×

Urtësia konvecionale sugjeron që të shmangësh disa vendime të marra në të njëjtën kohë, të cilat e transformojnë jetën tënde. Je gati për fëmijë? Mos nis punë të re. Sapo jeni martuar? Prisni pak, përpara se të lëvizni në një vend tjetër.

Ndryshimi mund të jetë i mirë, por edhe stresues. Ndaj, mos bëj shumë ndryshime njëherësh. Apo jo?

Megjithatë, ndonjëherë urtësia e botës duhet t’i nënshtrohet asaj të Perëndisë, rrugët e të cilit nuk janë si tonat. Që nga marsi, familja jonë ka lundruar nëpër ndryshime të njëpasnjëshme, duke duruar një pandemi globale si të gjithë të tjerët, duke mirëpritur një foshnjë të re dhe duke ndryshuar vendndodhjen e kishës për punën e re si pastor të burrit tim. Sikur këto ndryshime të mos mjaftonin, ne e nxorëm shtëpinë tonë në shitje (duke u kujdesur për një të sapolindur, gjë që nuk e rekomandoj), e shitëm, paketuam gjërat tona dhe u zhvendosëm.

Unë lotova.

Diga e mbijetesës ishte fortifikuar për muaj të tërë. Duhej të ishte, por u shemb dhe përmbytja ishte e madhe.

Të rënduar përtej fuqive tona

Kur jemi të mbytur—qoftë nga shumë ndryshime, qoftë nga një ndryshim i madh me efekte sizmike—fjalët e Palit te 2 e Korintasve 1:8 na ofrojnë ngushëllim: “U rënduam përtej fuqive tona…” Sa përshkrim i përshtatshëm për një barrë të rëndë dhe një zemër të ngarkuar: përtej fuqive tona.

Rrethanat dhe përgjegjësitë shtohen, bëhen të papërballueshme për ne, duke na lënë të pasigurt se çfarë të bëjmë me to. Si mund të durojmë, qoftë vuajtjet, sprovat, malin me telashe apo ndryshimet e njëpasnjëshme? Për më tepër, si mund të durojmë me gëzim dhe shpresë, dhe jo thjesht të rezistojmë; apo më keq, të mposhtemi dhe dërrmohemi nën presionin?

Si mund të durojmë me gëzim dhe shpresë, dhe jo thjesht të rezistojmë?

Letrat e Palit zbulojnë disa të vërteta, në të cilat mendjet dhe zemrat e ngarkuara mund të gjejnë pushim.

Ndihma e Perëndisë në nevojat e përditshme

“Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit, Ati i mëshirës dhe Perëndia i çdo ngushëllimi! Ai na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona.” (2 e Korintasve 1:3-4).

Duhet të dimë se, së pari, Perëndia është një Atë i përfshirë, i ndërgjegjshëm dhe i dhembshur, i cili kujdeset për ne në mënyrat më bazike. Asnjë ndihmë nuk është tepër e vogël për Të. Ne nuk adhurojmë një hyjni arrogante, të painteresuar, thotë Pali, por “Atin e mëshirës dhe Perëndinë e çdo ngushëllimi”; një Perëndi thellësisht personal, i cili ka plot dhurata dhe gëzime për t’i vendosur mbi fëmijët e Tij.

Kur jemi të mbingarkuar, ne duhet të kujtojmë se Perëndia nuk është kurrë i mbingarkuar. Ai është përsosmërisht i aftë të japë ndihmë dhe dhurata të mira sipas urtësisë së Tij dhe nevojave tona. Kjo duhet të na inkurajojë t’i kërkojmë çfarë ne mendojmë se kemi nevojë (Ai është Perëndia) dhe më pas t’i besojmë me atë që Ai zgjedh të na japë (Ai është i mirë).

Kur jemi të mbingarkuar, ne duhet të kujtojmë se Perëndia nuk është kurrë i mbingarkuar.

Nga e dimë këtë? Sepse Ai është gjithashtu “Ati i Zotit tonë Jezu Krisht”. Nëse, siç argumenton Pali te Romakëve 8, Perëndia na dha vetë Birin e Tij, a nuk mund t’i besojmë që të na ndihmojë me nevojat tona më të vogla? Ndihma hyjnore vjen shpesh përmes duarve njerëzore—një krah ndihmues, një fjalë inkurajimi, një moment qetësie në kaos—që është pikërisht vazhdimi i mendimit të Palit.

Ndihma e Perëndisë në marrëdhëniet me të tjerët

“Vëllezër, nuk duam që të mos jeni në dijeni për vuajtjet që kaluam në Azi… por edhe ju do të na ndihmoni me anë të lutjeve tuaja e kështu shumë vetë do të falënderojnë Perëndinë për ne” (2 e Kor. 1:8-11).

Stresi dhe ankthi mund të na tundojnë të futemi brenda vetes, të izolohemi dhe të mbështetemi në vetvete. Neve na vjen turp kur nuk e manovrojmë situatën siç duhet; mendojmë se nuk kemi kohë apo energji për të investuar në njerëzit, ose mbase nuk duam t’iu bëhemi barrë atyre.

Megjithatë, Pali argumenton se kisha është një vegël e mëshirës së Tij, një hyrje e sigurisë së Tij, një shprehje e ngushëllimit të Tij. Kur tundohemi t’i mbajmë njerëzit larg është pikërisht çasti që duhet t’i mbajmë afër.

Kur jemi të rënduar përtej forcës sonë, kisha ofron posaçërisht dy ndihma: ngushëllim dhe lutje. A mendon se je i vetëm në këtë stinë? Shenjtorët e kanë kaluar atë më parë dhe mund të të ofrojnë përkrahje, dëgjim dhe urtësi—domethënë, ngushëllim.

A je kaq i rraskapitur dhe i shpërhapur sa e ke të vështirë të lutesh? Thirri kishës që të të ndihmojë me anë të lutjeve. Bëj kërkesa specifike dhe beso se teksa njerëzit luten për ty, Perëndia do të të japë bekimet e pranisë dhe ndihmës së Tij (shih Jakobi 5:16).

Ndihma e mbinatyrshme e Perëndisë

“Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë. Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit, i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më.” (2 e Kor. 1:8–10).

Perëndia na mban me anë të mënyrave si mëshirat e Tij të përditshme dhe kujdesin ndaj njerëzve të Tij. Gjithsesi këtu, Pali shkruan për një tjetër mënyrë si Perëndia na ndihmon: për mënyrën e mbinatyrshme. Ndonjëherë, kur jemi krejtësisht të rënduar përtej forcës sonë, aq sa na duket sikur nuk mund të bëjmë asnjë hap më tutje, kemi një ndjesi që Perëndia po ecën përkrah nesh dhe po na mban. Ndoshta kjo vjen më vonë.

Kisha është një vegël e mëshirës së Tij, një hyrje e sigurisë së Tij, një shprehje e ngushëllimit të Tij. Kur tundohemi t’i mbajmë njerëzit larg është pikërisht çasti që duhet t’i mbajmë afër.

Familja ime dëshmon për të vërtetën e fjalëve të Palit, sepse dëshpërimi ynë është pikërisht ajo që Perëndia ka përdorur për të na shfaqur madhështinë e Tij, bashkë me madhështinë e shpresës sonë. Kur dallgët e ndryshimit dukeshin të papërballueshme në 2020, atëherë ishte koha kur e kemi parë Perëndinë në veprim dhe kur e kemi vlerësuar më së shumti shpresën e palëkundshme të ringjalljes.

Për tani, kemi arritur në anën tjetër të stinës sonë të ‘turbullirave’. Dallgët janë qetësuar, por ne mendojmë nëse e kemi kaluar të gjithën. Përfundimi është që Perëndia na ka mbajtur. Ne nuk ishim vetëm, por Dikush na mbajti gjatë gjithë rrugës.

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet