×

Mbill dhe fli, pastor. Lëre Perëndinë të përcaktojë suksesin

“Të lumtë vëlla, të lumtë!”

Ishte një ditë e nxehtë dhe plot lagështi në zemër të kryeqytetit. Jashtë restorantit, punëtorët po vendosnin gardhe dhe flamuj për të festuar 4 Korrikun.

Breda ne po bënim një festë së bashku. 10 a 12 burra ishin mbledhur për të festuar shërbesën e njërit prej kishëmbjellësve tanë. Ishte një ngjarje e mrekullueshme.

Një dyzinë njerëzish kalonin pranë pa asnjë lloj interesi, ndërsa vëllezërit qeshnin, luteshin dhe inkurajonin atë burrë të çmuar. Një nga një, ata thanë fjalë falënderuese, me gjithë zemër, për mënyrën se si ai i kishte inspiruar dhe inkurajuar në shërbesat e tyre.

Njëri dëshmoi për besnikërinë e tij ndaj Biblës, një tjetër për zellin e tij për të ungjillizuar, një tjetër tregonte për afeksionin e tij ndaj kafes dhe një tjetër tregonte për dashurinë e tij ndaj kishës. Zemrat tona ishin po aq plot sa dhe stomaku ynë, teksa gëzoheshim për mënyrën se si ky burrë na ka ndihmuar të gjithëve.

Nëse do të kishe qenë në një nga kioskat ngjitur dhe të kishe parë e dëgjuar, jam i sigurt se do dëshmoje suksesin e këtij kishëmbjellësi. Dhe do të kishe plotësisht të drejtë. Vetëm se, okazioni i kësaj dreke ishte për t’i thënë lamtumirë këtij vëllai dhe familjes së tij, ndërsa po shpërnguleshin nga qyteti; kisha e tij nuk kishte arritur të kalonte pesë-vjetorin e pathyeshëm të një kishëmbjelljeje.

Në sytë e mësuesve të kishëmbjellës, ai kishte dështuar, por në sytë e Perëndisë ai nuk kishte dështuar.

Katër S-të

Për shumë kohë, kemi besuar një gënjeshtër. Edhe pse pak e pranojnë, ne jemi shtyrë të besojmë se suksesi i kishëmbjelljes përcaktohet nga akumulimi i asaj të cilën unë e quaj “Katër S-të”: madhësia, shpejtësia, vetë-mjaftueshmëria dhe përhapja.

Arrini një madhësi të madhe, madje shpejt, që të mund të jesh i vetë-mjaftueshëm nga ana financiare që ta përhapësh dhe ta shtrish kishëmbjelljen tënde në zona të tjera. Në qoftë se i arrin të gjitha këto, atëherë “ia ke dalë”. Ti meriton medaljen e nderit të S-së së pestë – suksesit.

Si bonus, nëse mund t’i përmbushësh gjithë këto S në një mjedis tepër urban, konsiderohesh si një kishëmbjellës edhe më i suksesshëm. Konferencat dhe botuesit do të vijnë me vrap për t’ju ftuar që të adresoni turmat, se si ta kopjojnë suksesin tuaj.

Jam 100% i sigurt se Perëndia e ka përdorur këtë gjë për përhapjen e vlerës së Tij të pafundme. Besoj se Perëndia i rilind dhe do të vazhdojë të rilindë njerëz dhe t’i dishepullojë këta të fundit në mjedise të tilla. Prapëseprapë, do të argumentoja se këto shenja të ‘suksesit’ janë fatalisht të gabuara në ekonominë e Mbretërisë së Perëndisë.

Dështim dhe sukses

Ky vëlla dhe bashkëpunëtorët e tij punuan fort në këtë qytet. Ata paraqiteshin nëpër festivale, bënë projekte për shërbesë, luteshin së bashku për komunitetin, shpërndanin materiale, ftonin fqinjët për vakte dhe organizonin shërbesa plot me hirin e ungjillit. Disa erdhën, por pas pesë vitesh atij i duhej të lëvizte nga qyteti për të mundësuar jetesën e familjes dhe shmangien e të qenët si ai jobesimtari për të cilin Pali flet te 1 e Timoteut 5:8.

A dështoi Ai?

Pa mëdyshje, jo. Sa liri dhe gëzim ka në atë përgjigje! Madje, do të thoja se ai pati më shumë sukses se sa disa mësues kishëmbjellësa që qëndrojnë në platforma të profilit të lartë.

Suksesi i shërbesës nuk duhet të matet kurrë nga intrigat e Wall Street, Silicon Valley, Hollywood, ose Manhattan. Ne besojmë se Zoti në urtësinë e Tij të pafundme përdori një adoleshente të thjeshtë nga Nazareti, për të sjellë Shpëtimtarin. Ne besojmë se Jezusi fitoi, ndërsa bota qeshi me humbjen e Tij.

Kishëmbjellësit e suksesshëm janë si fermeri i suksesshëm i pasazhit nga Marku 4:26-29. Ai shpërndan farën dhe shkon të flejë: “Fara mbin dhe rritet, pa e ditur se si”.

Sigurisht, nëse do të pyesnim: “Si rriten bimët?”, fermeri do ta dinte përgjigjen, por theksi i Jezusit është te mjaftueshmëria e farës: Fjala. Ndërsa ajo varroset në tokën e botës, fryti shfaqet në vendet ku ajo predikohet.

Perëndia e bën

Nuk ka asnjë “strategji të sprovuar”, asnjë libër, asnjë model që nëse thjesht e fusni në një qytet do të prodhojë sukses. Suksesi gjendet te shpërndarja me besnikërinë e farës.

Si rritet? Ne nuk e dimë se si. Ne mbjellësit prehemi në mjaftueshmërinë e Krishtit dhe Fjalës që na drejton tek Ai, teksa me plot dashuri dhe bujari e shpërndajmë ungjillin në qytetet tona. Shumë të dashur, shpërndarja e farës dhe të fjeturit përcakton suksesin tonë.

Suksesi gjendet te shpërndarja me besnikëri e farës.

Prandaj, kishëmbjellës, ndieje lirinë e të shkuarit në një qytet me fuqinë e ungjillit dhe me modelin e suksesit që mund të rezultojë në dy, njëzet ose dyqind vjet. Ndieje lirinë e ‘arritjes së suksesit’ me një tufë njerëzish me probleme që takohen në shtëpinë tënde për fasule dhe pilaf, pasi je kthyer nga puna jote me kohë të pjesshme.

A iu dhe dashuri këtyre njerëzve në shtëpinë tënde? A u lute për ta? A u predikove atyre ungjillin? A u bëre thirrje që të përgjigjeshin? A u ofrove të ecje përkrah tyre? A u bëre thirrje që të ecnin përkrah njëri-tjetrit?

Atëherë, pusho i qetë! Shko për të fjetur me gëzim në zemrën tënde dhe shpreso për të nesërmen. Pavarësisht çfarë mund të ndodhë kur të agojë dielli, mund të jesh i sigurt që po ia del me sukses. Le të ndodhë ç’të ndodhë, ti do ta shohësh Shpëtimtarin tënd ballë për ballë dhe do dëgjosh fjalët: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; hyr në gëzimin e Zotit tend” (Mateu 25:21).

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Alehandro Dura / Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet