×

Mos ji individualist në ungjillëzim

Përparësia e ungjillëzimit është e padiskutueshme në Bibël, por sërish pjesa më e madhe e të krishterëve ndihen sikur nuk kanë bërë mjaftueshëm në këtë pikë.

Mbase, sepse e shohim ungjillëzimin si një përpjekje individuale. Po, secili nga ne duhet të flasë për ungjillin, por, sipas Biblës, ungjillëzimi vetmitar është larg nga të qenët ideal.

Disa njerëz kanë përparësi shpalljen e ungjillit në mënyrë personale, por të tjerë theksojnë rëndësinë e ungjillëzimit në komunitet. Që të dyja janë qasje të mira, por kur këto dy qasje shkrihen në një, në kishën lokale, shohim më shumë fryt.

Ekuacion revolucionar

Kushdo që ka dëgjuar ose ka lexuar nga Ray Ortlund, ka gjasa që, ashtu si unë, të ketë admirim për të. Materialet e tij kanë qenë ndihmesë e madhe, veçanërisht për kishëmbjellësit e rinj, si unë, por asgjë nuk më ka lënë mbresa më të forta se ekuacioni që shkroi në fillim të librit të tij “Ungjilli” (The Gospel).

  • Doktrina e ungjillit – kultura e ungjillit = hipokrizi
  • Kultura e ungjillit – doktrina e ungjillit = brishtësi
  • Doktrina e ungjillit + kultura e ungjillit = fuqi

Ky ekuacion ka rezultuar shumë i dobishëm në përvojën time, ndërsa drejtoja kishëmbjelljen tonë të re. Nëse e shpallim ungjillin por nuk e jetojmë, do të bëhemi hipokritë: njerëz që flasin e flasin, por mbajnë qëndrim me dy faqe, nuk ecin në mënyrën e duhur. Dhe anasjelltas, nëse e jetojmë ungjillin por nuk e shpallim atë, do të jemi njerëz të pathemeltë, të thyeshëm e delikatë: njerëz që kërcejnë nga një tekë, te tjetra. Nëse ne flasim për ungjillin dhe e jetojmë atë, do të jemi një kishë përmes së cilës të tjerët mund të dëgjojnë dhe të përjetojnë lajmin e mirë të hirit të Perëndisë në Jezusin. Dhe kur kjo ndodh, ka fuqi.

Doktrina e ungjillit

Prandaj kur mendojmë për mënyrën se si ungjillëzojmë, duhet të fillojmë me një doktrinë. Kishëmbjellja jonë është pjesë e Veprave 29 (Acts29), që do të thotë se ne jemi të bindur që njerëzit e Perëndisë janë në zemër të misionit të Perëndisë. Me fjalë të tjera, kisha ka rol themelor në lidhje me atë që Perëndia do të arrijë në botë.

Kisha ka rol themelor në lidhje me atë që Perëndia do të arrijë në botë.

Edhe përmbledhja më e shkurtër biblike-teologjike e tregon këtë. Në kopshtin e Edenit, Perëndia vendosi Adamin dhe Evën si mbartës të shëmbëlltyrës së Tij në krijim (Zan. 1:27). Në Dhjatën e Vjetër, Ai zgjodhi Izraelin si dritë për kombet (Isa. 49:6). Në Dhjatën e Re, Ai e vendosi kishën që të shpallte lavdinë e Tij (1 e Pjet. 2:9). Dhe në krijimin e ri, nusja e Tij, kisha, e pastër si një gur i çmuar, do të shpalosë shkëlqimin e lavdisë së Tij (Zbu. 21:9-11).

Nga Zanafilla te Zbulesa, Shkrimet na mësojnë që Perëndia bëhet i njohur në këtë botë përmes njerëzve të Tij, në numrin shumës.

Kultura ungjillore

Ne mbjellim kisha me këtë qëllim në mendje, por ndërkohë, duhet të ruhemi nga individualizmi i shfrenuar i ditëve tona. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, kishëmbjelljet tona do të përjetësojnë po atë përqendrim te vetja që shohim ngado përqark nesh dhe kjo mund të depërtojë në ungjillëzimin tonë.

Nëse është përmes jetës sonë së bashku që Perëndia e bën Veten e njohur, atëherë ne nuk mund të biem dakord me ungjillëzimin vetjak. Jam i vetëdijshëm për nevojën e individit për të ndarë ungjillin në sferat e përditshme të jetës. Nuk po e argumentoj këtë në mënyrë të prerë, por nëse jemi të përkushtuar me pasion që miqtë tanë jobesimtarë të njohin Perëndinë, atëherë ungjillëzimi ynë duhet të jetë si bashkësi dhe larg nga qëndrimi idividual.

Nëse jemi të përkushtuar me pasion që miqtë tanë jobesimtarë të njohin Perëndinë, atëherë ungjillëzimi ynë duhet të jetë si bashkësi dhe larg nga qëndrimi idividual.

Kishëmbjelljet mund ta bëjnë realitet këtë ambicie. Çdo kishë duhet të fillojë me një fokus specifik ungjillëzimi; që ta bëjë Jezusin të njohur në një zonë specifike gjeografike ose në shtete të tjera në një komunitet të veçantë.

Ndërsa mbjellim kisha, nuk po mbledhim një turmë njerëzish përqark shërbesave javore dhe as nuk po grumbullojmë shërbëtorë që të drejtojnë programet e përjavshme. Jemi duke mbledhur ambasadorë të Krishtit, të cilët përmes jetëve të tyre në bashkësi do të përfaqësojnë Shpëtimtarin e tyre para fqinjëve dhe kombeve.

Pra, ndajmë tryezat, presim në portat e shkollës së bashku, i shërbejmë komunitetit tonë së bashku. Frekuentojmë kafenetë së bashku, bëjmë barbekju, ndjekim ndeshje sportive, stërvitemi bashkë. Jetojmë së bashku në atë mënyrë që miqtë tanë jo të krishterë të mos takojnë vetëm një besimtar, por të takojnë një kishë.

Në kulturën ungjillore, kishëmbjellja nuk do t’i lejojë prirjet e shfrenuara të individualizmit të marrin krahë, sidomos në sferën e ungjillëzimit. Ne nuk jemi një grup individësh që po përpiqemi të flasim për Jezusin të izoluar nga njëri-tjetri, jemi populli i zgjedhur përmes të cilit Perëndia synon të shfaqë lavdinë e Tij (1 e Pjetrit 2:9-10). Kjo e vërtetë e transformon ungjillëzimin nga ‘unë dua t’i fitoj ata për Perëndinë’ te ‘ne duam t’i fitojmë ata për Perëndinë’.

Fuqia e vërtetë

Kur jetojmë në këtë mënyrë, diçka e fuqishme ndodh. Vetë kisha jonë kohët e fundit përjetoi një shembull të kësaj force. Rreth 18 muaj më parë, një familje në kishën tonë prezantoi një burrë në  komunitetin e kishës. Ai nuk kishte qenë kurrë në një kishë, por të dielën e fundit të 2018-ës, ai shpalli besimin e tij në Krishtin.

Kur e pyeta pak më tepër, tha: “Kam dëgjuar ungjillin përmes kishës dhe kishte kuptim për mua. Gjithsesi, ajo që më bindi se është e vërtetë, është jeta e përbashkët që ndani me njëri-tjetrin.” Përmes doktrinës së kishës, dëgjoi mesazhin e ungjillit; përmes kulturës së kishës, pa të vërtetën e ungjillit dhe përmes shpëtimit të tij, përjetuam fuqinë e ungjillit.

Ose, me  fjalët e Ray Ortlund-it: doktrina e ungjillit + kultura e ungjillit = fuqi.

Shënim i redaktorit: 

Përktheu: Erjon Ramaj; Redaktoi: Linea Simeon

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet