×

5 Parime për disiplinimin e fëmijëve tuaj

Para se të kisha fëmijë punova për disa vite si këshilltare nëpër kampe dhe si mësuese në një gjimnaz të madh publik. Të dyja këto sfonde më mësuan rëndësinë e disiplinës në zhvillimin e një fëmije. Pa strukturë dhe rregulla, kampi veror do të përfundonte shumë shpejt në një version të romanit Zotëria i Mizave. Pa rregull në klasë, nxënësit e mi nuk do të kishin kurrë një mundësi për të mësuar.

Përgjatë viteve të punës me fëmijë ka pasur pesë parime udhëzuese, të cilat më kanë ndihmuar si këshilltare, si mësuese dhe në mënyrë të veçantë, si nënë. Edhe pse jo të gjitha metodat funksionojnë me të gjithë fëmijët kam zbuluar që këto parime funksionojnë për një larmi fëmijësh, pavarësisht moshës, gjinisë apo natyrës.

1. Mëso duke paraprirë, në vend që të mësosh duke reaguar

Fëmijët kanë nevojë që t’u mësohet se çfarë është e drejtë, po aq sa dhe kanë nevojë që të korrigjohen. Historitë e Biblës, ndodhitë e përditshme dhe gabimet bëjnë të mundur që në situata të ndryshme të pyesim: “Cila do ishte gjëja e duhur për të bërë?” Lejimi i fëmijës tuaj për të treguar hapat e duhura të veprimit e ndihmon atë të kuptojë më mirë, se sa thjesht ta dëgjojë nga goja juaj.

Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, para se të shkonim në dyqan i pyesja në formë loje: “A do të sillemi si huliganë në dyqan?” Sigurisht që ata përgjigjeshin: “Jo!” Pastaj i pyesja: “Çfarë bën një huligan në dyqan?” Ata më jepnin lloj-lloj sugjerimesh: vrap nëpër dyqan, mosbindje ndaj mamit, qëndrim në këmbë në karrocë, kërkojnë karamele, këlthasim me zë të lartë dhe shumë ide të tjera qesharake.

Rishikimi duke i paraprirë pritjeve që kishim për kohën në dyqan ndihmoi së tepërmi në bindjen e tyre. Fëmijët kanë nevojë të kujtohen çdo ditë se si të jenë miq, si të sillen në publik, si të reagojnë ndaj ashpërsisë dhe si të kërkojnë të falur. Nëse e kalojmë gjithë kohën tonë duke thënë: “Mos e bëj atë!”, pa thënë gjithashtu: “Bëj këtë!”, fëmijët tanë do të jenë edhe më të zhgënjyer, duke mos e ditur se cila është zgjedhja e duhur që duhet bërë.

2. Jepni si pasojat ashtu dhe shpërblimet

Kur Perëndia bëri besëlidhjen e Tij me popullin e Izraelit, Ai vendosi para tyre bekimet dhe mallkimet (Ligji i Përtërirë 30). Në mënyrë të qartë u paraqiti bekimet e bindjes dhe pasojat e mosbindjes. Ndërsa i trajnojmë fëmijët tanë, është e dobishme të bëjmë të njëjtën gjë.

Disa prindër hezitojnë të japin një shpërblim, për shkak se e konsiderojnë njëlloj si një ryshfet. Megjithatë, shpërblimet dhe ryshfetet në thelb janë të ndryshme në atë që komunikojnë. Shpërblimet inkurajojnë dhe lavdërojnë sjelljen e duhur. Rryshfetet shpërblejnë dhe inkurajojnë sjelljen e gabuar. Shpesh këto të dyja mund të duken të ngjashme, prandaj le të marrim në konsideratë një shembull.

Një vajzë 18 muajshe po bën naze dhe nuk ulet në karrocën e saj në dyqan. Rryshfeti do të ishte diçka e tillë: Nëna dhe fëmija hyjnë në dyqan. Nëna përpiqet ta vendosë fëmijën në karrocë. Fëmija ulëret, përpëlitet dhe shkelmon mamin e saj. Nëna përpiqet sërish, por ndodh e njëjta gjë. Në zhgënjim e sipër, ajo sheh kuletën e saj gjen një lëpirëse dhe ia jep fëmijës së saj për ta bërë të ulet në karrocë.

Ndryshe nga kjo, një shpërblim duket pak a shumë kështu: Para se të dalin nga makina, nëna e sheh fëmijën e saj në sy dhe i thotë: “E di që me raste, vajtja në dyqan mund të jetë gjë e vështirë. Prandaj, nëse do të hipësh në karrocë me bindje, kemi një surprizë për ty. A mendon se mund të sillesh mirë sot?” Fëmija përgjigjet “Po” dhe mezi e pret shpërblimin. Ato hyjnë në dyqan, vajza hipën në karrocë dhe nëna i tregon lëpirësen. I premton se, nëse mund të qëndrojë në karrocë dhe të sillet mirë, mund të fillojë ta hajë lëpirësen, kur të kenë bërë gjysmën e pazarit.

Në rastin e parë, fëmija është në kontroll. Në thelb ai shpërblehet për të qarat, shkelmat dhe ulërimat. Në rastin e dytë nëna është në kontroll të situatës me vendosmëri dhe fëmija shpërblehet për sjelljen e duhur. Shpërblimet i ndihmojnë fëmijët tanë që në fund të kuptojnë mirësinë e udhëve të Perëndisë dhe që Ai e shpërblen mundin tonë (Kolosianëve 3:23, 24).

3. Përforconi rregullat që jepni

Kur fillova të jepja mësim, disa nga studentët e mi ishin vetëm pesë vjet më të vegjël se unë. E kuptova që duhej t’i përforcoja rregullat, nëse doja të fitoja respekt. Ata duhej të besonin që “po”-ja ime ishte “po” dhe “jo”-ja ime ishte “jo”, nëse do të ruaja rregullin në klasë.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe me fëmijët tanë. Nëse i thua fëmijës tënd që do të largohet nga lojërat nëse qëllon një fëmijë tjetër, atëherë largohuni nëse ai e bën këtë gjë. Nëse i thoni djalit tuaj që nuk do ta shohë filmin, nëse nuk e rregullon shtratin, atëherë veproni kështu kur ai të mos bindet. Fëmijët tanë kanë nevojë të dinë që e mbajmë fjalën, edhe kur është e vështirë.

Tani që e kemi thënë këtë, duhet të përmend gjithashtu: Jepni një pasojë vetëm kur të jeni të gatshëm që ta përforconi atë. Nëse vërtet doni ta çoni fëmijën tuaj të shohë filmin apo të qëndrojë te lojërat, atëherë gjeni një pasojë që përshtatet më mirë me situatën.

Të gjithë ne duhet të pranojmë se disiplinimi i fëmijëve rrallëherë është diçka e rehatshme. Shpesh ata nuk binden, ndërkohë që ne preferojmë më mirë të bëjmë diçka tjetër se sa të kalojmë kohë duke i korrigjuar me dashuri. Megjithatë ia vlen të sakrifikosh për frytin e disiplinës besnike. Jua premtoj!

4. Metoda e disiplinës duhet të jetë e efektshme

Familje të ndryshme përdorin një larmi metodash për t’i disiplinuar fëmijët. Në fakt, edhe brenda të njëjtës familje, fëmijët e ndryshëm kërkojnë pasoja të ndryshme. Megjithatë, pavarësisht metodës, nga Hebrenjve 12:11 mësojmë: “Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.”

Çfarëdo metode disipline që të përdorni, ajo duhet t’i shkaktojë parehati fëmijës tuaj. Qartësoj se kjo nuk lejon asnjë lloj abuzimi ndaj fëmijës apo që prindi ta “shfryjë zemërimin” te fëmija. Disiplina është për të mirën e fëmijës, jo për zemërimin e prindit. Nëse jeni të zemëruar apo të zhgënjyer duhet të prisni derisa të qetësoheni për ta korrigjuar fëmijën tuaj.

Në familjen tonë, faza e parë e disiplinës fillon me një qortim të prerë dhe duke kujtuar pasojat. Pastaj e largojmë fëmijën nga situata, zbresim në nivelin e tij dhe i themi prerazi që sjellja e tij është e papranueshme. Nëse fëmija dështon t’ia vërë veshin paralajmërimit tonë, zakonisht e veçojmë për aq minuta sa është dhe mosha e tij. Nëse nuk ulet gjatë kohës së dënimit apo vazhdon të mos bindet, atëherë disiplinohet me disa të goditura në prapanicë.

Ndërsa fëmijët rriten, këto metoda bëhen edhe më pak të efektshme, prandaj është e rëndësishme që të bëhet rivlerësimi i tyre. Humbja e privilegjeve, dënimet financiare (kur prishet diçka), apo punët e vogla shtesë janë pasoja më të mira për fëmijët më të rritur. Cilado qoftë disiplina, ajo duhet të jetë e efektshme për atë fëmijë.

Ky realitet është i vështirë si prind. Më pëlqen t’i shoh fëmijët e mi të lumtur dhe është e dhimbshme të shkaktoj mungesën e lumturisë së tyre. Megjithatë, premtimi i Hebrenjve 12:11 i qetëson frikërat tona. Ka një të korrë drejtësie dhe paqeje për ata që janë trajnuar përmes disiplinës. Ne i bekojmë fëmijët tanë duke i dashur aq sa t’i disiplinojmë.

5. Kapini duke bërë gjënë e duhur

Kam parë që kjo është një metodë e fuqishme për t’i inkurajuar fëmijët. Në kishë u jap rregullisht mësim 4-vjeçarëve. Mënyra më e shpejtë për t’i bërë të gjithë fëmijët të ulen me qetësi është të them: “Shikoni të gjithë! Më pëlqen shumë si Sarah është ulur aq bukur me duart e saj në prehër, gati për ta dëgjuar historinë.” Menjëherë, 15 fëmijë i sheh të ulur me duart në prehër dhe gati për të dëgjuar.

Lavdërimi është mjet i fuqishëm dhe bekim për fëmijët. Ai i ndihmon të mësojnë se çfarë është e drejtë dhe në të njëjtën kohë tregon që ju kujdeseni për ta. Të gjithëve na pëlqen që shefi ta dallojë të mirën që bëjmë dhe të na lavdërojë dhe jo thjesht të korrigjojë gabimet tona. Në mënyrë të ngjashme, edhe fëmijët tanë kanë nevojë që t’i dallojmë kur po sillen mirë, po aq sa dhe kur i dallojmë për korrigjimin e sjelljes së gabuar.

Ky lloj inkurajimi është në mënyrë të veçantë i rëndësishëm për fëmijët me probleme në sjellje apo për ata që po kalojnë një periudhë mosbindjeje të dukshme. Veshët e tyre hapen sapo dëgjojnë edhe lavdërimin më të vogël. Kapini duke bërë diçka mirë, çfarëdo qoftë ajo, sa më shpesh të jetë e mundur.

Parimi më i rëndësishëm

Këto parime disipline më kanë ndihmuar mua dhe bashkëshortin tim, por ato janë të kufizuara. Vetëm Perëndia mund t’i ndryshojë zemrat e fëmijëve tanë. E gjithë urtësia e prindërimit në botë nuk mund t’i shpëtojë apo transformojë dot fëmijët tanë. Vetëm Jezusi mundet.

Ndërsa përpiqemi të tregohemi të mençur në teknikat që përdorim në prindërim, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë është të kalojmë kohë me Fjalën dhe në lutje, duke kërkuar udhëzim nga Perëndia. Ai na dëgjon, na kupton dhe premton që me besnikëri do të sigurojë gjithë urtësinë që kemi nevojë (Jakobi 1:5). Le ta kërkojmë Atë dhe t’i lutemi që të punojë në zemrat e fëmijëve tanë.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet