×

Masa e suksesit misionar

Një shoku im në Zambia më tregoi një herë një histori.

Një mbret plak donte të kishte një trashëgimtar. Ai zgjodhi 10 nga djemtë e fshatit dhe i solli në oborrin e tij mbretëror. “Kam një provë,” u tha ai. “Kushdo që do jetë më i suksesshmi, do bëhet biri im dhe trashëgimtar i fronit tim.” Ai i dha secilit prej djemve një dorë fara, i udhëzoi të ktheheshin në shtëpi, t’i mbillnin dhe të kujdeseshin sipas udhëzimeve të tij dhe pastaj të vinin dhe t’i tregonin rezultatet. Dhjetë djemtë i morën farat dhe u kthyen me të shpejtë në shtëpitë e tyre për t’i mbjellë ato.

Në një nga shtëpitë, djali dhe prindërit e tij u trishtuan kur farat nuk mbinë. Djali kishte bërë gjithçka me zell ashtu si e kishte udhëzuar mbreti, por përsëri dështoi. Shokët e tij e këshilluan të blinte fara të tjera dhe t’i mbillte në vend të tyre, por prindërit e tij që i druheshin Perëndisë i kishin mësuar të ishte i ndershëm, prandaj nuk e bëri.

Erdhi dita që djemtë t’i tregonin mbretit rezultatet. Nëntë djemtë e tjerë ia kishin dalë; ata kishin saksitë e tyre me lule. Mbreti shkoi dhe e pyeti secilin prej djemve: “A është kjo bima që doli nga farat që të dhashë?” Dhe secili prej djemve u përgjigj: “Po, Madhëria Juaj.” Mbreti tundi kokën dhe shkoi më tej derisa arriti te djali i fundit me saksinë e tij bosh. “Çfarë bëre me farat që të dhashë?” – e pyeti mbreti. Duke u dridhur nga frika, djali u përgjigj: “I mbolla dhe u kujdesa për to, Madhëria Juaj, ashtu si më udhëzuat ju, por farat nuk mbinë.” Për habinë e djalit, mbreti buzëqeshi, e mori për dore dhe shkuan te froni. “U dhashë të gjithë këtyre djemve fara nga lulja e Zjarrit të Diellit,” deklaroi mbreti, “të cilat nuk mbijnë vitin që mbillen. Nëse mbreti duhet të ketë një cilësi, kjo duhet të jetë besnikëria. Ky djalë doli me sukses dhe e kaloi provën.”

Apostujt e shpejtësisë

Le të tregohemi të ndershëm: besnikëria nuk është sinonimi i parë që na vjen në mendje kur dëgjojmë fjalën sukses.

Gjatë 20 viteve të fundit, shpërthimi i metodave të reja misionare e ka ndryshuar përkufizimin e suksesit misionar. Gjithnjë e më tepër kam takuar misionarë për të cilët suksesi duket se ka të bëjë vetëm me një gjë: një lëvizje e shpejtë rritjeje eksponenciale numerike të kthyerish në besim apo takimesh. Këta nuk janë thjesht njerëz që përpiqen të ndjekin një monopat, shumë prej tyre janë dashur pa dashur në një udhë krejt tjetër. Misionarë të tjerë mund të synojnë t’i binden Perëndisë përmes ungjillëzimit besnik, dishepullizimit serioz dhe kishëmbjelljes me durim. Megjithatë, këta “misionarë lëvizjeje” priren t’i shohin me përçmim synime të tilla kaq të vogla.

Ndryshe nga djemtë jo të sinqertë në histori, këta apostuj shpejtësie duket se kanë synimet më të mira dhe nuk kanë aspak dëshirë për të mashtruar. Në vend të kësaj, kam frikë se ata janë personat që po mashtrohen, që po tërhiqen larg prej një fiksimi pas rezultateve të shpejta dhe një dëshire të natyrshme njerëzore për të parë fryte të menjëhershme në shërbesë. Si rezultat, kam frikë se shumë gabojnë duke i parë rezultatet e dukshme dhe të menjëhershme me frytin që mbetet përjetë, i cili do një kohë të gjatë të piqet në pemë.

Besnikëria, misionet dhe misionarët

Sikurse djali me saksinë bosh, ai që i zbatoi me besnikëri udhëzimet e mbretit edhe kur lulet nuk mbinë, edhe unë dëshiroj ta nderoj misionarin që vazhdon të ecë në shtegun e sprovuar të besnikërisë me shumë durim. Mendoj që shumë tërhiqen nga premtimet e metodave të rritjes së shpejtë, për shkak se shumë prej nesh kemi dështuar ta ngremë lart këtë alternativë biblike. Besnikëria e matur, biblike, urgjente e megjithatë e duruar është metoda misionare që ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lokomotiva e frytit të ungjillit që do të zgjatë deri në kthimin e Krishtit. Besoj që kjo është përqasja, e cila ia jep Perëndisë lavdinë më të madhe, si aktori përfundimtar në të gjitha misionet.

Besnikëria e matur, biblike, urgjente e megjithatë e duruar është metoda misionare që ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lokomotiva e frytit të ungjillit që do të zgjatë deri në kthimin e Krishtit.

Çfarë dua të them me besnikëri urgjentisht të durueshme në mision? Jam duke folur për misionarë që kalojnë kohë për të mësuar një gjuhë dhe kulturë të re, që e ndajnë ungjillin në mënyrë të saktë dhe me guxim (nganjëherë për vite me radhë para se të shohin fryt), të cilët i dishepullizojnë të kthyerit e rinj dhe në të njëjtën kohë shërbejnë apo udhëheqin një kishë lokale. Ata e dinë që detyra është urgjente, prandaj edhe punojnë me zell. Ata e dinë që puna është në dorën e Perëndisë, prandaj këmbëngulin me durim.

Këta misionarë u rezistojnë tundimeve për të marrë rrugën e shpejtë dhe refuzojnë të kërkojnë me ngulm rritje eksponenciale. Po, mund të duket jashtëzakonisht e ngadaltë të trajnosh udhëheqës të kualifikuar dhe të ndihmosh në mbledhjen e kishave të shëndetshme dhe të qeverisura në mënyrë biblike. Ka një arsye pse udhëzimi më kthjellues misionar që apostulli Pal i dha Timoteut ishte të shërbente “këshillo me çdo durim e doktrinë” (2 e Timoteut 4:2). Ne të gjithë më mirë do dëshironim të shihnim rritjen eksponenciale, se sa rritjen më të ngadaltë që normalisht e karakterizon shërbesën besnike. Veçse, masa e rritjes është në dorën e Perëndisë; detyra jonë është të jemi besnikë (1 e Korintasve 4:2).

Gara fitohet nga ai që ecën ngadalë dhe këmbëngul

Nga më shumë se 20 vjet përfshirje në misionet ndërkombëtare, jam i bindur që punëtorët e kujdesshëm dhe nganjëherë që lëvizin ngadalë janë përçuesit e qetë për pjesën më të madhe të frytit misionar real dhe që zgjat përreth botës.

Jam i bindur që punëtorët e kujdesshëm dhe nganjëherë që lëvizin ngadalë janë përçuesit e qetë për pjesën më të madhe të frytit misionar real dhe që zgjat përreth botës.

Prandaj, mendojeni mirë mbështetjen e misionarëve që flasin kryesisht për shpejtësi, për lëvizje masive dhe mbjellje të shpejtë kishash. Në vend të kësaj, nëse njihni misionarë që më së pari dhe më së shumti synojnë të jenë besnikë ndaj Biblës, nderojini. Nëse njihni një misionar që po punon fort dhe po u reziston tundimeve për të përdorur teknika më të ulëta se ato biblike në kohë thatësire dhe pa fryt, inkurajojini ata. Mbështeteni një person të tillë me financat tuaja dhe me lutjen tuaj. Mbani mend, ai që raporton rezultatet më të shpejta, në fakt, mund të mos jetë punëtori më i suksesshëm.

Misionari besnik i ka sytë te të korrat më të mira dhe që mbeten, të cilat do të vijnë në kohën e Perëndisë; nëse e dëgjojmë Mbretin tonë.


Burimi: https://www.thegospelcoalition.org/article/measure-missionary-success/

Përktheu: Asim Hamza / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet