përfundimtar për ta kultivuar besimin), në vetvete, nuk mundet që ta ndryshojë zemrën njerëzore.

3. Zgjedhja që ai bëri

Satani hodhi një sulm të pamëshirshëm kundër shpirtit të Judës, sikurse bën edhe kundër kujtdo që vendos ta ndjekë Krishtin. Ja se çfarë lexojmë për sulmet e satanit kundër Judës:

Atëherë satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot. (Luka 22:3–4)

Mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte. (Gjoni 13:2)

Satani hyri në të. (Gjoni 13:27)

Deklaratat e qarta të Biblës rreth aktivitetit të satanit i kanë bërë disa të thonë: “I shkreti Judë, ai nuk kishte mundësi, satani hyri brenda tij. Çfarë mund të bënte ai në këtë rast?” E megjithatë, ky vlerësim e anashkalon faktin që Juda ia hapi derën satanit.

Juda kishte qenë duke vjedhur nga qesja kolektive e parave dhe kur e ruajti këtë mëkat të fshehtë, satani hyri tek ai. Ai bëri një marrëveshje me kryepriftërinjtë dhe pastaj shkoi, dhe u ul në tryezë me Zotin tonë, i mbushur me mëkate, të cilat i dinte por nuk i rrëfeu, dhe satani hyri edhe më thellë në jetën e tij. Mëkati i pa rrëfyer, gjithmonë ia hap derën pushtetit të satanit.

Mëkati i pa rrëfyer gjithmonë ia hap derën pushtetit të satanit..

Satani nuk mund të fitojë dot as edhe një thërrime vend në jetën e njerëzve që ecin në dritë me Jezusin. Ai gjen vend vetëm kur ne ia hapim derën. Sikurse vëzhgon edhe Klaus Schilder:

Madhështia e veçantë e Jezusit është që Ai mund të ngadhënjejë mbi njeriun, pa qenë nevoja që njeriu së pari t’i afrohet Atij. Gjithsesi, ja ku vërtetohet dobësia e satanit, që ai nuk mund t’i afrohet dot një shpirti, nëse ai shpirt më së pari nuk është kthyer nga ai.

Ndonjëherë ne e marrim këtë në mënyrë të gabuar, kemi frikë se satani, në një farë mënyre, do të ketë një hyrje të fshehtë te fëmijët e Perëndisë, ndërkohë që dyshojmë se Jezusi mund të bëjë gjithçka për një person, nëse ai nuk e ka hapur derën. Bibla na mëson krejtësisht të kundërtën

4. Rezultati që ai përqafoi

Juda doli jashtë në errësirën që kishte zgjedhur. Kur i afrohesh Jezusit, njëra nga këto dy gjëra do të ndodhë: ose do të bëhesh plotësisht i Tij, ose të përfundosh edhe më i larguar prej Tij.

Mes atyre që e urrejnë më tepër Krishtin, disa dikur rrëfenin se i besonin Atij. Pretendimet e Tij janë aq ekskluzive dhe kërkesat aq gjithëpërfshirëse saqë, në fund, ose duhet t’i dorëzohesh plotësisht Perëndisë, ose të heqësh dorë plotësisht prej Tij. Nuk ka rrugë të mesme.

Historia e Judës na kujton se asnjë gjë e mirë nuk mund të dalë nga braktisja e Jezu Krishtit.

Vetëm ata që nuk e kanë njohur kurrë Atë, mund të qëndrojnë indiferent ndaj Tij. Për ata që afrohen, rezultatet e vetme janë përkushtim i plotë apo antagonizëm përfundimtar; dhe çdo ditë, secili prej nesh po shkon në njërin nga këto dy drejtime.

Në një epokë ku shumë po e braktisin besimin që dikur e kishin rrëfyer, historia e Judës na paralajmëron që t’i ruajmë zemrat tona, në mënyrë që të mos rrëshqasim tej. Krishti na bën thirrje: “Dhe kini dhembshuri për njëri-tjetrin duke përdorur dallim, por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit” (Juda 22-23). Përfundimisht, historia e Judës na kujton se asnjë gjë e mirë nuk mund të dalë nga braktisja e Jezu Krishtit. Ai ka një vlerë supreme dhe ndjekja e Tij ia vlen, pavarësisht kostos.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/4-things-learn-judas/
Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet