×

Mos e ço dëm atësinë tënde

E vërteta përfundimtare nuk është një hapësirë e ftohtë, e errët dhe boshe. E vërteta përfundimtare është Ati që afrohet dhe i mbledh mëkatarët si bijtë e Tij të dashur, përmes hirit të Jezusit, Birit.

Në mënyrë të lavdishme, Ati ynë qiellor ka të përbashkët mrekullinë e atësisë me ne burrat. Prandaj, të jesh atë është privilegj i shenjtë dhe thirrje e lartë.

Ajo që është unike në Bibël është vizioni i të vetmit Perëndi si Trinitet; Perëndia At që ngazëllon, Perëndia Bir i bindur dhe Perëndia Frymë i dashur, si prania mes Atit dhe Birit. Prandaj është i mahnitshëm, por jo surprizues, fakti se një Perëndi i tillë të na krijojë ne etërit mbi tokë për të mishëruar diçka prej atësisë së Tij të lavdishme prej së larti.

Hyrje në orën 3 të mëngjesit

 

Çfarë thotë Bibla për Perëndinë si Ati ynë? Dhjata e Vjetër, në mënyrë të habitshme, na thotë shumë pak. Edhe pse në mënyrë të qartë e quan Perëndinë ‘Atë’ disa herë (p.sh. Isaia 63:16, 64:8, Jeremia 3:19, Malakia 2:10), shkrimtarët i japin një theks më të fortë distancës tonë nga Perëndia dhe rezervimin që duhet të ndiejmë para Tij. Perëndia zbulohet më tepër si i veçuar nga ne dhe përtej nesh, dhe shihet si më pak intim dhe i afërt me ne.

Kjo pikëpamje e Dhjatës së Vjetër rreth Perëndisë është e vërtetë dhe mrekullisht përulëse për ne. Ne shpejtojmë të përulemi përpara Krijuesit tonë të pushtetshëm dhe Mbretit tonë të madh.

Në Dhjatën e Re, edhe pse Perëndia vazhdon të jetë i shenjtë dhe i madhërishëm në sytë tanë, Jezusi shton një theks jashtëzakonisht të qartë për Perëndinë si Atë; si Ati i Tij dhe si Ati ynë (Gjoni 20:17). Jezusi është Ai që e quan Perëndinë: “Abba, At!” (Marku 14:36). Jezusi është Ai që na mëson t’i lutemi Perëndisë si Ati ynë (Mateu 6:9). Është Fryma e Birit që na udhëheq në intimitet me Perëndinë si Abba, Ati ynë (Galatasve 4:6). Tani e dimë që si Ati ynë, Perëndia kujdeset për ne dhe siguron për ne (Mateu 6:25-34). Si Ati ynë, Ai i dëgjon dhe ju përgjigjet lutjeve tona (Mateu 7:7-11). Si Ati ynë, Ai na disiplinon (Hebrenjve 12:3-11). Si Ati ynë, Ai na pranon, na fal dhe ngazëllon për ne kur pendohemi dhe kthehemi në shtëpi tek Ai (Luka 15:11-32). Fakti se Perëndia Atë e ka bërë veten Perëndia Ati ynë, do të thotë se Ai është i përfshirë me ne në mënyrë personale, emocionale dhe madje sakrifikuese.

Prandaj, lavdia më e madhe e Perëndisë, nuk është që Ai është i veçuar dhe larg prej nesh, lavdia më e madhe e Perëndisë është që Ai, i Cili është i veçuar dhe përtej nesh, Ai që është i ngritur dhe i lartësuar, Ai që krijoi gjithçka dhe nuk ka nevojë për asgjë; Ai, Perëndia i lavdishëm, gjithashtu zgjodhi të bëhej Ati ynë dhe me dashuri na birësoi si fëmijët e Tij përgjithmonë (1 e Gjonit 3:1). Tim Keller na ndihmon të kuptojmë sa e mrekullueshme është që të kemi Perëndinë si Atin tonë: “I vetmi person që guxon ta zgjojë mbretin në orën 3 të mëngjesit për një gotë ujë është një fëmijë. Ne kemi këtë lloj hyrjeje te Perëndia.”

Dhe kjo e drejtë mahnitëse e hyrjes në praninë e Zotit nuk është një theks i vogël në ungjill. Ky është thelbi i mesazhit. Sikurse vëzhgon edhe J. I. Packer: “Për ata që janë të Krishtit, Perëndia i shenjtë është një Atë i dashur; ata i përkasin familjes së Tij; ata mund t’i afrohen Atij pa frikë dhe të jenë gjithmonë të sigurt për kujdesin dhe interesimin e Tij atëror. Ky është thelbi i mesazhit të Dhjatës së Re.”

Dështime të lavdishme

Çfarë thotë Bibla për ne si etër tokësorë? Shumë gjëra domethënëse, si të lavdishme ashtu edhe tragjike. Bibla thotë se atësia i jep formë identitetit personal dhe vetëdijes, si për mirë ashtu dhe për keq. Atësia mund të përcjellë një trashëgimi të pasur frymërore, duke i lidhur zemrat tona me Perëndinë (Eksodi 15:2, Ligji i Përtërirë 32:7, Psalmi 44:1, 78:1-4) dhe atësia gjithashtu mund të përcjellë një histori dështimi, gjë të cilën nuk duhet ta mohojmë (Nehemia 1:6, 9:2). Atësia është mënyra se si trajnimi, rritja dhe korrigjimi i mençur e ndikojnë brezin e ri (Fjalët e Urta 3:11-12, 4:1-4). Në fakt, Perëndia e ndëshkoi Elin që nuk iu vuri fre bijve të tij të marrë (1 e Samuelit 3:11-13). Në një nivel më të thellë, mëkati i Elit ishte që nderoi më tepër bijtë e tij, se sa Perëndinë (1 e Samuelit 2:27-30).

Bibla regjistron shumë dobësi tek etërit. Për shembull, Loti e lëndoi familjen e tij përmes shqetësimit me gjysmë zemre rreth ndikimit degradues të Sodomës (Zanafilla 19:15-16, 30-38). Pa pikë urtësie, Jakobi tregoi favorizim ndaj Jozefit përpara bijve të tij më të rritur (Zanafilla 37:3-4). Babai i Samsonit, i dobët e pa fuqi, iu dorëzua dëshirës së birit të tij për një grua jashtë bashkësisë së besëlidhjes (Gjyqtarët 14:1-3). Davidi ra në krizë në familjen e tij, për shkak se nuk e dalloi kërcënimin që i kanosej bijës së tij, Tamarës, duke mos i disiplinuar bijtë e tij Amnonin dhe Absalomin në mënyrë të drejtë dhe të efektshme (2 e Samuelit 13).

Gjithashtu, është e vërtetë që një atë i mençur në disiplinimin e fëmijëve të tij, të jetë i kujdesshëm që të mos bëhet i pamundur për t’u pëlqyer, saqë t’i vërë fëmijët me shpatulla pas murit (Efesianëve 6:4). Për më tepër, një atë i perëndishëm është i veshur si duhet me dinjitet dhe nder, dhe mund të presë një ndikim afatgjatë (Psalmi 127:3-5). Të udhëheqësh një familje të lumtur dhe të bashkuar në Zotin është një përjetim i bukur për një atë (Psalmi 128). Një atë besnik nuk është përtac apo i pamend, por në mënyrë të ndërgjegjshme mban përgjegjësi për mirëqenien frymërore të fëmijëve të tij (Jobi 1:4-5). Në mënyrë të guximshme, ai e shpall familjen e tij për Zotin (Jozueu 24:14-15). Ai e udhëheq familjen e tij gjatë jetës me një përkushtim të pagabueshëm frymëror (Ligji i Përtërirë 6:4-9). Ai e sjell familjen e tij para Zotit në lutje (Gjoni 4:46-53). Ai siguron për familjen e tij gjërat e mira tokësore, sipas nevojave të tyre të arsyeshme (1 e Timoteut 5:8). Ai reagon ndaj kërkesave të tyre me dhurata të mira (Luka 11:11-13). Ai sheh drejt së ardhmes dhe planifikon një trashëgimi për familjen e tij (Fjalët e Urta 13:22). Në të gjithë këtë, si në dështime ashtu dhe suksese, një atë i krishterë forcohet prej njohurisë që ka, se Ati i tij në qiell e do dhe e aprovon për hir të Jezusit (Romakëve 8:15-17, Efesianëve 5:1).

Thyerje dhe bukuri

Pjesa më e trishtuar e të qenit atë është vetëdija se ajo që teologët e quajnë ‘mëkati origjinal’ kalon te brezi tjetër përmes atësisë natyrore) (Zanafilla 5:3, Romakëve 5:12-21). Mëkati i parë është një energji negative brenda nesh, e cila i reziston Perëndisë në mënyrë që të jetë vetë perëndi. Është një refleks i palogjikshëm gatishmërie për rebelim dhe marrëzi, pa e vrarë mendjen për ndikimin vdekjeprurës, i gatshëm për të rrezikuar mjerimin dhe ferrin, në vend që të gjunjëzohet para Perëndisë. Kjo është një lloj errësire e gjallë, të cilën vetëm Perëndia mund ta trajtojë (Efesianëve 2:1-10). Kur ne si etër e shohim mëkatin e hershëm të shfaqet nga fëmijët tanë, me trishtim duhet të pranojmë mëkatshmërinë tonë që është riprodhuar tek ata të cilët i duam më shumë.

Pjesa më e lumtur e të qënurit atë është të shohim hirin hyjnor që manifestohet në fëmijët tanë, ndërsa Ati ynë në qiell kryen mrekullinë e lindjes së re dhe fëmijët tanë bëhen të gjallë për Perëndinë (Gjoni 3:1-8). Perëndia është në gjendje t’u japë fëmijëve tanë një zemër të re, një natyrë të re që e do Perëndinë, që do besimtarët e tjerë dhe që e çmon ungjillin (1 e Gjonit 3:9, 4:7, 5:1-4). Ne etërit luajmë një rol të rëndësishëm në lindjen e dytë dhe të mbinatyrshme të fëmijëve tanë, duke u lutur për ta dhe duke i edukuar në shtigjet e Zotit (Efesianëve 6:4).

Së fundi, Bibla e bën të qartë se një burrë besimtar bëhet një atë frymëror ndërsa e udhëheq dikë te besimi në Krishtin (Filemoni 10). Dhjata e Re paraqet si ideal një udhëheqës të krishterë, i cili i pranon përgjegjësitë atërore për rritjen frymërore të të tjerëve (1 e Thesalonikasve 2:11-12). Kur një burrë tregon një kujdes të tillë të butë për të tjerët, mund të zbulojë që ka një ndikim të madh në jetën e tyre (1 e Korintasve 4:14-17).

Ne si etër, qofshim besnikë moment pas momenti, ndërsa ndjekim thirrjen tonë të lartë përmes hirit të Perëndisë, për lavdinë e Tij dhe për lumturinë e përjetshme të fëmijëve tanë.

Shënim i redaktorit: 

Ky artikull është përshtatur nga shënimet e ESV Men’s Devotional Bible [Bibla Devocionale për Burra ESV] (Crossway, 2015).

Përktheu: Asim Hamza; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet