Shenjtërimi me anë të vuajtjes është diçka që e përjeton çdo i krishterë. Format dhe kohëzgjatja e vuajtjes ndryshon sipas individëve, ndërsa natyra e përkohshme e shumicës së sprovave përfundon vërtet me premtimin shpresëplotë të një dite të re, rrezet e së cilës çajnë përmes errësirës.
Ne kapemi pas urtësisë së Predikuesit, duke kërkuar me ëndje nisjen e një stine të re. Gjithsesi, si mund të rezistojmë, kur duket se dimri i gjatë i Narnias ka ardhur dhe Krishtlindja nuk po vjen më? Si mund ta durojmë vuajtjen kur fundi i saj nuk shihet? Po sikur Perëndia të na ketë thirrur për vuajtje gjatë gjithë jetës?
Këtë pyetje ma bëri një mikeshë, e cila së fundmi po kërkonte për një mënyrë për ta lavdëruar Perëndinë gjatë një sprove të papritur e të vështirë, e cila mund ta ndikonte gjithë jetën e saj: Ata që e kanë frikë dhe e adhurojnë Atë, si mund t’u përgjigjen sprovave që zgjatin gjithë jetën me një qëndrim lavdërues të Perëndisë dhe me një dëshmi të gëzueshme?
Edhe unë, edhe familja ime jemi përballur me këtë dilemë. Ne e kërkuam Zotin duke mësuar se si të kapemi pas Tij dhe ta nderojmë Atë me gëzim e shpresë, duke u munduar të kuptojmë ndryshimet që shoqëruan një jetë të papritur vuajtjeje, si pasojë e një tragjedie mjekësore. Fjala e Perëndisë na dha gëzim dhe paqe shpirtërore, teksa ne zbatuam tre praktika të mendimit biblik:
Nise me Fundin
Vuajtja mund të na shkaktojë një përmbytje mendimesh dhe ndjenjash trishtimi, hutimi, vetmie, inati dhe frike, duke na tunduar t’i largojmë sytë nga shpresa dhe premtimi i Perëndisë dhe duke parë në mënyrë të kufizuar vetëm pengesat që na gjenden para syve.
Megjithëkëtë, Perëndia i ka dhënë popullit të Tij shpresë të përjetshme përmes Birit të Tij. Romakëve 8:18 na kujton se vuajtjet e tashme nuk vlejnë të krahasohen me lavdinë që do të vijë. Duhet t’i ngremë sytë dhe të shohim përpara, teksa presim fundin dhe shpresën tonë të ardhshme.
Në sa gëzim mund të kthehet vuajtja jote, nëse e nis çdo ditë duke kujtuar premtimet e përjetshme të Perëndisë? Sa shumë mund të ndryshojnë fjalët dhe veprimet e tua, nëse ti do të besoje me siguri se një ditë do të bashkohesh me Shpëtimtarin tënd dhe do të marrësh pjesë në lavdinë e Tij si bashkëtrashëgimtar?!
Romakëve 8:23, 24 na kujton se tashmë i kemi frytet e para të Frymës; me anë të shpresës, ne shpëtohemi dhe një ditë do të përjetojmë shpengimin e trupave tanë, siç e kemi marrë tashmë jetën e re në shpirtrat tanë. Ne mund të ndjekim shembullin e Abrahamit, i cili i besoi premtimet e besëlidhjes që iu bënë, por nuk e pa plotësimin e tyre gjatë kohës që ishte gjallë. Ai pa përtej rrethanave të çastit dhe dëshiroi një vend më të mirë, atë qiellor (Heb. 11:16).
Praktiko lavdërimin
Një nga sfidat më të mëdha për në përjetimin e sprovave madhore është kontrolli i mendimeve të tua. Tundimi për të rrëshkitur në mendime “po sikur” të pavërteta e të frikshme është një betejë e vazhdueshme dhe e rëndësishme, e cila duhet luftuar. Ato kërkojnë ta copëtojnë besimin tonë dhe të na bëjnë të dyshojmë në mirësinë e Perëndisë. Siç luftoi Pali kundër ideologjive dhe mësuesve të rremë te 2 e Korintasve 10:5, duke kapur rob çdo mendim për ta bërë të bindur ndaj Krishtit, edhe ne duhet t’i trajtojmë kështu mendimet tona kundër të vërtetës së qenies së Perëndisë dhe ta lavdërojmë për karakterin e Tij të shenjtë e të pandryshueshëm. Kërko në mënyrë aktive në Shkrime duke lexuar këngë lavdërimi, për t’i kujtuar vetes se Cilit i përket.
Siç e shfaq Shkrimi Perëndinë e gjithëpushtetshëm, i cili sundon mbi gjithë krijimin, le të këndojë e të meditojë zemra jote mbi mirësinë e Tij, zemërgjerësinë e Tij besnike dhe dhembshurinë e Tij për zemërthyerit. Ndiq shembullin e Davidit në vajtimet e tij. Nxirre ankthin, dhimbjen, trishtimin dhe pasigurinë tënde, e më pas lëri te kryqi, atje ku i vuajti Krishti, teksa mbajti peshën e mëkatit të njeriut, që paqja, prehja dhe ngushëllimi të gjendet në punën e Tij të kryer. Lavdëroje Shpëtimtarin dhe Shpenguesin, flijimi i të cilit garanton shpëtimin tënd nga mëkati dhe vuajtja.
Nënshtroju sovranitetit të Krishtit dhe gjej prehje
Kolosianëve 1:15-20 shpall epërsinë madhështore të Krishtit. Të gjitha gjërat mbahen prej Tij dhe Ai na ka pajtuar me Perëndinë përmes gjakut të kryqit të Tij. Përmes Krishtit, paqja dhe prehja janë tonat. Vuajtja e vazhdueshme në jetën e të krishterit na tundon të besojmë se Perëndia na ka harruar, ose më keq akoma, se Ai është kundër nesh, ndaj luftojmë për të gjetur shpëtim. Vuajtjet kronike ose mund ta dobësojnë trupin dhe shpirtin në natyrën e Tij të pamëshirshme ciklike (nëse dyshojmë në fuqinë e kontrolluar dhe sovrane të Perëndisë), ose mund ta forcojnë besimin tonë, nëse e dimë se Cilit i besojmë (1 e Tim. 1:12).
Perëndinë nuk e habisin vuajtjet tona: planet dhe qëllimet e Tij nuk pengohen! Përkundrazi, Ai është i përfshirë për t’u afruar me ne edhe gjatë vështirësive. Ai na jep mundësinë ta njohim në mënyrë më intime, të praktikojmë përulësi, të jemi marrës të ngushëllimit së Frymës të Tij, të shpallim lavdet e Tij dhe ungjillin e Tij jobesimtarëve, dhe ta inkurajojmë kishën me një dëshmi dashurie e besnikërie që nuk dështon. Sovraniteti i Perëndisë sundon në vuajtjet tona për lavdinë e emrit të Tij.
Kjo e vërtetë që Perëndia ynë i përtejshëm ka gjithçka nën kontroll, na siguron që nuk do të humbasim apo të braktisemi gjatë një sprove. Përkundrazi, Ai na ofron veten e Tij. Ne e takojmë Perëndinë e gjithëpushtetshëm në një mënyrë akoma më intime. Ai zbriti te ne. Ai erdhi te ne, Immanuel, Perëndia me ne. Krishti veshi mish, e përuli Veten dhe shkoi në kryq që të vuajë për ne, në mënyrë që ne të ribashkoheshim me Atin.
Nëse Perëndia Sovran i gjithë krijimit na deshi aq sa dërgoi Birin e Tij për të thyer mallkimin e mëkatit dhe vdekjes në jetët tona, a nuk do të na jetë Ai forcë dhe ndihmë në kohë nevoje dhe a nuk do të na sjellë paqe dhe prehje përmes Ngushëlluesit? Ne mund të inkurajohemi nga nxitja e Pjetrit për pleqtë që të kujtonin se: “Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel.”
Si besimtar që kalon vuajtje të vazhdueshme, ti mund të rezistosh me shpresën e ungjillit dhe me gëzimin e njohjes të Atij të cilit i beson. Duke medituar mbi premtimet e përjetshme, duke zbatuar të vërtetat e ungjillit që sjellin lavdërim dhe duke iu nënshtruar e duke gjetur prehje në kujdesin sovran të Perëndisë përmes Frymës, ti do ta përlëvdosh Atë e do ta gëzosh zemrën tënde.
Botuar me leje: https://ca.thegospelcoalition.org/article/3-ways-to-glorify-god-in-lifelong-suffering/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.