×

Java e Pashkës në kohë reale

Ndërsa hyjmë në javën e Pashkës, ajo periudhë e shenjtë nga e diela e Palmave tek e diela e Pashkës, po ju paraqesim një përshkrim ditë pas dite për atë që Shkrimi na thotë se ndodhi çdo ditë të asaj jave.

Përdoreni këtë udhëzues për t’ju udhëhequr përgjatë leximit të Shkrimit këtë javë.

E Diela e Palmave

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 21:1–11, Marku 11:1–11, Luka 19:28–44, Gjoni 12:9–19.)

Kur Jezusi hyri në Jerusalem, i hipur mbi pulishtën e një gomari, ishte hera e parë që shfaqej në qytet, që nga momenti kur kishe ringjallur Llazarin prej së vdekuri. Historia e ringjalljes së Llazarit, tashmë ishte përhapur dhe për këtë arsye shumë njerëz e konsideronin Jezusin si njeri të famshëm. Gjithkush dëshironte ta shikonte Atë. Ata dolën për ta takuar dhe për ta pranuar Atë si Mbret, për shkak se kishin dëgjuar që e kishte bërë këtë gjë (Gjoni 12:18).

Jezusi tha se vdekja e Llazarit do të rezultonte në besimin e shumë njerëzve dhe për “lavdinë e Perëndisë, në mënyrë që Biri i Perëndisë të mund të përlëvdohet përmes saj” (Gjoni 11:4). Por lavdia që Ai kishte në mendje ishte edhe më madhështore se sa hyrja e Tij triumfale në Jerusalem. Në fakt, Ai nuk po i referohej fare lavdisë që i dhanë këta njerëz. Ringjallja e Llazarit do ta përforconte vendosmërinë e udhëheqësve fetarë për ta dorëzuar Jezusin te vdekja, të cilën Ai do ta përqafonte, një vdekje të cilën do ta mposhtte. Kjo ishte lavdia për të cilën Ai po fliste. Ndërsa Jezusi hyri në Jerusalem i hipur mbi gomar, njerëzit thërrisnin: “Mbreti po vjen!” Ata lavdëruan fitoren e Tij, mbi vdekjen e Llazarit. Ironia ishte se Ai nuk po vinte të shtinte në dorë kurorën për hir të vdekjes dhe ringjalljes së Llazarit, por për hir të vdekjes dhe ringjalljes së Tij.

E hëna       

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 21:12–22, Marku 11:12–19, Lluka 19:45–48.)

Nëse Jerusalemin do ta krahasonim me një koshere blete, ajo që bëri Jezusi me hyrjen e Tij triumfale ishte sikur ta kishe qëlluar me shkop. Mund ta dëgjoje zhurmën që po shtohej, ndërsa brenda Tij zemërimi po organizohej. Mbërritja e Tij mbretërore ishte një deklaratë e fortë rreth autoritetit të Tij, mbi të gjitha traditat e njerëzve.

Të hënën, Jezusi u kthye; kësaj here erdhi për të shpallur dështimin e popullit të Perëndisë për të jetuar sipas mandatit të besëlidhjes së tyre dhe për të qenë bekim për botën. Shumë nga ato që na tregojnë ungjijtë rreth të hënës, përqendrohen te tema e autoritetit të Jezusit; mbi botën e krijuar dhe të drejtën e  Tij për ta gjykuar atë. Gjithçka që bëri Jezusi, e bëri me autoritet. Prandaj, kur i zgjoi dishepujt ditën e hënë duke ju thënë se donte të shkonte sërish në Jerusalem për të dhënë mësim, edhe pse kjo tingëllonte shumë e rrezikshme, nuk ishte suprizë. Të gjithë ndienin se diçka po trazohej, sikur Jezusi të kishte bërë një kthesë dhe tani fundi i Tij po vinte me të shpejtë. Ai ishte një njeri i shënuar për vdekje.

E marta   

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 21:23–26:5, Marku 11:27–14:2, Lluka 20:1–22:2, Gjoni 12:37–50.)

Nëse mbërritja në tempull ditën e hënë ishte një shëmbëlltyrë e gjallë dhe gjithë-përfshirëse për pastrimin e shtëpisë së Perëndisë, hyrja ditën e martë është një përballje e drejtpërdrejtë verbale me udhëheqësinë e caktuar. Pasi Jezusi e qartëson faktin se nuk i konsideron këta udhëheqës si njerëz që kanë ndonjë farë autoriteti mbi të, Ai e kalon pjesën tjetër të ditës në tempull për t’ju mësuar njerëzve Fjalën e Perëndisë. Pasditja e së martës është hera e fundit që Jezusi jep mësim në tempull si njeri i lirë. Fjalët e Tij në këtë ditë janë argumenti i Tij përmbyllës, manifesti i Tij.

Kur Jezusi largohet nga tempulli ditën e martë, kryepriftërinjtë dhe skribët po “kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin” (Marku 14:1). Megjithatë, ata nuk mund t’ia merrnin dot jetën Atij, thjesht mbi akuzat që planifikojnë të sjellin; nuk ka për të ndodhur nëse Ai e mbron veten. Gjithsesi, Ai nuk do ta bëjë. Përkundrazi, me heshtjen e Tij, Ai do ta ofrojë jetën e vet për një botë blasfemuesish, tradhtarësh dhe gënjeshtarësh. Kjo ishte ajo për të cilën kishte ardhur ta bënte dhe ndërsa doli nga tempulli atë të martë pasdite, e di që këtë gjë ka për të bërë së shpejti.

E mërkura

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 26:6–16, Marku 14:3–11, Luka 22:3–6.)

Ditët që ka kaluar deri tani, kanë qenë një dallgë tensioni dhe zemërimi për kundërshtarët e Jezusit, por edhe vendosmëri e patundur nga ana e Jezusit. Fjalët kanë qenë arma e Tij dhe Ai ka shpenzuar shumë të tilla. Ditën e mërkurë para vdekjes së Tij, Jezusi është i heshtur.

Ai është në shtëpinë e Simon Lebrozit, një burrë të cilin e njohim nga ajo që nuk shkonte mirë me të. Gjatë darkës, Maria nga Betania, motra e Llazarit (Gjoni 12:3), erdhi te Jezusi me një enë alabastri plot me parfum. Ajo e kishte ruajtur këtë parfum, i cili vlente sa rroga e një viti të tërë, për këtë rast (Gjoni 12:7). Nis ta derdhë vajin mbi kokën dhe këmbët e Jezusit, gjë e cila kërkonte që të thyhej mbajtësja e parfumit (Marku 14:3). Sikurse momenti kur lëshohet tapa e një shisheje shampanje që kushton 20,000 dollarë, edhe veprimi i Marisë ishte i qëllimshëm. Ajo po i ofron Jezusit gjithçka që ka. Duke ia dhënë zotërimin e saj më të çmueshëm Atij, ajo po shpreh njohurinë e saj dhe ajo të cilën Jezusi do ta japë nga vetja, vlen për të.

Ajo që bëri Maria është gjë e bukur dhe Jezusi dëshiron që këtë ta dinë të gjithë. Gjithashtu, ajo po e përgatit dhe për varrim. Në gjestin e saj, ka nderim dhe mirësi. Jezusi ia kthen nderimin duke thënë që historia nuk ka për ta harruar kurrë veprimin e saj të bukur. As ne nuk e kemi harruar!

E enjtja

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 26:17–75, Marku 14:12–72, Lluka 22:7–71, Gjoni 13:1–18:27.)

E enjtja para kryqëzimit të Jezusit, zë shumë faqe në Shkrim. Ajo fillon me Gjonin dhe Pjetrin që sigurojnë dhomën e sipërme. Atje Jezusi u lan këmbët dishepujve të Tij, ndërsa ju shpjegon që është aty për t’i bërë të pastër.

Ndërsa nisin të hanë, Jezusi shpall që njëri prej tyre do ta tradhtojë. Secili prej dishepujve vret mendjen nëse e ka fjalën për atë. Pastaj e nis Judën që të bëjë atë që ka për qëllim të bëjë.

Gjatë kësaj darke të fundit, Jezusi veçon bukën dhe kupën e Pashkës dhe u cakton apo më mirë jua përsos kuptimin e tyre. Buka është trupi i Tij, kupa është gjaku i Tij. Ky vakt nuk ka për t’i kujtuar më së pari për çlirimin e Perëndisë nga tirania e jashtme e Faraonit, por nga tirania e brendshme e fajit dhe mëkatit të tyre kundër Perëndisë.

Jezusi u lut për miqtë e Tij dhe për ata që do ta njohin Atë përmes tyre, që Ati i Tij t’i bëjë një (Gjoni 17). Pastaj Jezusi dhe miqtë e Tij largohen për në Malin e Ullinjve që të luten (Marku 14:33). Ai nuk është atje vetëm për t’u lutur, por është edhe për të pritur. Shumë shpejt një rresht pishtarësh do të gjarpërojnë drejt Tij në errësirë. Për këtë ka qenë duke pritur.

E Premtja e Mirë

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 27:1–61, Marku 15:1–47, Lluka 23:1–56, Gjoni 18:28–19:42.)

Natën e të enjtes, Jezusi u arrestua në kopshtin e Gjetsemanes, u tradhtua nga një prej dishepujve të Tij dhe u braktis nga të tjerët. Kryepriftërinjtë dhe sinedri u mblodhën për një gjyq të fshehtë në mes të natës dhe vendimi që u dha ishte që Jezusi do të kryqëzohej. Kjo ishte diçka të cilën duhej ta ekzekutonte prefekti romak, Pont Pilati dhe me hezitim ai e bëri.

Pas një rrahjeje të ashpër, Jezusi u kryqëzua në një kryq ku qëndroi për gjashtë orë, derisa vdiq. Kurrë më parë nuk ka pasur një moment në të cilin të jetë humbur dhe fituar kaq shumë në të njëjtën kohë. Bota fitoi sakrificën shlyese të Krishtit. Për të pranishmit, ose domethënia e momentit ishte e humbur për ta, ose zemrat po ju copëtoheshin ndërsa Ai të cilin e mendonin se ishte Shpëtimtari i botës, vdiq në duart e Romës. Ata nuk mund ta ndalojnë dot dhe nuk e kuptojnë që kjo është për ta. Ata shpresonin në Të, edhe pse Ai u kishte thënë që do të vuante shumë dhe se do të ringjallej pas tri ditësh (Marku 8:31), si mund ta kishin ditur që kjo ishte ajo që donte të thoshte Jezusi?

E shtuna – Dita e harruar    

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite sikurse e gjejmë në Ungjill, shihni Mateu 27:62–66.)

Është shkruar më pak për të shtunën pas kryqëzimit të Jezusit, se sa për ditët e tjera gjatë kësaj jave. Megjithatë, ajo çfarë e bën këtë ditë unike, është që kjo është e vetmja ditë e plotë në histori kur trupi i Krishtit qëndroi i varrosur në një guvë.

Dje, Ai u kryqëzua. Nesër, Ai do të ngrihet nga varri. Por çfarë mund të themi për sot? Edhe pse mund të mos e theksojmë shumë këtë ditë, kur shohim ato pak vargje që na japin Ungjijtë për të, zbulojmë që në asnjë mënyrë nuk u harrua nga kryepriftërinjtë, të cilët e kishin dorëzuar Jezusin në vdekje. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi kishte thënë në mënyrë të përsëritur që do të vdiste në Jerusalem në duart e kryepriftërinjve, por megjithatë do të ringjallej ditën e tretë (p.sh. Mateu 12:40, Marku 8:31, 9:31, 10:34).

Sigurisht, kryepriftërinjtë u tallën, por nuk e harruan. Ditën mes të Premtes së Mirë dhe të dielës së Pashkës, parashikimet e Jezusit janë në mendimet e tyre kaq fort, saqë nuk kanë se si thjesht t’i injorojnë. Mateu 27:62-66 tregon historinë e çuditshme se si ata nuk mund ta injorojnë mundësinë që Jezusi mund të dijë diçka që ata nuk e dinë.

E diela e Ringjalljes

(Për një regjistrim të plotë të ndodhive të kësaj dite, shihni Mateu 8:1–20, Marku 16:1–8, Lluka 24:1–53, Gjoni 20:1–21:25.)

Mëngjesin e të dielës herët, disa nga miqtë e Jezusit nisen për te varri i Tij që të vajosin trupin e mikut dhe mësuesit të tyre. Megjithatë, kur arritën, u përshëndetën nga dikush të cilin një prej shkrimtarëve të Ungjillit e përshkruan si “një burrë i veshur me vetëtimë.” Ai iu thotë që Jezusi nuk është atje, sikurse iu kishte thënë vetë; Ai është ringjallur!

Në javën para vdekjes së Tij, Bariu i Mirë doli jashtë për t’u përballur me ujqrit e gjykimit, mëkatit dhe vdekjes dhe këtë gjë e bëri me gjithë autoritetin e Tij. Dikush mund të vrasë mendjen, ç’të mire i ka sjellë ndonjëherë dikujt të vdesë për një kauzë? Kjo është bukuria e lavdishme e ungjillit. Jezusi nuk vdiq si martir i një kauze. Ai nuk ishte kurrë në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Ai nuk ishte kurrë në mëshirën e ndokujt. Ai jetoi, vdiq dhe u varros sepse ky ishte qëllimi i Tij!

Askush nuk ia morri jetën Atij. Ai e dha vetë! Për kë? Për tufën e Tij, për popullin e Tij.

Ai e dha për ta marrë atë sërish (Gjoni 10:18). Ideja e kryqit nuk ishte thjesht që të vdiste, por që të vdiste dhe të ringjallej sërish, pasi të mundte vetë ujqërit grabitqarë të mëkatit dhe vdekjes.

Pashka thotë për Jezusin: “Ai e kishte me gjithë mend! Ai kishte si qëllim ta jepte jetën e Tij për ju. Dhe Ai ju njeh e ju do, me po të njëjtën siguri që edhe e ka marrë sërish jetën e Tij.”

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet