×

Katër gjëra të cilat nuk mund t’i bësh dot pa teologjinë sistematike

Përpara se të kuptojmë pse teologjia sistematike është thelbësore, duhet së pari të kuptojmë çfarë është ajo. Nuk ka një përkufizim të vetëm të teologjisë sistematike, por në thelb të saj është disiplina që përmblidhet nga shprehja “Besimi kërkon kuptimin.”

Teologjia sistematike ndërton mbi rezultatet e teologjisë biblike. Teologjia biblike është disiplina e egzegjezës që kërkon të rrokë tërësinë e Shkrimit si shpalosja e planit të Perëndisë nga Zanafilla deri te Zbulesa. Duke filluar me Shkrimin si Fjala e Perëndisë e shkruar me anë të autorëve njerëzorë – autoriteti ynë final (Sola Scriptura -Vetëm Shkrimi), për atë që mendojmë në lidhje me Perëndinë, veten tonë, dhe botën – teologjia biblike kërkon “të vendosë së bashku” gjithë kanonin e Shkrimit në një mënyrë që i qëndron besnike qëllimit të Perëndisë.

Prandaj teologjia sistematike aplikon të vërtetat e përfituar nga teologjia biblike në çdo aspekt të jetëve tona. Ajo na udhëheq në formulimin doktrinor – çfarë duhet të besojmë dhe si duhet të jetojmë – gjë e cila është e përligjur nga kanoni i Shkrimit dhe bëhet nën dritën e teologjisë historike.

Kështu teologjia sistematike krijon një botëkuptim të menduar mirë i cili e aftëson kishën të mendojë si duhet “mendimet e Perëndisë sipas Tij” dhe ta vendosë të vërtetën biblike përballë konkurentëve të saj. Qëllimi i teologjisë sistematike është “të bëjë rob çdo mendim që t’i bindet Krishtin” (2 e Korintasve 10:1-5), për të mirën tonë, për jetën dhe shëndetin e kishës, dhe më e rëndësishmja për lavdinë e Perëndisë.

Ja ku janë katër gjëra të rëndësishme të cilat s’mund t’i bëjmë dot pa teologjinë sistematike.

1. Të njohim Perëndinë

Teologjia sistematike është e nevojshme për ta njohur si duhet Perëndinë si Krijuesin Triun dhe Perëndinë e besëlidhjes (nuk ka gjë më të rëndësishme se kjo!). Është e vërtetë që Perëndia e ka zbuluar veten në krijim, dhe ne e njohim Atë nga ajo që krijuar (shih Psalmi 19:1-6; Romakëve 1:18-32). Por Perëndia nuk na krijoi që ta njohim Atë thjesht prej studimit tonë të krijimit; Ai na foli me fjalë përmes profetëve dhe se fundmi me anë të Zotit tonë Jezus dhe fjalëve të Tij të frymëzuara përmes apostujve të Tij (Gjoni 1:1-18: 2 e Timoteut 3:16-17; Hebrenjve 1:1-2; 2 e Pjetrit 1:20-21).

Por, për ta njohur me të vërtetë Perëndinë duhet të njohim jo vetëm gjithë Shkrimin por gjithashtu duhet të dimë si ta “vendosim së bashku” (përmes formulimit teologjik) gjithçka që na mëson Shkrimi.

Për shembull, mendo për Perëndinë si Triun. Doktrina e Trinitetit është e vërtetë sipas Shkrimit, por është gjithashtu rezultatit i reflektimit të kujdesshëm mbi gjithçka që Shkrimi mëson lidhur me unitetit e Perëndisë si Perëndi dhe të qënit tre si At, Bir, dhe Frymë, dhe shumë më tepër se kaq. Triniteti nuk gjendet në një varg apo kapitull por në tërësinë e Shkrimit, dhe nëse teologjia sistematike nuk bëhet siç duhet, nuk do ta njohim si duhet Perëndinë.

Pa teologjinë sistematike, të kuptuarit tonë se kush është Perëndia madje edhe besimi ynë në Të në këtë botë të rënë do të jetë më pak nga sa duhet të jetë.

Ose mendo për marrëdhënien mes sovranitetit hyjnor dhe lirisë njerëzore. Reflektimi i kujdesshëm teologjik mbi gjithë kanonin e Shkrimit është i nevojshëm në mënyrë që ta kapësh si duhet këtë të vërtetë, e cila ka rëndësi të madhe në jetët tona të përditshme.

Pa teologjinë sistematike, të kuptuarit tonë se kush është Perëndia madje edhe besimi ynë në Të në këtë botë të rënë do të jetë më pak nga sa duhet të jetë.

2. Të njohim vetveten

Teologjia sistematike është gjithashtu e nevojshme për të njohur se kush jemi ne si mbajtës të imazhit të Perëndisë dhe se çfarë kërkon Perëndia nga njerëzit e Tij. Teologjia na tregon se historia e Biblës shpjegohet në kategoritë e krijimit, rënies, shpengimit, dhe krijimit të ri. Teksa përpiqemi të kuptojmë se kush jemi, duhet të pyesim me kujdes se çfarë na krijoi Perëndia që të jemi, çfarë na ndodhi në mëkatin tonë, dhe çfarë ka arritur Krishti në shpengimin tonë dhe përlëvdimin tonë përfundimtar. Në qoftë se nuk e shohim veten tonë në këtë mënyrë, do të dështojmë të rrokim një botëkuptim vërtet të krishterë.

Përveç kësaj, teologjia është e nevojshme për të kuptuar se çfarë kërkon Perëndia prej nesh sot. Ne e dimë se nuk mund ta zbatojmë rastësisht Shkrimin në jetët tona pa e interpretuar atë nen dritën e ardhjes së Krishtit.

Por si e dallojmë se çfarë zbatohet te ne dhe çfarë jo? Përgjigjia: të menduarit teologjik lidhur me tërë kanonin e Shkrimit. Duke ditur se Perëndia e ka shfaqur planin e Tij me kalimin e kohës, ne duhet të përleshemi për të kuptuar se si pjesët përshtaten me tërësinë, dhe se si e gjitha kjo zbatohet te ne sot.

Për ta bërë këtë gjë na nevojitet teologjia sistematike, e ndërtuar mbi teologjine biblike, dhe pa bërë teologji të mirë, ne shpesh do të bëjmë gabime (si ai që bënë Judaizuesit në Galaci sepse ata nuk e ndoqën si duhet Shkrimin).

Teologjia sistematike i ndikon jetët tona duke na ndihmuar që të bëjmë zbatimet e duhura të Shkrimit në jetët tona si njerëz të beslidhjes së re të Perëndisë.

3. Të jemi kisha

Teologjia sistematike është gjithashtu e nevojshme për të përmbushur thirrjen tonë si kishë. Cila është thirrja jonë? Ta njohim Perëndinë si duhet dhe të jetojmë si shëmbëlltyrë mbajtës të shpenguar – dhe kjo është e lidhur me të bërët teologji. Përveç kwsaj, thirrja jonë është t’u shpallim ungjillin kombeve (Mateu 28:18-20). Por çfarë përfshihet në këtë shpallje?

Për të shpallur ungjillin dhe për të përmbushur thirrjen tonë si kishë kërkohet teologjia sistematike.

Së pari, do të thotë të shpallim një pamje specifike se kush është Krishti si Zot – dhe kjo varet nga teologjia sistematike. Në fund të fundit, kush është Jezusi? Në mësimet e Skrimit dhe të kishës, Ai është Perëndia Bir i mishëruar. Megjithatë, çfarë do të thotë kjo? Si e kuptojmë ne faktin se Jezusi është Bir që nga përjetësia, i cili është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri? Teologjia sistematike është e nevojshme për të shpallur se kush është Jezusi si i vetmi Zot i vërtetë.

Së dyti, do të thotë të shpallësh veprën e tij shlyese. Çfarë realizoi kryqi i tij? Çfarë do të thotë që Jezusi vdiq “për mëkatet tona” (1 e Korintasve 15:1-3)? Gjatë historisë së kishës, njerëzit nuk kanë rënë gjithmonë dakord në këtë pikë, prandaj teologjia është e nevojshme për t’ua shpallur Krishtin si duhet kombeve.

Mund të japim më shumë shembuj, por çështja është kjo: për të shpallur ungjillin dhe për ta përmbushur thirrjen tonë si kishë kemi nevojë për teologjinë sistematike.

4. Të mbrojmë besimin

Së fundmi, teologjia sistematike është e nevojshme për të mbrojtur besimin që iu transmetua një herë e përgjithmonë shenjtorëve (Jude 3). Por, për të mbrojtur besimin supozohet një përmbajtje e caktuar e besimit – e cila është e lidhur me teologjine sistematike. Përveç kësaj, supozohet që ne të njohim të vërtetën si një botëkuptim tërësor dhe të plotë përballë gabimeve të botës. Apologjetika apo “mbrojtia e besimit,” është e lidhur ngushtë me teologjinë sistematike dhe pa atë, ne s’mund ta përmbushim dot thirrjen tonë për ta shpallur Krishtin dhe për ta mbrojtur të vërtetën e ungjillit të hirit (Titi 1:9; 1 e Pjetrit 3:15-16).

Teologjia sistematike nuk është fakultative për të krishterët. Çdokush ka një teologji sistematike, e pranojnë ose jo, dhe teologjia e secilit ndikon në mënyrë praktike jetën e tyre për mirë apo për keq.

Kështu që pyetja nuk është nëse duhet ta marrim seriozisht teologjinë por nëse teologjia jonë do të rritet për t’u bërë më në përputhje me Shkrimin, duke na aftësuar kështu që të jetojmë me besnikëri përpara Perëndisë tonë triun dhe të shpallim të vërtetën e ungjillit para një botë që na vëzhgon.

Përktheu: Rodolf Tahip | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje:

https://www.thegospelcoalition.org/article/4-things-you-cant-do-systematic-theology/

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “Botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet