×

Mos u turpëro nga doktrina e mëkatit

Të krishterët besojnë se rrëfimi i mëkatit tona është thelbësor jo vetëm për të marrë hir, por edhe për ta çmuar bukurinë dhe mirësinë e Shpëtimtarit tonë. Megjithatë, sot gjithnjë e më shumë ndihemi në siklet t’u themi njerëzve se janë mëkatarë. Kur dëgjojmë predikime nga Zanafilla 5 ose nga Jeremia 17:9, ne nuk ndihemi rehat. Pyesim veten se çfarë mendojnë vizitorët e rinj në kishë dhe shpresojmë që predikuesi të mos jetë dhe aq i ashpër. Ne që bëjnë lutje të përbashkët rrëfimi në takimet e kishës tonë, vrasim mendjen nëse kjo gjë nuk është pak si kundra rritjes së kishës?

Libri Not the Way It’s Supposed to Be: A Breviary of Sin [Jo ashtu siç duhet të jetë: Një përmbledhje e mëkatit] i Cornelius Plantinga nuk është dhe aq i vjetër. Gjithsesi çerek shekulli midis botimit të tij e deri sot është kohë e mjaftueshme për të vërtetuar shqetësimin e Plantingës për zbehjen e vetëdijes publike, për sa i përket kategorisë së “mëkatit”. Të krishterët që ndihen në siklet nga kjo doktrinë e kanë humbur aftësinë për të shpjeguar se çfarë nuk shkon me botën dhe se çfarë shpall lajmi i mirë i Jezu Krishtit. Siç paralajmëroi dhe Plantinga: “Të shpërfillësh, të zbusësh me fjalë të tjera, apo të mos flasësh fare për realitetin vdekjeprurës të mëkatit, është njësoj sikur t’ia heqësh zemrën ungjillit” (199). 

Mirësjellja ≠ Mirësia

Pasojat e zbehjes së pikëpamjes biblike për mëkatin, shfaqen te konfuzionet në rritje rreth moralit brenda dhe jashtë kishës. Sot, të krishterët ungjillorë përleshen më shumë doktrina historike të krishtera: ekskluzivitetin e ungjillit, realitetin e ferrit, mëkatshmërinë e homoseksualitetit, thjesht nëse përmendim ato që janë në krye të listave. Ne na mundojnë shumë besimet historike të kishës, pasi nuk e kemi marrë parasysh peshën e madhe të mëkatit.

Pa një doktrinë të shëndoshë në lidhje me mëkatin, ne kemi ushqyer një moral që barazon mirësjelljen me mirësinë. Kështu që të krishterët befasohen kur takojnë një praktikues të homoseksualitetit, i cili është një fqinj i mirësjellshëm. Si mund të thuash që Jim është i lig kur ai i merr çdo javë plehrat e gjyshes tënde dhe i hedh në kosh?

Të krishterët që ndihen në siklet nga kjo doktrinë e kanë humbur aftësinë për të shpjeguar se çfarë nuk shkon me botën dhe se çfarë shpall lajmi i mirë i Jezu Krishtit.

Pa një doktrinë të shëndoshë të mëkatit, mbetemi vetëm me kategoritë e njerëzve të mirë dhe atyre të ligj. Madje, kur e shpërfillim bisedën për mëkatin në një shoqëri të mirësjellshme, ne ia heqim vetes aftësinë për t’i parë mëkatarët si të mundshëm për t’u shpenguar dhe e nënvlerësojmë fuqinë transformuese të hirit. Vezët e prishura vlejnë vetëm për t’u hedhur.

Mëkatarë të pandreqshëm

Asgjë tjetër nuk e tregon paaftësinë tonë kulturore për të parë mëkatarët si të mundshëm për t’u shpenguar, se sa shoqëria jonë virtuale, e cila duket akoma më pak e interesuar për t’i trajtuar njerëzit në mënyrë të drejtë se sa dhe vetë gjykimi i një shtrige në komedia e Monty Python. Për shembull, industria e romaneve për të rinj dhe për të rritur është duke i mashtruar të rinjtë e saj, pasi portretizimi i personazheve të minoriteteve si me të meta morale interpretohet si fanatizëm.

Nëse mendoni se ky është vetëm një problem që i përket laicitetit, kur njerëzit tërhiqen nga trashëgimia e tyre judeo-kristiane, hidhini një vështrim të shpejtë mënyrës se si trajtohet në internet çdo pastor i akuzuar për skandal. Jo të gjithë ata që akuzohen janë të pafajshëm dhe qortimi publik është qortim i duhur për figurat publike. Mënyra se si i kemi trajtuar ata udhëheqës të cilët i kemi konsideruar se janë në faj, duket që, thellë-thellë, nxjerr në pah mendimin që kemi se, kur një udhëheqës mëkaton nga ana morale, kjo gjë e skualifikon atë jo vetëm nga drejtimi i kishës, por edhe nga vëllazëria e njerëzimit. Nëse kjo tingëllon si ekzagjerim nga ana ime, thjesht pyesni fëmijët e ndonjë udhëheqës që ka rënë në mëkat.

Asnjëra nga këto nuk do të thotë se një doktrinë e shëndoshë e mëkatit do ta bëjë botën një vend më të mirë. Megjithatë, kjo do të na pajisë që ta kuptojmë pse asgjë në botë nuk është ashtu siç duhet. Bota nuk mund të ndahet në heronj që bëjnë gjithmonë të mirën për arsyet e duhura dhe shejtanë që bëjnë gjithmonë të keqen për arsyet e gabuara. Shpesh, edhe heronjtë më të mëdhenj janë shejtanë.

Cili është problemi më i madh me mëkatin?

Në librin e tij, Plantinga parashikoi se çfarë do të ndodhë kur kisha të ndalojë së foluri qartë për mëkatin. Ai gjithashtu ilustron mënyrat e shumta se si mëkati ndikon në jetën tonë. Por përsëri, pasi lexova të gjithë këtë, ndihesha sikur kisha shijuar një shumëllojshmëri të mrekullueshme mezesh, por jo pjatën kryesore. Plantinga përshkruan atë që na bën mëkati, por rrallë flet për atë që mëkati i bën marrëdhënies tonë me Perëndinë.

Mënyra e vetme për ta kuptuar mëkatin siç duhet është që ta shohim atë si një refuzim të Perëndisë.

Megjithatë, mënyra e vetme për ta kuptuar mëkatin siç duhet është që ta shohim atë si një refuzim të Perëndisë. Ky mund të mos jetë çmimi i mëkatit që dallohet më lehtë, por edhe kjo vështirësi na çon në përfundimin se mëkati e dobëson të kuptuarit tonë. Të gjithë njerëzit mund ta pranojnë se bota nuk është ashtu siç duhet të jetë. Gjithsesi vetëm të krishterët mund ta shpjegojnë se problemi i cili qëndron poshtë gjithë problemeve të tjerë është edhe më i rëndë, dhe akoma më shumë i domosdoshëm për t’u ndrequr: domethënë, ndarja nga Perëndia. Vetëm të krishterët mund të shohin drejt qiellit dhe të rrëfejnë: “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje” (Psalmet 51:4). Kjo mungesë vëmendjeje ndaj fyerjes së mëkatit, e cila është para së gjithash kundër vetë personit të Perëndisë, e pengon këtë libër të dobishëm të përshkruajë siç duhet problemin në fjalë. Mënyra se si Plantinga e përkufizon mëkatin nuk qëllon tamam në shenjë, pasi nuk e thekson aq sa duhet realitetin vertikal të tij. 

Një besim argëtues dhe i zbrazët

Pavarësisht komenteve të mia kritike, ky libër ia vlen të lexohet dhe të meditohet. Plantinga shkruan bukur teologji.

Këto ditë, lajmet që dëgjohen janë plot me konfuzione në rritje, të rrënjosura në një shpërfillje të dukshme të mëkatit. Madje edhe në shumë kisha, mesazhi i nënkuptuar është pikërisht ai për të cilin na paralajmëron Plantinga: një besim i distancuar nga pendimi dhe vajtimi, i aftë për të ofruar vetëm “festë, zbavitje, rritje personale dhe pesë mënyra për të rritur vetëvlerësimin tonë. Dhe sidomos… argëtimin” (193). Do të bënim mirë të dëgjonim reflektimet e kujdesshme të një vëllai më të madh dhe më të urtë rreth kësaj çështjeje. 

Në ditë të tilla, e përfytyroj vëllanë tonë Cornelius që fare lehtë mund të thotë: “Unë ju thashë”, sepse me të vërtetë mëkati po na ruan te porta.

Botuar me leje: https://www.thegospelcoalition.org/reviews/sin-not-way-supposed-cornelius-plantinga/
Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim i redaktorit: 

Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga koalicioniungjillit.org” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet

© Koalicioni Shqiptar i Ungjillit 2022

SHFAQ MË SHUMË
Po ngarkohet