×

E dashur grua pastori, ulu dhe ha

I kam dobësi në zemër gratë e pastorëve; mbase ngaqë jam vetë një e tillë. Kur flas me gra të tjera apo kur has materiale në internet, kam vërejtur diçka të përbashkët: përleshja. Ti mund të kesh parë, e madje të kesh përfituar nga artikuj me tituj si:

Pesë gjëra që mundojnë çdo grua pastori.

Shtatë pritshmëri të paarritshme për gruan e pastorit.

Dhjetë gjëra që gruaja e pastorit dëshiron që ju të dini.

Titujt i shpika vetë, por artikuj të tillë shoh shpesh. Shkruhen sepse është e vërtetë që: gratë e pastorëve ndihen shpesh të mbingarkuara, të pakualifikuara dhe të pasigurta. Më kujtohet stina e vetmisë që kam përjetuar. Në vetëm pak vite, unë dhe im shoq u martuam, u shpërngulëm në një qytet të ri, u bëmë me fëmijë dhe mbollëm një kishë. Në atë kohë isha një nuse dhe nënë e re që po përpiqej të njihej me komunitetin tim të ri. Ishte emocionuese, por nuk mund të mos ndihesha e vetme. Zbulova se kjo ishte një eksperiencë e zakonshme për shumë gra pastorësh.

Gosti apo zi buke?

Kanë kaluar rreth 12 vjet që atëherë, dhe vetmia është reduktuar ndjeshëm. Mund të jap këshillat e mia lidhur me ato që më kanë ndihmuar t’i përballoja këto vështirësi, por nuk ka një zgjidhje që të vlejë për çdo situatë. Të gjithë ne ndodhemi në rrethana të ndryshme. Mos më keqkupto — këshillat praktike janë të dobishme dhe të nevojshme. Shpesh ato i çlirojnë shumë gra pastorësh nga presionet e vendosura mbi to. Por miqësia dhe këshillat e dobishme nuk kanë ndonjë sukses kushedi se çfarë për të sjellë shërim në përleshjet tona. Nëse nuk lexojmë rregullisht dhe nuk jetojmë në bindje ndaj Fjalës së Perëndisë, as këshillat më të urta nga miqtë nuk do t’i ndihmojnë dot zemrat tona të lënduara. 

Duhet të ngopemi me Fjalën e Perëndisë dhe ta përpijmë atë sikur jetët tona të vareshin prej saj.

Kjo nuk do të thotë se leximi i rregullt i Shkrimit do t’i kurojë të gjitha problemet e tua. Ajo që do të ndodhë është që do të na japë një ndjesi paqeje dhe lehtësimi nga përleshjet e panevojshme. Kjo ndodh kur ne jetojmë në zi buke — përpiqemi të mbijetojmë vetëm me thërrime. Nuk mund të vazhdojmë kështu!

Prandaj, sa shpesh ndërvepron me Fjalën e Perëndisë? Ndoshta lexon ndonjëherë një artikull me disa vargje nga Bibla, apo aplikacioni i Biblës të dërgon njoftim për leximin e përditshëm nga Shkrimi. Një kafshatë e vogël këtu, e një thërrime atje, nuk mjafton për t’u kënaqur. Nëse dieta jote e Shkrimit është e tillë, je duke vdekur urie. Jezusi na thotë te Mateu 4:4: “Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë’”. Duhet të ngopemi me Fjalën e Perëndisë dhe ta përpijmë atë sikur jetët tona të vareshin prej saj.

Përvetësimi i Fjalës së Perëndisë

Mbase ti tashmë u qasesh Shkrimeve rregullisht e me ngazëllim. Çdo ditë, ti ulesh në një tryezë për t’u ngopur — dhe mezi pret. Por sa shpesh i përgatitim pjatat tona siç na pëlqen, në vend që ta pranojmë vaktin siç na ofrohet? Ne mund ta lexojmë Biblën rregullisht, por a e ndikon njohuria që përftojmë mënyrën se si jetojmë?

Në librin e saj, Bread of Life [Buka e Jetës], Abigail Dodds-i e shpjegon kështu: “Përvetësimi i Fjalës së Perëndisë nënkupton ta lësh atë të veprojë në mënyrën e vet nëpër qoshet dhe hapësirat e panjohura të zemrës dhe mendjes sonë, në mënyrë që të largohemi prej saj si gra të ndryshuara. Kjo do të thotë që ta vendosësh veten vërtet nën Fjalën, në nënshtrim të plotë ndaj saj, duke mos e marrë për studim dhe vlerësim sipas kushteve tona… qëllimi nuk është sa e zotëroj unë materialin, por sa më zotëron materiali mua”. 

Nëse nuk lexojmë rregullisht dhe nuk jetojmë në bindje ndaj Fjalës së Perëndisë, as këshillat më të urta nga miqtë nuk do t’i ndihmojnë dot zemrat tona të lënduara.

Si grua pastori, është e lehtë të ndihesh e humbur në detin e pritshmërive, trysnive, vetmisë dhe hutimit. Ne mbajmë barrët e përleshjeve tona dhe shpesh, edhe atë të kishave tona. Lavdi Zotit që Ai nuk na ka lënë vetëm apo pa ndihmë. Fjala e Tij është “…një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105). Bibla është një dhuratë që duhet hapur dhe shijuar. Neve na janë dhënë “…të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri përmes  lavdisë dhe virtytit” (2 e Pjetrit 1:3).

Sa shumë dëshiroj që të shoh gra pastorësh të jetojnë një jetë të qëndrueshme, të frytshme, të gëzueshme dhe me qëllim! Pavarësisht nëse jemi duke vdekur urie për Fjalën e Perëndisë, apo jemi duke u ngopur rregullisht me të, le të jemi gra që kërkojnë vazhdimisht ta njohin Perëndinë edhe më mirë. Prandaj, grua pastori, ulu dhe ha — merr pjesë në festën e përgatitur për ty dhe dije se gjithnjë do të kesh me bollëk.

 

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.acts29.com/dear-pastors-wife-come-and-eat/

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet